Letra e humbur


Asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend ta bëjë këtë bibliografi, sepse nuk është specializimi i imi, as që kam patur kohë që do të më ndihmonte në këtë drejtim, mirëpo Allahu, subhanehu ve teala, kur dëshiron ta realizojë një gjë, i lehtëson shkaqet për të. U sëmura me një sëmundje të lehtë në shikimin tim, para më shumë se 12 viteve. Një mjek specialist më këshilloi që të pushoj, ta lë leximin, shkrimin dhe punën si orëndreqës, për gjashtë muaj.

Në fillim e zbatova këshillën e tij. I lash tërë këto gjëra dy javë rresht. Mirëpo pas këtyre ditëve më ngacmonte epshi dhe ma zbukuronte faktin që të veproj diçka gjatë këtij pushimi të mërzitshëm, ndonjë vepër e cila sipas meje nuk kundërshtohej me këshillën e mjekut. Mu kujtua një dorëshkrim i cili gjendej në bibliotekë, e cila quhej “Dhemul-Melahi”, të Hafidh Ibën Ebi Dynjasë, e cila nuk ishte botuar, sipas asaj që e dija. Andaj thash: çka pengon që ta angazhoj ndokënd që të më shkruajë! Derisa ta përfundon shkrimin, e të vjen koha e krahasimit me origjinalin, do të kishte kaluar një kohë e mjaftueshme dhe unë do të kisha pushuar mjaft. Atëherë do të kisha mundësi ta krahasoj me origjinalin, sepse kjo vepër nuk kërkon shumë mund, i cili do të vinte ndesh me gjendjen time shëndetësore, në të cilën gjendesha. E pastaj do ta recensoja dalëngadalë, do ti kisha përpunuar hadithet, e pastaj do ta botonim. Tërë këtë do ta bëjë në etapa që mos t’ia rëndoj vetes gjendjen shëndetësore! Mirëpo kur ai që e shkruante arriti në mesin e këtij traktati, më tregoi se mungon një pjesë, i thash vazhdoje shkrimin e traktatit deri në përfundim. Pastaj e krahasova me origjinalin, vërejta se ka mangësi, i cili sipas vlerësimeve të mia ishte katër faqe, në një letër në mes të fletores. Fillova të mendoj për këtë gjë, si kam mundësi ta gjejë këtë pjesë të humbur? Ky traktat është i ruajtur në një vëllim, i cili ishte i venduar në raftin ku shkruante: “Përmbledhje shkrimesh”. Secili vëllim kishte disa traktate dhe libra, me shkrime, tema, letra, ngjyra dhe madhësi të ndryshme. I thash vetes: ndoshta këtë letër e ka humbur libërlidhësi dhe e ka venduar gabimisht në ndonjë vëllim prej këtyre vëllimeve! Kjo më shtyri që me vullnet dhe gjallëri ta kërkoj këtë letër, duke filluar me radhë. Në këtë veprimtari e harrova veten dhe gjendjen shëndetësore në të cilën gjendesha, e kur më kujtohej, kisha me çka i arsyetohesha vetes: kjo nuk është lexim, ky hulumtim nuk ndeshet me këshillën e mjekut, gjatë kësaj veprimtarie nuk jam duke shkruar, etj.!

Sa i kalova disa vëllime, filloi të ma tërheqin vëmendjen disa tituj të traktateve dhe librave të muhadithëve me autoritet dhe të hafidhave të njohur, ndalesha te to, duke e studiuar dhe duke e hulumtuar, e shpresoja që ajo të shkruhej dhe të recensohej, e pastaj të botohej, mirëpo zakonisht i gjeja me mangësi, e gjeja pjesën e parë, e nuk e gjeja të dytën, andaj nuk kisha ambicie për ti regjistruar tek unë. Vazhdova hulumtimin e letrës së humbur, mirëpo kot, kështu vazhdova derisa i kalova të gjitha vëllimet që qëndronin në këtë raft, e ato ishin 152 vëllime. Mirëpo gjatë hulumtimit të kësaj letre regjistroja në fletoren time titujt e disa librave që më pëlqenin, në këtë gjë më stimuloi edhe fakti se gjatë hulumtimit i gjeta disa pjesë që mungonin, të cilat më herët ishin shkak që mos ti regjistroj ato libra.

Pasi që nuk e gjeta këtë letër në vëllimet e përmendura, thash në vete: ndoshta gabimisht është vendosur në vëllimet tjera të shkencës së hadithit, të regjistruara nën titullin “hadith”! fillova ti shfletoj vëllim për vëllimi, derisa i kreva të gjitha vëllimet, mirëpo nuk e gjeta. Por regjistrova te unë shumë tituj të librave dhe traktateve të ndryshme.

Edhe më tej i jepja arsye vetvetes dhe ia shtoja dëshirën për ta gjetur këtë letër të humbur. Kalova në hulumtimin e kësaj letre në vëllimet e ndryshme të bibliotekës, nga një shkencë në tjetrën. Kështu i kalova të gjitha dorëshkrimet që gjendeshin në këtë bibliotekë, të cilat arrinin deri në dhjetë mijë copë, mirëpo kot, nuk e gjeta dot!

Por sërish nuk humba shpresë, sepse kishte edhe një sektor që njihej si “Dust”, e që ishte një vend ku ishin grumbulluar të gjitha letrat dhe fletoret e ndryshme, që nuk u dihej origjina, andaj fillova ti hulumtoj me një precizitet të madh, por sërish pa dobi.

Tash e humba shpresën nga kjo letër, mirëpo vërejta se Allahu më kishte hapur dyert e mëdha të dijes pas këtij aktiviteti, të cilën e kisha neglizhuar si shumë të tjerë, e kjo është fakti se në këtë bibliotekë kishte thesare të librave dhe traktateve në shkenca të ndryshme dhe të dobishme, të cilat na i kanë lënë gjyshërit tanë, Allahu i mëshiroftë. Aty ka dorëshkrime të rralla, të cilat nuk gjinden në bibliotekat tjera botërore, e të cilat akoma nuk janë botuar.

Kur mu sqarua kjo dhe zuri vend në zemrën time, e vazhdova studimin e dorëshkrimeve të bibliotekës që nga fillimi e deri në fund, për herë të dytë nën prizmin e përvojës sime të parë, ku i regjistrova vetëm disa libra të zgjedhura. Tani fillova ti regjistroj të gjitha librat që kanë të bëjnë me shkencën e hadithit, të cilat më bëjnë dobi mua në specializimin tim. Nuk lëshoja asgjë pa e regjistruar, edhe qoftë ajo edhe një letër e vetme, nga ndonjë libër ose nga ndonjë pjesë e panjohur! Sikurse Allahu, subhanehu ve teala, më përgatiste për fazën e tretë dhe të fundit, e ajo ishte studimi i hollësishëm, nxjerrja e haditheve nga këto shkrime, duke i studiuar senedet dhe rrugët e tyre dhe duke nxjerrë edhe shumë dobi tjera prej tyre. Gjatë fazës së dytë i kisha përmbledhur disa dobi, të cilat i kisha zgjedhur në mënyrë spontane. E kur e kreva këtë fazë, mu mbush mendja se duhet ti studioj të gjitha këto libra dhe traktate një nga një.

Andaj përvjela krahët dhe fillova studimin për herë të tretë, nuk lija asnjë faqe pa e shfletuar, asnjë letër pa e lexuar, nxirja prej tyre përfitimet shkencore që i rastisja aty, hadithet e Pejgamberit, -salAllahu alejhi ue selem-, nga e tërë kjo mu grumbulluan mëse dyzet vëllime, kurse në secilin vëllim mbi katërqind letra, kurse në secilën fletë nga një hadith, të referuara në të gjitha burimet që e kisha gjetur, me senedet dhe rrugët e tija. Këto hadithe i rendita sipas alfabetit. Nga këto vëllime i ushqej të gjitha shkrimet dhe projektet e mia shkencore. Kjo më ndihmon shumë në recensimet shkencore, gjë që nuk i mundësohet shumë dijetarëve, sidomos në këtë kohë, kur njerëzit mjaftohen me referimin në disa vepra të reduktuara në shkencën e hadithit po edhe në shkencat tjera! Ky thesar gjigant i hadithit që u grumbullua te unë, nuk do të grumbullohej poqëse nuk do të ma mundësonte Allahu këtë studim duke e kërkuar atë letër të humbur! Allahun e falënderojmë që me dhuntitë e tija përfundojnë veprat e mira”.

Muhammed Nasirud-din Albani

Marrë nga hyrja e librit “Bibliografia e Bibliotekës Edh-Dhahirije”

Përktheu: Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *