Vlera dijes mbi Allahun


Vëlla i nderuar! 

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, na ka urdhëruar të kërkojmë nga Allahu dije të dobishme dhe të kërkojmë strehim nga dija që nuk ka dobi. 

Xhabiri, radijAllahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“kërkoni nga Allahu dije të dobishme dhe kërkoni strehim nga dija që s’ka dobi”. (Hasen, Ibn Maxheja).

Këtë na e mësonte Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, edhe praktikisht duke u lutur vetë:

“Allahu im kërkoj strehim te Ti nga dija që s’ka dobi, zemra që nuk frikohet, shpirti që nuk ngopet dhe lutja që nuk përgjigjet”. (Muslimi).

Dije se dija më e dobishme është dija mbi besimin në Allahun Një, në këtë hyn edhe besimi në Emrat dhe Cilësitë e Allahut, sepse “vlera e dijes ndërlidhet me vlerën e atij për të cilin mëson, kurse Krijuesi është Qenia më e ndershme për të cilin mund të mësohet, andaj edhe njohja e emrave dhe cilësive të tija është dija më e vlefshme”. (“Ahkamul-Kuran”, Ibën Arabi).

Dija e dobishme është dija që i mundëson njeriut ta njeh Zotin e vet, dija që e udhëzon drejt Tij, ta veçon në adhurim, të gëzohet me afrinë e Tij, të turpërohet nga afërsia prej Tij dhe ta adhuron sikurse ta sheh Ate”. (Fadlu ilmis-Selefi ala el-Halefi”, fq. 67).

Baza e dijes është dija mbi Allahun, dije e cila shkakton frikë nga Ai, dashurinë e Tij, afrimin me Te, mallëngjimin për Te, pastaj vijon dija mbi dispozitat e Allahut, atë që e do dhe atë që e urren, qoftë fjalë, vepër, gjendje ose besim. Ai i cili i siguron këto dy dije, dija e tij është e dobishme, fiton dije të dobishme, zemër përkulëse, shpirt të ngopur dhe lutje të pranuar, kurse atij që i kalon kjo dije e dobishme, bie në katër gjërat nga të cilat ka kërkuar strehim Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, kurse dija e tij bëhet dëm për te dhe argument kundër tij, andaj edhe nuk përfiton asgjë prej saj, sepse zemra nuk i frikësohet, nuk i ngopet shpirti me dynja, madje i shtohet kujdesi për dynja dhe nuk i dëgjohet lutja, sepse nuk i zbaton urdhrat e Zotit të vet dhe nuk largohet nga gjërat që e hidhërojnë dhe zemërojnë Atë. Dija për të qenë dije nga e cila përfitojmë duhet të jetë e marrë nga Kur’ani dhe Sunneti, e nëse merret prej vendeve tjera, atëherë ajo nuk është e dobishme as për vete e as për tjerët, madje dëmi prej saj është më i madh se sa dobia”. (po aty)

Dija e dobishme udhëzon në dy gjëra:

Një: Njohjen e Allahut dhe Emrat, Cilësitë dhe Veprat që i meriton, kurse kjo shkakton madhërimin, frikën, dashurinë, shpresën, mbështetjen, pajtimin me caktimin e Tij dhe durimin në sprovat që vijnë nga Ai.

Dy: Njohja e gjërave që i do dhe pajtohet me to dhe gjërat që nuk i do dhe i urren, qofshin besime, vepra, të dukshme ose të brendshme, ose fjalë.

Kjo shkakton nxitim në vepra ku qëndron dashuria e Allahut dhe pëlqimi i Tij dhe largimi nga veprat ku qëndron hidhërimi i Allahut dhe mllefi i Tij. Nëse e sjell këtë fryt dija e këtij njeriut, kjo dije është e dobishme, kurse çdo herë që dija është e dobishme forcohet në zemër, atëherë zemra i frikësohet Allahut, i nënshtrohet, e nderon, e madhëron dhe e do. Nëse zemra i frikësohet Allahut, i përulet dhe i nënshtrohet, shpirti i tij mjaftohet me pak gjë nga dynjaja, ngopet me te, kurse kjo shkakton moslakmi dhe asketizëm në dynja. Çdo gjë kalimtare nuk mbetet, qofte pasuri, autoritet, teprica e jetesës, gjëra që ia pakësojnë hisen e tij në dhuntitë e ahiretit edhe në qoftë se është i ndershëm te Allahu”. (po aty).

Ibën Kajimi, rahimehull-llah, thotë:

“Gjëja më e madhe dhe më meritore për të cilën duhet të bëjnë gara garuesit është ajo gjë që i garanton lumturi njeriut në jetën e kësaj bote dhe në jetën e ahiretit dhe që është udhëzues drejt kësaj lumturie, kurse kjo është dija e dobishme dhe vepra e mirë. Vetëm me to arrihet lumturia dhe vetëm me to vjen shpëtimi, andaj ai që furnizohet me to, ka fituar, kurse ai që privohet nga këto, ai është i privuari nga çdo e mirë. Këto dy gjëra i ndajnë njerëzit në të mëshiruar dhe në të privuar, sipas tyre dallohen njerëzit në i mirë dhe mëkatar, i devotshëm dhe gjynahqar, zullumqar dhe i përvuajtur. Pasi që dija është shoqërues i veprës dhe agjitator i tij, kurse ndera e saj e përcjell nderin e atij për të cilin flet, atëherë dija më e vlefshme është dija mbi monoteizmin, kurse më e dobishmja dija që flet për dispozitat e veprave të njerëzve. Kurse rruga e vetme për të marrë këto dy drita dhe këto dy dije është burimi për të cilin argumentet e prera tregojnë se është i pagabuar, kurse librat qiellor kanë deklaruar se duhet të pasohen dhe përcillen, e ai është i vërteti dhe i vërtetuari, i cili nuk flet nga epshi, por nga ajo që i shpallet”. (Alamul-Muvekiin”, 1/5).

Marrë nga libri: “Sifatullahi el-Varide fil-Kurani ves-Sunneti”, fq. 8-10, Alevij Es-Sekaf

Përktheu: Bekir Halimi

Publikimi i parë: 2004

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *