Disa rregulla për muajin Shaban


Disa rregulla për muajin Shaban

 

Shaban është emër i muajit, kështu është emërtuar sepse arabët shpërndaheshin për të kërkuar ujë, ose sipas disave për shkak të shpërndarjes nëpër shpella, e sipas të tretëve për shkak se gjendet mes muajit Rexheb dhe Ramazan. Shumësi i këtij emri është Shabanat ose Sheabiin. 

 

1-  Agjërimi në muajin Shaban

عن عائشة رضي الله عنها تقول: كان رسول الله صلى الله عليه وسلم يصوم حتى نقول لا يفطر، ويفطر حتى نقول لا يصوم، وما رأيت رسول الله صلى الله عليه وسلم استكمل صيام شهر قط إلا شهر رمضان، وما رأيته في شهر أكثر صياما منه في شعبان. [رواه البخاري ومسلم

Aisheja [radijall-llahu anha] thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] agjëronte sa që mendonim se aspak nuk është duke ngrënë, dhe nuk agjëronte sa që thoshim se aspak nuk agjëronte. Nuk e kam parë Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke agjëruar një muaj të plotë përveç Ramazanit, kurse më së shumti e kam parë duke agjëruar në muajin Shaban”. (Buhariu dhe Muslimi). Në transmetimin tjetër të Muslimit qëndron: “E agjëronte gjithë Shabanin, përveç një pjesës së vogël”. 

Një grup i dijetarëve, prej tyre është edhe Abdull-llah ibn Mubareku, kanë anuar nga mendimi se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kurrë nuk e ka plotësuar muajin e Shabanit me agjërim, por e ka agjëruar pjesën më të madhe. Këtë mendim e përforcon hadithi të cilin e transmeton Muslimi nga Aisheja [radijall-llahu anha] ku thotë: “Nuk di se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka agjëruar muaj të plotë përveç Ramazanit”, ose në transmetimin tjetër: “nuk e kam parë duke agjëruar një muaj të plotë prej ditës që ka ardhur në Medinë, në përjashtim të Ramazanit”. 

Kurse Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] thotë: “Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk ka agjëruar asnjë muaj të plotë përveç Ramazanit”. (Buhariu dhe Muslimi). Andaj Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] e urrente të agjëron muaj të plotë përveç Ramazanit. 

Ibn Haxheri [rahimehull-llah] thotë: “Agjërimi i tij vullnetar ishte më i shumtë në muajin e Shabanit sesa në muajt tjerë. Ai agjëronte pjesën më të madhe të Shabanit”. 

عن أسامة بن زيد رضي الله عنهما قال: قلت يا رسول الله: لم أرك تصوم من شهر من الشهور ما تصوم من شعبان؟ قال : ((ذاك شهر تغفل الناس فيه عنه، بين رجب ورمضان، وهو شهر ترفع فيه الأعمال إلى رب العالمين، وأحب أن يرفع عملي وأنا صائم)) [رواه النسائي].

Usame ibn Zejdi [radijall-llahu anhu] thotë: i thashë Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: të shoh që më së shumti je duke e agjëruar muajin e Shabanit? Mu përgjegj: ky është muaji që njerëzit e neglizhojnë, sepse gjendet mes Rexhebit dhe Ramazanit. Ky është muaji që ngrihen veprat te Zoti i botëve, kurse unë dëshiroj që të më ngrihen veprat duke qenë agjërueshëm”. (Transmeton Nesaiu. Shiko: “Sahihut-Tergibi vet-Terhibi”, të Shejh Albanit [rahimehull-llah], fq. 425). Kurse në transmetimin e Ebu Davudit, Aisheja [radijall-llahu anha] thotë: “Muaji më i dashur për ta agjëruar Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte muaji Shaban, pastaj e vazhdonte me muajin Ramazan”. (Shejh Albani [rahimehull-llah] thotë se ky hadith është i vërtetë. Shiko: “Sahih Sunen Ebi Davud”, 2/461).

Ibn Rexhebi [rahimehull-llah] thotë: “agjërimi i muajit Shaban është më i vlefshëm se agjërimi i muajve të shenjtë, kurse agjërimi më i mirë vullnetar është ai që është më afër Ramazanit, qoftë para ose mbrapa, ashtu sikurse namazet vullnetare me farzet, ato që falen para edhe ato që falen mbrapa, domethënë i plotësojnë mangësitë e farzeve. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin. Pastaj ashtu sikurse që sunetet e rregullta janë më të vlefshme sesa namazi vullnetar, ashtu edhe agjërimi para Ramazanit dhe pas është më i mirë sesa ai që është më larg. 

Fjala e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Shabani është muaj që e neglizhojnë njerëzit sepse gjendet mes Rexhebit dhe Ramazanit”, domethënë se pasi që kufizohet me dy muaj të mëdhenj, muaji i shenjtë dhe muaji i agjërimit, njerëzit angazhohen nga ky muaj, andaj bëhet i neglizhuar. Shumica e njerëzve mendojnë se agjërimi i Rexhebit është më i vlefshëm se agjërimi i muajit Shaban, sepse muaji Rexheb është muaji i shenjtë, mirëpo kjo nuk është e saktë. 

Në hadithin e lartpërmendur tregohet se mundet disa kohëra, vende ose persona të njihen si më të vlefshëm edhe pse gjinden kohëra, vende ose persona që janë më te vlefshëm se to. 

Në këtë hadith gjithashtu ka argument se është e pëlqyeshme që të shfrytëzohen me ibadet kohërat që i neglizhojnë njerëzit. Për këtë disa nga selefi (muslimanët e parë) e shfrytëzonin kohën mes Jacisë dhe Akshamit me ibadet, sepse shumica e njerëzve janë neglizhent nga ibadeti në këtë kohë. E njëjta vlen edhe për përmendjen e Allahut [subhanehu ve teala] në treg, sepse e përmendin All-llahun në vend të neglizhencës dhe mes neglizhentëve. Të shfrytëzosh me ibadete kohën që zakonisht njerëzit e neglizhojnë, ka shumë dobi, prej tyre janë: 

– Më lehtë e ke ta fshehësh këtë ibadet, kurse te veprat vullnetare fshehja e tyre është më i mirë. Sidomos agjërimi, i cili është ibadet i fshehur me robit dhe Zotit të vet, për këtë edhe është thënë se në te nuk ka mundësi të ketë rija, syfaqësi. Ka pasur njerëz nga selefi që kanë agjëruar me vite, askush nuk e ka ditur. Kur ka dalë nga shtëpia për në treg ka marrë me vete bukën, rrugës i jepte ato sadaka, kurse ai vet agjëronte. Kështu, familja e tij mendonte se ka ngrënë bukën, kurse njerëzit e tregut mendoni se ka ngrënë në shtëpi. Për këtë, selefi e kanë pëlqyer për atë që agjëron që të tregon gjëra me të cilat do ta fshehë agjërimin e tij. Abdull-llah ibn Mesudi [radijall-llahu anhu] thotë: “nëse agjëroni, përdorni vajra (në fytyrë dhe flokë)”. Kurse Katadeja [rahimehull-llah] thotë: “është e pëlqyer për agjëruesin që të përdorë vajra, që të largon nga vetja pluhurin e agjërimit”. 

– Veprat e mira në kohën e neglizhencës janë të rënda për nefsin, kurse prej shkaqeve që një vepër e bëjnë më të vlefshme, është vështirësi e tyre për nefsin, sepse kur një vepër e bëjnë shumë njerëz, atëherë është ma e lehtë, kurse nëse e neglizhojnë një vepër shumica e njerëzve, atëherë u bëhet e rëndë të zgjuarve. Transmeton Imam Muslimi nga Ma’kel ibn Jesari [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ibadeti në kohën e fitnes është sikur të bësh hixhret tek Unë”. Sepse në këtë kohë njerëzit i pasojnë epshet e tyre, andaj ai që kapet për të vërtetën është duke bërë një vepër të rëndë. 

Dijetarët kanë shumë mendime për shkakun e agjërimit të shumtë të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në muajin Shaban, prej tyre janë edhe këto mendime: 

1- Nuk mundej ti agjëron çdo herë nga tre ditë të çdo muajit për shkak të udhëtimit, andaj të gjitha këto i kompensonte në muajin Shaban. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur e bënte ndonjë vepër vullnetar e vazhdonte, e nëse i kalonte e kompensonte. 

2- Disa kanë thënë: gratë e tija, i kompensonin ditët e mbetura nga Ramazani i kaluar në muajin Shaban, edhe ai agjëronte me to. Kjo është në kundërshtim me atë që e thoshte Aisheja [radijall-llahu anha], e cila e vononte kompensimin e agjërimit të ditëve të mbetura nga Ramazani deri në Shaban, sepse ishte e angazhuar me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

3- Disa të tjerë kanë thënë: sepse është muaji që shumica e njerëzve e neglizhojnë. Ky është mendimi më i saktë, duke u mbështetur në hadithin e Usame ibn Zejdit që e përmendëm pak më lartë. 

Nëse i kishin mbetur Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ditë të paagjëruara nga agjërimi vullnetar, i kompensonte në muajin Shaban që të plotësonte nafilet e tija para se të hyjë Ramazani, ashtu sikurse kur i kalonte sunneti i ndonjë namazi ose diç nga namazi i natës, e kompensonte, kurse Aisheja [radijall-llahu anha] e shfrytëzonte kompensimin e tij që edhe ajo të kompensonte ditët e mbetura nga muaji i Ramazanit të kaluar, sepse në kohët tjera ka qenë e angazhuar me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. 

Në këtë rast duhet tua tërhjekim vërejtjen se atij që i ka mbetur diç pa agjëruar nga muaji i kaluar i Ramazanit, duhet ta kompensojë para se të hyjë muaji i ardhshëm i Ramazanit dhe nuk i lejohet ta vonojë, përveç se me ndonjë arsye. Ai që ka mundësi ta kompenson para Ramazanit të ardhshëm dhe nuk e ka bërë, përveç kompensimit duhet bërë teube dhe për çdo ditë duhet ushqyer nga një të varfër. Ky është mendim i Malikut, Shafiut dhe Ahmedit. 

Prej dobive të agjërimit të muajit Shaban është se agjërimi i këtij muaji e stërvitë njeriun para ardhjes së agjërimit të muajit Ramazan, që mos ti vjen i rëndë agjërimi i muajit Ramazan, por i vjen muaji i Ramazani, kurse ky është i përgatitur dhe aktiv. 

Pasi që muaji Shaban është si parathënie e muajit Ramazan, atëherë edhe ky muaj duhet të ketë disa gjëra që i ka muaji i Ramazanit, siç është agjërimi, leximi i Kur’anit dhe dhënia e sadakasë. Seleme ibn Suhejli thoshte: Muaji i Shabanit është muaj i lexuesve të Kur’anit”. 

Edhe Habib ibn Ebi Thabit kur hynte muaji Shaban thoshte: ky është muaji i lexuesve të Kur’anit. Kurse Amr ibn Kajs el-Mulai kur hynte muaji i Shabanit, e mbyllte dyqanin e tij dhe lirohej nga angazhimet tjera për të lexuar Kur’an. 

 

Agjërimi në fund të Shabanit 

 

Tregon Ebu Hurejreja [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Mos agjëroni para Ramazanit një ose dy ditë, përveç atij që ka agjëruar ditë të zakonshme”. (Buhariu dhe Muslimi)

Sipas argumenteve që i kemi në disponim agjërimi para muajit Ramazan i ka tre situata: 

A) Të agjëron me nijet që mos të gabon fillimin e muajit Ramazan, kjo është haram. 

B) Të agjëron me nijet të zotimit, ose kompensimit, etj, kjo është e lejuar sipas shumicës së dijetarëve, dhe 

C) Të agjëron me nijet të agjërimit vullnetar, nëse e ka pasur traditë ti agjëron ato ditë, siç është e hëna dhe e enjtja, atëherë i agjëron, përndryshe jo. 

Nëse ndokush thotë: pse urrehet të agjërohen ditët para muajit Ramazan, si përgjigje mund të themi, se kjo është kështu për shumë aspekte: 

1-  Për mos t’i shtuar muajit të Ramazanit ditë që nuk janë të tij. Për këtë shkak është i ndaluar edhe agjërimi i ditës së bajramit, që mos të bëjnë muslimanët siç kanë bërë pasuesit e librave, të cilët kanë shtuar sipas mendimeve dhe epsheve të tyre. Për këtë edhe ka ndaluar Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] agjërimin e ditës së dyshimtë. 

2-  Për të ndarë agjërimin vullnetar nga ai obligativ, edhe kjo është një gjë e ligjshme. Për këtë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka ndaluar ngjitjen e namazit obligativ me atë vullnetar pa i ndarë ato me selam ose fjalë, sidomos sunnetet para namazit të sabahut. 

Ndokush mund të mendojë se ngrënia para Ramazanit ka për qëllim ngopjen me ushqim dhe ngopjen e epsheve para se ta ndalon nga ushqimi me agjërim, por kjo është gabim dhe injorancë, nëse ndokush kështu ka menduar.

 

Referenca: 

1- “Lataiful-Mearif fima limevasimil-Ami minel-Vedhaifi”, të Ibn Rexheb Hanbeliut. 

2- “El-Ilamamu bishejin min ahkamis-Sijami”, Abdul-Azizi Raxhihi. 

Përpiloi:

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *