Vdekja- e vërteta absolute


Secili prej nesh ka përjetuar çastet dhe momentet kur është ndarë nga ndonjë i afërm i tij, jemi ndarë nga babi, nëna, vëllai, motra ose dikush tjetër. Pra, ne jemi dëshmitar se vdekja është një gjë e pashmangshme, është një e vërtetë, që sado e mohojnë njerëzit ajo i kaplon dhe e përjetojnë. Së paku të gjithë ne kemi marrë pjesë në ceremoni varrimi dhe kemi parë varreza dhe varrime.

Allahu, i Lartëmadhërishëm këtë e vërteton kur thotë:

“Secili njeri do të shijojë vdekjen…” (Ali Imran: 185).

Pse kjo?

Për të treguar se vetëm Allahu është i Pari pa fillim dhe i Fundit pa mbarim. Sepse çdo gjë do të shkatërrohet, e vetëm Ai do të mbetet, sepse Ai në këtë mënyrë e manifeston pushtetin e Tij absolut.

“Ai është i pari që s’ka fillim dhe i fundit që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i dijshmi për çdo gjë”. (El-Hadid: 3).

“Çdo gjë që është në të (në tokë) është zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!” (Er-Rahman: 26-27).

“I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi”. (El-Mulk: 1-2).  Kurse atyre që në të kaluarën edhe sot mundohen ti ikin vdekjes me metoda të ndryshme dhe të llojllojshme, u drejtohet e u thotë:

Thuaj: “S’ka dyshim se vdekja prej të cilës po ikni, ka për t’ju zënë…” (El-Xhumua: 8)

Andaj secili njeri duhet të ndalet dhe të mendon rreth vdekjes dhe jetës kalimtare.

Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, na këshillon e na thotë:

“Jeto në dynja si kurbetçar ose kalimtar”. (Buhariu).

Kurse Abdullah ibën Omeri, duke e kuptuar shumë mirë këtë këshillë u thoshte myslimanëve:

“Kur të ngrysësh në mbrëmje mos e prit sabahun dhe kur të zgjohesh në mëngjes mos e prit mbrëmjen, shfrytëzo shëndetin për ditët me sëmundje dhe jetën për ditët pas vdekjes”.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, na këshillonte ta kujtojmë shpesh vdekjen duke thënë:

“Kujtojeni shkatërruesin e kënaqësive, i cili është vdekja”. (Tirmidhiu, hadithi është autentik).

Me vdekjen do të takohesh. Vdekja është një gotë prej saj të gjithë do të pinë. Mos harro! Dheu është shtrati yt, krimbi shoku yt, Munkeri dhe Nekiri bashkëbisedues yt, varri shtëpia jote, brendësia e tokës vend qëndrim yt, Dita e Kiametit vendtakim yt, ndërsa xheneti ose xhehenemi përfundimi yt.

Nëse do ti ikte vdekjes dikush pse është i mirë, atëherë do ti ikshin pejgamberët, por edhe ata kanë vdekur!

Nëse do ti ikte vdekjes dikush pse është i fuqishëm, atëherë do ti iknin faraonët, por edhe ata kanë vdekur!

Nëse do ti ikte dikush vdekjes pse ka pasuri, atëherë do ti iknin miliarderët, por edhe ata kanë vdekur dhe vdesin!

Nëse do ti ikte vdekjes dikush pse e di medicinën, atëherë do ti iknin mjekët por edhe ata vdesin!

Pra, secili do të vdes dhe do të del para Allahut, Krijuesit dhe Gjykuesit absolut në ditën e Kiametit, për të dal në shesh të gjitha veprat tona, të vogla dhe të mëdha, të mira e të liga.

Njerëzit habiten duke grumbulluar pasuri në këtë dynja, habiten duke lozur më gruan dhe fëmijët, habiten duke vrapuar pas pushtetit dhe e harrojnë krejtësisht vdekjen.

Allahu, i Gjithëfuqishëm, thotë:

“Ta dini se jeta në këtë botë është një lojë dhe qejf edhe stoli edhe mburrje ndërmjet jush në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, (tamam) si shembulli i shiut pas të cilit bima rritet që e kënaq bujkun (mbjellësin), por ajo thahet dhe e sheh të zverdhur pastaj ajo bëhet kashtë. Ndërsa në atë botë (ahiret) ka dënim të rëndë (për mosbesimtarët), dhe falje e kënaqësi nga Allahu (për besimtarët). E jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rrejshme.” (Hadid, 20)

“Njerëzve u është zbukuruar dëshira për epshe dhe dashuri për gratë, djemtë, dhe kuajt të mirë, bagëti dhe tokë pjellore. Ajo është kënaqësi e jetës në këtë botë, por vendkthimi te Allahu është më i mirë.” (Ali Imran, 14)

Jeta kalon, i riu plaket, ai që lind vdes, toka e gjelbër thahet dhe zverdhet, kështu i vjen fundi jetës dhe botës.

Pasi ta kuptojmë gjë, është mirë të mendojmë se me çka do të kalojmë nga kjo botë në botën tjetër, cilat janë ato vepra të cilat do ti marrim me vete. 

Në ajetet e më sipërme që flasin për vdekjen, në vazhdimin e tyre flasin edhe për veprat tona dhe dalja para Allahut.

 “Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kiametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.” (Ali Imran: 185).

“Thuaj: “S’ka dyshim se vdekja prej të cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar.” (El-Xhumua: 8).

Pasi askush prej nesh nuk e di se kur do ti vijë vdekja është mirë të nxitojë në vepra të mira, ashtu siç na mëson Allahu, i Plotfuqishëm:

“Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit”. (Ali Imran: 133).

Ta fillojmë këtë nxitim në vepra të mira me pendim nga e kaluara dhe vendosmëri për të filluar një jetë të re me Allahun, për të fituar të mirat e dynjasë e ahiretit.

Jeta kalon, ditët ecin, shpejt na vjen dita kur do të dëshirojmë të kthehemi sërish në dynja për të bërë ndonjë vepër të mirë, por atëherë do të bëhet vonë.

Allahu, i Lartësuar, na e ka treguar këtë duke thënë:

“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen. E kur i fryhet surit (herën e dytë), atëherë, në atë ditë nuk do të ketë lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesë kush për njëri-tjetrin. E kujt i peshojnë më rëndë peshojat (veprat e mira), ata janë të shpëtuarit. Ndërsa, atyre që u peshojnë lehtë peshojat (veprat e mira), ata janë që humbën vetveten dhe janë në xhehenem përgjithmonë”. (El-Muminun: 99- 103).

Bekir Halimi

Hutbe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *