Zgjedhjet në Shqipëri 2013


Zgjedhjet në Shqipëri 2013

Shqiptarët e Shqipërisë gjendje para zgjedhjeve të radhës në këtë vit, viti 2013. Pjesë e këtyre zgjedhjeve janë edhe muslimanët që jetojnë në këtë vend. Cili është qëndrimi i tyre, cilat janë parapëlqimet e tyre, ku qëndrojnë interesat e tyre, janë pyetje që më herët është dashur tu jepen përgjigje dhe të analizohen dhe të dilej me qëndrime. Andaj këtu nuk dëshiroj të bisedoj për atë që është dashtë më herët të bëhet, por për atë që duhet të bëhet ditën e zgjedhjeve. Kjo është thirrje fillimisht për hoxhallarët e pastaj edhe për xhematin, sidomos kur nesër është e xhuma dhe mund të shfrytëzohet hutbeja për të dhënë udhëzime dhe këshilla të rëndësishme.

Një: Të gjithë hoxhallarët dhe aktivistët islamik e dinë parimin e përcaktimit të palës që do ta votojnë në këto zgjedhje, e ai është arritja e interesit më të madh të mundshëm dhe të realët dhe eliminimi i të keqes më të madhe të mundshme dhe të realët. Sigurisht se komentimet dhe analizat e parimit nuk na sjellin të gjithëve para një rezultati, mirëpo na mjafton që nga ky parim të nisemi dhe ky parim të na unifikon.

Dy: Duke u nisur nga zgjedhjet e kaluara kuptojmë se në garat mes partive votat e vogla janë ato që vendosin, andaj duhet llogaritur të gjitha kapacitetet që i kemi dhe shfrytëzuar maksimalisht, në bazë të parimit të parë, për të avancuar çështjen e islamit dhe muslimanëve në vendin tonë.

Tre: hoxhallarët dhe aktivistët islamik duhet të thërrasin në qetësi, respekt të rendit, dhe pengim të çdo forme të keqpërdorimi të fuqisë, pushtetit, parasë, e të gjitha trysnive tjera. Sepse vetëm me pjesëmarrje me vullnet të lirë, pa frikësim dhe joshje mund të ndërtohet shteti dhe të zhvillohet i njëjti, kurse pjesëmarrësit në këtë proces ta japin kontributin e tyre në ndërtimin e të njëjtit.

Katër: Ata që nuk ju  ka mbushur mendja për të përkrahur ndonjë opsion të caktuar, sipas meje, nuk do të ishte përzgjedhje e mirë abstenimi dhe mospjesëmarrja në votim, por dalja dhe zhvlerësimi i votës tënde, që të mos u mundësosh askujt ta keqpërdorë atë votë.

Pesë: Përkrahja e njërit apo tjetrit opsion politik janë çështje të ixhtihadeve dhe assesi kjo nuk duhet të shndërrohet në shkak për tu ndarë dhe përçarë muslimanët mes vete në veprimet tjera të davetit. Afërsia vëllazërore, bashkëpunimi strategjik dhe kontributi i ndërsjellë duhet të vazhdoj në mes hoxhallarëve dhe aktivistëve edhe pse në momentin e zgjedhjeve kanë preferenca të ndryshme nga njëri tjetri, të cilat i ndërtojnë në bazë të studimit dhe analizës dhe interesit kolektiv e jo në bazë të interesit personal apo preferencave dhe afërsive personale me njërin apo tjetrin opsion. 

Allahu u sjelltë vendeve tona ditë ku do të udhëhiqet me udhëzimet e Allahut, do të prihen nga njëri i drejtë dhe do ta mbulon këtë popull bereqeti i Allahut! Amin!

Bekir Halimi

Aktuale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *