Fshehtësia e egzistencës


 

Kush jam unë? Ç’është kjo gjithësi dhe pse? Pse erdha në këtë botë dhe kush më solli? Cili është roli im në këtë botë? Sa vlej unë në këtë gjithësi? 

Pyetja dhe dilema më esenciale që njerëzimin e mundon qysh prej kohërave të lashta është ekzistenca. Pse jemi krijuar, ç’është misioni ynë në këtë botë edhe ç’duhet bërë nga jeta jonë?!

Më parë filozofët ishin ata që e çanin kokën në këtë çështje dhe bredhnin të humbur në labirinthin e jetës dhe assesi nuk arrinin ta zbulojnë sekretin e jetës. Ose, të themi se e kanë zbuluar pjesërisht, pse jo?! A nuk ishin ata që e vërejtën një element të përbashkët tek të gjithë njerëzit pa marrë parasysh racën, vendin ku jetonin, intelegjencën, përparimin e tj. kërkimin e lumturisë. Lumturia ishte e madhëruar nga njerëzit. Të gjithë e synonin atë, por pak prej tyre e gjenin, kurse të tjerët mashtroheshin se e kanë gjetur, e në të vërtetë kanë parë vetëm vizion të rrejshëm dhe kanë sakrifikuar çdo gjë vetëm e vetëm të arrijnë tek ajo. Por kot, ajo s’gjendej aty. Edhe një fatamorganë në shkretëtirën e gjerë të jetës. 

Asketët e patën mbytur trupin (burgun e shpirtit) me largim nga të mirat e jetës dhe mundim të trupit. Epshorët s’lanë pasion pa ndjekur dhe kënaqësi të kësaj bote pa shijuar. Shkencëtari tërë jetën e vet ia kushtoi zbulimit të krijesave intelegjente në Mars e gjetiu që të mos ndjehej njerëzimi i vetmuar në këtë gjithësi të madhe, kurse vet u vetmua në varrin e tij të ngushtë, të ftohtë e të errët… Assesi njeriu ta gjejë veten në këtë botë të vogël, por të madhe. Ai humbi duke e kërkuar veten në këtë ekzistencë enigmatike. Jetojmë, vdesim, por vdekja nuk është fundi, ngase shpirtërat tanë do të reinkarnohen në shpezë, njerëz etj., do të thoshte një njeri i lindjes. Apo ndryshe, jetojmë, vdesim, krimbat na e brejnë çdo milimetër të trupit tonë të ftohtë dhe vetëm dheu do të na ngopë gojën, e eshtrat do të na bëhen hi. Kujtimi për kënaqësitë e kësaj jete, mbrëmjet e ngrohta dhe gostitë me shokët e dashur, që kurrë s’do t’i shohim më, treten diku në kosmosin e errët, do të thoshte një perëndimor. Eseju i një rok këngëtari përfundon me fjalët: “… pa cak bredhim nëpër orbitat e verbëra, të pandihmë, të vetmuar!… ” 

A thua kështu?!!!… A vetëm disa vjet kënaqje, vuajtje, mund… e në fund rezultati zero?! A thua a një hiç jemi në këtë fshat të quajtur Tokë?! A kaq i pavlerë është njeriu në këtë univers, a vetëm të hajë e të pijë e në fund të shndërrohet në pleh e të harrohet fare?!!! 

Po pastaj gjithësinë kush e krijoi? Si u bë? Prej se kaq e madhe dhe e përsosur? Aq e bukur?!… A thua ajo është më e vlefshme, apo njeriu, a thua cili është më interesant te Krijuesi?! Po çka ka atje larg në Jupiter? Nëse iki atje, a do të çlirohem nga vuajtjet e Tokës, apo ndoshta lumturia është e humbur diku jashtë Sistemit diellor?!… 

Duke u gjetur në këtë labirinth të ngatërruar, njeriut shpesh iu ka shpenzuar energjia për jetë dhe ambicia për të kërkuar lumturinë iu ka shuar pas dështimeve të shumta. Deri këtu ka arritur truri dhe mendja e njeriut dhe këtë kufi të transcendencës s’mund ta kalojë dot, prandaj ka pasur nevojë për kontakt me Krijuesin dhe të Gjithëdijshmin që ta njohë fshehtësinë e ekzistencës. 

 

ARGUMENTET PËR EKZISTIMIN E ZOTIT 

Të kuptuarit e ekzistencës së Krijuesit, Zotit të këtij universi është hapi i parë që bën njeriu drejt zgjidhjes së kësaj enigme. Të ekzistuarit e Zotit kurrë nuk ka qenë çështje problematike tek popujt përgjatë historisë, ngase njohja dhe pranimi i Tij si Krijues dhe Sundues i kësaj gjithësie arrihet përmes vet natyrës së njeriut (fitres), dhe ekzistimi i një Krijuesi dhe Sunduesi është diçka e domosdoshme. Prandaj, pothuajse nuk ka nevojë të diskutohet dhe të argumentohet me argumente logjike ekzistenca e Zotit, me përjashtim të atyre që iu është prishur ajo natyrshmëri me të cilën e pranojnë Zotin. Sidoqoftë, shumica e atyre që e mohojnë ekzistencën e Zotit, ata në realitet e njohin dhe e pranojnë Atë. Këtë e vërteton Kur`ani kur flet për Faraonin ateist i cili e konsideronte veten zot: “Ai (Musa) tha: -Po ti (Faraon) e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës.“ (El-Isra, 102); “Megjithëse në brendësi të vetveteve të tyre të bindur në to (në mrekullitë se ishin nga Zoti), i mohuan me mendjmadhësi e me pa të drejtë.” (En-Neml, 14)

Ibën Tejmije thotë: “Te popujt e hershëm dhe te të mëvonshmit është e padiskutuar se të gjithë xhinët dhe njerëzit e njohin dhe e pohojnë ekzistencën e Zotit Krijues, edhe pse shumica e njerëzve (masat e gjëra popullore) nuk e kuptojnë argumentimin e filozofëve për ekzistimin e Zotit! Prandaj, njohja e Zotit është diçka me të cilën xhinët dhe njerëzit janë të krijuar, sikurse të ushqyerit që është diçka shumë e natyrshme tek ata”. Ata si foshnje e kryejnë këtë proces pa qenë të detyruar dhe pa pasur nevojë t`iu argumentohet vlera dhe mënyra e të ushqyerit. 

Në një rast tjetër thotë: “Njohja dhe pranimi i Krijuesit është çështje e natyrshme në shpirtërat e njerëzve, edhe pse mund të ndodhë te disa njerëz t`iu prishet natyrshmëria dhe të kenë nevojë për argumentime logjike që të arrijnë tek ajo njohje”. Do të thotë se, njohja e Zotit ndonjëherë, dhe kjo është normale dhe e njohur, arrihet përmes natyrshmërisë, e ndonjëherë arrihet me meditim. 

 

NATYRSHMËRIA (FITREJA) E NJERIUT UDHËZON KAH EKZISTENCA E ZOTIT 

Shembuj: 

1. Në njeriun ekziston një shtytës që nxit vazhdimisht të vrojtohet qielli dhe krijesat në tokë dhe gjithmonë nxit të arrijë te Krijuesi i Tij. Edhe Kur`ani e ndihmon këtë shtytës: “Dhe për ata është argument (për ekzistencën e Zotit dhe për ringjalljen pas vdekjes) Toka e vdekur, të cilën Ne e ngjallim, nxjerrim prej saj drith nga i cili ata hanë. Dhe u kemi bërë kopshte hurmash e rrushi dhe burime (ujë), që të hanë nga ato fruta dhe nga çka prodhojnë vetë duart e tyre. A i gëzojnë ato dhe nuk falendërojnë?!” (Jasin: 33-35); “A është më i rëndë krijimi i juaj apo i qiellit të cilin e ngriti. Ngriti kupën e tij dhe e përsosi atë. Natën ia errësoi e ditën ia ndriçoi”. (En-Naziat: 27-29) 

2. Kur e sheh njeriu një pamje të bukur apo nuhat ndonjë aromë të këndshme, apo shijon diçka të shijshme, apo arrin sukses në punë a mësime, ai vetvetiu, si pa dashje, e ngritë zërin duke e përmendur Zotin me gëzim, sikur lajmërimi për gëzimin e tij s’bëhet pa e përmendur All-llahun. 

3. Njeriu është afër një pune të ligë, të pamoralshme a një krimi dhe në momentin e fundit i kujtohet Zoti, gjë që e bën të ndjen një frikë dhe turp. Kjo është natyra e tij që ia bën të ditur se do të kthehet te Zoti. 

4. Kur njeriun e rrethojnë problemet dhe e shkel zullumi e ai nuk mund të çlirohet nga kjo situatë, në errësirë e gjen vetveten se si ankohet te Zoti i vet i Lartë dhe si kthehet tek Ai. 

Kjo natyrshmëri (fitre) në dritën e Kur’anit do të thotë: “Natyrë e njeriut me të cilën e njeh Zotin dhe e njeh Atë si të vetmin Krijues dhe si të vetmin që meriton të adhurohet.” -thotë Ibën Kethiri kur e interpreton ajetin: “… natyrshmëri (fitre) në të cilën All-llahu e ka krijuar njerëzimin…” (Err-Rrum 30) Kurse Pejgamberi alejhis-selam (paqja e Zotit qoftë mbi të) lidhur me këtë natyrshmëri thotë: “Çdo fëmijë lind sipas natyrës së pastër (fitres) pastaj prindërit e bëjnë çifut, të krishterë apo zjarrrputist”. Do të thotë se, po të mos ishte ndikimi i prindërve në fëmijën me lloje të ndryshme doktrinash të gabuara, ky fëmijë me natyrshmërinë e tij do të arrinte tek njohja e All-llahut. 

 

DISA ARGUMENTE LOGJIKE PËR EKZISTENCËN E ALL-LLAHUT NË KUR’AN 

Kur’ani e argumenton ekzistencën e Zotit me argumente logjike, siç janë krijimi i njeriut, krijimi i qiejve, i tokës dhe i botës me këto dy argumente: “Dhe Ai është i cili tokën e shtriu dhe në të krijoi kodra e lumenj dhe prej secilit fryt bëri dy lloje (çift), bëri që nata ta mbulojë ditën. Vërtet, në gjithë këtë ka argumente(në lidhje me ekzistencën e All-llahut) për njerëzit që thellë mendojnë. E në tokë copa sipërfaqesh të ngjitura njëra me tjetrën, kopshte hardhie, të mbjella (të llojllojshme) dhe hurma (bimë këto) që janë të degëzuara dhe jo të degëzuara (nga një filiz) e të gjitha ujiten nga një ujë dhe Ne shijen në ngrënie të frutave e kemi dalluar njerën prej tjetrës. Në të vërtetë, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit e mençur.” (Er-ra’dë: 3 dhe 4) dhe “A nuk e dinë ata të cilët nuk besuan se qiejt e toka ishin të ngjitura e ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi, a nuk besojnë”. (El-Enbija: 30) 

Njeriu duke shikuar, soditur e studiuar, së pari vet ekzistencën e vet, trupin e vet, atë sistem të përsosur dhe të harmonizuar në vetvete: shqisat, gjakun, zemrën, trurin, gjymtyrët, organet e tjera, arrin deri te përfundimi se ai ashtu siç është, nuk ka mundur të gjendet në këtë botë ashtu “pa lidhje”, rastësisht apo vetvetiu, por patjetër ekziston një Krijues i Ditur. Kur’ani na nxit të mendojmë: “A u krijuan nga asgjëja apo ata vetë janë krijues?!…” Pra, njeriu ose u krijua nga asgjëja ose ai e ka krijuar veten ose All-llahu e ka krijuar atë. Logjikisht dy të parat bijnë poshtë… 

Pastaj, kësaj i shtohet edhe fakti se Krijuesi që logjikisht u pranua nuk e ka lënë ashtu njeriun të humbë në këtë botë të egër, por është përkujdesur për të: e ka mësuar t’i përdorë veglat, t’i nënshtrojë kafshët dhe ta përvetësojë natyrën. Në përgjithësi, të gjitha krijesave Ai u ka siguruar ushqim, vend për jetë dhe kushte për mirëqenie. 

Kështu Kur’ani e provokon njeriun të mendojë logjikisht, si njeriun e thjeshtë ashtu edhe shkencëtarin, secilin në mënyrën e vet dhe të arrijë në përfundimin se pas gjithë kësaj toke, këtyre planeteve, këtij sistemi të përsosur, ç’është zbuluar e çka nuk është zbuluar, pas gjithë kësaj krijimtarie gjigante qëndron një Krijues i Fuqishëm i cili kur i thotë diçkahit: “Bëhu”, ai bëhet!

 

PËRSE U KRIJUA NJERIU (OSE PËR ÇFARË QËLLIMI U KRIJUA) 

U tha se truri i njeriut nuk ka mundur të bëjë më shumë se ta argumentojë ekzistencën e Zotit. Këtë e dëshmojnë edhe filozofët nga të cilët secili e mbron teorinë e vet në lidhje me marrëdhëniet Zot-njeri dhe shkakun e krijimit të njeriut. Këtu njeriu ka nevojë shumë për mësim më direkt prej Krijuesit të tij e All-llahu i Mëshirshëm mu për këtë shkak i ka dërguar pejgamberët dhe i ka zbritur Librat e shenjtë. Të gjitha fetë qiellore janë të pajtimit se njeriu është krijuar ta adhurojë Zotin e vërtetë. E Islami, respektivisht Kur’ani si zbritje e fundit në zinxhirin e librave të zbritur nga All-llahu e zbulon këtë enigmë, apo shkakun e krijimit të njeriut në këtë jetë të shkurtër: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit pos që të më adhurojnë Mua, të Vetmin.” (Edh-Dharijat 52). Adhurimi i Zotit apo ibadeti, siç thuhet në origjinal, është pikëpyetja më e madhe të cilën All-llahu i Mëshirshëm për të mos na lënë në mëshirën e filozofëve dhe mendjeve tona të mangëta në arritjen e së mirës absolute na e zbuloi. Mendimtari i shquar islam Sejjid Kutub nga ky ajet i nxjerr dy aspekte: 

Aspekti i parë i ajetit: 

Nga ajeti: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit pos që të më adhurojnë vetëm Mua”, mësojmë se ekziston një qëllim i caktuar nga krijimi i xhinëve dhe njeriut. Kush punon dhe jeton sipas domethënies së këtij ajeti, ai e ka realizuar qëllimin nga ekzistenca e tij, e kush largohet nga ai qëllim e ka kaluar jetën e vet kot, e ka humbur funksionin e vet në këtë botë, kurse jeta e tij është e paqëllimtë, e zbrazët dhe larg kuptimit të saj themelor, pa të cilin jeta nuk ka vlerë. Ai ka dalë nga ligji për shkak të të cilit është sjellë në ekzistencë dhe ka përfunduar në humbje të plotë, humbje e cila e pret çdokënd që del nga ligji i ekzistencës i cili e ruan dhe i siguron amshueshmëri. Ky funksion i caktuar që i lidh xhinët dhe njerëzit me ligjin e ekzistenës është adhurimi i All-llahut (ibadeti). E ai ligj është të ketë rob dhe Zot, rob i cili adhuron dhe Zot i cili adhurohet dhe tërë jeta e njeriut të ngritet në bazë të këtij relacioni. 

Aspekti i dytë i ajetit: 

Nga ajo që u cek, kuptohet aspekti i dytë i kësaj të vërtete të madhe. Ne kuptojmë se adhurimi (ibadeti) duhet të ketë kuptim më të gjerë dhe më gjithëpërfshirës se vetëm kryerja e disa ritualeve fetare (namazi, agjërimi, haxhi e të tjera të ngjajshme me to). Pasiqë xhinët dhe njerëzit nuk mund ta kalojnë tërë jetën e tyre në kryerjen e ritualeve, All-llahu as që i obligon me këtë. Ai i obligon me lloje tjera të aktiviteteve që e përbëjnë shumicën e periudhës së jetës së tyre. Ndoshta ne edhe nuk i dimë aktivitetet me të cilat janë të obliguar xhinët, por ne shumë mirë i dimë ato me të cilat ne jemi të ngarkuar. Jemi të obliguar t’i njohim fuqitë, energjitë dhe përbërësit e tokës, t’i shfrytëzojmë ato siç don All-llahu, me një fjalë jemi të obliguar ta zbatojmë ligjin e All-llahut (sheriatin) në tokë. 

Pra, ibadeti (adhurimi i All-llahut) është qëllimi apo shkaku për të cilin u krijua njeriu, është funksioni kryesor i njeriut me të cilin nënkuptohet diçka më shumë se sa thjeshtë vetëm ceremonitë fetare. Realiteti i ibadetit pasqyrohet në dy çështje kryesore: 

1. Mbjellja e kuptimit të ibadetit të Zotit në shpirtin e njeriut, ose me fjalë tjera njeriu ta ndjejë se ekziston robi dhe Zoti, robi i cili adhuron dhe Zoti i cili adhurohet dhe pas kësaj nuk ka asgjë tjetër. Në ekzistencë nuk ka tjetër veç këtij relacioni. Një Zot dhe të tjerët janë robërit e Tij; dhe 

2. Çdo lëvizje tonën dhe çdo gjest në jetën tonë t’ia kushtojmë All-llahut, sinqerisht vetëm Atij dhe të largohemi nga çdo ndjenjë tjetër dhe nga çdo kuptim tjetër i cili del jashtë rrethit të ibadetit të All-llahut. 

Me këto dyja realizohet kuptimi i ibadetit dhe punët bëhen sikur ceremonitë fetare, ashtu që gjitha punët bëhen ibadet për All-llahun dhe me to njeriu e ushtron funksionin kryesor të tij. Atëherë, njeriu jeton në botë dhe e ndjen se aty gjendet për ta kryer funksionin e vet me të cilin e ka ngarkuar All-llahu. T’i nënshtrohet All-llahut dhe ta adhurojë Atë, ky është qëllimi i tij në jetë dhe si shpërblim i kësaj, ai në shpirt gjen një qetësi, kënaqësi me gjendjen dhe me punët e tij, ngase All-llahu është i kënaqur me të dhe përkujdeset për të, e pastaj në botën tjetër gjen të mira dhe shpërblime të mëdha. Në këtë mënyrë, qëndrimi i njeriut përballë obligimeve dhe ngarkesave me punë krejtësisht ndërrohet. Ai tani, në të gjitha punët dhe obligimet shikon si në lloje të adhurimit të All-llahut të vet dhe kështu e kryen obligimin e vet në tokë. Në këtë mënyrë, përpos namazit, zekatit, agjërimit, të cilat janë shtyllat mbi të cilat qëndron Islami, pastaj dhikrit, therrjes së kurbanit, respektimit të prindërve, leximit të Kur’anit etj. çdo gjë për njeriun bëhet ibadet: puna e tij, mësimi, martesa, rritja dhe edukimi i fëmijëve, bile edhe gjumi dhe ushqimi nëse bëhen me qëllim që të pushojë njeriu e të forcohet për ibadet e punë bëhet ibadet, e madje edhe marrëdhënia seksuale me gruan e tij nëse bëhet me qëllim që të ikë nga ndalesat e All-llahut bëhet ibadet! Pejgamberi, paqja e All-llahut qoftë mbi të, ka thënë: “…edhe marrëdhëniet tuaja me gruan konsiderohen lëmoshë”. Të pranishmit u çuditën: “A edhe nëse dikush e kënaq epshin e tij, ai ka sadakë?!”. Ai është përgjigjur: “Po sikur ta kënaqte epshin në haram a s’do të dënohej! Kështu nëse e kënaqë atë në hallall do të shpërblehet”. 

 

Ç’DO TË THOTË ADHURIM (IBADET) NË ISLAM 

Pasiqë ibadeti është qëllimi nga ekzistenca e njeriut, medje krejt gjithësia është krijuar për atë qëllim, të cilin ne e kemi mësuar nga shpalljet e Zotit, e posaçërisht nga shpallja e fundit, Kur’ani, prandaj edhe kuptimin e ibadetit duhet ta nxjerrim nga Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit Muhammed, paqja e All-llahut qoftë mbi të , i cili e ka spjeguar dhe jetësuar Kur’anin. Në Kur’an dhe Sunnet gjejmë edhe rrugën nëpërmes së cilës do ta realizojmë atë qëllim. Në Kur’an dhe Sunnet ibadeti nuk përkufizohet në disa farze (obligime fetare), por çdo lëvizje e muslimanit që buron nga besimi e tij me të cilën ai synon të afrohet tek All-llahu, konsiderohet ibadet. Në Kur’an All-llahu i Lartësuar na obligon që tërë jetën t’ia kushtojmë atij: “Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për All-llahun, Zotin e botëve! Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve ( i pari që pranoj dhe bindem)!” (El-En’am: 162, 163) 

Dijetari eminent Islam Ibën Tejmijje e definon ibadetin si: emër përmbledhës i gjithë asaj që All-llahu e do dhe e pëlqen, qoftë ajo fjalë a punë, e fshehtë apo e dukshme. Çështja qartësohet më tepër nëse i tregojmë llojet e ibadeteve, p.sh.: namazi, zekati, agjërimi, haxhi, fjala e sinqertë, kryerja e emanetit, bëmirësia ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve me farefisin, kryerja e premtimit, thirrja në punë të mira dhe ndalimi nga të këqiat, luftimi i kafirëve dhe dyftyrëshave, bëmirësia ndaj fqiut, jetimit, të varfërit, musafirit dhe kafshëve, gjithashtu lutja e Zotit (duaja), të përmendurit e Tij (dhikri), leximi i Kur’anit, e të ngjajshme. Ibadet është edhe të duhet All-llahu dhe i Dërguari i Tij, frikësimi nga All-llahu dhe pendimi tek Ai, sinqeriteti ndaj Tij, durimi në vështirësi (sabri), falënderimi i Zotit për të mirat, mbështetja në Zotin, shpresa në mëshirën e Tij, frika nga dënimi i Tij etj. Sipas kësaj e tërë feja është ibadet. 

Pastaj Ibën Tejmijje vazhdon dhe thotë se ibadeti përfshin kuptimet nënshtrim dhe dashuri, pra nënshtrim dhe dashuri e plotë për All-llahun. Prandaj, kush i nënshtrohet një njeriu, por e urren atë për të nuk thuhet se i bën ibadet atij, do të thotë se nuk e adhuron. E nëse njeriu e do dikë por nuk i nënshtrohet, edhe kjo nuk është ibadet. Nga kjo kuptohet se burimi i ibadetit është në zemër, kurse Muhammedi, paqja e All-llahut qoftë mbi të, thotë: “Vërtetë në trup është një copë mishi, nëse ajo është e shëndoshë tërë trupi është i shëndoshë, e nëse ajo prishet tërë trupi prishet. Ajo është zemra”. Pra, nëse nga zemra buron dashuria për All-llahun, atëherë trupi i nënshtrohet Atij, e nëse nga zemra nuk buron dashuria, atëherë as trupi nuk e adhuron All-llahun. 

Ata që ibadetin e kuptojnë vetëm si disa ceremoni fetare (të cilat janë pjesë të rëndësishme të ibadetit që e do All-llahu) e i kryejnë vetëm ato ceremoni, ata nuk e kanë kuptuar ibadetin mirë dhe nuk e kanë bërë atë që kërkohet prej tyre. Ata nuk e dinë se ibadeti ka të bëjë edhe me moralin, edukatën, sistemin politik, ligjin, adetet etj. Ibadet do të thotë që njeriu çdo fjalë të tij, punë, gjest, sjellje apo marrëdhënie me njerëzit ta bëjë në pajtim me ligjin Islam dhe të largohet nga fjalët, punët, gjestet, sjelljet apo marrëdhëniet që nuk janë në pajtim me ligjin islam apo me atë që All-llahu e do. Pra duhet ta bëjë dhe ta konsiderojë atë si nënshtrim dhe ibadet për Zotin: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë thjeshtë për All-llahun, Zotin e botëve! Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem).” (El-En’am: 162, 163) 

FRYTI I KËSAJ NJOHJEJE 

Ta dijë njeriu qëllimin e ekzistencës së tij si dhe rrugën dhe orientimin e tij. Ta njohë misionin e jetës së tij. Të ndjejë se jeta e tij ka kuptim dhe vlerë. Të ndjejë shijen e jetës së tij. Ta dijë se ai nuk është një grimcë e humbur në kosmos, e as krijesë që në kaos bredhë netëve të errëta. Të mos bjerë në depresion e të ftohet nga jeta sikur ata që e mohuan All-llahun dhe dyshuan në Të, e nuk e kuptuan përse ekzistojnë, përse jetojnë dhe përse vdesin!… Që besimtari assesi të mos jetojë i verbër në këtë botë, e as të ecë pa qëllim, por të lidhet me All-llahun e Madhëruar, ta gjejë veten në këtë botë, të ecë i udhëzuar nga Zoti i tij dhe vetëm Atë ta adhuron e mos të bredhë nëpër idhuj të ndryshëm. Besimtari nuk thotë atë që thotë poeti i konfuzionuar e pesimist: 

E vesha petkun e jetës pa u pyetur, 

e në mes lloj-lloj ideshë e mendimesh mbeta i hutuar, 

E do ta xhveshin këtë petk një ditë nga unë, 

e unë akoma s’do të di pse erdha dhe ku do të shkoj… 

Përkundrazi, besimtarit iu ka qartësuar orientimi hyjnor, ai mirë e di se prej kah është i ardhur, pse është i ardhur, kah do të shkojë dhe ku do të mbesë. Ky është një personalitet shumë stabil, optimist dhe maksimalisht jetën e vet e shfrytëzon në të mira. 

Përgatiti: Gëzim Selaci,

Publikimi i parë: 21.10.2000

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *