Davudoglu flet për një harmonizim


 

Në një intervistë të gazetares Umajme Abdul-Latif me z.DaudOglu (njërin prej këshilltarëve kryesorë të kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan) për gazetën në gjuhën angleze Al-Ahram Weekly, i intervistuari paraqet idetë dhe përvojën e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në tejkalimin e fazës eksperimentale drejt asaj praktike në lidhje me kontributin e kësaj partie në zhvillimet e reja të përfaqësimit të islamit.

Në fillim ky mendimtar turk i islamit, përpiqet të shpjegojë dukurinë e përtëritjes islame duke e vënë atë në një kontekst ndërkombëtar. Ai thekson se Perëndimi pranoi në fund të shekullit të 19-të parrullën e famshme të Niçes se “Zoti ka vdekur“, që do të thotë se të gjitha aspektet shpirtërore dhe morale të njeriut, ose janë të panevojshme, ose janë thjeshtë çështje private, që s’kanë lidhje me jetën praktike të individit në shoqëri. Në vitet 80-të dhe 90-të të shekullit të kaluar, Perëndimi përvetësoi nocione të tjera si: “fundi i ideologjive“ apo “fundi i historisë“, të cilat në fakt nënkuptojnë fundin e ideologjive, teoretizimit, deri edhe metodës.

DaudOglu shton, se triniteti i përbërë nga feja, ideologjia, dhe historia nuk ka pushuar së ndikuari dhe vepruari, e as që do të pushojë ndonjëherë. Në fillim të shekullit të 20-të mbizotëronte mendimi se roli i fesë në shoqëri do të shkojë duke u zvogëluar dhe se modernizmi do të forcohet dhe do të mbizotërojë.

Në çerekun e fundit të shekullit të 20-të, tendencat treguan për një drejtim të kundërt. Doli në pah nevoja për një rilindje të fesë në të gjithë botën, në të gjitha qendrat kryesore të civilizimeve, jo vetëm të islamit,dhe se kjo tendencë do të vazhdojë pasi është përgjigja kryesore ndaj modernizmit i cili mbizotëronte në vitet 50-të. Ky është një reaksion që pati për pasojë rikthimin e fesë dhe moralit në jetën politike dhe që iu kundërvu mohimit të vlerave morale gjatë periudhës së modernizimit.

Nëse do të shikojmë me vëmendje shndërrimet shoqërore në vite 80-të dhe 90-të, të shekullit të 20-të, konstatojmë një rilindje të kristianizmit jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe në vende të tjera. Po ashtu edhe në Indi, do të shohim rilindjen e hinduizmit shoqëruar kjo me ardhjen në pushtet të një partie hinduiste; ringjalljen e vlerave konfuciane në Kinë; në mënyrë analoge do të shohim edhe ringjalljen e trashëgimisë islame në vendet myslimane. Ky pra, është një fenomen botëror, i cili nuk lidhet vetëm me kushte apo rrethana të ngushta e të caktuara.

Në këtë kontekst do të ishte i pakuptimtë dallimi në sensin terminollogjik mes “islamit liberal“ dhe “islamit radikal“, që i ngjiten rëndom botës islame. Nga ana tjetër sa herë flitet për civilizimet e tjera – kristiane, hinduiste apo hebreje – nuk nënkuptohet “kristianizmi liberal“ apo “kristianizmi radikal”, por gjithnjë fjala është për “vlerat morale“, të cilat mund të jenë konservatore ose liberale.

DaudOglu mendon se, nëse politika kontemporane do të vazhdojë të shkojë në këtë drejtim, egziston rreziku i shtimit të tensioneve në vendet myslimane. Gjatë 15 viteve të fundit pas përfundimit të luftës së ftohtë, bota islame e ka humbur besimin tek përdorimi objektiv i mekanizmave nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Myslimanët janë dëshmitarë të ngjarjeve në Bosnjë, Palestinë, Karabah dhe gjetkë. Për vite me rradhë komuniteti ndërkombëtar bënte sehir për vrasjet dhe masakrat ndaj myslimanëve në Bosnje dhe vazdhon të jetë indiferent ndaj realitetit tragjik në Palestinë. Së fundi, myslimanët ngelën të zhgënjyer nga rasti i Qipros, ku plani i bashkimit të ishullit qipriot nën kujdesin e OKB-së, u refuzua nga qipriotët grekë. Pala greke megjithatë u pranua në BE përkundër refuzimit të sipërpërmendur, ndërsa pala turke e ishullit qipriot vazhdon të jetë nën një izolim total politik, ekonomik dhe kulturor. Myslimanët për pasojë ndihen të izoluar politikisht dhe gjeografikisht nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Daudoglu i kushton vëmendje të veçantë cështjes aktuale të raportit mes islamit dhe demokracisë si dhe bashkëveprimit mes tyre. Ai nuk sheh ndonjë problem në këtë drejtim pasi në doktrinën islame ka hapësirë të mjaftueshme për mekanizma përfaqësues që i mundësojnë individit përfaqësimin e tij dhe me të drejtën për t’i zhvilluar më tej këto mekanizma, me kushtin e vetëm që ato të shërbejnë për forcimin e vlerave themelore islamike.

Këto vlera themelore janë: mbrojtja e jetës, e mendimit, e fesë, e pasurisë dhe sigurisht vendosja e drejtësisë. Çdo sistem mund të konsiderohet legjitim nëse garanton këto vlera. Duke u bazuar mbi mendimin e mësipërm, Z. DavudOglu gjykon se është përgjegjësi e dijetarëve islamë, që të krijojnë systeme politike dhe mekanizma demokratike të kohës, si dhe të përpiqen të harmonizojnë vlerat e ndryshme shoqërore në kuadër të strukturave egzistuese.

Tek sistemi i demokracisë mund të gjejmë 4 parime bazë të funksionimit të saj:

• legjitimiteti i pushtetit politik

• angazhimi politik si burim i këtij pushteti

• përgjegjësia politike dhe ligjore e liderëve politikë

• mundësia e ndryshimit të pushtetit politik nëpërmjet zgjedhjeve të lira

Këto parime nuk janë në kontradiktë me vlerat e islamit. Në traditën islame egziston tabani – baza erudite, që e mbështet idenë e legjitimetit të arsyeshëm në kuadër të sistemit politik.

Historia e myslimanëve na ofron nje model unik, ku shohim transferimin e pushtetit fetar nga Pejgamberi tek pushteti i arsyeshëm i pasuesëve të tij – kalifët. Nga historia islame gjejmë se mbi fatin e kalifatit të Pejgamberit (Muhamed) vendosi shoqëria me anë të zgjedhjeve dhe jo ndonjë ndërhyrje hyjnore. Një shembull i tillë nuk gjendet në asnjë traditë tjetër fetare. Këtu gjejmë edhe dallimin mes kristianizmit dhe islamit.

Krahasimi i përvojës historike së apostullit Shën Palit dhe kalifës së parë Abu Bekr as-Sidikut na shpalos qartë këtë dallim. Shën Pali nuk pati asnjë marrëdhënie direkte historike apo personale me Krishtin, prandaj dhe pushteti i tij si themeluesi i dytë i fesë së krishtere kishte karakter metafizik që bazohej tek statusi special i Krishtit si objekt e shenjtë.

Nga këndvështrimi historik, legjitimiteti fetar, politik dhe shoqëror u transferua tek subjekti metafizik i kishës dhe tek personaliteti hyjnor i Papës, kështu që në kuadër të kësaj tradite fetare nuk mund të zhvillohej dhe të gjente jetë asnjë model i arsyeshëm.

Kurani nuk përmban mekanizma të hollësishme apo obliguese politike të cilave myslimanët duhet t’u përmbahen. Kurani na udhëzon në përgjithësi mbi vlerat të cilave duhet t’u përmbahet sistemi politik: drejtësisë, dinjitetit, barazisë dhe lirisë por nuk urdhëron asnjë formë konkrete të një sistemi politik (apo ndonjë formë të prerë qeverisjeje), kjo sepse sistemet politike u nënshtrohen ndryshimeve të kohës.

Kur Mauardi shkroi librin “Vendime Sulltanore“ në shekullin e 11-të, i cili u shndërrua ndër burimet kryesore të politikës, ideologjisë dhe politollogjisë islame, idetë e tij mbi mekanizmat politikë të qeverisjes u frymëzuan nga traditat romake, bizantine dhe persiane.

Nga ana tjetër egzistonin mekanizma të tjerë politikë, të cilat janë konsideruar si elemente tipike të politikës islame qysh prej zanafillës së saj. Për shembull, përgjegjësia politike dhe juridike e pushtetarit kanë qenë subjekt i pandarë i traditës islame dhe praktika e kalifit Omer bin Hatabit është shembull i kësaj. Sesa iu përmbajtën këtij parimi pushtetarët e tjerë islamë kjo është çështje tjetër, por ajo që vlen për t’u theksuar është se parimi në fjalë ishte pjesë e pandarë e traditës së brezit të parë të pushtetarëve që pasuan Pejgamberin Muhamed (paqja qoftë me të).

Është detyrë e dijetarëve islamë që të hulumtojnë dhe zbulojnë sistemet më ideale politike që mundësojnë arritjen e vlerave globale islame.

DaudOglu refuzon nocionin “parti islamike“ dhe e konsideron atë si të gabuar, sepse në natyrën e tyre, partitë kanë karakter sektar dhe jo unifikues ndërsa islami është element i njësuar dhe unifikues. Prandaj, përdorimi i nocionit parti islamike duhet të jetë i kujdesshëm pasi islami s’duhet ngushtuar në terminilogji apo parti politike sepse kjo do të bënte që parti të veçanta të pretendojnë një monopol në përfaqësimin e islamit (në politikë).

Natyrisht që Z. DavudOglu shpreh edhe opinionin e tij në lidhje me çështjet e reformave dhe përtëritjes së brendshme të botës myslimane. Ai shprehet se duhet t’i shohim gjërat larg subjektivitetit që karakterizon gjykimin e opinionit ndërkombëtar ndaj islamit, dhe se dijetarët islamë duhet të shtrojnë para vetes dhe opinionit disa pyetje serioze në lidhje me kuptimin e drejtë të problemeve që ndeshim sot. Bota islame ndeshet sot me tre probleme kryesore:

a) Bota islame gjendet në një pozitë gjeografike që përbën djepin e të gjitha qendrave të civilizimeve të njohura në historinë botërore dhe dijetarët islamë duhet t’i bëjnë pyetjen vetes: Cili është kontributi i myslimanëve në kulturën botërore sot? DaudOglu mendon se është e qartë se ky kontribut nuk është aspak në nivelin që kërkohet, është pa influencë dhe i vakët. Nga ana tjetër ai mendon se janë të gjitha mundësitë që myslimanët të marrin pjesë në mënyrë të ndjeshme në pasurimin e kulturës botërore. Myslimanët në fakt zotërojnë tradita kulturore nga më të pasurat.

b) Bota islame gjendet në një zone të pasur me rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike e gjeopolitike, nga e cila furnizohet e gjithe bota me lëndë të para. Gjithashtu, këtej kalojnë rrugët kryesore tregtare. Përkundër këtyre pasurive natyrore, asnjë vend mysliman nuk renditet mes 15 ekonomive më të pasura të botës. Prandaj myslimanët duhet t’i bëjnë pyetjen vetes: Si ka mundësi që 1,5 miliard muslimanë nuk janë të aftë të kenë një Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB apo GDP në anglisht) më të lartë se çdo shtet mesatar europian?

c) Bota islame është e pajisur me tradita politike nga më të pasurat dhe më lashtat në botë të përfaqësuara në vende si Egjipti, Tuqia, Irani, Iraku etj. Përkundër kësaj myslimanët kanë vështirësi në aplikimin e mekanizmave demokratike në politikë. Pse?

Këto janë çështjet që duhet t’i ngrenë myslimanët kur diskutojnë në lidhje me temat e ndryshimeve dhe reformave në botën islame. Këto janë cështje për të cilat askush tjetër pëveç se ata, mund t’u japin zgjidhje. Myslimanëve u duhet një zgjim total, që do të thotë rikthim i jetës në mendimet, strukturat dhe institucionet e myslimanëve e përcjellur kjo me qëndrime psikologjike të bazuara tek vetëbesimi, dinjiteti dhe bashkëpunimi me qëllim përparimin dhe aftësinë në zgjidhjen e problemeve të kohës. Në fund të fundit, Zoti di më mirë për gjithçka…

Autor: Abdul Vahab Al-Masirí

*Fridrih Niçe, – fillozof gjerman i cili bazohej tek metafizika e Shopenhauerit që trajtonte metafizikën e vullnetit dhe parimit darvinian mbi luftën për egzistencë, e cila pati si rrjedhojë lindjen e konceptit të mbinjeriut i cili ka për detyrë shkatërrimin e gjithçkaje të rreme, të sëmurë dhe armiqësore nga pikëpamja e jetës.

**Modernizmi: rrymë arti që i përket fundit të shekullit të 19-të dhe fillimt të shekullit të 20-të, p.sh. modernizmi evropian, arti modern, letërsia modern

 

Analiza politike

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *