Program praktik për shijimin e kënaqësisë së adhurimit


Kur e kanë pyetur Bilalin, radijallahu anhu, si ka qëndruar në iman edhe pse ka përjetuar tortura të mëdha dhe e kanë hedhur në tokën e nxehtë të Mekës, e tha fjalën e tij të njohur:

“مزجت مرارة العذاب بحلاوة الإيمان فطغت حلاوة الإيمان “.

“Kam përzier hidhurin e dënimit me ëmbëlsinë e imanit e dominoi ëmbëlsia e besimit”.

Kjo temë më shumë është praktike se sa teorike, kurse frytet e saja nuk mund të vjelën përpos se me vepër, vendosmëri dhe vullnet.

 

Kushtet për sukses të këtij programi:

 

1- Ta ndiejmë nevojën e madhe që kemi për këtë program.

2- Sinqeriteti.

Nëse do sinqeritet pyete veten: pse e kam bërë këtë vepër. A e kam bërë për të fituar xhenetin dhe për të shpëtuar nga zjarri?!

Prej gjërave që na ndihmojnë në fitimin e sinqeritetit është leximi rreth vetive të xhennetit dhe xhehenemit, njohja e vërtetë e All-llahut, njohja e Emrave dhe Cilësive të All-llahut, njohja se njerëzit nuk mund të na bëjnë as dobi e as dëm, sepse dëmi dhe dobia përfundimtare janë në dorën e All-llahut.

3- Durimi dhe luftimi.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

{ إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُمْ بِغَيْرِ حِسَابٍ }

“… ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Ez-Zumer: 10).

Gjithashtu All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

{وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا وَإِنَّ اللَّهَ لَمَعَ الْمُحْسِنِينَ (69)}

“E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bamirësve”. (El-AnkebutË 69).

4- Shpresimi i shpërblimit.

Domethënë çdo vepër që e bëjmë duhet të shpresojmë me këto vepra shpërblimin nga All-llahu e jo ndonjë të mirë të kësaj dynjaje kalimtare.

5- Lutja.

Lutja në përgjithësi ka ndikim në jetën dhe veprat e njeriut, kurse në këtë program është më se e qartë.

 

Programi praktik për shijimin e kënaqësisë së adhurimit

 

Ky program paraqet plotësinë minimale, andaj sa më shumë që shton prej këtyre veprave të mira aq më mirë bëhet.

1- Agjërimi i tre ditëve të çdo muajit dhe kujdesi për agjërimin e ditëve me vlerë gjatë vitit, sikurse është agjërimi i gjashtë ditëve të Muajit Sheval, ditës së Arafatit, Ashurasë, etj.

2- Përfundimi i leximit të krejt Kuranit në çdo muaj. Mënyra më e mirë për ta përmbushur këtë program është leximi i katër faqeve para çdo namazi. Në këtë mënyrë përfundon leximin e një xhuzi një ditë, kurse për një muaj përfundon leximin e krejt Kuranit.

3- Shkuarja herët në namaze.

Rregulli për të shkuar herët në xhami për namaz është me dëgjimin e ezanit të dalësh nga shtëpia për të shkuar në xhami për ta falur namazin.

Frytet e shkuarjes herët në namaz

Arritja e tekbirit fillestar. Ai që arrinë tekbirin fillestar mbrohet prej dy gjërave, sikurse ka ardhur në hadith të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

( من أدرك تكبيرة الإحرام مع الإمام أربعين يوماً كتبت له براءتان براءة من النفاق وبراءة من النار )

“Ai që arrin tekbirin fillestar me imamin katërdhjetë ditë i regjistrohen dy mbrojtje: mbrojte nga dyfytyrësia dhe mbrojtje nga zjari”. (hadithi sahih, Tirmidhiu).

Arrin lutjen e melekut dhe kërkimin e faljes së tyre për te.

Nuk të ikë asnjëherë namazi me xhemat.

Është shkak që ti lidhet zemra për xhaminë.

Të shkruhet shpërblim e tërë koha që e kalon në xhami që nga momenti i uljes e deri në dalje nga xhamia.

4- Kujdesi për sunetet e rregullta të namazeve.

2 reqate para namazit të sabahut.

4 reqate para drekës dhe 2 pas drekës.

2 pas akshamit.

2 pas akshamit.

Gjithsejtë 12 reqate gjatë ditës.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

( من صلى لله ثنتي عشرة ركعة من غير الفريضة بنى الله له بيتاً في الجنة )

“Ai që fal për All-llahun dymbëdhjetë reqate që nuk janë farz, All-llahu i ndërton një shtëpi në xhennet”.

5- Kujdesi për dy reqate namaz duha, i cili quhet namazi i penduesve.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Njeriu duhet të jep sadaka për çdo nyje që ka…krejt këto i lan dy reqate namaz duha”. Koha e namazit duha fillon me ngritjen e diellit pas lindjes sa një shtizë e deri para ardhjes së diellit në zenit, domethënë një çerek ore pas lindjes së diellit dhe njëzet minuta para drekës.

6- Kujdesu me qenë me abdes gjatë tërë ditës.

Kjo vepër të ndihmon në vepra të mira dhe e largon dembelinë dhe shejtanin.

7- Kujdesu për dy reqatet e abdesit.

Vlerën e kësaj vepre e ka treguar hadithi i Bilalit, radijallahu anhu. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka thënë Bilalit: kam dëgjuar rrapëllimën e nallaneve tuaja në xhennet, kurse Bilali, radijallahu anhu, i tregoi se shkaku i këtij shpërblimi mund të jetë fakti se çdo herë që ka marrë abdes ka falur namaz.

8- Kujdesu për dhikrin e istigfarit, sidomos dhikrin e mëngjesit dhe mbrëmjes, gjumit, hyrjes dhe daljes nga xhamia, shtëpia dhe nevojtorja, etj.

Ska dyshim se dhikri më i madh është leximi i Librit të All-llahut, azze ve xhel-le.

9- Kujdesu për dy reqate para gjumit, duke bërë nijet për namaz nate.

10- Kujdesu për mësimin e fesë. Mëso pjesë nga Kurani, merr pjesë në ligjëratat fetare, lexo ndonjë libër.

Së paku gjatë ditës lexo nga një çerek ore dhe afër vetes mbaj një fletore ku do ti shënosh gjërat që i ke përfituar nga leximi.

11- Kujdesu për namazin e vitrit.

12- Jep sadaka çdo ditë ose çdo javë. Nëse ske mundësi më shumë, së paku dhjetë denar (10 cent). Nëse për çdo ditë jep sadaka për çdo ditë do të lutet nga një melek për ty, kurse nga ana tjetër kjo paraqet vazhdimësi në vepra të mira dhe pa dyshim se kjo gjë shkakton shijimin e kënaqësisë së adhurimit.

13- Llogarit veten para gjumit.

Llogari a vetvetes bëhet duke parashtruar këto pyetej: a kam shtuar dijen sot? Si e kam bërë adhurimin sot? Sa kam bërë dave sot? Pse si kam bërë këto vepra të mira sot? Pse i bëra këto gjynahe sot? Regjistroi këto gjëra në një fletore të cilën nuk e sheh askush përpos teje.

14- Ripërtëri pendimin.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Unë kërkoj falje te All-llahu dhe pendohem më shumë se shtatëdhje therë në ditë”. (Buhariu).

15- Mendimi dhe analizimi.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

{الَّذِينَ يَذْكُرُونَ اللَّهَ قِيَاماً وَقُعُوداً وَعَلَى جُنُوبِهِمْ وَيَتَفَكَّرُونَ فِي خَلْقِ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضِ رَبَّنَا مَا خَلَقْتَ هَذَا بَاطِلاً سُبْحَانَكَ فَقِنَا عَذَابَ النَّارِ (191)} .

“Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran: 191).

16- Pastroje zemrën nga sëmundjet e ndryshme të zemrës, sikurse janë mëria, zilia, mllefi, etj.

17- Thirr në fenë e All-llahut.

18- Braktisi mëkatet për hir të All-llahut.

19- Ji bamirës ndaj prindërve.

20- Kujdesu për farefisin.

Këto janë komponentët e programit praktik për shijimin e kënaqësisë së adhurimit, i kemi përmendur si pika duke mos përmend për secilën pikë ajetet dhe hadithet, për të qenë më lehtë implementimi i tyre.

All-llahun e lusim të jenë të dobishme për mbarë muslimanët. Amin.

Marrë nga forumi “El-Fevaid”.

Përshtati: Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *