A mos vallë filloi Ramazani para kohe?!


 

 

Vetëm disa ditë na ndajnë nga ndodhia më e madhe në botë. 

Sa të këndshme janë ditët që presim lajmërimin e hyrjes së muajit dhe përcjellja e shikimit të hënës së re.

Sa madhështor dhe i ndershëm je o muaj i agjërimit!

Sa net të këndshme dhe të dëlira janë netët tuaja!

Mirë se vjen o i dashur, i cili na vjen në një kohë kur shumë kemi nevojë për ty.

Njerëzit zakonisht u përgatisin pritje mysafirëve sipas pozitës që kanë, e Ramazani është i madh, sepse i Madhi e madhëroi, është i ndershëm, sepse Fisniku e nderoi dhe është i dashur sepse i dashuri ynë, Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e donte.

 

Përgatitja për pritjen e ramazanit:

1- Nijet i sinqertë për nderim të ardhjes së tij, shfrytëzimin e kohës së tij me adhurim dhe planifikim për shfrytëzimin e çdo kohe në vepra që e kënaqin Allahun dhe na afrojnë kah Xheneti. 

Kjo llogaritet përgatitje psikike.

 

2- Përgatitemi për pritje të Ramazanit duke lexuar argumente fetare mbi vlerën që ka dhe mësimin e vlerave imanore dhe shpërblimeve hyjnore për atë që e agjëron dhe e fal teravinë me besim dhe shpresë. 

Kjo llogaritet përgatitje imanore.

 

3- Përgatitemi për pritje të Ramazanit duke i mësuar rregullat fetare të agjërimit dhe namazit të teravisë duke lexuar libra të fikhut, jurisprudencës islame, dhe duke dëgjuar ligjërata të hoxhallarëve të ndryshëm në lidhje me Ramazanin. 

Kjo llogaritet përgatitje shkencore.

 

4- Përgatitemi për pritjen të ramazanit me agjërim të disa ditëve, sipas mundësisë, të muajit Shaban dhe namazit të natës në netët e këtij muaji që të na vjen më lehtë fillimi i ramazanit me agjërim dhe me namaz të teravisë. E të mos flasim për shpërblimin që e fitojmë me këtë adhurim vullnetar. 

Kjo llogaritet përgatitje fizike.

 

Ai që nuk përgatitet për pritje të mysafirit një kohe të mjaftueshme para ardhjes së tyre do të ngushtohet dhe nuk do ti bën nder aq sa e meriton.

E cili mysafir mund t’i afrohet ramazanit në vlerën dhe pozitën që ka?

Disa njerëz e filluan ramazanin me “kalendarin e zemrës” së tyre e jo me kalendarin e bashkësisë Islame!

Ata e kanë kuptuar shumë mirë se nijeti për ta lexuar Kuranin gjatë ramazanit dhe për ta bërë hatme nuk domethënë braktisja e tij tani!

Andaj, të nxitojmë, sepse ai që nuk mbjell “përgatitjen” tani nuk do të korrë “frytin” nesër.

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *