Muhaddithi i shekullit ndërroi jetë Nasiruddin El-Albani (1914-1999)


Një kohë të gjatë jemi munduar ta rindërtojmë kulturën tonë me përplotë zbraztësi dhe qëndrim tepër revolucionar ose pragmatik nënshtruar interesit dhe metodës së shumicës që në të njëjtën kohë ka qenë ndër format më të mira të manipulimit, ashtu që brenda kësaj periudhe anën më të shtrenjtë të historisë, traditës, asaj lashtësie të shenjtë e kemi lënë të zbrazët nga figurat shpirtërore të popullit tonë, ose përçdoherë pas vdekjes jemi orvatur t’i gjejmë. Për fat të keq, kemi shkuar aq larg saqë kemi krijuar sisteme “me lejen tonë” që t’i dëbojmë mendjet më të njohura, xhevahirin e popullit nga trojet e veta. Një ndër ta pa dyshim është edhe emri që vetëm te ne, shqiptarët, “intelektualët” është i panjohur e ai është Nasiruddin el-Albani, emër që tregon se është bir i shtetit shqiptar. 

Edhe unë kam vështirësi t’i di imtësitë e jetës së këtij dijetari me nam të disiplinës më të shtrenjtë, më të çmuar të fesë islame – Hadithit, ose pejgamberi pas Kur’anit, e ta përshkruaj jetën e tij. Por, me të lexuar informatat në Internet, vërejta informatën e teologut Ramadan Ramadani se Shejh Nasiruddin el-Albani ndërroi jetë. Një zë nga brendësia ime më thoshtë që të shkruaj diç për këtë âlim.

Shejh el-Albani u lind më 1914 në qytetin e Shkodrës, çerdhen e kulturës islame në Ballkan, ku për së pari herë është shkruar feja në gjuhën e vet, mendoj në shqip për shqiptarët, në një familje të varfër por plot urtësi dhe qetësi intelektuale. I ati, haxhi Nuh Nexhati el-Albani, kishte kryer studimet e Sheriatit ose Fakultetin Juridik Islam në Stamboll, dijetar i asaj kohe. Me paraqitjen e sistemeve të ndryshme e për shkak të pasigurisë, detyrohet ta braktisë vendlindjen vetëm që t’i shpëtojë fëmijët e t’ju sigurojë qetësi fetare dhe vendoset në Damask – Siri. Aty, i biri Nasiruddin el-Albani e kryen shkollimin e vet, duke filluar nga shkollat zyrtare, e më pastaj edhe ato të karakterit tradicional ose të karakterit të thellë të dijes, në kurse të veçanta të cilat u mësohen vetëm atyre që shfaqin liri personale dhe dëshirë e përkushtim të flaktë ndaj ndonjë disipline. Koha e re për këto studime nuk ka treguar interes të madh, duke shkuar aq larg saqë edhe në hapësirën islame është bërë përpjekje për ngulfatjen e kësaj kulture mësimi, ndërsa vetëm nëpër këto shkolla ekziston mundësia të mësohet komunikimi i disiplinuar nxënës-mësimdhënës, duke filluar nga përshëndetja e deri te mirësjellja dhe shkrimi. Sot kësi qendra ekzistojnë vetëm nëpër vendet më të shenjta të botës: në Mekke, Medine, Jerusalem, Kom, Kajro, Romë, Stamboll… Aty Shejh Nasiruddin el-Albani i mëson shkencat e fesë islame.

Si i ri 20-vjeçar në mënyrë të veçantë fillon specializimin në shkencën e Hadithit. Nuk ekziston mundësia që asnjë teolog në përgjithësi, e në veçanti teologët muslimanë, të kalojnë nëpër hapësirën e shkollimit të teologjisë e mos të mbështeten në studimet e dijetarit të shquar Nasiruddin el-Albani. Ai për çdoherë është përpjekur të qëndrojë atje, në fillim të momentit, dhe mu për këtë arsye ardhmëria e teologëve do të ishte e shkretë pa njohjen e tij.

I lodhur ekonomikisht, Nasiruddin el-Albani detyrohet ta mësojë një mjeshtëri – orëndreqjen. Siç ka qenë i përpiktë në atë mjeshtri, ashtu ia ka përcaktuar vetvetes një shkencë që me të vërtetë është ora e shkencave të tjera – Hadithi. Është kjo një shkencë tejet e vështirë, sepse ajo është fillim i fesë dhe mbarim i saj.

Ai shëtit botën arabe, disa herë për shkaqe të ndryshme edhe detyrohet të emigrojë, por pas dëshmimit të vet në shkencën e Hadithit, i ofrohet që të bëhet ligjërues nëpër shumë qendra universitare e të tjera arabe. Nxënëswit e tij, duke e përcjellur dhe duke krijuar emër e nam në këtë lëmë, sot udhëheqin qendrat e ndryshme universitare. Vetë Shejh el-Albaniu ka lënë pas vetes më shumë se 100 tituj në shkencën e Hadithit.

Kuptimi i fjalëpërfjalshëm i termit hadith në arabishte do të thotë “të folur, fjalim, rrëfim, lajm”, një rrëfim apo “traditë”, zakonisht e shkurtër, që transmeton se ç’ka thënë Muhammedi (a.s.), ç’ka vepruar, miratuar (apo mosmiratuar) ai. Hadithi (sh. ahadith) i referohet jo vetëm një tradite të vetme, por si emër i përgjithshëm gjithashtu edhe një korpusi të tërë të traditës së ruajtur dhe shënuar nga muslimanët. Teknikisht, ky term i përket njësisë së përbërë nga metn-i, apo teksti i gojëdhënës dhe isnadit (po ashtu sened), apo zinxhirit përkatës (silsile) të transmetuesve nëpërmjet të cilëve teksti është dorëzuar nga koha e Pejgamberit e deri te transmetuesi i fundit. Në mesin e muslimanëve në përgjithësi, e sidomos në mesin e sunnive, hadithi bashkë me Kur’anin shërbejnë si burim kryesor i udhëzimit autoritativ për çështjet njerëzore, qoftë në çështjet paksa më të ngushta “ligjore” qoftë në të gjithë aspektet e jetës personale dhe në bashkësi. Të dhënat informative, precedentet ligjore, udhëzimet për devotshmëri, rregullat për higjienë personale dhe veprimet rituale, si dhe rrëfimet rreth Zotit, engjëjve të Tij, pejgamberëve dhe Ditën e Gjykimit, të gjitha këto hadithin e bëjnë një shtojcë të detajuar dhe udhëzues të mesazhit kur’anor mbi të cilin janë themeluar dhe elaboruar për plotë 14 shekuj idetë, institucionet, besimi dhe shoqëria islame. Definitivisht feja islame do të ngelte në një kaos të veçantë pa këtë lëndë.

Kjo disiplinë fetare ka veprat e njohura të saj që quhen Kutubu-s-sitte (gjashtë përmbledhjet e njohura). Një ndër to, njëkohësisht edhe më autoritative, është edhe Sahihu-l-Buhari. Tregohet se Gëte ka thënë: “Po ta kishin pasur Gjermanët një vepër të këtij lloji, atë do ta shkruanin me shkronja të arta”. Ky âlim, dijetar i botës islame, bir shqiptari, a mund ta paramendoni – ai ka shëtitur nëpër këtë shkencë, dhe atë jo vetëm një herë por për çdoherë i ka ditur imtësitë e saj, dhe s’ka guxuar asnjëherë t’i harrojë. Përpos kësaj, ai edhe hapësirën e imtësirave e ka pasur obligim fetar ta dijë e më në fund ta vërejë rrezikun se si jodijetarët, qëllimkëqinjtë janë përpjekur të fusin fjalë “të bukura”, por që nuk kanë qenë edhe autentike, e më në fund ta prezentojë burimin e vërtetësisë së thënies. Duke përcjellur thënien si thënie dhe thënësit, ose përcjellësit e thënies. Është kjo vërtet një disiplinë e rëndë, për të kërkohet besim i padyshimtë ndaj Zotit, ndaj Kur’anit, ndaj thënieve të Pejgamberit Muhammed sal-lall-llahu alejhi ve-s-sel-lem, pastërti shpirtërore, forcë intelektuale, sepse vetë i Dërguari a.s. ka thënë: “Kini kujdes, nëse diç thoni në emër tim që unë nuk e kam thënë, përgatiteni vendin në Ferr.”

Më datën 2 tetor 1999, në kryeqytetin jordanez Amman, ndërroi jetë el-Albani.

Mos mendo Nasiruddin el-Albani se ty e ardhmja do të të harrojë. Për çdoherë ke qenë yni dhe do të mbetesh i ynë. Lus All-llahun që të të shpërblejë me bukuritë më të mira të xhennetit, dhe kërkoj falje që nuk na u dha mundësia të krijojmë një hapësirë, një qendër, një institut ku këtë shkencë do ta bëje të gjallë duke i vënë vulë edhe popullit shqiptar në disiplinën shpirtërore të fesë islame. 

Dr. Ismail Bardhi,

Publikimi i parë: 4.10.1999

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *