Vlerat morale në jetën bashkëkohore


Allahu, i Plotëfuqishëm, ka thënë:

“Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë!

Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij.

Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.

E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten”.

(Esh-Shems: 7-10)

 

Hyrje

 

Kur flasim sot për vlerat menjëherë prekim nga afër thelbin e njeriut në njërën anë dhe nga ana tjetër hapësirën e përplasjen e vërtetë të civilizimeve.

Edhe pse myslimanët krenohen përgjatë historisë ideologjike dhe civilizuese me sistemin e plotë të vlerave me reference të shpalljes, ajo gjen shfaqjen e vet në formimin e njeriut dhe formimin e stacioneve të rëndësishme në historinë e njeriut, por fatkeqësisht ka mbetur e pazbuluar edhe si parime teorike edhe si praktikë.

 

Sferat e vlerave morale në fenë Islame

 

Vetia civilizuese e cila i përshkruan vlerat morale islame mbështetet në katër kritere, të cilat nuk mund ti gjesh bashkë askund tjetër. Ajo i kaplon të gjitha sferat e jetës, mbështetet në besimin islame, ndërtohet mbi parimin e shpërblimit dhe ndëshkimit transcendental dhe tejkalon pragmatizmin material dhe momental dhe e zbatueshme në realitetin jetësor. Nëpërmjet kësaj vetie është ndërtuar Umeti Islam gjatë historisë dhe e gjithë bota ka përfituar nga të mirat e këtyre vlerave pa dallim race, ngjyre ose feje, në përjashtim të shpërblimeve hyjnore të cilat i fitojnë ata që i besojnë fesë islame dhe shpërblimit në jetën pas vdekjes, kurse shpërblimet e kësaj bote i ka fituar secili që është kapur për to, në përputhje me ligjet kozmologjike të Zotit.

 “Kush është që e ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne atij që duam i japim në të aq sa duam, e pastaj atij i bëjmë të hyjë në xhehenem i nënçmuar, i përbuzur. E kush e ka për qëllim botën tjetër, duke qenë ai besimtar, përpiqet për të ashtu si i takon asaj, angazhimi i tyre do të jetë i pranishëm (te Zoti). Ne secilit atyre dhe atyre i japim nga të mirat e Zotit tënd dhe dhënia e Zotit tënd nuk është e kufizuar”. (El-Isra: 18-20).

 

a) VLERAT E BESIMIT DHE ADHURIMIT

 

Ajo që e dallon botëkuptimin islam të vlerave prej botëkuptimeve tjera është gdhendja e konceptit të adhurimit dhe mëkëmbësish. Nuk duhet të befasohemi nga ky pohim sepse jo rastësisht i Dërguari i Allahut, Muhammedi, lavdi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te, kaloi plotë 13 vite në Mekë duke ngulitur thellë në kujtesën e tyre vlerën e besimit, sepse është themeli i fuqishëm mbi të cilin do të ndërtohet i tërë sistemi i vlerave civilizuese i Umetit Islam. Pastaj adhurimi i parë me të cilin obligohen myslimanët është namazi, për të treguar se pikënisja në ndërtimin e sistemit të vlerave fillon me krijimin e raportit mes Krijuesit dhe krijesës, kurse obligimet që do të vijojnë më pas do ta gjejnë vet shtratin e zbatimit.

Vlerat e besimit dhe adhurimit synojnë përqendrimin në konceptin e veçimit të Atij që e adhuron njeriu dhe me këtë veprim çlirohet njeriu nga të gjitha manifestimet e adhurimeve të krijesave, sado i madh të jetë ai, do të mbetet krijesë, i cili përshkohet me probabilitet, dobësi, zhdukje dhe tretje.

Adhurimet islame e sforcojnë këtë lidhje me Krijuesin dhe i thellon vlerat islame në shoqëri duke i realizuar kolektivisht, ku synohet Një që adhurohet dhe me adhurim të njëjtë, në formën më të mrekullueshme dhe kompakte. Tërë kjo le gjurmët e veta në sjelljen e përditshme të njeriut në të gjitha fushat e jetës.

Allahu, Lavdi pastë, ka thënë:

“Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fé), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Er-Rum: 30).

Kurse i Dërguar i Allahut, lavdi dhe bekimet e Allahut qofshin mbi te, ka thënë:

“Secila foshnje lind në natyrën e pastër, e prindërit e bëjnë hebre, krishterë ose zjarëputist”. (Buhariu).

Mendja është bartësi i obligimeve dhe komponenti që e mban të pastër këtë  natyrë.

Allahu, i Bekuar, thotë:

“Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente”. (El-Bekare: 164).

 

b) VLERAT SHKENCORE DHE TË NJOHJES

 

Dituria është dera e besimit dhe hyrje për te ai. Për këtë shkak feja Islame është përqendruar në vlerën e të menduarit, meditimit, analizës dhe hulumtimit. Mbi to ka ndërtuar metodën e argumentimit për ekzistimin e Krijuesit dhe madhështinë e Tij.

Allahu, Paqëdashës, ka thënë:

“3:190. Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”. (Ali Imran)

Në ajetin e parë që ka zbritur nga qielli është lidhur dituria me hyjnizimin e Allahut. Allahu, Fuqiplotë, thotë:

“96:1. Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (El-Alak: 1-5).

Feja Islame na sqaron se dituria mbi Krijuesin është hyrja për frikën dhe respektin ndaj Tij:

“Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme. Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, Allahu është mbi gjithçka, është mëkatfalës”. (El-Fatir: 28)

Ruajtjen e mendjes feja Islame e ka caktuar njërin prej pesë objektivave të cilat duhet ti ruan ligji Islam dhe pa të cilat nuk mund të realizohet jeta në tokë. Kujdesi për mendjen është rruga nëpërmjet të cilës njeriu e shton sasinë e njohjes dhe metodës, e cila i ndihmon këtij njeriu që të njeh veten dhe të ndërton civilizimin. Po ashtu i ndihmon që të shoshitë mendim e njerëzimit sipas kriterit të vlerave islame, përfiton dhe braktis, bashkëvepron dhe ndikon brenda kornizave të ligjit hyjnor të përplasjes. 

Allahu, i Bekuar, ka thënë:

“Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po All-llahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit”. (El-Bekare: 251).

I Dërguari i Allahut, lavdi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te, ka veçuar diturinë dhe dijetarët me pozitë të lartë për të motivuar njerëzit që vazhdimisht të merren me nxënien e diturisë:

“Melaqet vendojnë krahët poshtë për nxënësin e dijes në shenjë të kënaqësie me atë që vepron ai”. Tirmidhiu, hadithi është autentik.

Vlerat shkencore dhe të njohjes ja organizojnë njeriut botëkuptimin mbi gjithësinë, jetën dhe përfundimin. Kjo e bënë atë të lëviz në një rrugë të qartë dhe i kënaqur me këtë udhëtim të vetin. Në bazë të kësaj i merr përsipër detyrat dhe mëkëmbësin mbi rruzullin tokësor. Atëherë kur do të largohet njeriu nga këto vlera do të shkakton shkatërrim në tokë dhe do të zhduk edhe bereqetin edhe sojin njerëzor.

Dituria fitohet me lexim, shoqërim dhe tubime të organizuara. Për këtë shkak dijetarët myslimanë vazhdimisht kanë nxitur në ndeja me dijetarët, shoqërimin e tyre e jo vetëm dëgjimin prej tyre, por të pajisen prej tyre edhe me nektarin e diturisë, e ai është morali i lartë i tyre. 

Imam Shabiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Rrini me dijetarët, sepse nëse bëni mirë ju falënderojnë e nëse gaboni ju arsyetojnë, ju falin dhe nuk ju ofendojnë, nëse nuk dini ju mësojnë dhe nëse dëshmojnë për ju, përfitoni”.

 

c) VLERAT FAMILJARE DHE SHOQËRORE

 

Familja është ambienti i vogël në të cilin shfaqen vlerat islame të cilat orientojnë sjelljen e përgjithshme të individit, duke rregulluar raportin mes bashkëshortëve, pastaj raportet mes tyre dhe fëmijëve, pastaj mes të gjithë atyre dhe farefisit, pastaj zgjerohet rrethi që të kaplon komshiun e afërt, mikun duke kaluar në hapësirën e gjerë të shoqërisë. 

Të gjitha këto raporte i orienton vlera e respektit, nderimit, urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, këshillimit të ndërsjellët, dashurinë e të mirës për të gjithë, sakrificën për interesin e përgjithshëm, bamirësinë, solidaritetin, përkrahjen, vizitat, etj.

Nëpërmjet vlerave që e organizojnë familjen feja Islame na mëson se dashuria dhe qetësia janë themeli i stabilitetit të saj dhe se ligjet dhe dispozitat që e organizojnë atë janë vetëm shërim i defekteve të cilat nuk është arritur të shërohen me këshillë të mirë, përkujtim dhe marrëveshje të ashpër. Andaj një shikim i ajeteve Kuranore që flet për kodin familjar, sidomos të raporteve bashkëshortore zakonisht përfundojnë me:

“se All-llahu është mbikëqyrës mbi ju”. (En-Nisa: 1).

“All-llahu është më i larti, më i madhi”.

“E, frikësohuni (o ju gra) Allahut, All-llahu është pranë çdo sendi”. (El-Ahzab: 55).

Për të treguar rolin e madh që luan vlera e vetëkontrollit në kodin familjar.

Allahu, i Lartëmadhërishëm, ka thënë:

“4:1. O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra. Dhe kini frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se All-llahu është mbikëqyrës mbi ju”.

Feja Islame përgjegjësinë e bartjes së barrës së familjes e ka bërë të përbashkët.

Muhammedi, lavdi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te, ka thënë:

“Secili është bari dhe secili ka për të dhënë llogari për tufën e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo jep llogari për përgjegjësinë e saj. Shërbëtori është bari në pasurinë e zotërisë të vet dhe ai jep llogari për përgjegjësinë e tij”. Buhariu

Rregullimi i raporteve mes anëtarëve të një familjeje ndërtohet në bazë të vlerës së respektit ndaj të madhit, nderimit të riut, dashurisë ndaj fëmijës, drejtësisë mes tyre, mbrojtjes së të drejtës së tyre për edukim në vlerat morale, shkollimi me dituri të dobishme, etj, detyrimi i fëmijëve për të marrë në llogari mundin e prindërve, sidomos në kohën e pleqërisë së tyre, urdhërimi për respekt ndaj prindërve dhe shpenzimi për ta kur kanë nevojë, lutja për ta pas vdekjes dhe kujdesi dhe nderimi i shokëve të tyre, sepse është bamirësi.

Allahu, i Bekuar, thotë:

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”. (El-Isra: 23-24).

Sipas fesë Islame vlerat që rregullojnë raportet shoqërore na mësojnë të përzihemi me njerëz, të durojmë dëmet e tyre, t’i këshillojmë, t’ua falim, të nxitojmë në vepra të mira dhe të dobishme për Umetin.

Allahu, Fuqiplotë, ka thënë:

“3:133. Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit.

3:134. Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit”.

Vlerat islame që rregullojnë raportet shoqërore i kanë ndaluar të gjitha veprimet që i dëmtojnë këto raporte, siç është përgojimi, bartja e fjalëve, padrejtësia, agresiviteti ndaj shpirtit dhe pasurisë së tjetrit, shkëputja e lidhjeve farefisnore, mburrja, mendjemadhësia, etj.

Allahu, i Madhërishëm, ka thënë:

“49:11. O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë.

49:12. O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin”.

Duke i analizuar të gjitha këto fakte fetare Islame që rregullojnë raportet shoqërore kupton se sjellja e mirë është çelësi i këtyre vlerave shoqërore.

Muhammedi, lavdi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi te ka thënë:

“Më i miri prej jush është ai që ka sjellje më të mirë”. Muslimi

Kurse besimi në Allahun është shtytësi kryesor i veprimit të veprave të mira dhe largimit nga veprat e këqija. Allahu, Fuqiplotë, thotë:

“2:177. Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit”.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, edhe me fjalë edhe me vepra ka sqaruar hollësisht vlerat e raporteve të shëndosha shoqërore duke thënë:

“Muslimani detyrohet ndaj myslimanit: t’ia kthen selamin (përshëndetjen), ta viziton të sëmurin, të përcjell xhenazen (kufomën), t’i përgjigjet ftesës dhe të lutet për atë që teshtis”. Buhariu

Gjithashtu ka thënë:

“Ushqeni të uriturin, vizitoni të sëmurin dhe lironi të robëruarin”. (Buhariu).

Ka ndaluar të gjitha veprimet që dëmtojnë lidhjet shoqërore, duke thënë:

“Pasha Allahun nuk është besimtar! Pasha Allahun nuk është besimtar! Pasha Allahun nuk është besimtar! I thanë: kush o i dërguar i Allahut? Tha: “Ai që komshiu i tij nuk është rehat nga dëmet e tija”. (Buhariu).

Ka thënë: “Mos keni zili mes vete, mos keni mllef mes vete, mos i shkëputni lidhjet mes vete dhe bëhuni ju robërit e Allahut vëllezër”. (Muslimi).

Të gjitha këto argumente fetare na tregojnë në mënyrë të prerë për rëndësinë që i ka dhënë feja lidhjes së shoqërisë dhe unitetit të ndërtuar mbi një sistem vlerash përmbledhëse që gdhend çdo sjellje të mirë dhe pozitive dhe çrrënjosë çdo sjellje që i kundërvihet vlerave të bashkëjetesës, vëllazërisë dhe pajtimit. Për këtë shkak mos u habit kur dëgjon se Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, shoqërinë besimtare e përngjau me ndërtesën, kur tha:

“besimtari lidhet me besimtarin sikur ndërtesa, ku lidhet njëra pjesë me tjetrën”. Pastaj i gërshetoi gishtat e dorës mes vete. (Buhariu).

Sekreti i këtij gërshetimi të vlerave shoqërore dhe shenja se ky sistem i vlerave është i shëndoshe është rënkimi i trupit nga çdo sjellje e keqe, e shëmtuar dhe kundërshtuese e këtyre parimeve:

“Besimtarët në mëshirimin, dashurinë dhe solidaritetin mes tyre janë si një trup, nëse një organ ankohet, i tërë trupi rënkon nga pagjumësia dhe temperatura”. (Buhariu).

 

d) VLERAT E KOMUNIKIMIT DHE INFORMIMIT

 

Bota sot ka nevojë për një sistem vlerash që rregullojnë bartjen e lajmeve i cili ndërlidhet me kontrollin e Krijuesit, Fuqiplotë, para se të rregullohet me ligje të cilat shumë pak respektohen. Ai i cili hulumton shkrimet që shfaqin karakteristikat e sistemit mediatik nga këndvështrimi islam do të shohin se kjo teori buron nga një ajet Kuranor dhe nga hollësitë praktike të cilat na i ka sjellë Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Feja islame fillon këtë rregullim duke folur mbi kujdesin ndaj shqisave të komunikimit të cilat na i ka dhuruar Allahu, i Bekuar.

“17:36. Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi”.

Pastaj ia shtoi kësaj vlere edhe kujdesin ndaj nderit të njerëzve, duke mos fol keq dhe gjëra të pavërteta ndaj tyre:

“49:6. O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”.

Feja Islame ka ndaluar përhapjen e çdo lloj imoraliteti, qoftë i dëgjueshëm ose i parë:

“24:19. Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini”.

Pastaj i nxit njerëzit të flasin fjalë të mira dhe të përhapin të mirat:

“17:53. E ti robve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”.

Pastaj vendosi rregulla për bartjen e lajmeve dhe përhapjen e tyre, përdorimin e mjeteve mediatike në dobi të njerëzve, duke u larguar nga dezinformata dhe gënjeshtra dhe nga çdo gjë që është në kundërshtim me vlerat islame në fushën e informimit dhe komunikimit. Në këtë drejtim feja islame ka sjellë disa rregulla të mëdha siç është kujdesi për vërtetësinë e lajmit (“jeni të vërtetë dhe ruani nga gënjeshtra”, Muslimi), thirrja në udhëzim dhe mirësi, (“kush thërret në udhëzim”, Muslimi), ndalon nëpërkëmbjen e nderit (“Besimtari nuk ofendon, nuk mallkon, nuk flet fjalë imorale dhe banale”, Tirmidhiu), etj. 

 

e) VLERAT EKONOMIKE DHE FINANSIARE

 

Kur e paraqet Islami teorinë e tij ekonomike, ajo që e dallon prej teorive tjera qëndron në sistemin e vlerave të cilat e orientojnë aktivitetin ekonomik të myslimanit, i cili sistem mbështetet në themelin bazë, e ajo është sistemi se njerëzit janë përgjegjës në fytyrën e tokës.

“57:7. Besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai u bëri trashëgues në të, se ata që besuan prej jush dhanë për hir të Zotit, ata kanë shpërblim të madh”.

Kurse Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbër dhe Allahu u ka bërë mëkëmbës në te për të parë se si do të veproni”. (Muslimi).

Duke u nisur nga kjo vlerë feja Islame ka hartuar një sistem homogjen për veprimet ekonomike, qoftë në fitimin apo shpenzimin e pasurisë, andaj e ka lejuar shitblerjen dhe ka ndaluar kamatën, ka thirrur në punë me djersë për të fituar pasurinë me hallall, ka lejuar kontratat e llojllojshme ekonomike të cilat ndërtohen mbi parimin e pajtimit të dyanshëm.

“4:29. O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i mëshirueshëm për ju”.

I ka rregulluar dhuratat, lëmoshat obligative dhe ato vullnetare, ka ndaluar kamatën, mashtrimin dhe vjedhjen në peshore.

“Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangët”. (El-Mutafifin: 1-3)

Të gjitha këto fakte janë argument se pasuria është pronë e Allahut dhe se njerëzit janë përgjegjës në këtë pasuri, do të japin llogari për veprimet e tyre kundrejt saj, janë kujdesur për te ose e kanë shpërdorur.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: Nuk do të lëvizin këmbët e njeriut në ditën e Kiametit derisa të përgjigjet për katër gjera: jetën ku e ka kaluar, diturinë ç’ka bërë me të, pasurinë, ku e ka fituar dhe ku e ka harxhuar dhe për trupin e ti ku e ka plakur”. (Tirmidhiu, hadithi është autentik).

Kjo teori i kundërvihet teorisë materialiste e cila pasurinë e llogarit pronë të njeriut dhe është i liri absolutisht të vepron me te.

Duke u nisur nga parimi i mëkëmbësish feja Islame është përqendruar në vlerën e ruajtjes së amanetit dhe tradhtinë e llogarit si shenjë të dyfytyrësisë.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “shenjë e dyftyrësit janë tre gjëra: kur të flet gënjen, kur premton e thyen premtimin dhe kur i lihet diç në amanet e tradhton amanetin”. (Buhariu dhe Muslimi).

Feja islame i ka hartuar shoqërisë një politikë financiare e cila e lufton lakminë, grykësinë, padrejtësinë dhe keqpërdorimin e dobësisë së tjerëve dhe u ka garantuar njerëzve baraspeshë në fitim dhe harxhim.

“25:67. Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur”.

Ka konfirmuar forma të qarkullimit të pasurisë që të mos mbetet monopol vetëm në mesin e të pasurëve. Andaj ka rregulluar trashëgimin, zeqatën, vakëfin, dhuratën, lëmoshën, etj.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Kur vdes njeriu i ndërpriten të gjitha veprimet e tija përpos tre gjërave: lëmosha rjedhëse, dituria nga e cila kanë dobi njerëzit dhe fëmija i mirë që lutet për te”. (Tirmidhiu, hadithi është autentik).

Ka rregulluar testamentin, ka ndaluar monopolin, harxhimin e tepruar, ngrënien e pasurisë së jetimit.

“6:152. Mos iu afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrë më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit, dhe zotimin e dhënë All-llahut plotësonie. Këto janë me çka Ai ju porositë kështu që të përkujtoni”.

Motivon punën dhe fitimin e pasurisë me nderë.

“Të merr njeriu në litar dhe të grumbullon një shpinë me dru është më mirë për te se sa të kërkon prej njerëzve, i japin ose jo”. (Buhariu).

Thërret në mundësi të barabarta në fitim të pasurisë dhe i motivon të aftët të punojnë. “Ai që ka tokë le ta mbjell ose le t’ia jep vëllait të vet, e nëse refuzon le ta mban tokën e vet”. (Buhariu dhe Muslimi).

 

f) VLERAT PREVENTIVE DHE SHËNDETËSORE

 

Shëndeti është një dhuratë hyjnore dhe paraqet “kurorë në kokën e njerëzve të shëndoshë, por vlerën e saj e kuptojnë vetëm ata që janë të sëmurë”.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur te Allahu se ai që është i sëmurë. Edhe pse që të dy janë të mirë”. (Muslimi).

Këto vlera i kaplojnë të gjitha aspektet e njeriut, atë fizike, psikike dhe shpirtërore. Nëse njeriu e shfrytëzon mirë këtë begati, e ruan atë dhe vepron për ta përforcuar, atëherë është kapë për litarin më të fuqishëm dhe kënaqet në mirësitë dhe bereqetet e shëndetit dhe shpëtimit nga të gjitha sëmundjen dhe lëngimet. E arrin këtë gradë ai që në jetën e vet i jep rëndësi shëndetit dhe përdorë metodë jetese e cila ia shton kursimin shëndetësor dhe përdor rregullin “një dinar preventivë është më i mirë se një mijë dinar shërim”.

Feja islame posedon një sistem të vlerave civilizuese që e rregullojnë sjelljen preventive dhe shëndetësore i cili fillon nga rregullat e ruajtjes së pasardhësve si një prej pesë objektivave kryesore të sheriatit islam. Sheriati islam ka caktuar disa rregulla dhe parime që organizojnë shëndetin e lindjes në familje duke filluar që nga përzgjedhja e bashkëshortit, ka hartuar rregulla që organizojnë familjen dukei larguar shtatëzanitë në mënyra legjitime, thërret në përkujdesin ndaj nënës shtatzënë dhe gjithënëse dhe shërimin e të gjitha shkaqeve që sjellin sterilitet.

Sheriati Islam thërret në tërë këtë dhe thërret ta përhapim dhe të shndërrojmë në kulturë të përgjithshme, në përputhje me vlerat morale dhe metodat e urta të cilat krijojnë një vetëdije të plotë në lidhje me këto çështje tek adoleshentët, të rinjtë dhe bashkëshortët, për të qenë sjellja e tyre e saktë dhe i balancuar që synon derdhjen e epshit në shtratin e vet të natyrshëm, veprim me të cilin arrin synimin e mbetjes së pasardhësve, vazhdimin e jetës dhe i përgjigjet amanetin të mëkëmbësish.

Feja Islame gjithashtu ka ndaluar çdo gjë që e dëmton shëndetin psiko-fizik të njeriut, qofshin ato droga, alkooli dhe të gjitha pijet dhe ushqimet e dëmshme.

Feja islame thërret në aktivitet sportiv, siç është noti, gjuajtja, kalërimi, etj.

Krejt kjo sepse një Umet vlen nëse vlejnë antarët e tij dhe nuk mund të dominon një popull të cilin e shkatërrojnë sëmundjet dhe epidemitë e ndryshme.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i ap disa djem duke gjuajtur me shigjeta dhe u tha: “gjuani o bijtë e Ismailit sepse babai juaj ishte gjuetar”. (Buhariu).

Nxit në shërim dhe kërkimin e të gjitha metodave të shërimit. I tregon njeriut llojet e ndryshme të shërimit të cilat përmbledhin në vete edhe materien edhe shpirtin.

“16:68. Zoti yt i dha instinkt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drunj (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë.

16:69. Pastaj ha nga të gjitha (llojet) frutat dhe futu nëpër rrugët e nënshtruara (e të mësuara) prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë”.

Lutjet e ndryshme fetare të cilat na i ka mësuar Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe që është mirë tua themi të sëmurëve gjatë vizitave që ua bëjmë.

Kush e hulumton fenë islame do të vëren se kjo fe është e para që zbatoi parimin e karantinat që të mos përhapen sëmundjet epidemike. “Nëse dëgjoni se në një vend ka sëmundje epidemike mos shkoni atje, e nëse ndodh në një vend ku ju jeni mos dilni nga ai vend”. (Muslimi).

Feja islame i ka sjellë disa rregulla dhe edukata të cilat e ruajnë njeriun nga përhapja e sëmundjeve, andaj Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “nëse qenit i biejnë jargët në një enë lajeni shtatë herë dhe të tetën me dhe”. (Muslimi).

Si rezyme mund të themi se vlerat preventive dhe shëndetësore mbështeten në parimin e ndalimit në kufijtë që i ka caktuar Allahu, të ndalet njeriu te hallalli dhe harami dhe të forcon aspektin psikik dhe shpirtëror me adhurime dhe veprime vullnetare, siç është përmendja e Allahut, dhikri, besimi në caktimet e Allahut, etj.

 

g) VLERAT E TË DREJTAVE THEMELORE

 

Ligjërimi mbi të drejtat e njeriut në rrafshin ideologjik dhe kulturor është përhapur me të madhe dhe vetëdijesimi në lidhje me vlerat që ngërthejnë në vete të drejtat e njeriut siç është drejtësia, barazia, liria, paanshmëria, barazimi i mundësive, etj, janë bërë angazhimi kryesor i shumë organizatave ndërkombëtare dhe civile, madje janë shndërruar në tregues i zhvillimit njerëzor shtetet e ndryshme të botës.

Ajo që e dallon sistemin e vlerave islame të drejtave të njeriut nga sistemet tjera është se feja islame nuk i kufizon këto të drejta vetëm në të drejtat e njeriut por të drejtat e njeriut i ka futur si një pjesë e një botëkuptimi më të madh dhe më të plotë. Kur flasim për të drejtat e njeriut të nisur nga referencat islame dhe në përputhje me objektivat e tij atëherë flasim për një botëkuptim i cili fillon nga edukimi në respekt të drejtave të Allahut, sepse ai që nuk i respekton të drejtat e Allahut nuk mund të respekton as të drejtat e tjerëve, pastaj vazhdon me edukimin në respektimin e të drejtave të njeriut, pastaj vijnë të drejtat e atyre që e rrethakojnë njeriun, qofshin kafshë ose bimë, si krijesa në shërbim të tij dhe të cilat nuk pranojnë shpërdorim dhe abuzim me to, por shfrytëzohen me drejtësi, paanshmëri dhe bamirësi. Në këtë formë sistemi i vlerave islame në lidhje me të drejtat e njeriut është më i përgjithshëm dhe më i plotë.

Muadh! A e di se cili është obligimi i njeriut ndaj Allahut dhe cili është obligimi i Allahut ndaj njeriut? Tha: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë. Tha: obligimi i njeriut ndaj Allahut është ta adhurojë dhe të mos i bëjë ortak në adhurim, kurse obligimi i Allahut ndaj njeriut është që të mos e dënojë këtë njeri”. (Buhariu).

I nisur nga ky botëkuptim sheriati islam ia garanton njeriut të drejtën për jetë:

“6:151. Thuaj: “Ejani t’ju lexoj atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne u ushqejmë juve dhe ata, të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta, mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë”.

Thërret të qeverisen njerëzit me drejtësi:

“4:58. All-llahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. All-llahu dëgjon dhe sheh si veproni”.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Janë shkatërruar popujt para jush sepse kur vidhte te ata njeriu me pozitë nuk e ndëshkonin e kur vidhte njeriu i dobët e ndëshkonin. Pasha Allahun. Nëse Fatimja, bija ime vjedh do ta ndëshkoja”. (Buhariu).

Këto vlera kryesore të cilat i ruajnë të drejtat e njeriut njeriun e nderojnë dhe vlerësojnë aq sa ai i nderon dhe vlerëson të drejtat e tjerëve në raportet me Krijuesin, veten, njerëzit dhe ambientin përreth tij.

Feja Islame synimin sublim nga kujdesi për të drejtat e njeriut e ka ta ndihmon njeriun në detyrën e ti të mëkëmbësit në rruzullin tokësor pasi që Allahu e nderoi me begatinë e mundësisë të shërbehet me të gjitha krijesat në qiell e në tokë.

Ebu Hamid Gazaliu thotë: “Synimi i sheriatit nga krijesat janë pesë gjëra: tua ruan fenë, shpirtin, mendjen, pasardhësit dhe pasurinë e tyre. Çdo gjë që garanton ruajtjen e këtyre pesë parimeve është interes dhe çdo gjë që shkakton ikjen e këtyre parimeve është dëm dhe largim të interesit. Ndalimi i humbjes së këtyre pesë parimeve dhe qortimi i kësaj vepre patjetër duhet ti posedojë çdo fe ose ligj që synon përmirësimin e jetës së njerëzve”.

 

h) VLERAT E ARTIT DHE TË BUKURËS

 

Këndvështrimi i të bukurës nuk ndahet nga botëkuptimi civilizues islam, sepse në çdo gjë që a krijuar Allahu shfaqet nuanca të artit dhe bukurisë të cilat thërrasin në meditim dhe marrje mësim. Njeriu, të cilin Allahu e ka krijuar në formën e përsosur, detyrohet që të shikojë në krijesat që e rrethakojnë për të parë precizitetin e Fuqisë Hyjnore.

Kur’ani Fisnik është përplot me ajete që thërrasin në shikim dhe meditim, për të parë shfaqjen e bukurisë në gjithësi:

“15:16. Ne, në qiell kemi krijuar galaksione yjesh dhe atë (qiellin) e kemi zbukuruar për ata që e shikojnë me vëmendje”.

Vlerat islame artin dhe bukurinë e kanë bërë shkallë me të cilat ngjitet njeriu te Allahu, Krijuesi i Përsosur, Shpikësi i Bukur. Mjet për të perceptuar këtë gjë është meditimi mbi gjithësinë dhe orientimi i forcave kreative njerëzore drejt gdhendjes së vlerave të vlefshme dhe ruan atë përputhje të çuditshme mes mrekullisë së vlerësimit në krijesa dhe lartësirave shpirtërore. Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ishte shembulli më i lartë në gdhendjen e nocioneve të bukurisë së vërtetë të njeriut. Referencat islame na kanë përcjellë kujdesin e tij për veshmbathjen, dukjen dhe pasionin pas parfumit, ashtu sikurse na kanë përcjellë udhëzimet e tij dhënë sahateve që të kujdesen për pastërtinë e xhamisë dhe stolisjen gjatë shkuarjes në te:

“7:31. O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)”.

Tregohet se Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, stimulonte poezinë që thërret në vlera të vlefshme.

Korrigjoi disa koncepte të gabuara që kanë të bëjnë me bukurinë duke treguar se veshja e bukur nuk është mendjemadhësi por është një vepër të cilën e do Allahu. (Buhariu). Dëshironte të dëgjonte Kuran nga tjerët dhe thërriste të lexohet Kurani me zë të bukur, kur thoshte: “Stolisni leximin e Kuranit me zërat tuaj”. (Buhariu).

Vlerat e artit dhe të bukurës në botëkuptimin islam e ngritin njeriun më lartë se sa të kënaqet duke parë me syrin e tij ndonjë pamje të bukur në gjithësi ose duke dëgjuar një zë të bukur, duke arritur të depërtojë në thellësinë e perceptimit të sekretit të ekzistencës i ndërtuar me përsosmëri:

“54:49. Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar”.

Ky është mesazhi i vërtetë të cilin e bartin këto vlera.

Feja islame në lidhje me artin dhe të bukurën nuk kujdeset vetëm për aspektin e jashtëm të bukurisë por e ndërlidhë atë edhe me aspektin e brendshëm të bukurisë dhe bukurinë e rrethit. Kjo është fotografia shembullore të cilën pret myslimani të gdhendet në mendjen e njerëzve.

Muhamed Kutubi, rahimehullah, thotë:

“Arti islam nuk është vetëm arti që flet për islamin, por çdo art i cili pikturon pamjen e ekzistencës nga këndi i botëkuptimit islam, i cili flet për gjithësinë, jetën dhe njeriun nga prizmi i botëkuptimit islam mbi gjithësinë, jetën dhe njeriun. Është ai art i cili përgatit takimin e plotë mes bukurisë dhe të vërtetës, sepse bukuria është realitet në këtë gjithësi, kurse e vërteta është maja e kësaj bukurie, andaj takohen në kulm, ku takohen të gjitha të vërtetat e ekzistencës”.

 

i) VLERA E AMBIENTIT

 

Bota sot ka shumë nevojë për vlera civilizuese që burojnë nga referenca statike sidomos në këtë sferë të cilat njeriun e bëjnë përgjegjës për çdo vepër të cilën mund ta bëjë dhe të cilat e dëmtojnë ambientin. Botëkuptimi civilizues islam i kësaj sfere zbulon praninë e vlerave shumë të larta që rregullojnë bashkëveprimin me të mirat e kësaj gjithësie nga këndvështrimi i shfrytëzimit, mëkëmbësisë dhe përgjegjësisë të secilit veprim që e prish baraspeshën ambiental. Vlerat civilizuese që rregullojnë kulturën ambientale në botëkuptimin islam mbështeten në këto tre dimensione:

“45:13. Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qie dhe ç’ka në tokë, njëmend për njerëzit që mendojnë thellë, në to ekzistojnë argumente”.

Islami na i hap sytë se të gjitha këto krijesa janë në shërbim të njeriut deri sa të urdhërojë Allahu zhdukjen e tyre dhe se ato janë popuj dhe krijesa të cilat participojnë me njeriun në adhurimin e Krijuesit:

“16:49. Vetëm Allahut i bën sexhde çdo gjallesë që është në qiej e që është në tokë, e edhe engjëjt, ata nuk bëjnë kryelartësi”.

Nëse këto vlera civilizuese Kurani Fisnik i përmend në mënyrë të përgjithshme dhe si teori, Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i ka shndërruar ato në sjellje dhe praktika të hollësishme, andaj ka motivuar që të mbillen dhe kujdeset njeriu për pemët në disa hadithe. “Çdo pemë që e mbjell njeriu dhe han nga ajo pemë shpendë ose njeri do t’i llogaritet kjo gjë sadaka”. (Buhariu).

Na mëson të jemi ekonomik në harxhimin e ujit, saqë merrte abdes me dy grusht ujë dhe lahej me katër grusht.

Ka ndaluar të ndotet uji me hedhjen e mbeturinave në te dhe ka ndaluar të kryhen nevojat fiziologjike në rrugë ose në hije.

I është kërcënuar shumë rreptë atij që masakron ndonjë kafshë ose e bën nishan për gjuajtje.

Ka urdhëruar të theren kafshët në mënyrë të lehtë dhe pa mundim dhe sipas nevojës (Muslimi).

Ka nxitur njerëzit të kujdesen për ambientin duke i urdhëruar që të largojnë çdo pengesë nga rruga, nga dyert e xhamive, nga vendet ku lëvizin njerëzit për nevojat e tyre. “Largimi i pengesës nga rruga është degë e besimit”. (Muslimi).

Kujdesej Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, që myslimanët të shfaqen të disiplinuar dhe të pastër duke thënë: “Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë, i Mirë dhe e do të mirën, i Pastër dhe e do pastërtinë, andaj pastroni oborret tuaja dhe mos u përngjani hebrejëve”. (Tirmidhiu, hadithi është autentik).

Resurset shkencore me të cilat sqaruam se vlerat civilizuese islame janë gjithëpërfshirëse e të gjitha sferave të jetës kanë nevojë për një metodë edukative e cila do ti edukon brezat e reja që të perceptojnë rëndësinë e vlerave në zhvillimin e vendit dhe rëndësia që ka ndërlidhja e këtyre vlerave me referencat islame të mbështetur në parimin e mëkëmbësisë, shfrytëzimit dhe përgjegjësisë. Nëse i perceptojmë dhe zbatojmë si duhet di të ndihmonim shumë në zgjedhjen e problemeve dhe krizave në të cilat jeton njeriu bashkëkohorë.

Bekir Halimi

NA NDIQNI:

https://www.facebook.com/hoxhebekirhalimi

www.audionur.com

www.islam.mk

www.youtube.com/audionur

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *