10 çelësat e suksesit në shkollë


 

 

Kemi filluar gjysëmvjetorin e dytë të këtij viti shkollor. Ditët kalojnë shumë shpejtë. Ashtu sikur ja kemi filluar për një çast edhe na mbaron. Andaj duhet rikujtuar gjysëmvjetorin e kaluar se sa shpejt na ka ikur, duhet kujtuar të gjitha gjërat, të mirat dhe të këqijat, ëmbëlsirat dhe hidhurit, sukseset dhe dështimet. Tërë këto gjëra duhet ti kemi parasysh në pragun e këtij gjysmëvjetori nëse dëshirojmë që në këtë pjesë të mbetur të këtij viti shkollorë të jemi më të suksesshëm.

Nëse dëshiron që suksesi të jetë aleati yt në këtë gjysmëvjetor, kurse suksesi është kërkesë dhe synim i secilit nxënës, duhet të dish detyrat, obligimet, gabimet dhe hapat e shëndoshë.

Secili sukses ka çelësin e vet, ka filozofinë dhe hapat e caktuara, për të cilat duhet të kujdesemi që nga fillimi i studimeve e derisa ta përfundojmë udhëtimin e studimit të lumtur në këtë vit.

Në vijim do tu ofrojmë dhjetë çelësa të suksesit në mësim, ndoshta bëhen çelësa të suksesit dhe epërsisë tënde, me lejen e All-llahut.

1- Aspirata.

Aspirata është një thesar, i cili nuk harxhohet. Njeriu që nuk posedon aspirata ai nuk mund të vepron për sukses, andaj ji njeri ambicioz dhe shiko lartësirat, nëse dëshiron të arrish atje ku synon shpirti yt.

2- Kontributi.

Kontributi është i barabartë me marrjen, kurse suksesi është punë, përpjekje, flijim dhe durim. Ai që aspiratave të veta u jep edhe durim, veprim dhe seriozitet do të korrë sukses dhe frytë të majme. Andaj vepro, përpiqu, kontribuo për të realizuar sukses, aspirata dhe synime. Ai që seriozisht përpiqet ai arrin në qëllim dhe kush mbjell korrë.

3- Vetëbesimi.

Duhet të kesh vetëbesim të madh. Duhet të jesh i sigurt se secili njeri posedon energji dhe potencial të madh, i cili është i fshehur, andaj ka nevojë që të largohet pluhuri i mangësisë dhe përtacisë. Ti je më i fuqishëm se sa mendon dhe më i mençur se sa parafytyron veten: fshiji të gjitha shprehjet negative siç janë: “nuk mundem, nuk jam i aftë, nuk jam i mençur”, dhe përsërit vazhdimisht: “unë kam mundësi, unë jam i aftë, unë jam i mençur, unë jam inovator”.

Vetëbesimi për suksesin domethënë hyrja në betejë ngadhënjimtare dhe me shpirt të lartë.

4- Mendimi për suksesin.

Suksesi është ajo që ti vet e bën. Suksesi fillon me dashurinë për sukses dhe mendimin rreth suksesit.

Mendo, doje dhe fillo udhëtimin tënd drejt qëllimit tënd. Kujtohu se suksesi fillon nga gjendja psikike e njeriut, andaj duhet të japish garanci se do të jesh e suksesshme. Secili njeri i suksesshëm e krijon suksesin me punë serioze, me mendim, dashuri, shfrytëzim të rasteve dhe mbështetje në atë që e ka realizuar me duart e veta.

5- Insistimi.

Insistimi në sukses është rruga më e shkurtë e suksesit. Mos u zmbraps për shkak të dështimit, madje shfrytëzoje dështimin për ta bërë urë drejt suksesit e jo dështim dhe humbje. Kjo është vetëm një ndodhi, një përvojë dhe një mësim, nga i cili ke përfituar për të ecur përpara.

Insistimi yt në sukses ti hap dyert e mbyllura të epërsisë dhe suksesit.

6- Besimi dhe shpresa.

Mbushe veten me besim dhe shpresë. Besimi në Zot është baza e çdo suksesi; është drita që ia ndriçon njeriut rrugën; është kriteri i vërtetë për të zgjedhur suksesin e vërtetë. Besimi të jep forcë, është fillimi dhe pikënisja drejt suksesit. Besimi është lënda djegëse që të shtyn drejt suksesit.

Shpresa është ëndrra që na krijon suksesin… udhëtimi i suksesit fillon me shpresë e nëse ia bashkangjesim edhe kontributin, ajo shkakton realizimin e kësaj shprese.

7- Prirjet.

Secili njeri ka prirje dhe fuqi të brendshme, të cilat duhet ti zbulosh dhe kultivosh. Sigurisht se ti ke prirje për inovacion, për mendjemprehtësi, për meditim, për kujtesë të fuqishme, andaj duhet të punosh për kujdesin për këto prirje dhe shfrytëzimin e tyre, në vend se të mbeten të pashfrytëzuara tërë jetën tënde.

8- Studimi është kënaqësi.

Faza e shkollimit paraqet çastet më të këndshme nga jeta e njeriut, këto kënaqësi nuk i din askush tjetër përveç atij që u ka përjetuar. Sa e bukur është dituria nëse shoqërohet me kënaqësinë e adhurimit. Kërkimi i diturisë është adhurim i All-llahut dhe studim, andaj kërkimi i diturisë është kënaqësi që përfundon me sukses. Kjo shndërrohet në kënaqësi të përhershme, kur të kurorëzohet me sukses.

9- Përpjekja.

Suksesi dhe epërsia përbëhet prej 1%, inspirimit dhe ëndrrës, kurse 99% është mund dhe përpjekje. Pra, rruga e vërtetë e suksesit na qenka dhënia e mundit dhe përpjekja, sepse ajo që e arrin pa mund dhe pa çmim është pa vlerë.

10- Koha.

Organizoje kohën. Mënyra më e mirë për ta shfrytëzuar kohën është që tani të fillosh me përcaktimin e prioriteteve në studim në përputhje me kohën që ke në disponim. Përpilo plan ditor dhe javor për ta organizuar kohën dhe prioritetet.

Marrë nga revista: “Et-Tifl”, nr. 95; Muharem, 1424 h.

Përktheu: Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *