Sahabet, radijallahu anhum, ishin njerëzit me ambicie më të larta


Ehli Suneti janë në ujdi se sahabet janë koka e evliave, ajka e të përzgjedhurve, shembulli I besimtarëve, yrneku i myslimanëve dhe njerëzit më të mirë pas Pejgamberëve dhe Murselinëve. Ata bënë bashkë diturinë e marrë nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe xhihadin me te për ta mbrijtur këtë fe. Ata, Allahu, subhanehu ve teala, i nderoi që të shohin Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ta shoqërojnë në të mira dhe të këqija, sakrifikuan veten dhe pasurinë në rrugë të Allahut gjersa u bënë më të mirët e më të mirëve dhe shekulli më i mirë me vet dëshminë e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Ata me të vërtetë janë njerëzit më të mirë në krahasim me ata që kanë qenë para tyre por edhe me ata që kanë ardhur pas tyre, në krahasim me të parët dhe të fundit.
Këta burra i ngritën shtyllat e Islamit me shpatat e tyre, ndërtuan kështjellat e fesë me shtizat e tyre, i morën mbretëritë dhe pushtetin e caristëve, e fikën besimin idhujtar dhe krishterë, i këputën kurthet e shirkut në fiset arabe dhe joarabe, e çuan fenë Islame anembanë botës, në lindje e perëndim, në jug e veri, andaj u zgjerua shteti Islam, e mbarë bota zbatoi ligjet e besimit, u ndërprenë lidhjet e kufrit, mosbesimit, u shkapërderdhën dhe i ligështuan ato dhe të gjithë bota iu nënshtruan fesë islame, i zi e i kuq, idhujtar a ithtar i librave.
Poeti thotë:
Përshëndetje nga i Mëshirshmi ju shkoftë nderit tuaj
Sepse përshëndetja ime nuk meriton t’ju adresohet
Tjetri thotë:
Ata janë burra që Allahu ua ndërtoi famën
Sado e madhe të jetë, s’ka më të madhe se kjo famë

Si e përzgjodhi Allahu, subhanehu ve teala, Muhammedin dhe shokët e tij

Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thotë:
“Allahu shikoi zemrat e njerëzve dhe mes tyre zgjodhi zemrën e Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, andaj e dërgoi me mesazhin e Tij dhe e përzgjodhi me Diturinë e Tij. Pastaj i shikoi përsëri zemrat e njerëzve dhe i zgjodhi atij shokë dhe i bëri ndihmëtarët e fesë së Tij dhe përkrahës të Pejgamberit të Tij. Atë që e shohin muslimanët si të mirë ajo edhe te Allahu është e mirë dhe atë që muslimanët e shohin si të keqe edhe te Allahu është e keqe”. (Ahmedi dhe Begaviu, hasen).
Imam Ahmedi na e transmeton këtë me një version tjetër e thotë:
“Allahu i shikoi zemrat e njerëzve dhe e gjeti zemrën e Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, si zemër më të mirë të njerëzve, andaj e përzgjodhi për Vete dhe e dërgoi me mesazhin e Tij dhe pastaj i shikoi zemrat e njerëzve pas zemrës së Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe gjeti zemrat e shokëve të tij si zemrat më të mira, andaj edhe i bëri përkrahësit e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të Tij, të cilët luftonin për fenë e Tij. Atë që e shohin muslimanët si të mirë ajo edhe te Allahu është e mirë dhe atë që e shohin si të keqe ajo edhe te Allahu është e keqe”.
Muhamed Ismaili
Marrë nga Libri “Uluvul-Himmeti”, fq. 139- 140
Përktheu: Bekir Halimi

 

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *