Porosi të rinjve


Porosi të rinjve

 

1

Të marrësh lapsin për të shkruar gjëra për njerëzit, e në këtë rast për një shtresë shumë më rëndësi për çdo popull, për rininë, është një përgjegjësi shumë e madhe. Në këtë edhe aludon ajeti, me të cilin edhe e ka filluar veprimtarinë e vet kjo reviste:

“Nun, betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë!”

Betimi ka ardhur për të treguar rëndësinë që ka lapsi dhe ajo që shkruhet dhe përgjegjësinë që kanë ata që e marrin guximin te shkruajnë.

Ashtu sikurse çdo fjalë që e themi llogaritemi dhe kontrollohet, ashtu edhe ajo që shkruhet e ka të njëjtin tretman në ligjin e Allahut, Subhanehu ve Teala.

Allahu i lartësuar thotë:

“Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.”. (El-Kaf: 17-18).

Përcjellës, të cilët ia përcjellin çdo fjale, të cilën e shqipton.

Mu kjo që e thamë si hyrje në shkrimet tona, duhet të na përcjellë vazhdimisht në jetë tonë, që mos të flasim dhe mos të shkruajmë asgjë tjetër, përveç asaj, me të cilën do të gëzohemi në Ditën e llogarisë, atë ditë kur do të dalim para Allahut dhe nuk do të na bëjë dobi, as dukja e fizionomisë tonë, as posti që e kemi pasur, as diplomat që i kemi poseduar, as pasuria të cilën e kemi pasur në pronë, madje do të dalim të ç’veshur dhe të zbathur, simbolikë e cila vë në dukje ç’veshjen nga çdo titull ose atribut, të cilin e kemi pasur në këtë botë. Në këtë Ditë na bënë dobi vetëm zemra e pastër dhe veprat e mira.

Allahu i Lartësuar në Kur’anin famëlartë na thotë:

“Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Esh-shuara: 88-89).

 

2

 

Obligim i atyre që Allahu subhanehu ve teala u ka dhënë dituri është publikimi dhe sqarimi, përkujtimi dhe këshillimi, me sinqeritet dhe seriozitet drejt asaj që është më e dobishme dhe me e mirë për këtë dhe atë botë.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Dhe kur Allahu mori zotimin nga ata që i pat dhënë dituri: që gjithqysh t’ua publikoni atë njerëzve, e të mos e fshihni, por ata e lanë pas dore atë për pak send të kësaj jete; pra, bënë punë të keqe”. (Ali Imran: 187).

Dijetarët i kanë dhënë zotimin Zotit të Madhërishëm që ta publikojnë të vërtetën, pa marë para sysh sa u kushton ky guxim, mirëpo si zakonisht njerëzit shiten për gjëra me vlerë shumë të vogël, dhe eliminohet kjo shtresë, shtresa e dijetarëve, e cila është më e rëndësishmja në shoqërinë njerëzore.

Allahu subhanehu ve teala thotë:

“Vazhdo me këshillë, sepse këshilla besimtarëve u bën dobi”. (Edh-Dharijat: 55).

“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi”. (El-Maide: 2).

Kurse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Feja është këshillim”.

I thanë: Për cilin? Tha: “Për Allahun, Librin dhe Pejgamberin e Tij, për parinë e muslimanëve dhe për vet muslimanët”. (Muslimi).

Sipas këtyre ajeteve dhe haditheve del në shesh rëndësia që ka përkujtimi dhe këshillimi në jetën e një shoqërie. 

Së fundi kjo ka qenë edhe obligim i mbarë Pejgamberëve, që njerëzit mos të arsyetohen me injorancë.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para Allahut”. (En-Nisa: 165).

“…detyrë e të dërguarit tonë është vetëm kumtimi i qartë”. (Et-Tegabun: 12).

“E ti pra, këshillo, se je vetëm përkujtues”. (El-Gashije: 21).

Andaj edhe ne, si trashëgimtar të tyre, duhet ta vazhdojmë këtë rrugë, duke u sqaruar njerëzve gjërat sublime në jetën e tyre, për t’i këshilluar drejt asaj që është më e mirë në jetën e tyre dhe duke i udhëzuar kah ajo që është më e dobishme për ta në këtë jetë dhe në jetën e amshueshme.

Secili që ka sadopak dituri duhet ta kumtojë këtë dituri për të fituar shpërblimin e madh që ka udhëzimi nga e mira dhe duke i ikur dënimit të madh që ka fshehja e diturisë.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë:

“Ai që udhëzon nga e mira, ka shpërblimin e atyre qe e zbatojnë këtë udhëzim”. (Bezari, hadithi është i vërtetë).

Dhe thotë:

“Kush thërret në udhëzim, ka shpërblimin e atyre që e pasojnë, duke mos iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i tyre dhe kush thërret në lajthitje, fiton mëkatet e atyre që e ndjekin, duke mos u pakësuar asgjë nga mëkatet e tyre”. (Muslimi).

Allahu subhanehu ve teala thotë:

“Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë”. (El-Bekare: 159).

 

3

 

Duke u nisur nga kjo që e treguam obligohemi të këshillohemi ndër vete nëse dëshirojmë të shpëtojmë nga humbja e sigurt e cila i kaplon mbarë njerëzit.

Këshilla më kryesore dhe më e rëndësishme është besimi i madh në Allahun e Lartësuar, pa të cilin besim nuk ka lumturi në këtë botë e as kënaqësi në atë botë. 

Allahu subhanehu ve teala thotë:

“O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar)”. (El-Bekare: 21).

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”. (Edh-Dharijat: 56).

Kjo duhet të jetë synimi kryesor i njeriut, pasi që për këtë qëllim edhe i ka krijuar Allahu subhanehu ve teala,  e nuk i ka krijuar për kot, pa asnjë qëllim.

“A menduat se Ne u krijuam kot dhe se nuk do ktheheni ju te Ne?”. (El-Muminun: 115).

Mu për këtë qëllim Allahu subhanehu ve teala vazhdimisht i thërret njerëzit që të shikojnë në gjerësinë e gjithësisë, në thellësirat e tokës, në lartësirat e maleve, në horizont dhe në vet njeriun që të shohin Madhërinë e Allahut, i Cili i ka krijuar të gjitha këto krijesa.

“Falënderimi i qoftë vetëm Allahut, që krijoi qiejt dhe tokën, që formuloi errësirat e dritën, e megjithëkëtë (që Ai meriton lavdërim) ata që mohuan, i barazojnë (idhujt) me Zotin e tyre”. (El-Enam: 1).

“A nuk shikojnë ata me vëmendje kah qielli se si mbi ta kemi ndërtuar atë, e kemi zbukuruar atë duke mos pasur në të ndonjë zbrazëti”. (Kaf: 6).

“A është më i rëndë krijimi juaj apo ai i qiellit? E Ai e ngriti atë! Ngriti kupën e tij dhe e përsosi atë”. (En-Naziat: 27-28).

 “A nuk i shikojnë devetë se si janë krijuar? Edhe qiellin se si është ngritur lart! Edhe kodrat se si janë venduar! Edhe tokën se si është shtruar!”. (El-Gashije: 17-20).

“A nuk e shikuan ata tokën se sa shumë lloje bimësh të dobishme bëmë të mbijnë në të? Vërtet, në këto ka fakte (të forta), por megjithatë, shumica e tyre nuk qenë besimtarë”. (Esh-Shuara: 7-8).

 “Njeriu le të shikoje ushqimin e vet. Ne lëshuam shi të mjaftueshëm. Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra edhe rrush e perime, edhe ullinj e hurma, edhe kopshte të dendura, dhe pemë e kullosa, si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj”. (Abese: 24-32).

“Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit. Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?”. (Edh-Dharijat: 20-21).

“Le të shikojë njeriu se prej ç’kahit është krijuar?”. (Et-Tarik: 5).

“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?”. (Fussilet: 53).

Ndoshta edhe e teprova duke cituar ajete që flasin për Madhërinë e Allahut, mirëpo qëllimi është që të përforcohet besimi dhe të arrijë shkallën e besimit aktiv, i cili shkakton shndërrim te njeriu, nga një njeri i keq, përtac, i padobishëm, në njeri të mirë, aktiv dhe i dobishëm.

Këtë e thamë duke u nisur nga fakti se ne jemi duke u ballafaquar me një numër shumë të madh të muslimanëve, të cilët vetëm me emër numërohen në radhët e muslimanëve, kurse realiteti i tyre, i besimit të tyre, aspak nuk aludon në përkatësinë e tyre, të them kushtimisht, ideologjike, në ummetin islam.

Unë mendoj se kjo është pasojë e besimit sipërfaqësor, besimit, i cili nuk ka depërtuar në thellësirat e zemrës, besim i cili nuk ka arritur në gradën e bindjes së paluhatshme, besim, i cili është vendimtar në krijimin e botëkuptimit dhe në marrjen e qëndrimeve.

Përderisa nuk e arrijmë këtë gradë, pikëpyetje se sa jemi musliman?!

Siç thotë Hasan Basriu rahimehullah: “Nuk është besimi me shpresa, e as me zbukurime, por ajo që ka zërë vend në zemër dhe të cilën e vërteton vepra”.

 

Bekir Halimi

2002

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *