Rregullat e kurbanit

Therja e kurbanit është prej simboleve të dukshme të Islamit, simbol për të cilin mbarë muslimanët janë të pajtuar se është i ligjshëm, kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, vazhdimisht e ka kryer këtë ibadet, siç tregon Enesi, radijall-llahu anhu:

أن رسول الله -صلى الله عليه وسلم- انكفأ إلى كبشين أقرنين أملحين، فذبحهما بيده

“Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i mori dy desh me brina dhe të majmë, e i therri me dorë të vet”. (Buhariu).

Në vazhdim do t’i përmendim disa rregulla dhe çështje që kanë të bëjnë me therjen e kurbanit, edhe atë nën këto nëntituj:

 Një: Vendimi i sheriatit mbi therjen e kurbanit:

 Dijetarët i kanë dy mendime mbi këtë çështje, shumica e dijetarëve thonë se është sunnet i fortë, kurse të tjerët thonë se është vaxhib. I këtij mendimi është edhe Shejhul-Islam Ibën Tejmijje, rahimehull-llah.

Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

مَنْ كَانَ لَهُ سَعَةٌ وَلَمْ يُضَحِّ فَلَا يَقْرَبَنَّ مُصَلَّانَا

“Kush ka mundësi të therrë kurban e nuk therrë, le tw mos i afrohet musal-lasë (vend i faljes sw namazit tw Bajramit) sonë”. (hadithi është hasen, transmeton Ibn Maxhe).

Dhe thotë:

مَنْ ذَبَحَ قَبْلَ أَنْ يُصَلِّيَ فَلْيُعِدْ مَكَانَهَا أُخْرَى وَمَنْ لَمْ يَذْبَحْ فَلْيَذْبَحْ

“Kush ka therrë para se ta fal namazin, le ta therrë një tjetër, e kush nuk ka therrur le të therrë”. (Buhariu dhe Muslimi).

Mirëpo ai që nuk ka që të therë le të mos brengoset sepse për të ka therur Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, siç tregon Xhabiri, radijall-llahu anhu, në hadithin që e transmeton Ahmed, dhe Hakim i cili thotë se është hadith i vërtetë, e në këtë pajtohet edhe Dhehebi.

 Dy: Koha e therje e Kurbanit.

 Koha e therje fillon pas faljes së namazit të bajramit, duke u mbështetur në hadithin të cilin e transmeton Enesi, radijall-llahu anhu:

من ذبح قبل الصلاة فإنما ذبح لنفسه، ومن ذبح بعد الصلاة فقد تم نسكه وأصاب سنة المسلمين

“Kush ka therur para namazit, ka therur për vete (domethënë për mish), kurse kush therë pas namazit, ai ka therur kurban dhe e ka qëlluar sunnetin e muslimanëve”. (Buhari).

 Koha e therje vazhdon deri në ditën e fundit të teshrikut, pra deri në ditën e 13 të muajit Dhulhixhxhe, (dita e katërt, dita e fundit e Bajramit), kështu që ditët për të therrur kurban janë katër ditë, duke u mbështetur në hadithin e Xhubejr ibn Metamit:

 وفي كل أيام التشريق ذبح

“Në të gjitha ditët e teshrikut mund të therrish kurbanin”. (Ahmed dhe Darekutni, Ibën Haxher thotë: senedi është me burra të përpiktë-thikat).

Por pa dyshim që është më mirë të theret kurbani në ditën e parë pas namazit të bajramit, sepse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

إن أوّل ما نبدأ به من يومنا هذا أن نصلي، ثم نرجع فننحر

“Vepra e parë me të cilën fillojmë ditën e sotit (ditën e kurban bajramit), është namazi. Pastaj kthehemi dhe therrim kurbanin”. (Buhari).

 Tre: Forma e therje.

 Sunnet është që njeriu ta therë kurbanin me dorën e vet. Nëse është lopë ose dele e shtrinë atë në anën e majtë, të drejtuar kah Kibleja, e vendon këmbën në qafën e saj dhe gjatë therje thotë: bismil-lah, All-llahu Ekber, All-llahumme hadha minke ve leke, All-llahumme tekabbel minni ve an ehli bejti.

 Në këtë aludojnë hadithet që do ti përmendim në vijim:

ضحى النبي بكبشين أملحين أقرنين، ذبحهما بيده، وسمّى وكبّر، ووضع رجله على صفاحهما

“Pejgamberi theri dy desh të majmë dhe me brirë, i theri ata të dytë me dorën e vet, e përmendi emrin e Allahut dhe bëri tekbir, kurse këmbën e vendosi në qafën e tyre”. (Buhariu).

أن رسول الله أمر بكبش أقرن، يطأ في سواد، ويبرك في سواد، وينظر في سواد، فأتي به ليضحي به، فقال لها: يا عائشة هلمي المدية، ثم قال: اشمذيها بحجر، ففعلتُ، ثم أخذها وأخذ الكبش فأضجعه، ثم ذبحه ثم قال: باسم الله، اللهم تقبل من محمد وآل محمد ومن أمّة محمد، ثم ضحى به

“I Dërguari urdhëroi ti sillet një dash me brirë, me thundra të zeza, gjunjë të zi dhe përreth syrit ti ketë të zeza. Ia sollën që ti therë, e ky i tha asaj: Oj Aishe, ma sjell thikën! Pastaj i tha: mprehe ate me gurë. Ajo e mprehu. Pastaj e morri (Pejgamberi) atë (thikën) dhe morri një dash dhe e shtriu, pastaj e theri dhe tha: bismil-lah, All-llahumme tekabbel min Muhammedin ve alu Muhammed ve min ummeti Muhammed, pastaj e përfundoi kurbanin”. (Muslimi).

 Kurse Ibën Omer, radijall-llahu anhu, urrente të hante nga kurbani i cili nuk ishte therur në drejtim të kibles.

Nëse kurbani është deve, ia lidhë këmbën e majtë dhe e therë në fyt, sepse kur Ibën Omer, radijall-llahu anhu, ka parë një njeri duke therë një deve të shtrirë, i ka thënë: ngrite në këmbë dhe lidhja këmbën e majtë, ky është sunneti i Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. (Buhari dhe Muslim).

 Katër: Ndalohet të shitet diç nga kurbani.

 Nuk lejohet të shitet asgjë nga kurbani, as qimet e as lëkura. Gjithashtu nuk lejohet ti jepet si pagesë kasapit (therësit të kurbanit) gjë nga kurbani, kjo ngase Aliu, radijall-llahu anhu, thotë:

أمرني رسول الله -صلى الله عليه وسلم- أن أقوم على بُدْنه، وأن أتصدق بلحمها وجلودها وأجلتها، وأن لا أعطي الجزار منها

“Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, më ka urdhëruar që të kujdesem për kurbanin e tij, ta jap sadaka mishin, lëkurën dhe qimet e tija dhe mos ti jap kasapit nga mishi i saj asgjë”. (Buhari dhe Muslim).

قال: نحن نعطيه من عندنا

Dhe tha: “Ne i japim atij prej asaj që e posedojmë”. (Muslim).

 Pesë: Çka mund të theret kurban.

 1- Vetëm devetë, lopët dhe dhentë vlejnë për tu therë kurban, sepse All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

لِّيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ عَلَى مَا رَزَقَهُم مِّنْ بَهِيمَةِ الأَنْعَامِ

“… që ata të mund të përmendin emrin e All-llahut mbi bagëtinë të cilën Ai ua ka dhuruar atyre…” (El-Haxhxh: 34).

 Behimetul-enam në arabisht janë devetë, lopët dhe dhentë. (Shih: “El-Mugni”, 13/368 dhe tefsiri i Ibwn Kethir-it 5/412).

 2- Një dele mjafton për një njeri dhe familjen e tij, duke u mbështetur në fjalën e Ebu Ejubit, radijall-llahu anhu, kur e kanë pyetur: si ka qenë therja e kurbaneve në kohën e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem? Ka thënë: Një njeri therte një dele për vete dhe për familjen e vet. (Tirmidhi).

 3- Një deve ose një lopë mjafton për shtatë kryefamiljarë dhe familjet e tyre, duke u mbështetur në hadithin e Xhabirit, radijall-llahu anhu, i cili thotë:

خرجنا مع رسول الله -صلى الله عليه وسلم- مهلين بالحج، فأمرنا رسول الله -صلى الله عليه وسلم- أن نشترك في الإبل والبقر، كل سبعة منا في بدنة

“Dolëm me Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për në haxhxh dhe na urdhëroi që të marrim pjesë në deve dhe lopë, shtatë persona në një deve (ose lopë)”. (Muslim).

 4- Delja së paku duhet ti ketë gjashtë muaj, e cila në arabisht quhet xhidh’un, sepse Ukbe Ibën Amir, radijall-llahu anhu, ka thënë:

ضحينا مع رسول الله بجذع من الضأن

“Kemi therur me Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, xhidh’un prej dhenve”. (Nesai).

 Kurse prej lopëve, deveve dhe dhive ato që në arabisht quhen sinneh, ose musinneh, pra dhia që i ka mbushur një vjet, lopa që i ka mbushur dy vjet dhe deveja që i ka mbushur pesë vjet. Duke u mbështetur në hadithin e Xhabirit, radijall-llahu anhu:

لا تذبحوا إلا سنة، إلا أن يعسر عليكم، فتذبحوا جذعة من الضأن

“Therni vetëm sinneh, e nëse e keni vështirë ju lejohet të therni edhe xhidh’un nga dhentë”. (Muslim).

 5- Katër gjëra nuk lejohen t’i posedojë kurbani, siç tregohet në hadithin e Bera Ibën Azib-it, radijall-llahu anhu:

أربع لا تجوز في الأضاحي: العوراء البيّن عورها، والمريضة البيّن مرضها، والعرجاء البيّن ظلعها، والكسير، وفي لفظ: والعجفاء التي لا تنقي

“Katër kafshë nuk lejohen për kurban: e verbra me verbëri të qartë ( ajo të cilës i mungon ndonjëri sy), e sëmura me sëmurje të qartë, e çala që qartë i shihet kjo e metë, e thyera dhe ajo që s’ka trup nga dobësia”. (shejh Albani thotë: hadithi është sahih).

 Gjashtë: Çka nuk duhet të bëjë ai që do të therë kurban.

 Kur të hyjnë dhjetë ditët e Dhul-Hixhxhes i ndalohet atij që dëshiron të therë kurban ti pret flokët, thonjtë, ose lëkurën derisa ta therë kurbanin, duke u mbështetur në hadithin e Ummu Selemes, radijall-llahu anha:

إذا دخلت العشر وأراد أحدكم أن يضحي فـلا يمس من شعره وبشره شيئاً)، وفي رواية (ولا من أظافره شيئاً حتى يضحي

“Kur të hyjnë dhjetë ditët e Dhul-Hixhxhes dhe ndonjëri prej jush dëshiron të therë kurban mos të prek flokët e as lëkurën e tij”. Në trasmetimin tjetër qëndron: “e as nga thonjtë derisa ta therë kurbanin”. (Muslim).

Kjo ndalesë vlen vetëm për atë i cili do të therë kurban, kurse anëtarët tjerë të familjes, siç është gruaja dhe fëmijët, nuk i kaplon kjo ndalesë, sepse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka përmendur vetëm atë që dëshiron të therë kurban, e jo edhe ata për të cilët theret kurbani.

Nëse ndokush i pret flokët ose thonjtë me qëllim gjatë këtyre ditëve, kjo nuk e ndalon nga therja e kurbanit, as që kërkon shpagim, mirëpo duhet të pendohet tek All-llahu, subhanehu ve teala, për këtë gabim.

 

Shtatë: Kurbani për të vdekurin.

Therja kurban për të vdekurin në shenjë sadakaje nuk është sunnet, kjo sepse Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i pat vdekur xhaxhai i tij, Hamza; gruaja e tij Hadixheja, tre vajzat e martuara, tre fëmijë të vegjël, e për asnjërin prej tyre nuk ka therur kurban. Po të ishte gjë e pëlqyeshme kjo vepër ai do të therte për ta.

Por nëse i vdekuri ka lënë vasijet (testament, porosi) që të theret për te kurban, atëherë lejohet, madje detyrohet, sepse vasijeti i të vdekurit duhet zbatuar, por nuk është kurban, por mish sadaka.

 All-llahu e di më së miri.

Përpiloi: Bekir Halimi

Publikimi i parë: 2.3.2001

Hutbet nga Shkupi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *