“S'ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen”


 

Medito rreth këtij ajeti:

(إِنَّا كَفَيْنَاكَ الْمُسْتَهْزِئِينَ)

“S’ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen”. (El-Hixhër: 95).

Ky ajet i madh nga sureja El-Hixhër në vete ngërthen shumë mësime dhe porosi dhe këto do ti shpalosim në vijim:

Një: Ky ajet edhe pse ka zbritur për një grumbull kurejshitësh prej pesë njerëzish, por kuptimi i tij është më i gjerë.

Dy: Të mjaftojmë – kefejnake – كفيناك- domethënë kur Ai që i mjafton merr për sipër të gjitha detyrat e atij që i mjafton. Andaj ajeti domethënë: të mjaftojmë Ne hakmarrjen kundër tyre, të rehatojmë Ne karshi talljes së tyre, ashtu edhe veproi Allahu, subhanehu ve teala, sa që çdo herë që dikush është tallur me Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, atë e ka shkatërruar dhe i ka ardhur fundi më i keq.

Shejhul-Islam Ibën Tejmiu, rahimehullah, thotë:

“Prej ligjeve të Allahut është që nëse nuk arrijnë besimtarët të hakmerren dhe ndëshkojnë atë që e dëmton Allahun dhe Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, atëherë Allahu, subhanehu ve teala, hakmerret për Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe i mjafton atij… Kjo, edhe pse Allahu e di më së miri, është realizim i asaj që Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

(إن شانئك هو الأبتر)

“E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”. (El-Keuther. 3).

Për këtë Allahu, subhanehu ve teala, ia dobëson forcën, e shkatërron dhe e bë farësosur secilin që e urren, e armiqëson dhe nuk e do Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Prej fjalëve të përdorura në mesin e myslimanëve është edhe fjala “mishi i dijetarëve është i helmuar”, paramendoni se si është atëherë mishi i Pejgamberëve?!

Na rrëfen Imam Buhariu, rahimehullah, në Sahihun e tij se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

(يقول الله تعالى من عادى لي وليا فقد بارزني بالمحاربة)

“Allahu, i Lartësuar thotë: i kam shpallur luftë atij që ma armiqëson një mik Timin”.

E çka mund të ndodh me ata që armiqëson pejgamberët?!

Rrallë mund të ndodh të gjesh dikë që dëmton ndonjë Pejgamber prej pejgamberëve dhe nuk pendohet nga ky gabim e të mos i ketë ndodhur ndonjë ndëshkim i tmerrshëm. Më herët kemi treguar përvojën e myslimanëve në përshpejtimin e hakmarrjes prej kafirave kur ata shanin Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Këto tregime janë të shumra që nuk mund ti rrumbullakojmë në këtë vepër”. (Es-sarimul-Meslul”, 2/316-318).

Tre: Pas këtij ajeti Allahu, subhanehu ve teala, na i përshkroi tallësit e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, duke thënë.

(الَّذِينَ يَجْعَلُونَ مَعَ اللَّهِ إِلَهًا آخَرَ فَسَوْفَ يَعْلَمُونَ)

“Të cilët Allahut i kundërvënë zot tjetër, e më vonë ata do ta kuptojnë (prapavijën e tyre)”. (El-Hixhër: 96).

Me këtë gjest Allahu, subhanehu ve teala, ia qetësoi zemrën Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe ia lehtësoi brengën, duke treguar se ata nuk kanë shpifur vetëm ndaj tij por edhe ndaj Allahut, e kjo pa dyshim se është më e madhe dhe më e rëndë.

Katër: Kërcënimi me fjalën “do ta kuptojnë” që domethënë se ata që kanë shpifur, kanë bërë armiqësi dhe janë tallur do të përballen me ndëshkimin për këto veprime.

Shkronja “s- س” që flet për një kohë të ardhme na mëson se vonii i ardhjes së ndëshkimit dhe kërcënimit është në përputhje me urtësinë e Allahut, subhanehu ve teala dhe përputhet me ajetin tjetër:

(وَلَقَدِ اسْتُهْزِئَ بِرُسُلٍ مِنْ قَبْلِكَ فَأَمْلَيْتُ لِلَّذِينَ كَفَرُوا ثُمَّ أَخَذْتُهُمْ فَكَيْفَ كَانَ عِقَابِ).

“Edhe me të dërguarit para teje kanë bërë tallje. Porse Unë atyre që nuk besuan u pata dhënë afat, pastaj i ndëshkova (me dënim), e çfarë ishte dënimi Im!” (Er-Rad: 32).

Pesë: vazhdoi në ajetin Allahu, subhanehu ve teala, duke biseduar me Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e duke i thënë:

(وَلَقَدْ نَعْلَمُ أَنَّكَ يَضِيقُ صَدْرُكَ بِمَا يَقُولُونَ)

“Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata”. (El-Hixhër: 970.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, për nga natyra e tij njerëzore, ngushtohej nga talljet e tyre, e të mos flasim për ata që e duan më shumë se prindërit, fëmijët, madje edhe flijojnë shpirtin e tyre për te, edhe atyre u ngushtohet shpirti dhe u mbushet me hidhërim ndaj atyre që tallen me të.

Medito rreth pjesës ku Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Ne e dimë”… pa dyshim se kjo e qetëson Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe ymetin e tij pas tij. Allahu e di atë që e veprojnë ata dhe në lejimin e ndodhjes së kësaj vepre ka urtësi të madhe.

Po të ndaleshin myslimanët të mendojnë më thellë mbi këtë temë do të kuptonin se pas çdo sprove me tallje dhe ofendim, e cila i shkaktonte dhimbje zemrave të tyre, vjen dhurata dhe triumfi i madh për myslimanët dhe nënçmimi dhe poshtërimi i idhujtarëve:

(وَأَنَّ اللَّهَ مُوهِنُ كَيْدِ الْكَافِرِينَ).

“All-llahu dobëson dredhitë e qafirëve (kufarëve)”. (El-Enfal:18).

Gjashtë: Allahu, subhanehu ve teala, e përfundoi edhe kontekstin por edhe tërë suren me një porosi të madhe dhënë Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, por edhe ymetit të tij pas:

(فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَكُنْ مِنَ السَّاجِدِينَ، وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّى يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ)

“Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur). Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)”. (El-Hixhër:98-99).

Lavdi Allahut dhe përmendja e Tij, sexhdeja dhe namazi, vazhdimi në adhurime dhe qëndresa në to, janë ilaç i zemrës dhe shërim i gjoksit dhe prej shkaqeve të hakmarrjes ndaj atyre njerëzve të prishur.

Na rrëfen Imam Nesaiu, rahimehullah, me sened të vërtetë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

(إنما ينصر الله هذه الأمة بضعيفها؛ بدعوتهم وصلاتهم وإخلاصهم).

“Allahu e ndihmon këtë Ymet me të dobëtit e vet, me lutjen, mirësinë dhe sinqeritetin e tyre”.

Allahu e di më së miri, bekimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi Muhamedin, zotëriun e njerëzimit, familjen dhe shokët e tij!

Salih ibën Abdul-Aziz ibën Uthman Sindi

http://www.salehs.net/mk20.htm

Përshtati: Bekir Halimi

 

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *