Kadizade Mehmed Efendi


Kadizade Mehmed Efendi u lind në Balikesir, Turqia e sotme më 990 hixhri 1582. Duke qenë se ishte i biri i kadiut/gjyqtarit u bë i njohur me nofkën Kadizade. Në rininë e tij ai ndoqi mësime fetare pranë disa nxënësve të Imam Birgivi-ut (Birgivi është autor i librit “Tarikatu Muhammedije” e përkthyer dhe e komentuar edhe në shqip nga h.Ibrahim Dalliu si “Udha Muhammedane”). Ndër mësuesit e Kadizade efendiut ishte edhe Omer efendi sheh i teqesë halvetijje në Stamboll. Postin e parë si vaiz, Kadizade e pati në xhaminë Fatih kurse mandej transferohet në Aja Sofja. Qatib Çelebi rrëfen se ka dnëgjuar derset e tija në xhaminë Fatih në vitin 1038 hixhri (1628-29). Prej veprave të tija të njohura është edhe “ilmihal risalesi” kurse mbetet ende e papërpiluar bibiliografia që do kaplonte krejt opusin e veprave të këtij alimi. Mehmed efendi, rahimehullah, ndërroi jetë më 1045 hixhri, në vitin 1635. Të dhënat mbi jetën e këtij dijetari janë të pakta dhe shumica e veprave të tij janë ende në dorëshkrim. Kjo gjithsesi nuk është në proporcion të drejtë me davetin që ai bëri ndër muslimanët e Perandorisë osmane, e as me rëndësinë e tij si ngjallës i shumë synneteve dhe luftëtarë i denjë kundër rafidijve dhe të devijuarve të tjerë të cilët aso kohe shpesh edhe politikisht ndikonin në perandorinë osmane. Kadizade Mehmed Efendi dhe plejada e tërë e hoxhallarave të ehli-sunnetit të cilët në atë kohë njiheshin si “Fukaha” ishin kundërshtarë të rreptë të disa praktikave të gabuara fetare që atëbotë ushtroheshin me të madhe ndër muslimanë. Kadizade ishte i pari ndër ta i cili haptazi prej kursisë së xhamisë së Fatih-ut e më pastaj nga ajo e Aja Sofja, sulmoi bidatet të cilat bënin sufitët por edhe ca gabime dhe devijime që kishin në akide/besim. Lëvizja e tij pati jehonë të madhe në perandorinë osmane dhe studimi i fakteve dhe i gjurmëve të kësaj lëvizje do na shpjegonte shumë për relacionet e medreseve me teqet sufite por edhe për presionin që i bëhej Ehli-Sunnetit në atë kohë. Një studim i rallë mbi këtë temë është doktoratura e Necati Ozturk-it e botuar më 1981: “Islamic Orthodoxy among the Ottomans in the seventeenth century vvith special reference to the Qadi-Zade movement”

Lëvizja e Kadizades dhe ndikimi i tij më vonë ka vazhduar me Ustuvani Mehmed Efendi dhe me Van Efendi i cili ishte i afërt me njërin nga dinastia e vezirëve me prejardhje shqiptare Koprulu, Fazil Ahmed Pasha. I fundit prej të dalluarve Van Efendi ndërroi jetë më 1096 hixhri (1685) por se shënimet historike flasin se mësimet e tyre kanë qenë edhe gjatë kohë më pas prezente në qarqet akademike por edhe ato popullore në perandorinë osmane.

Kadizade Mehmed Efendi ishte hallka dalluese në zinxhirin e ulemasë së ehli-sunnetit të cilët kishin ndikim nga dituria e përcjellur nga Shejhul-Islam Ibën Tejmijje e që në trevat e perandorisë osmane ishte përçuar kryesisht përmes mësimeve të Imam Birgivi-ut.

Shënimet historike flasin për lëvizje të shumta të këtilla anekand perandorisë osmane e që për synim kishin ngjalljet e synneteve dhe luftimin e bidatit. Ato prezentet ndër shqiptarë si dhe në Bosnjë sigurisht do duhej të tërhiqnin vëmendjen e studiusve të historisë osmane në periudhën e ardhshme, pasi janë burime të bujshme historiografike të cilat flasin për jetën dhe organizimin fetar gjatë periudhës osmane.

Ramadan Ramadani,

Publikimi i parë: 22.3.2003

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *