Disa mësime Kuranore


Në këtë trajtesë do t’ju paraqesim një buqetë me dije interesante fetare të marra nga hoxha dhe mufesiri i njohur, Abdurahman Sadiu, rahimehullah. Këto mësime janë sqarim i ndërlidhjes mes shkakut dhe pasojës në shumë ajete Kuranore.

Qëllimi nga kjo trajtesë është stimulimi i besimtarëve në marrjen në konsideratë të shkaqeve të ndryshme që janë të domosdoshme për të ardhur deri te rezultatet dhe pasojat. 

Mendoj se me këtë shkrim dhe me këto sqarime do të japim një kontribut për të nxitur besimtarët në ndërmarrje të aksioneve, iniciativave, përvjeljen e krahëve për vepra të mira, zbatimin e adhurimeve, projektet e ndryshme të rëndësishme për rimëkëmbjen e populli tonë, që pastaj të kemi të drejtë të presim rezultate që do të na gëzonin.

Kjo trajtesë është tentim për një goditje të fuqishme pasivitetit dhe defetizmit dhe eliminim të përtesës nga radhët e muslimanëve, sidomos nga ata që mundohen të justifikojnë veprimin e tyre me rregulla të ndryshme fetare.

Kur të ndalemi para këtyre ajeteve dhe ti analizojnë do të kuptojmë se e mira, përmirësimi, mëshira, udhëzimi, e lehta, zgjidhja, bereqeti, risku, fitorja dhe ngadhënjimi nuk vijnë nëse ne nuk i përmbushim kushtet, pa të cilat nuk na vijnë këto rezultate, të cilat njëherazi janë edhe shkaku i tyre.

Në vijim do ti japim disa sqarime të kësaj natyre sikurse na i ka sqaruar Kurani Famëmadh dhe pastaj i ka bërë komentet e nevojshme, hoxha i nderuar Abdurahman Sadiu, rahimehullah.

1- All-llahu, subhanehu ve teala, përgatitjen me aq sa mundemi kundër armikut dhe vigjilencën e ka bërë shkak të arritjes së fitores dhe shpëtimit nga sherri i tyre.

Dëshmi për këtë është ajeti Kuranor:

( يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا خُذُوا حِذْرَكُمْ فَانْفِرُوا ثُبَاتٍ أَوِ انْفِرُوا جَمِيعاً )

“O ju që besuat, rrini të përgatitur (të armatosur) dhe dilni (për në luftë) grup pas grupi apo të gjithë së bashku”. (en-Nisa: 71).

( وَأَعِدُّوا لَهُمْ مَا اسْتَطَعْتُمْ مِنْ قُوَّةٍ وَمِنْ رِبَاطِ الْخَيْلِ تُرْهِبُونَ بِهِ عَدُوَّ اللَّهِ ..).

“E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Ç’ka do që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë”. (El-Enfal: 60).

2- All-llahu, subhanehu ve teala, ka caktuar që lehtësimi të vijë pas vështirësisë dhe zgjidhja pas ngushticës.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( سَيَجْعَلُ اللَّهُ بَعْدَ عُسْرٍ يُسْراً )

“…mirëpo pas vështirësisë All-llahu sjell çlirim (begati)”. (Talak: 7).

( إِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْراً ).

“E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi”. (El-Inshirah: 5-6).

3- All-llahu, subhanehu ve teala, ka caktuar që sabri dhe devotshmëria të jenë shkak i përfundimit të mirë dhe pozitave të larta.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( فَاصْبِرْ إِنَّ الْعَاقِبَةَ لِلْمُتَّقِينَ )

“…Pra, të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit”. (Hud: 49).

( إِنَّهُ مَنْ يَتَّقِ وَيَصْبِرْ فَإِنَّ اللَّهَ لا يُضِيعُ أَجْرَ الْمُحْسِنِينَ ).

“…pse ai që ruhet dhe bën durim, s’ka dyshim All-llahu nuk humb shpërblimin e punë mirëve”. (Jusuf: 90).

4- All-llahu, azze ve xhel-le, ka bërë xhihadin shkak të fitores, arritjes së qëllimit nga armiku dhe mbrojtje nga sherri i tyre…

All-llahu, subhanehu ve teala, e dëshmon këtë duke thënë:

( قَاتِلُوهُمْ يُعَذِّبْهُمُ اللَّهُ بِأَيْدِيكُمْ وَيُخْزِهِمْ وَيَنْصُرْكُمْ عَلَيْهِمْ وَيَشْفِ صُدُورَ قَوْمٍ مُؤْمِنِينَ )

“Luftoni ata, All-llahu i dënon dhe i mposhtë ata nëpërmjet jush, e juve ju ndihmon kundër tyre dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë”. (Et-Teube: 14).

( فَقَاتِلْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ لا تُكَلَّفُ إِلَّا نَفْسَكَ وَحَرِّضِ الْمُؤْمِنِينَ عَسَى اللَّهُ أَنْ يَكُفَّ بَأْسَ الَّذِينَ كَفَرُوا وَاللَّهُ أَشَدُّ بَأْساً وَأَشَدُّ تَنْكِيلاً ).

“Lufto në rrugën e All-llahut! Nuk obligohet kush pos teje. Ngacmoi besimtarët (për luftë), All-llahu do të zmbrapsë fuqinë e të pabesëve. All-llahu është më fuqiforti, më ndëshkuesi”. (En-Nisa: 84).

5- All-llahu, subhanehu ve teala, për arritjen e dashurisë së tij, e cila është gjëja më e lartë të cilën mund ta arrijë njeriu, ka caktuar shkaqe, më e rëndësishmja dhe më e madhja është pasimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në fjalët, veprat dhe në çdo gjendje. Ska dyshim se prej shkaqeve për ta arritur këtë gjë të lartë është edhe durimi, bamirësia, devotshmëria, lufta në rrugë të All-llahut, etj.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ )..

“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Ali Imran: 31).

All-llahu, subhanehu ve teala, në shumë ajete i ka përmendur ata që i do, duke thënë:

والله يحب الصابرين

“All-llahu i do durimtarët”. (Ali Imjran: 146).

يحب المحسنين

“All-llahu i do bamirësit”. (El-Bekare: 195).

يحب المتقين

“All-llahu i do të devotshmit”. (Et-Teube: 4).

يحب الذين يقاتلون في سبيله صفاً كأنهم بنيان مرصوص

“All-llahu i do ata që luftojnë në rrugë të All-llahut të rreshtuar në rradhë sikur një ndërtesë e ngjeshur”. (Saf: 4).

6- All-llahu, subhanehu ve teala, shkak të kanatit, mos grykësisë, ka bërë shikimin e begative dhe dhuntive që ia ka dhënë All-llahu njeriut dhe mos lakmimin e asaj që nuk ia ka dhënë.

All-llahu, subhanehu ve teala, e dëshmon këtë duke thënë:

( قَالَ يَا مُوسَى إِنِّي اصْطَفَيْتُكَ عَلَى النَّاسِ بِرِسَالاتِي وَبِكَلامِي فَخُذْ مَا آتَيْتُكَ وَكُنْ مِنَ الشَّاكِرِينَ ).

“Ai (All-llahu) tha: “O Musa, Unë të gradova ty mbi njerëzit me shpalljen Time dhe me të folurit tim. Merre atë që ta dhashë dhe bëhu mirënjohës”. (El-A’raf: 144).

7- All-llahu, subhanehu ve teala, ka bërë zbatimin e drejtësisë në të gjitha çështjet shkak për përmirësimin e gjendjes dhe të kundërtën shkak për fesat.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( والسماء رفعها ووضع الميزان أن لا تطغوا في الميزان ، وأقيموا الوزن بالقسط ولا تخسروا الميزان ).

“Edhe yjet edhe bimët i bëjnë përulje (dëshirës së Rrahmanit). Ai e ngriti edhe qiellin dhe Ai vuri drejtësinë. Që të mos kaloni kufirin në drejtësi. Edhe ju mbani me drejtësi peshojën, e mos lëni mangu në peshojë!”. (Er-Rahman: 6- 9).

 

8- All-llahu, subhanehu ve teala, sinqeritetin ndaj All-llahut e ka bërë shkak për ti larguar me të mëkatet, shkaqet e mëkateve dhe llojet e sprovave.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( كَذَلِكَ لِنَصْرِفَ عَنْهُ السُّوءَ وَالْفَحْشَاءَ إِنَّهُ مِنْ عِبَادِنَا الْمُخْلَصِينَ).

“…Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robtë tanë të zgjedhur”. (Jusuf: 12).

9- All-llahu, azze ve xhel-le, ka bërë mbështetjen e fuqishme në All-llahun, tevekulin, së bashku me besimin, imanin, fortifikatë të fuqishme, i cili e pengon njeriun nga dominimi i shejtanit, sidomos nëse ia shton kësaj edhe përmendjen e shumtë të All-llahut dhe kërkimin e strehimit te All-llahu nga shejtani.

All-llahu, subhanehu ve teala:

( إِنَّهُ لَيْسَ لَهُ سُلْطَانٌ عَلَى الَّذِينَ آمَنُوا وَعَلَى رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ )

“Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre”. (En-Nahl: 99).

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَقِ )

“Thuaj: I mbështetem Zotit të agimit…”. (El-Felek: 1).

( قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاسِ ).

“Thuaj: “Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve!”. (En-Nas: 1).

10- All-llahu, tebareke ve teala, ka bërë besimin dhe bindjen, jekinin, çels të meditimit mbi argumentet e All-llahut që lexohen dhe që shihen dhe të dallimit të vërtetës nga e kota me kuptim të mirë dhe largpamësi të fuqishme.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( كِتَابٌ أَنْزَلْنَاهُ إِلَيْكَ مُبَارَكٌ لِيَدَّبَّرُوا آيَاتِهِ وَلِيَتَذَكَّرَ أُولُو الْأَلْبَابِ ) ..

“(Ky është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend”. (Sad: 29).

Gjithashtu, All-llahu, subhanehu ve teala, ka urdhëruar në shumë ajete që të meditojmë mbi atë që ka krijuar All-llahu, duke thënë:

( إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآياتٍ لِقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ ) ..

“…Edhe në këto ekzistojnë fakte për një popull që beson”. (Ez-Zumer: 52).

Meditimi është shkak i besimit, kurse besimi shkakton përfitim nga kjo vepër.

11- All-llahu, subhanehu ve teala, ka bërë realizimin e detyrave të fesë shkak për lehtësimin e çështjeve, kurse mos zbatimin e tyre shkak për vështirësimin e gjendjes.

All-llahu, subhanehu ve teala, e dëshmon këtë duke thënë:

( فَأَمَّا مَنْ أَعْطَى وَاتَّقَى* وَصَدَّقَ بِالْحُسْنَى * فَسَنُيَسِّرُهُ لِلْيُسْرَى * وَأَمَّا مَنْ بَخِلَ وَاسْتَغْنَى * وَكَذَّبَ بِالْحُسْنَى * فَسَنُيَسِّرُهُ لِلْعُسْرَى ).

“E, sa i përket atij që jep dhe ruhet, Dhe vërteton bindshëm për më të mirën, Ne do ta përgatitim atë për më të lehtën. E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur (nga Zoti), Dhe që përgënjeshtron atë më të mirën, Ne do ta përgatisim për më të vështirën”. (El-Lejl: 5-10).

12- All-llahu, tebareke ve teala, ka bërë dijen e dobishme shkak të ngritjes në dynja dhe ahiret.

( يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنْكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ ).

“…All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni”. (El-Muxhadele: 11).

13- All-llahu, subhanehu ve teala, besimin e shëndoshë, sjelljen e moralshme dhe veprat e mira të njeriut i ka bërë shkak të hyrjes në xhennet dhe të përgëzimit në kohën e vdekjes.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( وَقَالَ لَهُمْ خَزَنَتُهَا سَلامٌ عَلَيْكُمْ طِبْتُمْ فَادْخُلُوهَا خَالِدِينَ )

“… dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë”. (Ez-Zumer: 73).

( الَّذِينَ تَتَوَفَّاهُمُ الْمَلائِكَةُ طَيِّبِينَ يَقُولُونَ سَلامٌ عَلَيْكُمُ ادْخُلُوا الْجَنَّةَ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ ).

“Të cilëve duke qenë të pastër, engjëjt ua marrin shpirtin, duke u thënë: “Selamun alejkum” – gjetët shpëtimin, hyni në xhennet, për hir të asaj që vepruat”. (En-Nahl: 32).

14- All-llahu, azze ve xhel-le, ka bërë kthimin e të keqes me të mirë dhe sjelljen e mirë shkak i cili armikun e bën mik dhe forcohet miqësia e mikut.

All-llahu, tebareke ve teala, thotë:

( وَلا تَسْتَوِي الْحَسَنَةُ وَلا السَّيِّئَةُ ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ فَإِذَا الَّذِي بَيْنَكَ وَبَيْنَهُ عَدَاوَةٌ كَأَنَّهُ وَلِيٌّ حَمِيمٌ )

“Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt”. (Fussilet: 34).

Gjithashtu, All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

( فَبِمَا رَحْمَةٍ مِنَ اللَّهِ لِنْتَ لَهُمْ وَلَوْ كُنْتَ فَظّاً غَلِيظَ الْقَلْبِ لَانْفَضُّوا مِنْ حَوْلِكَ )..

“Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, …”. (Ali Imran: 159).

Ky shkak gjithashtu i sjell njeriut rehati dhe ia lehtëson shumë gjëra në jetën e tij.

15- All-llahu, tebareke ve teala, shpenzimin në rrugë të All-llahut e aty ku duhet e ka bërë shkak për t’iu kompensuar urgjentisht dhe për shpërblim të mëvonshëm.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

( وَمَا أَنْفَقْتُمْ مِنْ شَيْءٍ فَهُوَ يُخْلِفُهُ وَهُوَ خَيْرُ الرَّازِقِينَ ).

“… e çkado që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh”. (Sebe: 39).

16- All-llahu, subhanehu ve teala, riskut dhe furnizimit i ka caktuar shkaqe dhe dyer të llojllojshme, andaj nëse i mbyllet një derë nuk duhet të mërzitet, sepse All-llahu i hap derë tjetër, e cila mund të jetë më e fuqishme dhe më e mirë, ose mund të jetë e ngjashme me te ose me e dobët.

All-llahu., tebareke ve teala, duke e sqaruar këtë fakt thotë:

( وَإِنْ يَتَفَرَّقَا يُغْنِ اللَّهُ كُلّاً مِنْ سَعَتِهِ وَكَانَ اللَّهُ وَاسِعاً حَكِيماً )

“Por nëse ndahen prej njëri tjetrit, All-llahu begaton me mirësinë e Tij secilin prej tyre. All-llahu është bujar i madh, i plotdijshëm”. (En-Nisa: 130).

( وَإِنْ خِفْتُمْ عَيْلَةً فَسَوْفَ يُغْنِيكُمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ إِنْ شَاءَ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ حَكِيمٌ ).

“…Nëse i frikësoheni skamjes, All-llahu me dëshirën e vet do t’ju pasurojë me mirësitë e Tij. All-llahu është i gjithëdijshëm, është i urtë”. (Teube: 28).

17- All-llahu, subhanehu ve teala, ruajtjen dhe largimin nga mëkatet shkatërruese dhe ruajtjen prej shkaqeve që na çojnë tek ato, i ka bërë shkak dhe mënyrë e lehtë për flakjen e tyre.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

(تِلْكَ حُدُودُ اللَّهِ فَلا تَقْرَبُوهَا)

“…Këto janë kufijtë (dispozitat) e All-llahut, pra mos iu afroni”. (El-Bekare: 187).

Domethënë: mos i bëni dhe mos u rrotulloni rreth tyre, sepse ai që rrotullohet rreth tyre bie në to.

Pra këto ishin shtatëmbëdhjetë shkaqe, të cilat nëse i realizojnë muslimanët dhe besimtarët, pa dyshim se edhe do ti vjelin frytet e realizimit të këtyre pasojave, si pasojë automatike e tyre. Ishte kënaqësi e madhe të jetojmë këto çaste me këto mësime dhe sqarime, duke e lutur All-llahun që të na jep dije të dobishme dhe vepra të mira.

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *