Vendimi fesë për veçimin e muajit Rexheb me itikaf ose heshtje


 

 

E kanë pyetur Shejhul-Islam, Ibën Tejmiun për transmetimet që flasin për vlerën e agjërimit në tre muajt, çka thua për itikafin dhe heshtjen në këto muaj, a është prej veprave të mira ose jo?

Është përgjigjur:

Sa i përket veçimit të Rexhebit dhe Shabanit, që të dyja me agjërim ose itikaf, nuk ka argument nga Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], as nga sahabet e tij, e as nga ndonjëri prej imamëve të muslimanëve. Madje është vërtetuar në hadithe të vërteta se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka agjëruar deri në muajin Shaban, e më së shumti ka agjëruar në muajin Shaban, për shkak të muajit Ramadan, kurse agjërimi i muajit Rexheb në veçanti, të gjitha hadithet që flasin për këtë temë janë të dobëta, madje të trilluara, nuk mbështeten në to dijetarët, sepse nuk janë as prej haditheve të dobëta të cilat mund të vlejnë në vepra të vlefshme, pasi që të gjitha janë të trilluara dhe të rrejshme. Hadithi më i mirë që transmetohet rreth këtij muajit është se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] kur hynte muaji Rexheb thoshte:

((اللهم بارك لنا في رجب وشعبان وبلغنا رمضان))

“Allahu ynë na beko ne në muajin Rexheb dhe Shaban, e na mundëso të arrijmë muajin Ramadan”. (edhe ky hadith nuk është i vërtete, në ndonjë artikull të ardhshëm do të flasim gjerësisht për dobësinë e këtij hadithi. Sh.p.)

Transmeton Ibën Maxheja nga Ibën Abbasi [radijAllahu anhu] se ka ndaluar nga agjërimi i muajit Rexheb, mirëpo ky hadith nuk është edhe aq i fuqishëm, mirëpo është hadith i vërtetë se Omeri [radijAllahu anhu] u ka rënë njerëzve në duar, që të vendojnë duart në ushqim gjatë muajit Rexheb, e thoshte:

(لا تشبهوه برمضان)

“Mos ia ngjani Ramadanit”.

Ebu Bekri hyri në shtëpinë e tij dhe pa se familja e tij kishin blerë enë për ujë, dhe bëheshin gati për agjërim, e u tha: çka është kjo? Thanë: muaji Rexheb. U tha: a dëshironi që t’ia përngjani Ramadanit? E i theu ato enë.

Nëse disa ditë ha e disa agjëron, kjo nuk është e urryer, sepse transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka urdhëruar që të agjërohen muajt e shenjtë, edhe atë katër muajt, Dhul-Kaden, Dhul-Hixhen, Muharemin dhe Rexhebin. Domethënë agjërimi i katër muajve e jo vetëm i muajit Rexheb.

Kurse veçimi i tij me itikaf, nuk di se ka ndonjë urdhër, por ai që agjëron agjërim legjitim dhe dëshiron të bëjë itikaf, kjo atij, pa dyshim, i lejohet. E nëse bën itikaf pa agjërim, për këtë çështje ka dy mendime të njohura, dhe që të dyjat transmetohen nga Imam Ahmedi; njëri se s’ka itikaf pa agjërim, siç  është mendimi i Ebu Hanifes dhe Malikut, dhe i dyti: itikafi është valid edhe pa agjërim, siç është medhhebi i Imam Shafiut.

Sa i përket heshtjes gjatë agjërimit ose gjat itikafit, ose në raste tjera, kjo është bidat i urryer dhe në këtë janë pajtuar dijetarët. Mirëpo a është haram ose mekruh, rreth kësaj ka dy mendime. 

Imam Buhariu në sahihun e tij tregon se Ebu Bekri [radijAllahu anhu] hyri te një grua nga fisi Ahmes, të cilën e gjeti duke heshtur, nuk fliste, e i tha: kjo nuk lejohet, kjo është vepër e injorancës.

Imam Buhariu në sahihun e tij tregon se Ibën Abbasi [radijAllahu anhu] tregon se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka parë një njeri duke qëndruar në dielli, e tha: kush është ky? Thanë: Ebu Israili, është zotuar të qëndrojë në diell e të mos hyn nën hije, të mos flet dhe të agjërojë. Atëherë tha: urdhërojeni që të ulet, të hy nën hije, të flet dhe të plotëson agjërimin”.

Pra, edhe pse ishte zotuar, Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] e urdhëroi të flet, ashtu sikurse e urdhëroi të ulet, edhe pse ishte zotuar që të qëndrojë në këmbë, dhe edhe pse ishte zotuar të qëndrojë në diell, e urdhëroi të hynë nën hije, kurse e urdhëroi që vetëm të vazhdon me agjërimin. Ky hadith është i qartë se këto vepra nuk janë afrime (adhurime), me të cilat urdhërohet zotuesi, edhe pse Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] në një hadith të vërtetë ka thënë:

((من نذر أن يطيع الله فليطعه، ومن نذر أن يعصي الله فلا يعصه))

“Kush zotohet që ta respektojë Allahun, le ta respektojë, e kush zotohet që të bëjë mëkat ndaj Zotit, mos t’i bëjë mëkat”.

Pra, zotuesi nuk urdhërohet që ti veprojë këto vepra, për të cilat është zotuar, e ai që i vepron si adhurime, duke i konsideruar pjesë e fesë dhe rrugë që e shpien te Allahu, është i devijuar, injorantë dhe kundërshtar i urdhrit të Allahut dhe Pejgamberit. Është e ditur se ai që e bënë këtë, ai që zotohet të bëjë itikaf, etj, këtë e bënë në shenjë të fetarizmit dhe s’ka dyshim se veprimi i tyre në shenjë fetarizmi është i ndaluar, sepse disa veprime që nuk janë adhurime, i konsideron si adhurime dhe i afrohet Allahut me disa veprime që Allahu nuk i do, e kjo është haram. Mirëpo ai që këto i bën para se ti vjen dituria, mund të jetë i arsyetuar për shkak mosdijes, nëse nuk është argumentuar para tij kjo vepër, e nëse i ka arritur dija, atëherë duhet të pendohet.

Përmbledhje e kësaj çështjeje është hadithi i Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]:

((من كان يؤمن بالله واليوم الآخر فليقل خيرا أو ليصمت))

“Kush beson në Allahun dhe ditën e ahiretit le to thotë fjalë të mira ose le të hesht”.

Thënia e mirë, e cila është obligim ose e pëlqyeshëm është më i mirë se heshtja, e ajo që nuk është vaxhib ose mustehab, heshtja është më mirë se folja. Andaj disa nga selefi i kanë thënë shokëve të tyre: heshtja nga e keqja është më e mirë se folja e sajë, kurse tjetri tha: folja në të mirë është më mirë se heshtja në te.

Allahu [subhanehu ve teala] ka thënë:

{يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا تَنَاجَيْتُمْ فَلا تَتَنَاجَوْا بِالإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ وَمَعْصِيَةِ الرَّسُولِ وَتَنَاجَوْا بِالْبِرِّ وَالتَّقْوَى } [المجادلة: 9]

“O ju që keni besuar, kur bisedoni mes vete fshehurazi, mos bisedoni për çka është mëkat, armiqësi dhe kundërshti ndaj pejgamberit, por bisedoni për punë të ndershme e të matura dhe kini frikën Allahut, te i cili do të tuboheni!”. (El-Muxhadele: 9).

Allahu [subhanehu ve teala] thotë:

{لا خَيْرَ فِي كَثِيرٍ مِنْ نَجْوَاهُمْ إِلاَّ مَنْ أَمَرَ بِصَدَقَةٍ أَوْ مَعْرُوفٍ أَوْ إِصْلاحٍ بَيْنَ النَّاسِ وَمَنْ يَفْعَلْ ذَلِكَ ابْتِغَاءَ مَرْضَاةِ اللَّهِ فَسَوْفَ نُؤْتِيهِ أَجْراً عَظِيماً ً} [النساء: 114]

“Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, Ne do ti japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh”. (En-Nisa: 114).

Kurse në sunene tregohet se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

((كل كلام ابن آدم عليه لا له إلا أمرا بمعروف أو نهيا عن منكر أو ذكرا لله تعالى))

“Secila fjalë e birit të Ademit është kundër tij, përveç atij që urdhëron në të mirë, ose ndalon prej të këqijave, ose e përmend Allahun”. 

Hadithet që flasin për vlerën e heshtjes janë të shumta, por gjithashtu janë të shumta edhe ato hadithe që flasin për vlerën e të folurit në të mirë. Heshtja për ato gjëra që duhet të thuhen është haram, pa marrë parasysh a konsideron si fe ose jo, siç është urdhërimi në të mirë dhe ndalimi prej të këqijave. Njeriu duhet të do, atë që e do Allahu dhe Pejgamberi i Tij, e të urrejë atë që e urren Allahu dhe Pejgamberi i Tij, të lejojë atë që lejon Allahu dhe Pejgamberi i Tij dhe të ndalojë atë që ka ndaluar Allahu dhe Pejgamberi i Tij.

Marur nga: Fetavva.net

Përktheu: Bekir Halimi

Pyetje dhe përgjigje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *