Xhamija-Jelen Kapan


 

Xhamija-Jelen Kapan

Para do kohe në Shkup në mënyrë solemne u inagurua ndërtesa e re e gjykatës së lartë të Republikës së Maqedonisë. Në solemnitet ishin të pranishëm instancat e larta shtetërore të përfaqsuara nga kryeministri i shtetit si dhe ministri i drejtësisë, kryetari i gjykatës së lartë por edhe kryetari i Kishës ortodokse maqedonase. 

Në dukje të parë kjo ishte një përurim i një objekti më rëndësi për shtetin ku jetojmë dhe asgjë të pazakonshme nuk ka në te por vendi i ndërtimit të objektit të cilit iu hodhën themelet më 1989 ishte vend VAKËFI. 

“Pallati i drejtësisë”, në të cilin do të vendoset Gjykata e Lartë e Republikës së Maqedonisë është ndërtuar në vend të xhamisë “Jelen Kapan” të rrënuar me 1975 nga organet e sistemit të athershëm monist. 

Në këtë shkrim aspak nuk mëtojmë të merremi me simbolikën e datave 1975 një vit pas kushtetutës së 1974 apo 1989 pas anulimit të dispozitave të saja me rëndësi e as me simbolikën më të lartë ate se drejtësia do të ndahet në një vend të uzurpuar padrejtësisht, ne këtu vetëm duam të pyesim disa pyetje njërëzve që kanë marrë përgjegjësinë të na sundojnë e me këte të kryejmë obligimin tonë ndaj tyre-këshillën. 

Të nderuar, a e dini se në çdo akt me të cilin caktohet një vakëf e që quhet vakfije ka një pjesë ku shënohet mallkimi mbi gjithë ata që keqpërdorin, uzurpojnë apo sillen padrejtësisht me këtë pasuri të Zotit? 

A e dini se në objektin e posandërtuar mes tjerash do të duhet të shqyrtohen edhe çështjet kontestuese rreth denacionalizimit të pronave e me te edhe kthimi i vakëfeve në mbikqyrje të bashkësisë myslimane? 

A e dini se ende janë gjallë njerëzit që me sytë e vet kanë parë rrënimin e kësaj xhamije? Bile ende janë gjallë dy imamat e fundit të kësaj xhamie, Jelen Kapan? 

Këto janë vetëm disa pyetje të cilat mund të shtroheshin dhe sigurisht se ato nuk mbulojnë krejt paqartësitë që mund të kenë njerëzit rreth kësaj çështje sepse ekziston mungesë e madhe informative. Institucioni përgjegjës për këtë bile -Bashkësia Islame në Maqedoni mjaftohet me një komunikatë dhe me mosprezentim në hapjen solemne të këtij objekti. Asnjëfar studimi mbi këtë monument historiko-kulturoro-fetar që daton nga shekulli 16. Ky institucion që në emër të popullatës myslimane në vend mban përgjegjësinë mbi tjerash edhe për pronat e vakëfit ende nuk posedon një evidencë të plotë të pronave të vakëfit në Maqedoni. Ajo është dashur të sqarojë që moti popullatës se çka u bë me Jelen-Kapanin, pse nuk është aktualizuar kjo çështje që në fillim të demokratizimit të shoqërisë së këtushme, pse u lejua rrënimi i saj dhe ç’është ajo pamundësi në të cilën thërriten tani e me cilat rrethana mund tani të arsyetohen. E themi këte ngase thuhet se kryetari i atëhershëm i Bashkësisë Islame në Maqedoni i tregonte popullatës se alternativa tjetër janë trazirat dhe ndoshta lufta e kurse nuk ishin harxhuar krejt mundësitë legale për ruajtjen e këtij objekti. Beogradi i atëhershëm ndoshta as që kuptoi për këtë problem lokal dhe gjithë mbaroi me disa arreste të njerëzve që nuk gëlltitën dot këtë poshtërim. Ç’do ti thuhet tani popullatës kur ajo me luftën e fundit e din se ka avancuar mes tjerash edhe të drejtat e veta fetare kurse ka vendosur që të qëndron në këtë vend-historikisht të vetin- fakt të cilin ja vërtetonte edhe vet xhamija Jelen-Kapan? 

Për në fund vetëm të themi se kjo është një përkujtim për myslimanët që gjithsesi kanë marrë mësimet gyshërore mbi mallin e vakëfit kurse të tjerëve ju themi ate që tha AbdulMutalibi kur kërkonte kopenë e tij nga Ebreheja i cili ishte nisur për rrënim të Qabes dhe çuditej si mund ky të kërkon kopenë e vet duke qenë se Shtëpia e Shenjtë ishte në rrezik- une kam dertin e shtëpisë time kurse Zoti e ruan shtëpinë e vet. 

Edhe një pyetje atyre para se ta urojmë Ditën e Jurisprudencës në Republikën e Maqedonisë, 31 Marsin, a mbajni mend çka ndërtuan serbët në vend të Burmali Xhamisë? 

 

Ramadan Ramadani

Shkup

Prill,2002 

Publikimi i parë: 13.6.2002

 

 

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *