Gjurmët tuaja në jetë


 

Muslimani dallohet për faktin se çdo herë bën mirë dhe mirësinë e tij e përhapë në të gjitha sferat e jetës, andaj është gjë shumë e mirë që të lësh gisht/gjurmë në mejdanin e veprave të mira, nga të cilat do të përfitojnë edhe pas teje muslimanët.

Cilat janë gishtat/gjurmët që mund ti lësh pas teje:

1- Ndërto një shtëpi në xhennet duke ndërtuar një xhami edhe në qoftë se është e vogël.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Ai që e ndërton një xhami duke synuar Fytyrën e Allahut, Allahu i ndërton një të njëjtë në Xhenet”. (Muslimi).

2- Ndërtimi i çezmës, pasi që uji paraqet jetë për njerëzit.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Ai që hap një pus dhe çdo kush që pi në te, qoftë xhind, njeri ose shpezë, Allahu do ta shpërblejë për secilin”. (E transmeton Imam Mundhiriu në librin e tij “Et-Tergibu vet-Terhibu”, kurse shejh Albani e vlerëson si të autentik).

3- Kujdesi për jetimin është prej shkaqeve të shoqërimit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në Xhenet.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Unë dhe kujdestari i jetimit jemi kështu në Xhenet”. Tregoi me gishtin treguar dhe gishtin e mesëm. (Buhariu).

Kujdesi për jetimin nuk është vetëm sigurimi i një ndihme ekonomike por kujdes në të gjitha sferat e jetës. Sa shumë jetimë ka dhe sa pak që kujdesen për ta!

4- Ndërtimi i qendrave islame, me funksione të llojllojshme dhe të ndryshme, duke patë aty xhami, klasa mësimi, salla për tubime, amfiteatër, vend për të larë xhenazet, vend për të mësuar fëmijët Kuran, kalasa për gjininë femërore, vakëfe për përfitime ekonomike të qendrës, etj.

5- Kujdesi për hoxhallarët dhe thirrësit, të cilët e kalojnë kohën duke ua mësuar tjerëve fenë, duke u ndihmuar në problemet e tyre personale, familjare dhe shoqërore dhe duke motivuar rininë që të mësojnë dhe shkollohen e punojnë dhe të largohen nga rrugët e këqija. Puna e tyre është me dobi kalimtare, andaj ai që kujdeset për një hoxhë ose thirrës ka shpërblimin e të gjithë atyre që përfitojnë nga ky hoxhë ose thirrës.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Ai që thërret në udhëzim ka shpërblimin e atyre qe e ndjekin në mësimet e tija”. (Muslimi).

6- Kujdesi për hallkat dhe mësuesit e Kuranit, duke i ndihmuar mësuesit, kujdestarët ose nxënësit pjesëmarrës në këto hallka.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson tjerëve”. (Buhariu).

Ata që merren me Kuran ata janë njerëzit e Zotit dhe të dalluarit e Tij, andaj kush i ndihmon këta njerëz ndihmon këtë shtresë të veçantë të shoqërisë.

7- Përkrahja e aktiviteteve të thirrjes islame në format moderne, sikur webet, rrjetet sociale, kanalet në youtube, etj.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Kur vdes njeriu i ndërpriten veprat përpos tre veprave, prej tyre është edhe: dituria nga e cila ka dobi”. (Muslimi).

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *