Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevvalit dhe dobia e agjërimit të këtyre ditëve


Imam Muslimi transmeton nga Ebu Ejub El-Ensariu [radijAllahu anhu], i cili tregon se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
(( من صام رمضان ثم أتبعه ستاً من شوال كان كصيام الدهر)) [رواه مسلم].
“Kush agjëron Ramazanin, pastaj e përcjell me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevvalit, i regjistrohet sikur të kishte agjëruar tërë vitin”. (Muslimi).
Në bazë të këtij hadithi shumica dërmuese e dijetarëve islam e preferojnë agjërimin e këtyre ditëve që pasojnë pas muajit të Ramazanit.
Dijetarët që e kanë preferuar agjërimin e këtyre ditëve kanë disa mendimi rreth mënyrës se si të agjërohen këto ditë:
1- Disa thonë se është e pëlqyeshme që të agjërohen në fillimin e muajit edhe atë rend një pas një. I këtij mendimi është Imam Shafiu dhe Ibn Mubareku.
2- Të tjerët kanë thënë se nuk është me rëndësi a i agjëron rend, ditë pas dite ose i ndanë gjatë tërë muajit. I këtij mendimi është Imam Ahmedi dhe Vekiu.
3- Nuk preferohet agjërimi menjëherë pas ditëve të bajramit, sepse janë ditë të ushqimit dhe pijes, por agjërohet tre ditë para ditëve të bardha dhe tre ditë pas tyre. I këtij mendimi është Muameri dhe Abdur-Rezaku.
Mirëpo shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk ka ndonjë pengesë nëse fillohet me agjërimin e këtyre ditëve që nga dita e dytë e fitër bajramit. (shiko: Letaiful-Mearif, fq. 390- 391)
Dijetarët kur kanë folur për shpërblimin që e fitojmë me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevvalit kanë thënë: “Nëse e agjërojmë muajin e Ramazanit, i cili i ka tridhjet ditë, nëse këto ditë i shumëzojmë me dhjetë, atëherë dalin treqind ditë, e kur t’ia shtojmë këtyre ditëve edhe gjashtë ditët e shevvalit të shumëzuar me dhjetë, del treqind e gjashtëdhjetë ditë. Edhe pse sipas kalendarit lunar, viti i ka treqind e pesëdhjetë e pesë ditë.
Disa e kontestojnë këtë duke thënë se disa herë muaji i Ramazanit mundet me qenë njëzet e nëntë ditë. Mirëpo ata u përgjigjen duke u thënë se në këtë rast me rëndësi është vlera e këtyre ditëve dhe e zakonshmja.
Këtë e thonë duke u mbështetur na hadithin e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]:
(( شهرا عيد لا ينقصان؛ رمضان و ذي الحجة )) [ البخاري و مسلم].
“Dy muajt e bajrameve nuk pakësohen: Ramazani dhe Dhil-Hixhxheja”. (Buhariu dhe Muslimi).
Dijetarët kanë thënë, nuk janë të mangëta në vendim edhe pse janë të mangëta në llogari, ose zakonisht janë të plota, e rrallë herë janë të mangëta. (Xhamiul-Usul; 6/ 283).

Dobitë nga agjërimi i këtyre ditëve

Vazhdimi i agjërimit të këtyre ditëve pas Ramazanit ka shumë dobi. Në vijim do t’i përmendim disa prej tyre:
1- Agjërimi i këtyre ditëve pas Ramazanit të mundëson të fitosh shpërblimin e agjërimit të tërë vitit, siç treguam më lartë.
2- Agjërimi i Shevvalit dhe Shabanit është sikurse falja e sunneteve para dhe pas namazeve farz. E me këtë plotësohet mangësia që ndodh gjatë faljes së farzeve, sepse farzet në ahiret plotësohen me veprat tona vullnetare.
3- Vazhdimi i agjërimit pas Ramazanit është shenjë se Allahu e ka pranuar agjërimin e Ramazanit, sepse kur Allahu e pranon nga robi ndonjë vepër, i mundëson që ta bëjë edhe një vepër tjetër të mirë pas sajë. Siç kanë thënë disa dijetarë: “shpërblimi i një të mire, është një e mirë pas sajë, ai që e vepron një vepër të mirë dhe pastaj e pason me një vepër tjetër të mirë, kjo është shenjë se Allahu ia ka pranuar këtë të mirë, e nëse pas ndonjë vepre të mirë ka bërë një vepër të keqe, kjo është sinjal se Allahu ia ka refuzuar atë vepër të mirë”.
4- Agjërimi i Ramazanit shkakton shlyerjen e mëkateve që janë bërë më herët, kurse shpërblimin e marrin në ditën e Fitër bajramit, e cila është dita e shpërblimeve dhe dhuratave. Andaj agjërimi pas këtyre ditëve është falënderim për këto dhunti, sepse nuk ka dhunti më të madhe se sa shlyerja e mëkateve. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] falej aq shumë derisa iu ënjtën këmbët. I thanë: pse lodhesh kaq shumë, kur Allahu ti ka falur mëkatet që i ke bërë dhe që do ti bësh? Tha:
(( أفلا أكون عبدا شكورا )) [البخاري].
“A nuk duhet të jem rob falënderues”. (Buhariu dhe Muslimi).
Allahu [subhanehu ve teala] i ka urdhëruar robërit e Tij që ta falënderojnë për dhuntinë e agjërimit të Ramazanit duke e publikuar përmendjen e Tij, duke thënë:
وَلِتُكْمِلُوا الْعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُوا اللَّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ (185)
“…Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni”. (El-Bekare: 185).
Nga falënderimi i robit për Zotin që i ka mundësuar ta agjërojë Ramazanin, i ka ndihmuar gjatë agjërimit dhe ia ka falur mëkatet, është që pas ditës festive, të agjërojë sërish.
Disa adhurues nga gjeneratat e para të devotshme (selefus-Salih) kur arrinin sukses për tu ngritur natën që të falin namaz nate, ditën që vijonte e agjëronin në shenjë falënderimi ndaj Allahut për këtë ndihmesë.
Kur e pyetnin Vuhejb ibn Verdin për shpërblimin e ndonjë vepre të mirë, siç është tavafi, ose diç tjetër, u thoshte: Mos pyetni për shpërblimin, por pyetni për falënderimin që duhet ta bëjë njeriu, të cilit i është mundësuar ky adhurim, që t’ia shton suksesin dhe ta ndihmojë në këtë adhurim.
Çdo dhunti që Allahu ia ka dhënë besimtarit, qoftë e kësaj bote ose e ahiretit duhet të falënderohet. Vetë falënderimi është dhunti tjetër për të cilën sërish duhet falënderim, po edhe falënderimi i tretë është dhunti e cila sërish kërkon falënderim, e kështu me radhë. Andaj, besimtari asnjëherë nuk mundet arrijë kulmin e falënderimit. Për këtë dijetarët kanë thënë:
(( و حقيقة الشكر الإعتراف بالعجز عن الشكر ))
“Realiteti i falënderimit ndaj Allahut është pranimi se je i paaftë për ta falënderuar Atë”. (Letaiful-Mearif, fq. 395).
Nëse dhuntinë e agjërimit të muajit të Ramazanit e pasojmë me mëkate, kjo është përbuzje e dhuntive të Allahut.
Ai që e fillon agjërimin e Ramazanit me nijet që pasi të përfundon Ramazani sërish të kthehet në mëkatet, le ta dije se agjërimi i tij është i refuzuar dhe dera e Mëshirës është e mbyllur përpara tij.
5- Veprat që i ka bërë besimtari gjatë Ramazanit nuk përfundojnë me përfundimin e Ramazanit, ato mbesin derisa të jetë gjallë robi.
Disa njerëz gëzohen me përfundimin e Ramazanit, sepse u ka ardhur rëndë agjërimi dhe janë mërzitur nga ditët e gjata e tij. Ky njeri e ka vështirë të kthehet me të shpejtë në agjërim. Kurse ai që e fillon agjërimin me kalimin e ditës së bajramit, kjo tregon vullnetin që e ka për të agjëruar dhe se nuk e ka lodhur agjërimi e as që e ka mërzitur.
I kanë thënë Bishrit: Disa njerëz shumë bëjnë adhurime gjatë Ramazanit. Tha: sa të këqij janë ata të cilët nuk i njohin obligimet e tyre ndaj Allahut vetëm se në Ramazan. I mirë është ai që gjatë tërë vitit bënë adhurime dhe mundohet në këto adhurime.
Shibliun e kanë pyetur: cili muaj është më i mirë, Rexhebi ose Shabani? Ai ka thënë:
( كن ربانيا و لا تكن شعبانيا )
Bëhu njeri i lidhur për Zotin e jo për Shabanin. (Letaiful-Mearif, fq. 396).
Nëse dëshirojmë të dimë praksën e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] në adhurime, këtë më së miri na e tregojnë këto hadithe:
E kanë pyetur Aishen [radijAllahu anha]: A e veçonte Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ndonjë ditë me adhurim? Ajo tha:
((لا، كان عمله ديمة )) [ البخاري و مسلم ].
“Jo, veprat e tija ishin të vazhdueshme”. (Buhariu dhe Muslimi).
Thoshte:
(( كان النبي صلى الله عليه و سلم لا يزيد في رمضان و لا غيره على إحدى عشرة ركعة )) [الشيخان].
“Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] nuk shtonte as në Ramazan e as jashtë Ramazanit ma shumë se njëmbëdhjetë rekate”. (Buhariu dhe Muslimi).
Pastaj porosia e madhe e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]:
(( أحب الأعمال إلى الله أدومه و إن قل ))
“Veprat më të dashura te Allahu janë ato të vazhdueshmet, edhe në qoftë se janë pak”. (hadith sahih).

Vepra e besimtarit nuk përfundon

Vepra e besimtarit nuk përfundon derisa nuk përfundon ymri i tij.
Hasan Basriu [rahimehull-llah] thotë: “Allahu [subhanehu ve teala] nuk i ka caktuar afat veprës së besimtarit përveç vdekjes”, pastaj lexoi ajetin:
وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّى يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ (99)
“Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)”. (El-Hixhr: 99).
Këto vite, muaj, ditë dhe net janë masë matëse e exheleve dhe kohë e veprave, pastaj me të shpejtë kalojnë dhe të gjitha përfundojnë. Kurse ai që i ka shpikur, i ka krijuar dhe i ka veçuar me vlera është i Përhershëm, nuk kalon, i Vazhdueshëm nuk ndryshon. Ai në të gjitha kohërat është Një Zot dhe kontrollor e dëshmitar i veprave të robërve. I lartësuar qoftë Allahu i Cili i rrotullon në kohë të ndryshme mes detyrave e shërbimeve, që të lëshon mbi ta dhuntitë më të vlefshme dhe të sillet me ta me bujarinë dhe fisnikërinë kulminante. Pasi që përfunduan tre muajt e ndershëm, që fillojnë me muajin e parë prej muajve të shenjtë (eshhuril-hurum), e përfundojnë me muajin e agjërimit, pas tyre vijojnë tre muajt e haxhxhit. Nëse ai që agjëron dhe e kalon këtë muaj në namaz i falen mëkatet që i ka bërë më herët, ashtu edhe ai që e kryen haxhxhin, e nuk fol fjalë të ndyta dhe nuk bën mëkate, kthehet nga haxhxhi i pastër nga mëkatet sikurse në ditën që e ka lindur nëna. Besimtari çdo moment që e kalon nga jeta e tij, në atë çast ka obligime, detyra, shërbime dhe adhurime. Muslimani rrotullohet mes këtyre detyrave dhe i afrohet Allahut me to, nën shpresë (në Mëshiron e Allahut) dhe frikë (nga ndëshkimi i Tij). (Letaiful-Mearif, fq. 398).
I dashuruari në Allahun, nuk lodhet duke u afruar me vepra vullnetare te Zoti i tij dhe asgjë tjetër nuk shpreson përveç afërsisë dhe kënaqësisë së Tij.
Çdo kohë që e boshatisë besimtari nga adhurimet ndaj Zotit të tyre, e ka të humbur, çdo orë në të cilën është i shkujdesur nga përmendja e Allahut, në ditën e Kiametit do të bëhet pishman. Vaj për kohën që nuk e kalon në adhurime dhe që nuk kalohet në shërbime ndaj Tij!

Shenjat e pranimit të një vepre

Kush e kryen një adhurim, shenjë e pranimit të tij është ta ndërlidhë me një adhurim tjetër, kurse shenjë e refuzimit është ta pason me mëkat. Sa e mirë është e mira e cila vjen pas të keqes, e cila e shlyen atë. Kurse ma e mirë se kjo është e mira, të cilën e pason një e mirë tjetër. S’ka ma keq se kur ta bëjnë ndonjë të keqe pas një veprës së mirë e cila, e shlyen atë të mirë. Një mëkat pas teubes, pendimit është më i keq se shtatëdhjetë mëkate para pendimit. Recidivi është më i vështirë se vet sëmundja, ndoshta edhe e shkatërron njeriun.
Kërkoni nga Allahu përqendrim në adhurime deri në vdekje, strehohuni  te Allahu nga ndryshimi i zemrave dhe nga lajthitja pas udhëzimit.
Sa i keq është nënçmimi i mëkatit pas krenarisë së respektit edhe ma keq se kjo është varfëria e lakmisë pas pasurisë së maturisë.
Mëshironi njeriun krenar të një populli, i cili me mëkate u mposht dhe të pasurin e një populli, i cili me gabime u varfërua.
Djelmoshat e pendimit, mos u ktheni në epshet pas largimit prej tyre. Edhe pse largimi nga epshet kërkon durim në hidhurin e largimit prej tyre, e nëse duroni e kompensoni me ëmbëlsinë e besimit në zemrat e juaja.
Nëse e leni ndonjë gjë për hir të Allahut, Allahu ua kompenson me diç më të mirë se ajo:
إِنْ يَعْلَمْ اللَّهُ فِي قُلُوبِكُمْ خَيْراً يُؤْتِكُمْ خَيْراً مِمَّا أُخِذَ مِنْكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ (70)
“…se posa të vërejë Allahu ndonjë të mirë (besim të drejtë e të sinqertë) në zemrat tuaja, Ai ju jep edhe më shumë të mira nga ajo çka është marrë nga ju, ua falë gabimet, se Allahu falë pa masë, se është mëshirues i madh”. (El-Enfal: 70).
Kjo ka të bëjë me djelmoshat, kurse pleqtë nëse u kthehen mëkateve pas Ramazanit, kjo është edhe më keq, sepse ekziston shpresa për kthim dhe pendim te djelmoshat në fund të ymrit të tyre, edhe pse edhe ai është në rrezik, ngase vdekja ka mundësi ta befasojë, kurse plaku ka arritur në bregdetin e detit të shpresave, nuk ka çka të shpreson ma shumë?!
نعى لك ظل الشباب المشيب  و نادتك باسم سواك الخطوب
فكن مستعدا لداعي الفناء  فكل الذي هو آت قريب
ألسنا نرى شهوات النفوس  تفنى و تبقى علينا الذنوب
يخاف على نفسه من يتوب  فكيف يكن حال من لا يتوب
Ta vajtojmë hijen e rinisë së thinjur
Emrin e tjetrit e ka thirrur exheli
Bëhu gati për thirrjen e përfundimit
Se çdo gjë që vjen është afër
A nuk shohim se epshet e shpirtit treten,
E neve na mbesin mëkatet
Frikohen për vete ata që pendohen,
E si do të jetë gjendja e atyre që nuk pendohen.
(Letaiful-Mearif; fq. 400).
Përgaditi: Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *