Kur do të ndalet gjakderdhja?


Islami është fe e vërtetë dhe puna për forcimin e tij është detyrë dhe obligim, andaj myslimani duhet ta përdorë çdo vepër të ligjshme fetarisht dhe të mundshme për ta arritur këtë qëllim. Mirëpo kjo nuk domethënë të shfrytëzon çdo vepër, por atë vepër të cilën e do Allahu dhe e pëlqen. Në këtë mënyrë njeriu e arrin qëllimin me pasojat më të vogla të mundshme dhe pa e kundërshtuar sheriatin.

Armiqtë i hulumtojnë shkaqet me të cilat do të arrijnë pengimin e ecurisë së të vërtetës apo shëmtimin e pamjes së atyre që veprojnë për këtë kauzë. Myslimanit nuk i lejohet që tua ofron atyre këto shkaqe, madje duhet të largohen maksimalisht prej tyre, krejt kjo në shërbim të realizimit të qëllimit, mbetjes së tij të pastër dhe larg nga çdo ndotje dhe dështimit të kurtheve të armiqve.

Akoma jemi duke parë herë pas herë ballafaqime të rastësishme dhe të pa llogaritura dhe konflikte të pa barabarta, të cilat disa herë i shkaktojnë disa islamistë e herët tjera armiqtë e myslimanëve. Në këtë rast media luan një rol shumë të fëlliqur duke ia veshur të gjithë këto gjëra myslimanëve dhe duke i shtrembëruar faktet, e me këtë sikurse dëshirojnë të tregojnë se qëllimi i tyre është mbetja e pamjeve të kufomave të hedhura në rrugë veçori e vendeve islame dhe sikurse e kanë për qëllim tu tregojnë të gjithëve sa i lirë është gjaku i myslimanëve!

Këto kontribute dhanë fryte. Nuk ka mbetur armik i Islamit në lindje apo perëndim i cili nuk është përgatitur për tu zhytë në gjakun e myslimanëve edhe atë nën parullat e fabrikuara dhe të rrejshme siç është “lufta kundër dhunës”, “ballafaqimi me terrorizmin”, etj. Këto gjëra edhe më shumë ia shtojnë ymetit vështirësitë dhe sprovat që i ka.

Është e vërtetë se në kohët të trazirave faktet nuk janë të qarta, përzihen flamujt dhe konceptet dhe është shumë vështirë të ndërlidhen veprimet e caktuara me synimet dhe synimet me mjetet. Andaj nuk lejohet që të shndërrohet xhihadi te disa grupe në dhunë dhe nëpërkëmbje të shenjtërive. Nuk lejohet vrasja ti paraprijë idesë, sqarimit dhe argumentimit. Nuk lejohet që dikush të mendojë se hapësira islame ka nevojë për shtim të gjakderdhjes në vend të ndaljes së gjakderdhjes, atëherë kur shtohet padrejtësia. Nuk lejohet që të provokohen islamistët dhe të bien në kurth e të futen në ballafaqime për të cilat nuk janë përgatitur.

Nuk duhet disa islamistë të largohen nga xhihadi i vërtetë dhe rezistenca kundër okupatorëve, gjë të cilën dijetarët e këtij ymeti e kanë sqaruar shumë mirë duke i treguar rregullat fetare dhe të shkaktojnë kaos dhe destabilizim në vendet e sigurta myslimane me pretendime për të cilat nuk ka fakte fetare.

Nuk duhet të provokohet armiku pa nevojë në vende ku myslimanët kanë probleme sektare apo nacionale.

Nëse i analizojmë rezultatet e këtyre veprimeve të ndërhyra mund ti vërejmë disa shenja dhe arsye për përzierje të flamujve dhe koncepteve:

Myslimanët që ishin një “shenjtëri që nuk preket” u shndërruan në “qëllim legal”. 

Në Irak irakianët sunit vriten nga okupatorët, ekstremistët shiit, madje edhe nga disa grupe islamiste sunite. Në Somali vriteshin somalezët nga okupatorët e huaj, pastaj Etiopia, kurse pas largimit të tyre nuk u ndryshua gjendja, vazhdoi lufta mes dy grupeve somaleze, secili prej tyre e konsideron veten islamit. Në Pakistan ushtria pakistaneze e vret popullin e vet dhe i largon nga vendbanimet e veta, u hidhen granata mbi kokë njerëzve të pafajshëm, e askush nuk e di pse dhe kush i hedh ato. Kush vritet në këto raste? Ai ose është mik i talebanëve, ose bashkëpunëtor i të huajve ose ushtar i ushtrisë pakistaneze?!

Para kësaj kohe disa muxahid afgan ishin bashkë në luftën kundër sovjetikëve, e pas fitores disa radhë u ngritën kundër radhëve tjera dhe luftonin mes vete. Në shumë shtete islame siç është Jemeni, Saudia, Maroko, Algjeria u realizuan disa aksione të çmendura dhe të pa llogaritura ku në shumicën e rasteve myslimanët ishin viktima, edhe atë pa ndonjë gabim a pa ndonjë arsye. 

Ata nuk sqaruan ymetit se si mund të fiton Islami duke vrarë mysliman dhe duke lejuar nëpërkëmbjen e gjakut dhe pasurisë së tyre?!

Ata gjithashtu nuk i sqaruan ymetit pse vrasjen e myslimanëve dhe trishtimin e njerëzve të pafajshëm e konsiderojnë fitore ose “betejë në rrugë të Allahut”?!

A u lejohet këtyre të tejkalojnë ajetin Kuranor:

“… dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i mëshirshëm për ju. Kush bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hudhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është lehtë për All-llahun”. (En-Nisa: 29-30).

Imam Taberiu në tefsirin e tij thotë: “dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin)”, domethënë: mos vritni njëri tjetrin duke qenë të një feje, të një besimi dhe të një thirrjeje. Allahu, i Lartësuar myslimanët i bëri një tërësi, andaj ai që vret dikë është sikurse të ketë vrarë vetveten”.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka qortuar ashpër njeriun i cili vret një mysliman, duke thënë: “Çdo mëkat Allahu e fal përveç atij që vdes si idhujtar, ose një besimtar që e vret ndonjë besimtar me qëllim. Ai që vret një besimtar (në kohë trazirash) dhe gëzohet me këtë vrasje, Allahu nuk pranon prej tij asnjë vepër qoftë e madhe ose e vogël. Besimtari do të vazhdojë të jetë i mirë dhe me shpinë të lehtë (i pangarkuar), përderisa nuk prek gjak të ndaluar, e kur të prek gjak të ndaluar shkatërrohet”. (Sahih, transmeton Ebu Davudi).

Jahja ibën Jahja Gasaniu, i cili është transmetues i këtij hadithit, e sqaron këtë hadith kështu:

“Ata që vrasin në kohë trazirash, e vret një njeri dhe mendon se me këtë vepër ka bërë vepër të mirë dhe nuk kërkon falje nga Allahu për këtë vepër”.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Po që se të gjithë banorët e qiellit dhe tokës participojnë në derdhjen e gjakut të një besimtarit do ti hedhte Allahu në zjar”. (Sahih, Tirmidhiu).

Abdullah ibën Amri, radijallahu anhu, tregon e thotë: pash Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, duke u rrotulluar rreth Qabes dhe thoshte:

“Sa e këndshme je dhe sa aromë të këndshme ke. Sa madhështore je dhe sa e shenjtë je. Pasha Atë që në Dorën e Tij është shpirti i Muhamedit, shenjtëria e besimtarit është më e madhe te Allahu se se shenjtëria jote, pasuria dhe gjaku i tij”. (Sahih, Ibën Maxhe).

Sprovimi i njerëzve në bazë të disa pikëpamjeve dhe metodologjive që i bartin ata e jo në bazë të fesë Islame, e nëse ata i pranojnë këto pikëpamje shpëtojnë dhe ruajnë gjakun e tyre e nëse refuzojnë, atëherë derdhja e gjakut të tyre është i lejuar, kurse fotot e tyre paraqiten në internet si “vrasje e renegatëve”. edhe pse fetarisht shikuar divergjenca mes dy grupeve të myslimanëve assesi nuk domethënë anatemosja e njëri tjetrit edhe nëse kjo divergjencë arrin deri në luftë mes tyre. 

Allahu, Fuqiplotë, thotë:

“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtoni ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet me pa të drejtë, derisa t’i bindet udhëzimit të All-llahut, e nëse kthehet, atëherë me drejtësi bëni pajtimin ndërmjet tyre, mbani drejtësinë, se vërtet All-llahu i do të drejtit”. (El-Huxhurat: 9).

Allahu, Fuqiplotë, në këtë ajet nuk e largojë cilësinë e besimtarit nga asnjë grup edhe në qoftë se është grupi i cili ka bërë padrejtësinë.

Mirëpo secilin që i kundërshton këto pikëpamje ose refuzon të hyjë nën këto flamuj të konsiderohet renegat, kjo pa dyshim është tejkalim i përkufizimeve fetare dhe nëpërkëmbje e shenjtërive të garantuara.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, u hidhërua shumë me të dashurin e vet, birin e të dashurit të vet, Usame ibën Zejdin, sepse gjykoi për një jobesimtar, i cili i vriste myslimanët, mirëpo gjatë luftimeve e shqiptoi shehadetin, se akoma ishte jobesimtar edhe e vrau.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dërgoi një ekspeditë deri te një popull idhujtar. U ballafaquan dhe luftuan mes vete. Një idhujtar kur synonte ndonjë besimtar luftonte kundër tij dhe e vriste. Një mysliman e shfrytëzoi një pakujdesi të tij, e ky ishte Usame ibën Zjedi, dhe ia ngriti shpatën për ta vrarë. Në këtë moment ai shqiptoi shehadetin duke thënë: la ilahe il-lall-llah, mirëpo ky e vrau. Kur erdhi lajmëtari te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe i tregoi se si ishte zhvilluar lufta, mes tjerave ia tregoi edhe këtë rast. Atëherë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e thirri Usame ibën Zejdin dhe e pyeti: Pse e vrave? Tha: vrau shumë mysliman, e vrau filanin dhe filanin dhe i emërtoi disa njerëz që kishte vrari ai njeri. Unë për këtë edhe e sulmova, e kur e pa shpatën te koka e tij tha: la ilahe il-lall-llah. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i tha: e vrave? Tha: po! Çka do të bësh me la ilahe il-lall-llahun e tij në Ditën e Gjykimit? I tha: o i Dërguar i Allahut, kërko falje për mua. Ai përsëri tha: Çka do të bësh me la ilahe il-lall-llahun e tij në Ditën e Gjykimit? Vazhdoi ta përsërisë disa herë këtë shprehje: Çka do të bësh me la ilahe il-lall-llahun e tij në Ditën e Gjykimit?” (Muslimi).

Ata që bëjnë këso veprimesh i shtojnë armiqtë dhe rrethakohen nga të gjith.

Kjo i bën ata kafshatë e lehtë para një llojit tjetër të armiqve të myslimanëve, sikurse është rasti me Iranin, i cili maksimalisht kujdeset për të hapur kanale komunikimi me këtë lloj të njerëzve për të depërtuar brenda tyre dhe për ti mashtruar duke u ofruar përkrahje dhe strehim. Andaj i shtyn disa prej tyre për të realizuar synime të veta, i shfrytëzon për të realizuar politika të veta, kurse të tjerët i futë nëpër burgje. Ku është në këtë rast ai që pretendon se ka flamurin e paqmë?! Kurse historia na dëshmon se liderët e shiitëve gjatë etapave të ndryshme të ymrit të gjatë të Ymetit kanë qenë armiqtë më të rrezikshëm të fesë Islame dhe myslimanëve.

Ata me këto veprime u japin hapësirë armiqve të Islamit të realizojnë komplotet dhe planet e tyre për të harxhuar kapacitetet e ymetit, prangosjen, bllokimin dhe shkapërderdhjen e këtyre kapaciteteve. 

Sidomos me ato aksione kaotike ku synojnë civilët e pafajshëm në shtetet arabe apo perëndimore. Ata si duket nuk e dinë ose nuk e kanë kuptuar politikën e disa shteteve perëndimore, të cilat mbështeten në parimin e “sigurimit të arsyeve”, sepse sistemi demokratik, i cili sundon në ato vende, opinionit publik i jep një pushtet të dukshëm. Andaj kur nuk kanë arsye të mjaftueshme për të justifikuar politikat e tyre para opinionit publik, atëherë shërbimet sekrete marrin përsipër të sigurojnë arsyetime të përshtatshme. Ai që se kupton këtë detal në konstalacionin politik perëndimor, nuk do të ketë mundësi të formon pikëpamje të saktë mbi fitoren apo dështimin, sepse nuk mund të gjesh betejë ku të dyja palët e festojnë fitoren pas përfundimit të kësaj beteje.

Shembulli më i afërt është ajo që ndodhi me njëmbëdhjetë shtator të vitit 2001. ata që e realizuan aksionin e festuan këtë aksion si fitre të madhe, kurse në anën tjetër shumica e analizave serioze tregojnë se shërbimet sekrete kanë luajtur një rol shumë të madh në lejimin e ndodhjes së këtij shpërthimi, sepse neokonzervativët kishin një listë të madhe të qëllimeve, të cilat fillonin me Afganistanin dhe nuk përfundojnë me Irakun, për të cilat hulumtonin sigurim të arsyeve për të filluar realizimin e këtyre qëllimeve. Ky rast ua siguroj këto arsyetime.

Kjo e vërtetë na shpie te një e vërtetë tjetër. Disa aksione që i marrin përsipër ato grupe, pasi të ndodhin ato shkaktojnë mundësi të llojllojshme se kush mund të jetë realizuesi i tyre. 

Analizat e ndryshme paraqesin edhe palë të ndryshme dhe të kundërta. Disa thonë se i ka bërë okupatori, disa thonë se i ka bërë Mosadi, disa thonë se i ka bërë shërbimi sekret iranian, etj. Domethënë përzierja e interesit dhe synimeve janë bërë aq të komplikuara saqë është shumë vështirë të përcaktohet përfituesi kryesor nga këto aksione. E kjo gjë e parashtron edhe dilemën rreth mekanizmit që pasojnë ato grupe në përcaktimin e interesit dhe dëmit!

Të takohesh me armiqtë e fesë Islame në shkaktimin e dëmit të disa vendeve myslimane dhe popullit mysliman është një gjë shumë e rrezikshme, nuk paralajmëron lajme të mira. Ish ministri për punë të jashtme të Amerikës Kondoliza Rajs para disa viteve foli rreth një strategjie me titull “Kaosi i madh” në shtete islame, që domethënë: ndarje dhe rregullim i tyre sipas hirit amerikan dhe kjo nuk është diçka e huaj për ta. Mirëpo ajo që është për tu habitur është përvetësimi i kësaj metoda nga ana e disa islamistëve, të cilët synojnë kaosin në disa shtete arabe dhe islame për ti sjellë aty forcat e ndryshme jobesimtare dhe shndërrimi i këtyre vendeve në mejdane luftërash ku, sipas mendimit të tyre, do të realizohet fitorja. Ky pikëtakim i çuditshëm jep një konstatim të rrezikshëm. E ky konstatim është se veprimet e këtyre rrymave në shumicën e rasteve janë shndërruar në “etapa” apo “hapa” të domosdoshme të planifikuesit perëndimor, i cili harton strategji afatgjate për të rivizatuar hartën e botës islame. Thënë ndryshe: nëse këto grupe i ndërpresin këto veprime atëherë armiqtë e ymetit do të kenë nevojë të hulumtojnë alternativa tjera për këtë detyrë dhe për të shtyrë më tutje planet e tyre.

Një mysliman me besim të vërtetë nuk mund të del karshi thirrjes në fe të Allahut ose karshi rezistencës kundër armiqve që sulmojnë vendet myslimane ose të ndalon atë që flijon çdo gjë për ta ngritur këtë fe, sepse Allahu, Famëmadh, na ka krijuar vetëm për këtë qëllim, sikurse edhe ka thënë:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”. (Edh-Dharijat: 56).

Për këtë gjë Allahu edhe na ka dhënë furnizimin me pasuri të ndryshme.

“Dhe jepni për në rrugë të All-llahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë All-llahu i do bamirësit”. (El-Bekare: 195).

Mirëpo e tërë kjo nuk mund të realizohet sipas përfytyrimeve personale ose shpresave të parregulluara me argumentet fetare të urta dhe dispozitave të drejta të sheriatit.

Allahu ynë caktoi këtij ymeti udhëzim, udhëzo të devijuarit e këtij ymeti, ndal gjakderdhjen mes myslimanëve, ruaje fenë dhe sigurinë e tyre, ruaje nga kurthet e armiqve të brendshëm e të jashtëm, sepse Ti ke këtë fuqi dhe i përgjigjesh lutjeve tona. Amin!

Editoriali i revistës “El-Bejan” nr. 265, shtator, 2009 

Përktheu : Bekir Halimi

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *