Kriza e vetëdijes civilizuese


Allahu, subhanehu ve teala, e ka nderuar njeriun mbi mbarë krijesat me logjikë perceptuese dhe shpirt të vetëdijesuar, atë e ka bërë boshtin e shpalljeve dhe e ka dalluar në krijim dhe moral.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

(وَلَقَدْ كَرَّمْنَا بَنِي آدَمَ وَحَمَلْنَاهُمْ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ وَرَزَقْنَاهُمْ مِنَ الطَّيِّبَاتِ وَفَضَّلْنَاهُمْ عَلَى كَثِيرٍ مِمَّنْ خَلَقْنَا تَفْضِيلاً).

“Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”. (El-Isra: 70).

Duke u nisur nga ky nderim erdhi detyrimi hyjnor për njeriun me detyrën e adhurimit ndaj Allahut, az-ze ve xhel-le, dhe ndërtimin e tokës, andaj secili defekt në zbatimin e këtyre dy urdhrave, shkakton ç’rahati në jetën e tij dhe jetesë të vështirë.

Duke u nisur nga kjo që thamë, i dorëzohemi fakteve dhe jemi dëshmitar të ndodhive të saja… Ashtu që vërejmë se shoqëritë në ecurinë e tyre historike zhvillohen, kultivohen dhe forcohen me vepër të njeriut, pjekurinë e tij, plotësinë e vetëdijes mbi synimin e vërtetë në këtë jetë, pastaj duke i zbatuar rregullat e ligjeve të fuqisë, fitores dhe mëkëmbësin në rruzullin tokësor. Popujt dhe shoqëritë rrënohen, dobësohen dhe asgjësohen nga shkaku i mungesës ose devijimit të domethënies së këtij ekzistimi njerëzor, e kjo është sekreti i civilizimit gjatë ngritjes dhe rënies.

Për ta ambijentizuar këtë qëllim dhe për të sqaruar rëndësinë e vetëdijes civilizues duhet ta zbresim në realitetin e krizës sonë momentale, në të cilat jeton vendi si pasojë e veprimeve terroriste dhe ekstremizmit ideologjik, nëse dëshirojmë të diagnostifikojmë realitetin e defektit dhe mos të angazhohemi me prezantim nga përshkrimi i sëmundjes..

Etapat e kaluara me ndodhitë që i kanë ndodhur ummetit kanë shkaktuar në shpirtin tonë një lloj te mendimit, ku pika e fundit që e mendojmë, kur të ndodh ndonjë krizë, është qortimi i vetes, sepse zakonisht e skajojmë ndikimin e vetvetes në problemet që na ndodhin, edhe pse besojmë se:

(إِنَّ اللَّهَ لا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ )

“…Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre. ..”. (Er-Rad: 11).

Dhe lexojmë ajetin Kur’anor:

(أَوَلَمَّا أَصَابَتْكُمْ مُصِيبَةٌ قَدْ أَصَبْتُمْ مِثْلَيْهَا قُلْتُمْ أَنَّى هَذَا قُلْ هُوَ مِنْ عِنْدِ أَنْفُسِكُمْ إِنَّ اللَّهَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ)

“E kur juve u goditi një dështim (në Uhud) e që ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedr), thatë: “Prej nga kjo”? Thuaj: “Ajo është nga vetë ju”! S’ka dyshim se Allahu është i plotfuqishëm për çdo send”. (Ali Imran: 156).

Kriza jonë momentale në të gjitha sferat e jetës, qofshin ato të sigurisë, ose tjera, janë krizë e vetëdijes në kuptimin e fesë dhe kuptimin e fetarisë, defekt në njohjen e individit të detyrave dhe obligimeve që ka përkatësia e tij të një shoqërie. Shtoja kësaj edhe mbulesën e një kohe të gjatë që ka shkaktuar mungesën e shikimit të brendshëm civilizues, duke u futur në ngushticën e dobësisë, civilizimet e iluzionit dhe jetesa në materializëm.

Vetëdija civilizuese gjithëpërfshirëse të nevojave të njeriut dhe shoqërisë është garancia e ardhmërisë për ummetin islam, pa marrë parasysh se çfarë zbehje arrin, përderisa ummeti posedon burimin e jetës dhe eliksirin e fitores.

Pasi që ka këtë rëndësi të madhe vetëdija civilizuese e kemi domosdo që ta definojmë këtë term, të sqarojmë domethënien dhe realitetin e tij, që të bëhet e qartë qëllimi prej tij dhe që ky kuptim të bëhet hyrje për zbatim dhe vepër.

Vetëdija është prej termeve që përdorimi i tij është përhapur me të madhe, si rezultat i zhvillimit të gjerë në përdorimin e tij, ashtu sikurse shfaqet edhe në shumë sfera të ndryshme, sidomos në çështje ideologjike dhe kulturore.

Vetëdija aludon në grumbullimin e informatave dhe futjen e tyre në kujtesë.

Kurse në format e më vonshme ky term merr formën e kuptimit dhe perceptimit të shëndoshë, kurse dijetarët e psikologjisë në të kaluarën vetëdijen e definonin si:

“Ndjenje për atë që është ne veten e tij dhe gjërat që e rrethakojnë”. (Shiko: “Ripërtëritja e vetëdijes”, fq. 6, dr. Abdul-Kerim Bekar)

Mirëpo me zhvillimin e shkencës dhe komplikimit të termeve dhe nocioneve aludimi i “vetëdijes” filloi të merr kahen e thellësisë, degëzimit, zgjerimit, që të hyjë në shumë sfera psikologjike, shoqërore dhe ideologjike. Mund ta rregullojmë domethënien e tij duke thënë: 

“Perceptim logjik i qartë i kërkesave të veprës së suksesshme”.

Andaj secili projekt human duhet ta parakalon një logjikim tematik që garanton shpëtimin dhe përputhjen me ligjet e jetës. Vetëdija e ç’veshur nga vepra, sipas meje, është sofizëm dhe iluzion.

Kurse termi “civilizim” është term që dallon domethënia e tij nga një kulturë në tjetrën dhe nga përdorimi që e gjykon ambienti i ndryshëm.

Ibn Halduni i cili i pari e ka përdorur këtë term, civilizimit i ka thënë këtë definicion:

“Kulmi i ndërtimtarisë dhe fundi i ymrit të tij dhe se është shenjë e prishjes së tij”. (“Hyrja e Ibn Haldunit”, 2/36).

Sipas kësaj civilizim te Ibn Halduni është kulmi i teprimit në civilizim dhe fundi i ymrit të luksit materialist, që shënon edhe fillimin e rënies. Pa dyshim se kjo domethënie dallon nga ajo që e kanë për qëllim bashkëkohorët.

Vil Djuranti thotë:

“Civilizimi është sistem shoqëror që i ndihmon njeriut të shton prodhimin e tij kulturor dhe përbëhet nga katër elemente: hyrjet ekonomike, sistemet politike, zakonet morale dhe përcjellja e shkencave dhe arteve. Fillon aty ku përfundon shqetësimi dhe stresi”.

Civilizimi sipas Djurantit është civilizim i shpikur nga prodhimtaria, pa dallim të nivelit që arrin. Kurse Tajlori nuk e përkufizon civilizimin me asnjë kufi, përveç përparimit të pafund, pasi që ai në definicionin e civilizimit thotë: 

“Është shkallë e përparimit kulturor, ku artet, shkenca dhe jeta politike arrijnë një shkallë shumë përparimtare”.

Ekzistojnë edhe shumë definicione tjera që dallojnë për shkak të dallimit të prapavijës së tyre shkencore, historike dhe akaidologjike në shikimin e tyre mbi civilizimin. Disa e zgjerojnë domethënien e civilizimit që të kaplojë të gjitha dimensionet e përparimit, e ky është drejtimi i disa mendimtarëve francez, kurse dikush tjetër e kufizon në disa aspekte të përparimit materialist, siç është rasti me disa mendimtar gjerman, e të tjerët e bëjnë sinonim të kulturës.

Kurse mendimtari musliman, Malik Ibën Nebi, arriti që ti jep domethënie dinamike civilizimit, e cila përkufizohet në domosdoshmërinë e:

“Sigurimit të një grumbulli të kushteve morale dhe materiale që i mundësojnë një shoqërie të caktuar tu ndajë secilit individ dhe në secilën etapë të ekzistimit të tyre, që nga fëmijëria e deri në pleqëri, ndihmë të domosdoshme në ato etapa të zhvillimit të tij”. (“Problemi i mendimeve në botën Islame”, fq. 50, Malik ibën Nebi).

Realiteti i civilizimit te Malik ibën Nebiu dhe shumë mendimtar është më i gjerë se ndërtimi material, andaj kjo ishte edhe shkaku që disa të bëjnë dallim mes termit “civilizim” dhe “qytetërim”. Mirëpo pasi që shumë mendimtar dhe studiues vërejtën se ngritja e jetës së njeriut ka dy dimensione kryesore: atë formal dhe atë të brendshëm, e panë të arsyeshëm që termin “qytetërim” t’ia japin asaj që ndodh në ngritjen përbrenda jetës civilizuese, kurse termin “civilizim” t’ia japin ngritjes formale që për bosht të vetin ka mjetet e jetesës, veglat e prodhimit dhe mënyrën e organizimit të ambientit. Ky definicion nuk është i domosdoshëm te të gjithë.

Shkolla islame, sipas së cilës edhe formojmë këndvështrimin tonë për gjithësinë dhe jetën, i jep rëndësi të madhe çështjes së ndarjes mes qytetërimit dhe civilizimit.

Allahu, subhanehu ve teala, i ka qortuar popujt e shumtë që kanë kaluar disa faza në ndërtimtari, në shfrytëzimin e hyrjeve, prodhimin e veglave, mirëpo rebelimi i tyre ndaj urdhrave të Allahut dhe prishja e brendësisë së organizimit të tyre ndërtues ishte shkaku i shkatërrimit dhe eliminimit të tyre. Në këtë drejtim, Allahu, tebareke ve teala, thotë:

(أَوَلَمْ يَسِيرُوا فِي الْأَرْضِ فَيَنْظُرُوا كَيْفَ كَانَ عَاقِبَةُ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ كَانُوا أَشَدَّ مِنْهُمْ قُوَّةً وَأَثَارُوا الْأَرْضَ وَعَمَرُوهَا أَكْثَرَ مِمَّا عَمَرُوهَا وَجَاءَتْهُمْ رُسُلُهُمْ بِالْبَيِّنَاتِ فَمَا كَانَ اللَّهُ لِيَظْلِمَهُمْ وَلَكِنْ كَانُوا أَنْفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ) 

“A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si qe përfundimi i atyre që ishin para tyre!? Ata ishin edhe më të fortë se këta, ata e lëruan tokën dhe e rindërtuan atë më shumë se sa këta, e rindërtuan, atyre u patën ardhur të dërguarit e vet me fakte të qarta. Pra, Allahu nuk ishte që t’ju bëjë të padrejtë atyre, por ata vetvetes i bënë të padrejtë”. (Er-Rum: 9).

Na ka treguar edhe për kulmin e ngritjes dhe fuqisë që e kanë arritur populli i Themudit :

وَاذْكُرُوا إِذْ جَعَلَكُمْ خُلَفَاءَ مِنْ بَعْدِ عَادٍ وَبَوَّأَكُمْ فِي الْأَرْضِ تَتَّخِذُونَ مِنْ سُهُولِهَا قُصُوراً وَتَنْحِتُونَ الْجِبَالَ بُيُوتاً فَاذْكُرُوا آلاءَ اللَّهِ وَلا تَعْثَوْا فِي الْأَرْضِ مُفْسِدِينَ)

“Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adit, ju vendosi në tokë e ju në rrafshin e saj ndërtoni pallate, kurse në kodrina ngreni shtëpia, përkujtoni të mirat e Allahut e mos u bëni shkatërrues në tokë”. (El-A’raf: 74).

Mirëpo ishin një popull që mohuan Zotin dhe ia kthyen shpinën asaj që u tha Salihu, alejhisselam, e rezultat i kësaj ishte:

“فأخذتهم الرجفة فأصبحوا في ديارهم جاثمين” 

“Atëherë ata përjetuan tërmetin dhe u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira”. (El-A’raf: 78).

Përball kësaj Medineja që e dëshmoi shoqërinë e parë islame, gjendja e saj qytetëruese ishte sa një fshat i vogël i çdo vendi të botës së tretë. Mirëpo kjo shoqëri sipas kritereve të qytetërimit, të cilat janë të përgjithshme, paraqiste kulmin e qytetërimit dhe ngritjes morale, të marrëdhënieve dhe raporteve. Në shoqërinë e Medinës synimet madhore ishin të qarta dhe shndritëse, aq shumë ishin të qarta dhe dominonin në shpirtin e muslimanëve, saqë edhe fëmijët, bënin gara për të arritur nderin e dëshmorit, në atë formë që nuk mund t’i njihet shembulli në histori. Kishte musliman që vepronin dhe përpiqeshin që një pjesë të pagës ta ndanë sadaka, lëmoshë në mbrëmje. Njerëzit arritën gradën e lartë të pastërtisë, saqë para Pejgamberit, disa njerëz, burra dhe gra, u deklaruan se kanë bërë krime, duke insistuar që mbi ta të ekzekutohet dënimi i kësaj bote, edhe nëse është gurëzimi me gurë deri në vdekje, me qëllim që ta takojnë Allahun, duke qenë Ai i kënaqur me ta. Transparenca e qeverisjes dhe shtetit ishte aq e madhe saqë rroga e Kalifit nuk ishte ma e madhe se harxhimet e ushqimit dhe veshmbathjes. Ajo shoqëri ishte e boshatisur nga manifestimet e dhunës së pushtetit, saqë gjykatësit, burgjet dhe policët, ishin margjinal, nëse nuk themi se mungonin tërësisht. Sado që sqarojmë shkallën e qytetërimit që ka arritur shoqëria islame në atë kohë, faktet mbeten shumë më të mëdha se sa fjalët. (“Ripërtërirja e vetëdijes”, Abdul-Kerim Bekar, fq. 120-126).

 Si rezyme mund të themi: qëllimi ynë nga përdorimi i fjalës “vetëdije” në kontekst të kuptimit civilizues të plotë të qytetërimit, mund ta definojmë si: “Perceptimi i individit dhe institucioneve të ndryshme të shoqërisë të përgjegjësive të tyre madhore në ndërtimin e plot të personalitetit njerëzor dhe veprim në drejtim të shtytjes së procesit të rilindjes dhe përparimit moral dhe material, duke e përmirësuar mendimin, sjelljen dhe realitetin”.

Mbetet të flasim për problemet e vetëdijes civilizuese dhe komponentët e tija, me të cilat ndërtohet. Ndoshta kjo do të prezantohet në artikullin e ardhshëm, me lejen e Allahut, kurse Allahu orienton kah e vërteta dhe e sakta.

 

Dr. Musfir ibn Ali El-Kahtani

Dekan i katedrës për studime islame dhe arabe në “Universitetin e mbretit Fehd për naftë dhe xehe”

Përktheu: Bekir Halimi

Publikimi i parë: 2004

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *