NJË ZEMËR PRET NË SHKUP


NJË ZEMËR PRET NË SHKUP

 

Nga minaret e larta ezani i thërret zemrat

Në Çarshinë e Vjetër kanë mbetur veç emrat

Të kam pritur nën strehët e Bit Pazarit dhe në brigjet e Vardarit

Jam lutur për ty me përvujtni te vendi i xhamisë Burmali

Te ura prej guri me ngjyrat tona një tjetër pamje pikturohet

Ajo që i dhamë qytetit, sot nga qyteti harrohet

Disa jetojnë për të harruar e ne harruam të jetojmë

Ne brendi të qenies kalben gjynahet tona dhe kundërmojnë

Ajo që jeta ka gdhendur në zemër, aty ka për të mbetur

Kur zemra qan për atë që ka humbur, 

shpirti qeshë për atë që ka gjetur

Eja dhe më gjej në zemër të Vilajetit 

ku lulëzonin buzëqeshjet e të parëve

Më bëj të mos harroj se lavdërimi me të vdekurit 

është turpi i të gjallëve.

 

Një çast durimi në zemërim, largon njëmijë ditë pikëllim

Nëse ndarja është ikje, edhe takimi është kthim

A ke fuqi të trokasësh edhe një herë në derën time

e të m’i kthesh pranverat që u thanë në lotin tim?

A ka forcë dora jote të ma fshij këtë lot se dua të qesh sot

Është festë dhe njerëzit sërish zhurmojnë në çarshi e pazar

A s’e meriton buzqeshjen tënde dikush që për ty ka qarë?

Dashuria nuk buron nga mendja, 

prandaj s’mjafton veç të mendosh për mua

Në Shkup veç dhimbjeve të mia, janë edhe gëzimet tua.

 

A ke frikë me u burrnue edhe pse ke kaluar motet?

A ke turp të buzqeshësh pranë meje që t’i fala lotët?

Në dyert e vjetra u shkrua një emër i ri,

Emri yt u fshi sepse mungoje ti

Dikush tha se kjo derë sado që është e vjetër

Asnjëherë më parë s’ka pasur emër tjetër

Pleqtë e urtë të çarshisë e lanë një fjalë në vilajet:

“Rrena që thuhet nji herë, rrenë ka me mbetë,

po u tha njiqind herë, dikush e beson për t’vërtetë.”

 

Nata t’i ka mbuluar gjynahet që i bëre ditën

S’duhet ta mallkosh errësirën, mjafton ta ndezësh dritën

A t’ka mbetur një pikë mëshirë të ma thuash një fjalë të mirë?

Fol një herë si atëherë kur flisje me fjalët e dijetarëve,

Fol dhe ma ngjall zemrën me gjuhën e urtë të të parëve:

“Luani veç me gjahun e vet, veten e ushqen

E dhelpëra dinakërisht gjahun e tjetrit rrëmben”

Nëse nuk je luan a duhet të bëhesh dhelpër?

Që të jesh ti i lumtur, a duhet të vuaj unë patjetër?

A duhet veç t’i shoh vendet tona nga kalaja e vjetër

E mallin e takimit ta kthej veç në germa të shkruara në letër…

 

Ezani i fundit i ditës thërret nga minarja e lartë

Thotë kujdes nga helmi që ta hodhën në mjaltë

Thotë se të iku edhe një ditë e kësaj jete,

Kudo që të shkosh trupin duhet ta marrësh me vete

Thotë se bima e budallallëkut nuk do të rritej,

nëse nga asnjë i mençur nuk do të ujitej.

Thotë se një ditë e lumnueme vjen mbas stuhisë,

Lumejtë do të takohen në Detin e Pafund të Përjetësisë…

Rrugës me gurë namazlinjtë ecin drejt xhamisë

Tregtarët mbyllin dyert e dyqaneve të çarshisë

Veç zemra ime nuk mbyllet dot me asnjë dry

Ajo rri e hapur dhe në Shkup të pret ty.

 

Fatmir Muja

www.fatmirmuja.com

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *