Shamia e ndaluar


Tash e 14 vite pas çlirimit të Kosovës nga agresioni i Serbisë, vajzat me mbulesë privohen nga e drejta e tyre elementare, e drejta në arsim! Dëshirojnë t`i ndjekin mësimet e tyre në shkollat fillore e të mesme, por përkushtimi dhe devotshmëria  ndaj besimit dhe ndërgjgjegjies në besim, si duket i pengon disave. Të mbuluara sipas normave Islame, që në bërthamën e besimit te tyre është një nga obligimet fetare, i privon nga ushtrimi i së drejtës së tyre në arsimim. Me gjithë protestat që u bënë dhe kundërshtimi i shprehur nga qytetarët të Kosovës, përsëri këto vajza vazhdojnë  të qëndrojnë jashtë dyerve të shkollës. Kjo u ndodhi vetëm pse zgjodhën të mbulohen, e të jenë të perkushtuara në atë që e besojnë se është e drejtë. Ato trajtohen në mënyrë shumë të pandershme duke i cilësuar në të njejtën kategori me “delikuentët”. E vetmja zgjidhje që u jepet atyre është që shkollimin ta përfundojnë me provime si në “shkollat e natës”,  thua se janë recidiviste të delikuencës së tyre! Duke qenë se vet morali është çështje mjaft likuide, pika e referimit mund të jetë distancuese në krahasim me pikën tjetër referente . E zaten për shkak të këtij likuiditeti, morali është pjesë e bindjes dhe ndërgjgjes personale në të cilën nuk mund të ndërhyn askush! Enis Rama një teolog me namë tek te rinjët, thoshte: “po sikur dikush të vëndos një këpucë në kokë, a duhet me u përjashtu nga shkolla?! Kur tek e fundit koka e tij/saj është?”

E sjell këtë shkrim kur tani vetëm se po bëhen përgatitjet e fundit për maturën dhe është fundi i vitit, e nxënësit të mashtruar pas entuziazmit i harrojnë ata që u ndanë nga mesi i tyre për shkak të shprehjes së besimit dhe bindjes së tyre. E tani në fund ato kanë trajtimin e pandershëm si ‘delikuent’ edhe pse në shoqëri njihen si të sjellshme dhe nxënëse të zellshme! Ato vihen në një vijë me ata që një orë nuk e kalojnë ne mësimnxënie, e profesor nuk lanë pa e sharë e nënçmuar! E kjo me të vërtetë si mund të quhet ndryshe veç se, poshtërsi! 

Këtë problem nuk e kanë shumë vende evropiane, që ne çdo ditë trupetojmë se do të integrohemi ne familjen e madhe “demokratike”. A nuk është poshtërsi që në një vend ku 96% e popullsisë janë deklaruar se i takojnë besimit Islam, shamia të jetë problem?! Siç e thotë edhe Albin Kurti, veprimtar dhe kryetar i subjektit të dytë opozitar në vend, “mbulesa është pjesë e identitetit tonë, atë e bartnin nënat dhe gjyshet tona. Për ne është problem korupsioni, hajnia dhe e keqja që i ndodhë kësaj shoqërie, dhe jo çështja e mbulesës”.

Shpesh një nga arsyet e kundërshtimit të bartjes së mbulesës në shkolla publike është se ato janë adoleshente për vendosjen e mbulesës dhe mund të jenë të detyruara për ta mbajtur atë! Kjo është kot defentivisht. Prindi ka për obligim ta edukon fëmijën e tij, e që ky edukim përfshinë edhe determinimin religjioz. Ashtu si kultivohet dashuria ndaj atdheut dhe vendit, ashtu si edukohet fëmiu përgjegjësi ndaj të tjerëve, ashtu edhe edukohet në fenë e prindërve te tij. Identiteti fetar dhe kombëtar përcjellet nga prindërit, e pastaj është çështje personale e fëmijës se nëse në të ardhmen do ta kultivon apo jo normat identitare të tij.

Nëse shamia ju vendoset me detyrim, atëherë shkolla do të ishte vendi ku ajo do ta hiqte, pasi që nuk i ka prindërit të cilët ‘ e detyrojnë’ dhe do të ishte e lirë, por nuk ndodhë një gjë e tillë. Atëherë dikush këtu dikush dikënd po e detyron, por me e heq shaminë, padrejtësisht.

Me këtë shkrim shprehizhgënjimin ndaj institucioneve që cenojnë të drejtat elementare të njeriut! Le të vendosin gishtin në kokë e të mendojnë për atë se dikë po e privojnë  nga arsimimi për shkak të një shamie, e cila është bindje dhe ndërgjegje e besimit. Deri sa e qajnë kokën me bartje të shamisë, le të merren me korrupsion, papunësi e varfëri që e ka kapluar vendin tonë. E poashtu edhe Bashkësia Islame të jetë më e zëshme në këtë aspekt, ngase tek e fundit janë anëtarët e komunitet të saj, ndaj të cilëve ka përgjegjësi dhe llogaridhënie.

Nexhmedin Kalisi – Student i gazetarisë në UP.

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *