Qëndro larg zullumit dhe koprracisë


Na rrëfen Xhabiri, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

اتقوا الظلم فإن الظلم ظلمات يوم القيامة واتقوا الشح فإن الشح أهلك من كان قبلكم حملهم على أن سفكوا دماءهم واستحلوا محارمهم . رواه مسلم .   

“Ruajuni nga zullumi, sepse zullumi do të jetë errësirë në ditën e Kiametit dhe ruajuni nga koprracia, sepse koprracia i shkatërroi popujt para jush, ishte shkak që derdhën gjakun mes tyre dhe nëpërkëmbën nderin e tyre”. Muslimi

 

Feja e madhe Islame na mëson që të jemi të drejtë dhe bujar, të qëndrojmë larg zullumit dhe koprracisë.

Të dyja këto virtyte dhe antonimet e tyre janë pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në jetën shoqërore. Virtytet e lartpërmendura e zhvillojnë shoqërinë drejt një harmoni dhe mirëqenie, kurse zullumi dhe koprracia drejt shkatërrimit dhe kaosit. Të parat sjellin bereqetin, kurse të dytat fesatin, ngatërresat.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në këtë formë e frikëson secilin njeri nga zullumi dhe i tregon se fundi i zullumqarëve është i keq.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

وَسَيَعْلَمُ الَّذِينَ ظَلَمُوا أَيَّ مُنقَلَبٍ يَنقَلِبُونَ (227)

“… E ata që bënë zullum do ta kuptojnë se ç’përfundimi i shkojnë (ç’dënim të ashpër ose ç’vendi në xhehennem do t’i nënshtrohen)”. (Esh-Shuara: 227).

Secili duhet ta di se zullumqari do ta shijon dënimi që në dynja para se të dënohet në ahiret, para Allahut, subhanehu ve teala. Ndoshta shohim ndonjë herë se dikujt i ecë puna edhe pse është zullumqar, i vazhdon pushteti edhe pse është i padrejtë, por kjo nuk duhet të na mërzisë, sepse fundi ka për ti ardhur, siç na tregon Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në hadithin ku thotë:

إن الله يملي للظالم فإذا أخذه لم يفلته ثم قرأ وَكَذَلِكَ أَخْذُ رَبِّكَ إِذَا أَخَذَ الْقُرَى وَهِيَ ظَالِمَةٌ إِنَّ أَخْذَهُ أَلِيمٌ شَدِيدٌ (102)

 رواه البخاري ومسلم والترمذي

“Allahu i jep afat zullumqarit që kur ta ndëshkon të mos mundet t’i shpëton”, pastaj lexoi ajetin kuranor:

“Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër”. (Hud: 102).

Në shumë raste koprracia bëhet shkak për vrasje, për vjedhje dhe për përfitime të pasurisë në mënyra të paligjshme. Tërë këto veprime bëhen shkak për dobësim të lidhjeve shoqërore madje edhe rrënim të tërë shoqërisë, Allahu na ruajt!

Koprracia është në kundërshtim me parimin e solidarizimit dhe kujdesit për njëri tjetrin, në kundërshtimin me parimin e bashkëpunimit në bamirësi dhe devotshmëri. Për këtë shkak njeriu duhet ta luftojë këtë ves në veten e tij dhe të pajiset me vlerën e bujarisë dhe fisnikërisë. Ndonëse në fillim është pak vështirë që njeriu të edukohet në dhënie dhe bujari, por me kalimin e kohës fillon të shijon kënaqësinë e bujarisë dhe me gëzimin e tjerëve gëzohet edhe vet.

Allahun na ruajt nga këto vese dhe na stolistë me vlerat e larta që na i mëson feja Islame!

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *