Shumë herë mundësia ynë për të menduar gjatë krizave është shumë e dobët. Në atmosferë të tendosur dhe kritike gjuha e vetme të cilën dimë ta përdorim është gjuha e emocioneve. Ashtu që një problem të rrezikshëm dhe shumë të komplikuar e të ndjeshëm e shikojmë me një shikim kalimtar, të cilit i mungojnë edhe rregullat më të thjeshta të konstruktivitetit. Andaj shumë herë bashkëveprojmë me problemin, mirëpo nuk e perceptojmë si duhet ose nuk kemi mundësi ta perceptojmë…!

Prej problemeve tona më të mëdha është: ma shumë kemi mendime parciale, e kufizojmë një ndodhi në gjurmët e dukshme dhe të kufizuara, e jemi larg mendimit global, largpamës, i cili e percepton fotografinë me të gjitha dimensionet dhe reagimet e saja. Kurse rezultati normal i kësaj logjike është: vjedhje e qartë në peshojë!

Ne, këtë e bëjmë për të ikur nga problemi edhe pse publikisht i japim përmasa të mëdha në bisedë dhe shkrime. Në librin “logjika e zgjidhjes” dy autorët e këtij librit sjellin një shembull shumë të bukur për ‘logjikën e ikjes’, të cilën e zbatojnë shumë njerëz, kur tu ndodh ndonjë problem, ata thonë: “Ta zëmë se një mësues kërkon prej teje ta zgjedhësh një çështje të rëndë të matematikës, dhe ti pasi që tentove ta zgjedhësh, arrite në rezultate të gabuara, vallë a mendon se zgjidhja e saktë e këtij problemi është ta ndërrosh tërësisht këtë çështje dhe të kërkosh një çështje tjetër matematikore, për ta zbatuar të njëjtën metodë sikur në çështjen e parë? Ky është gabimi logjik, në të cilin bjer secili që është i paaftë për të kuptuar detyrën e zgjidhjes”. (“Logjika e zgjidhjes”, autor: Pol Xhakson dhe Mark Makergo).

Mendoj se nuk gaboj kur them se gjuhën e logjikës e ka kapluar një shtresë e mjegullave, e cila na ka bërë të rrotullohemi në qarqe boshe duke mos dalë prej tre llojeve të gjuhëve që i përdorim:

 

Një: Gjuha e nxitjes dhe gjuetisë në ujë të ndotur

Shumë njerëz të medias zhvillojnë një rol të tutorisë, nënshtrimit dhe monopolit të mendimit, e refuzojnë bisedën rreth shkaqeve dhe rrënjëve, dhe këtë e konsiderojnë arsyetim të krimit, mirëpo ata i japin të drejtë vetvetes që të komentojnë ndodhitë me komente mendjelehta dhe të shtrembëruara, të cilat s’kanë të bëjnë me konstruktivitet dhe shkencëtari aspak, por janë komente shumë ma afër oportunizmit dhe mendjelehtësisë se sa pejkurisë, kurse rezultati final është: helmim i ambientit, rritja e tensionit të problemit, ndezja e fitilit të konfliktit dhe lufta e brendshme.

Në këtë kontekst të shpikur hyn edhe biseda e tyre për planprogramin mësimor, shkollat e mësimit përmendsh të Kur’anit Fisnik, organizatat humanitare, organizatat e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqeja, etj. 

Zgjidhja e problemit nuk mundet të realizohet nga një këndvështrim i hershëm, nga inspirimet provokuese dhe nga njerëz që si profesion kanë falsifikimin.

Sa keq është që qëndrimet tona, sidomos gjatë fitnes, të jenë mjete për të ardhur deri te përfitimet politike, ideologjike ose personale….!!

Në këtë kontekst hyn edhe: qëndrimi i shumë njerëzve të medias dhe i liberalëve kundrejt “Iniciativës për ndalje të dhunës”, të cilën e ndërmori shejh Sefer Havali dhe ata që iu bashkëngjitën prej njerëzve me vlerë dhe të davetit. Ata këtë iniciativë e lexuan me prapavijë ideologjike paraprake, e pastaj iu vërsulën me një nxehtësi të madhe, duke përdorur gjuhën e akuzës dhe ofendimit, madje disa e tepruan me akuza të drejtpërsëdrejta duke i dhënë fjalëve domethënie, të cilat nuk i bartin ato. Ata e përbuzën këtë çështje duke e shfrytëzuar klimën e tensionuar dhe duke u paraqitur si një nacionalist, i cili është i interesuar për interesin e vendit.

Mendoj se kjo ngurtësi e liberalëve paraqet krizë me rrënjë në logjikën e kësaj rryme, pasiqë fuqia dhe ndikimi i tyre ndërlidhet me dy gjëra të ndërlidhura njëra me tjetrën: 

a) Rrethekimi i rrymës islame, rrënimi i thirrësve dhe simboleve të kësaj rryme, përkufizimi i organizatave të tyre dhe pengimi në realizimin e sukseseve të rëndësishme.

b) Përkrahja e projekteve të vesternizimit dhe globalizmit amerikan, pasi që ata janë përfituesit e vetëm nga kjo ndërmarrje e ndryshimit dhe zëvendësimit, të cilin e udhëheq administrata amerikane në rajon.

Nëse kjo është kështu, atëherë le të jetë lufta kundër islamistave pa etikë dhe pa asnjë vlerë, a ka vallë mundësi më të çmueshme se kjo për të rrënuar simbolet e islamistëve dhe për t’i izoluar nga shoqëria?!

Është për tu habitur se ata nuk paraqesin këndvështrim për zgjidhje tjetër përpos zgjedhjes me kërcënime me shkop të vrazhde dhe të masave të sigurisë, edhe pse ata vazhdimisht thirren në vlerat e lirisë, dialogut, principit: mendimi dhe mendimi i kundërt, etj. mirëpo kjo çështje sqaruar shumë thjeshtë domethënë: pastrim të llogarive dhe armiqësim i tjerëve për një çmim shumë të lirë!

 

Dy: Gjuha e sharjes dhe ofendimeve

 

Kjo gjuhë është shumë e lirë, këtë gjuhë e dinë vetëm ata të vegjlit nga mendjelehtit, të cilët pak kuptojnë, bagazhi i tyre është i dobët dhe ka rënë etika e tyre.

Sa bukur e sqaron këtë një poet:

Luantë e vegjël ma shumë lehin

Kurse më të vështirë janë ata që nuk lehin

Për çudi, ne mendojmë se ata që shajnë, ofendojnë, akuzojnë, janë më xheloz për këtë ummet dhe se janë më luajal ndaj tij, kjo është iluzion i qartë, sepse sharja dhe ofendimi nuk e ndihmon të vërtetën e as nuk e largon të kotën.

Bazë në këtë kapitull është fjala e Enes ibn Malikut [radijAllahu anhu], i cili duke përshkruar vlerat e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë:

«لم يكن النبي -صلى الله عليه وسلم- سبَّاباً ولا فحاشاً ولا لعاناً».

“Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] nuk ishte ofendues, gojëprishur e as mallkues”. (Buhariu).

Tregohet në histori islame se një njeri nga Hashimitet që quhej Abdusamed, foli para Memunin (halifes) me zë të lartë, kurse Memuni i tha: “Mos e ngrit zërin Abdusamed, sepse saktësia është me atë që flet më saktë e jo me atë që flet ma vrazhdë”. (“El-Fekih vel-Mutefekih”, 2/ 28).

 

Tre: Gjuha e diferencimit

Me këtë gjuhë njeriu dëshiron ta diferencon veteven, të paraqet argument për qëllimin e tij të mirë dhe brendësinë e tij të pastër. Ky qëndrim është i mirë dhe i kërkuar, s’ka dyshim në madhërinë dhe rrezikun e ndodhisë, andaj domosdo refuzimi dhe mohimi duhet të jetë shumë i qartë, ku s’ka vend për paqartësi.

Mirëpo problemi qëndron në faktin që kjo gjuha ta kaplon tërë hapësirën, e mos të lëmë vend për gjëra që vijnë pas kësaj. Andaj mendoj se është prej obligimeve që të kemi entuziazëm pozitiv, i cili shoqëron me vete kornizat e kufizuar të problemit dhe niset nga një këndvështrim strategjik dhe me diapazon të largët. Nëse ne nuk koncentrohemi në  boshtin e zgjidhjes, atëherë ne, në realitet humbim kohë të madhe në elemente sekondare dhe zgjerime të panevojshme. Secili lexim i ndodhive, pa i lexuar rrënjët, dimensionet dhe mendimet që shpijnë në to, në të vërtetë janë lexime të mangëta dhe të pavlera…!

Problemi tjetër në gjuhën e distancimit (diferencimit), se kjo te disa njerëz e kalon fazën e qortimit të kësaj vepre dhe bjer në kurthin e defetizmit, tentimit për të kënaqur epshet e njerëzve. Me qëllim që mos të akuzohemi në dashamirësinë tonë për vatanin, që mos të akuzohemi për ekstremizëm dhe terrorizëm duhet të sillemi but me njerëzit dhe ti nënshtrohemi presionit të realitetit. E të themi se: xhihadi është bërë obligim për gjendje kalimtare, të cilën e ka kërkuar etapa e parë e davetit, mirëpo tash me ndryshimin e gjendjes politike, me marrëveshjet ndërkombëtare, xhihadi në rrugën e Zotit është dhunë. Ose: distancimi nga mosbesimtarët ka qenë në fazën e parë për ta mbrojtur shoqërinë e vogël islame nga shkrirja në shoqëritë e mëdha, e me  kalimin e këtij shkaku dhe dallimin e popujve, distancimi nga mosbesimtarët paraqet narcizoizëm i mbylltë dhe i prapambetur, e shumë rrëshqitje të tilla, në të cilat janë thyer lapsat dhe kuptimet…!

Sipas sheriatit, që paraqet metodën mesatare, duhet të themi se këto shpërthime dhe veprime militante aspak nuk janë prej Islamit, aspak s’kanë të bëjnë me xhihadin në rrugën e Zotit. Kurse simboli i xhihadit në rrugën e Zotit është ligj, i cili do të mbetet dhe sunnet që veprohet me te, ate nuk mundet ta eliminon asnjë kryetar zullumqar, asnjë kotësi e dikujt, ka kushtet e domosdoshme dhe shenjat e qarta, të cilat janë treguar në Kur’an dhe sunnetin e Pejgamberit , sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Gjithashtu themi se distancimi nga idhujtarët është besim i thelluar, mirëpo asesi nuk domethënë zullum, padrejtësi, shkelje e të drejtave dhe nderit. Allahu , subhanehu ve teala, thotë:

{وَلا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَى أَلاَّ تَعْدِلُوا اعْدِلُوا هُوَ أَقْرَبُ لِلتَّقْوَى} [المائدة: 8].

“…të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. …”. (El-Maide: 8).

Nëse gjendet kjo baraspeshë dhe qartësi, ne nuk do të kemi nevojë për tu stërngarkuar në arsyetime dhe qëndrime. Qëndresa është e rrallë në kohën kur mungon paanshmëria dhe janë turbulluar peshojat.

Në fund të këtyre tre gjuhëve duhet ti kemi parasysh edhe dy çështje:

 

Çështja e parë: Përgjegjësia e fjalës

Baza e kësaj është sinqeriteti, i cili i grumbullon tërë këto gjëra. Ne nuk kemi mundësi ta kuptojmë problemin, dimensionet, të mbrohemi nga pasojat, ti këpusim rrënjët, përveç nëse kemi frikë Allahun me një frikë të vërtetë dhe nëse jemi të sinqertë para Tij, i cili është Një dhe pa ortak.

Prej rreziqeve më të mëdha që na paraqiten në këtë rast është guximi i njerëzve në thashetheme, lëshimi i fjalëve pa kontroll, pa verifikimin e tyre, pa shikuar fundin e tyre dhe pa qenë të ngadalshëm. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

«من كان يؤمن بالله واليوم الآخر فليقل خيراً، أو ليسكت»(4).

“Kush beson në Allahun dhe Ditën e mbramë, le të flet mirë ose le të heshtë”. (Buhariu dhe Muslimi).

Të gjithë njerëzit flasin, futen në biseda, fatkeqësisht pa dije dhe devotshmëri. Allahu , subhanehu ve teala, ka thënë:

{هَا أَنتُمْ هَؤُلاءِ حَاجَجْتُمْ فِيمَا لَكُم بِهِ عِلْمٌ فَلِمَ تُحَاجُّونَ فِيمَا لَيْسَ لَكُم بِهِ عِلْمٌ} [آل عمران: 66]،

“Ja, ju jeni ata që polemizuat edhe për atë që e dinit (për Isain) e përse polemizoni për atë që s’keni kurrfarë dije (për Ibrahimin)? Allahu e di të vërtetën e ju nuk dini”. (Ali Imran: 66).

Ai që është i bindur se ka përgjegjësi dhe se do të jep llogari, kupton rrezikun e kësaj çështjeje dhe fundin e keq. Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

{مَا يَلْفِظُ مِن قَوْلٍ إلاَّ لَدَيْهِ رَقِيبٌ عَتِيدٌ} [ق: 18].

“Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm”. (Kaf: 18).

Kurse Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

«إن العبد ليتكلم بالكلمة من رضوان الله لا يُلقي لها بالاً يرفعه الله بها درجات، وإن العبد ليتكلم من سخط الله لا يُلقي لها بالاً يهوي بها في جهنم». وفي لفظ: «يهوي بها في النار أبعد ما بين المشرق والمغرب».

“Robi flet ndonjë fjalë që e kënaq Allahun, duke mos i kushtuar vëmendje, me te Allahu e ngrit në shumë grada. Mundet që një njeri te flet ndonjë fjalë që e hidhëron Allahun, duke mos i kushtuar vëmendje, me te hedhet në xhehenem”. (Buhariu). Kurse në një transmetim tjetër qëndron: “Hedhet në xhehenem ma larg se sa që është mes lindjes dhe perëndimit”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

Çështja e dytë: Mënyrat e shërimit

 

Një të vërtetë shumë të rëndësishme duhet ta kemi parasysh dhe të veprojmë sipas sajë. Ajo është se peshoja fetare, e mbështetur në tekstet e Kur’anit dhe sunnetit, dhe rregullave precize, është mënyra që e mbron ummetin nga çrregullimet dhe çorodia, e mbron nga errësira e epsheve dhe ëndjeve dhe çdo shërim i kësaj fitneje larg nga kjo peshojë e drejtë do të na fus në një lavirinth të errët të problemit!

Mendoj se dijetarët musliman dhe thirrësit e pjekur kanë një obligim shumë të madh në studimin e refleksioneve të rrezikshme mbi ummetin, njohjen e shkaqeve, shërimin e rrënjëve dhe pikënisjeve ideologjike. Në asnjë rast nuk lejohet të jemi të mangët në këtë drejtim. Fitneja fillon e vogël dhe me gjurmë të kufizuara, me ndikim të dobët, pastaj e fryjnë injorantët dhe mendjelehtit gjersa rritet dhe pastaj është rëndë të kufizohet dhe të ndalet.

Studimi i këtyre rasteve të rrezikshme është përgjegjësi e dijetarëve dhe vizionarëve, të cilëve Allahu ua ka ndriçuar zemrën dhe mendjen e tyre me dritë të imanit, të cilët janë të njohur me devotshmëri dhe frikë nga Zoti, ata që janë të njohur me mëshirë dhe dhimbsuri ndaj ummetit. Allahu , subhanehu ve teala, thotë:

{وَلَوْ رَدُّوهُ إلَى الرَّسُولِ وَإلَى أُوْلِي الأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنبِطُونَهُ مِنْهُمْ وَلَوْلا فَضْلُ اللَّهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ لاتَّبَعْتُمُ الشَّيْطَانَ إلاَّ قَلِيلاً} [النساء: 83] .

“Madje kur u vjen atyre (munafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë myslimanët) ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë, e sikur t’ia linin atë (përhapjen lajmit) Pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do dinin të nxjerrin përfundime (se si do të duhej shpallur). Por sikur të mos ishte dhuntia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, atëherë ju, pos një pakice, do të ndiqnit rrugën e djallit”. (En-Nisa: 83).

Asnjëherë nuk lejohet që këto gjëra ti marrën në duar epshorët dhe gjysmë të shkolluarit, ose të rinjtë, sepse kjo është gjë serioze, nuk është shaka. Sa e bukur është fjala e Imam Sufjan Theuriut:

«ليس الفقيه الذي يعرف الحلال والحرام، ولكن الفقيه الذي يعرف خير الخيرين وشر الشرين».

“Nuk është fekih ai që din hallallin dhe haramin, por fekih është ai që e din më të mirën prej dy të mirave dhe më të keqën prej dy të këqijave”.

Andaj them: “projekti i ndaljes së dhunës” është reagim pozitiv rreth të cilit duhet të grumbullohen fuqitë dhe ambiciet, sepse qortimet dhe ofendimet secili din ti thotë, mirëpo punë serioze, të vërtetë dhe me përgjegjësi, nuk mund të bëjë askush tjetër përpos pishtarët e këtij daveti, të cilët nuk synojnë lëvdatat ose qortimet e njerëzve, por kërkojnë atë që është te Allahu dhe në Ahiret.

Zgjidhja policore ndoshta arrin sukses në qetësimin e dhunës, mirëpo, sigurisht, nuk arrin sukses në shërimin e rrënjëve që gjinden tek njerëzit. Kurse polemika serioze, duke i plotësuar kushtet metodologjike është e vetmi mjet në sqarimin e të vërtetë, zbulimin e dilemave dhe largimin e fitilit të luftës dhe konfliktit të ndërsjellët. Për këtë debatoi Abdull-llah ibn Abbasi, radijAllahu anhuma, me havarixhët, me leje të Aliut, radijAllahu anhu, edhe u kthyen me te 20 mijë njerëz, kurse mbetën prej tyre vetëm katër mijë. Ky tregim duhet të jetë mësim i rëndësishëm për ne. (Këtë tregim e tregon Abdur-Rezaku në Musennefin e tij, Ahmedi në Musnedin e tij, Hakimi, Bejhakiu e të tjerë).

Ne të gjithë lëvizim në një anije në një det përplot me valë të mëdha, kurse vrimat në këtë anije shtohet ditë pas dite. Mendoj se debati do të kontribuon në largimin e mosmarrëveshjes dhe meremetimin e këtyre vrimave, me lejen e Allahut. Rreziku i etapës nuk duron edhe më tej mendjemadhësi dhe manovrime politike dhe kurthe dinake.

Ahmed Suvejan

Kryeredaktor i revistës “El-Bejan”.

Përktheu: Bekir Halimi

http://www.almoslim.net

Analiza politike

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *