Mos i shndërroni shtëpitë në varreza!


Falënderimi dhe lavdërimi i plotë i takon Allahut, për të gjitha të mirat që na i ka dhënë, në krye të cilave është feja islame.

Abdullah ibn Revaha, radijallahu anhu, ka thënë: Po të mos të ishte Allahu nuk do të udhëzoheshim dhe nuk do të agjëronim e nuk do të faleshim.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij fisnik, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij të pastër dhe të sinqertë dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, rrëfen se Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varreza, mos e shndërroni varrin tim në festë, dhe dërgoni salavate mbi mua, sepse me të vërtetë salavatet tuaja më arrijnë mua, prej kudo qofshin”.

Ky hadith – edhe pse ka pak fjalë – përmban kuptime të mëdha dhe dispozita të rëndësishme fetare. Në shikim të parë duket se ka të bëjë vetëm me dispozita të fikhut, por e vërteta është se ka të bëjë me çështje shumë të rëndësishme të besimit, siç do ta sqarojmë, duke mos mohuar edhe çështjet e fikhut.

Para se të futemi në thelbin e temës, do të doja t’i përmendi dy gjëra shumë të rëndësishme:

E para: Esenca e shirkut (idhujtarisë) është teprimi në hakun e njerëzve të mirë. Kjo manifestohet në shumë mënyra, e disa prej tyre janë: përshkrimi i tyre me disa cilësi që i takojnë vetëm Allahut, adhurimi i tyre duke u drejtuar lutje dhe duke therur kurban te varret e tyre, zbukurimi dhe ngritja e tyrbeve mbi varret e tyre dhe adhurimi i tyre, gjë që padyshim është shirk, sepse askush, përpos Allahut, nuk meriton të adhurohet.

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “…dhe mos lut askënd tjetër përveç Allahut.” (Xhinn 18).

Ndërsa Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Duaja është adhurim”.

Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, i ka mbyllur të gjitha rrugët që dërgojnë deri në shirk dhe transmetohen hadithe të shumta në këtë drejtim, prej tyre edhe hadithi për të cilin po flasim.

E dyta: Njerëzit – lidhur me pozicionimin e tyre ndaj Pejgamberit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të – ndahen në tri grupe:

a) Ata që nuk besuan në të, nuk ia dhanë hakun që i takon dhe nuk e pasuan, madje ndoshta edhe e ofenduan dhe luftuan. Kjo është gjendja e jobesimtarëve.

b) Ata që ranë në ekstremin e kundërt, duke ia përshkruar atij disa cilësi të Allahut dhe duke e adhuruar atë. Ndërsa ata që kanë shpëtuar nga kjo, kanë shpikur lloj-lloj bidatesh, të cilat nuk i ka vepruar ai.

Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush shpikë në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Po ashtu ka thënë: “Kush vepron një vepër të shpikur, ajo është e refuzuar”.

c) Ata që Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë. Ata i besuan të Dërguarit të Allahut dhe shpalljes që iu shpallë, mirëpo nuk i mveshën cilësi që i takojnë vetëm Allahut dhe nuk e adhuruan, sepse askush, përveç Allahut, nuk meriton të adhurohet. Siç ka thënë Allahu: “Dhe të është shpallur ty dhe atyre që ishin para teje se nëse bën shirk, do të asgjësohen veprat tuaja dhe do të jesh prej të dështuarve” (Zumer 65). Po ashtu, ka thënë: “Allahu nuk e fal shirkun, dhe ia fal pos kësaj atij që dëshiron” (Nisa 48).

Ata pasuan sunnetin e tij dhe nuk shpikën gjëra në fe të cilat ai s’i ka vepruar. Janë ata që ia dhanë hakun fjalës – La ilahe il-lAllah Muhammedun Resulull-llah, duke mos adhuruar askënd tjetër përveç Allahut dhe duke e besuar Muhamedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, si të Dërguar të fundit, pas të cilit nuk ka Pejgamber. Duke pasuar sunnetin e tij dhe duke mos shpikur bidate në fe.

Tani futemi në thelbin e temës dhe duke kërkuar ndihmë nga Allahu themi:

1- ” Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varreza…”

Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, në këtë pjesë të hadithit, na ndalon nga përngjasimi i shtëpive tona me varrezat, nëse nuk falim namaz (nafile) në to.

Muslimi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet emri i Allahut dhe shtëpisë në të cilën nuk përmendet emri i Allahut është si shembulli i të gjallit dhe të vdekurit”.

Muslimi, po ashtu, shënon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Namazi më i vlefshëm për një mashkull është në shtëpinë e tij përveç farzeve”.

Ndërsa sa i përket femrës ka thënë: “Mos i ndaloni gratë tuaja nga shkuarja në xhami, mirëpo më mirë për to janë shtëpitë e tyre”.

E ka ngjasuar këtë gjë me varrezat sepse në to nuk lejohet namazi, e as në drejtim të tyre. Siç shënon Muslimi, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Mos u falni në drejtim të varreve dhe mos u ulni mbi to”.

Po ashtu, disa orë para vdekjes së tij, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Allahu i mallkoftë çifutët dhe të krishterët. I morën varret e pejgamberëve të tyre si vendfalje”.

Nga kjo pjesë e hadithit nxjerrim disa dispozita:

– Ndalim të përngjasimit të shtëpive me varreza, duke mos falur namaz në to.

– Ndalim të namazit në varreza.

– Ndalim të namazit në drejtim të varreve.

– Ndalim të uljes mbi varre.

– Ndalim të ndërtimit të xhamive mbi varre.

– Ndalim të ndërtimit të varreve në xhamia.

2 – “…mos e shndërroni varrin tim në festë (iid)…”

Fjala arabe “iid” rrjedhë nga folja “ade-jeudu” që d.m.th: diçka që kthehet dhe përsëritet. Pra, festa mbahet në një kohë të caktuar dhe përsëritet çdo vit, muaj apo javë. Festa bëhet për të kremtuar me rastin e ndonjë ndodhie të caktuar.

Andaj, dije – Allahu të mëshiroftë – se festat janë pjesë e fesë, kurse feja islame ka vetëm tri festa: festën e Fitër-Bajramit, festa e Kurban-Bajramit dhe festa javore që është dita e xhumasë, siç transmeton Ibën Huzejme.

Çdo festë jashtë këtyre është bidat dhe nuk lejohet të festohet, qoftë dita e të dashuruarve, 8 marsi, 7 marsi, 1 maji, etj…

Pra, i Dërguari i Allahut na ndalon që ta caktojmë një kohë të caktuar për vizitën e varrit të tij. Nëse kjo është kështu për njeriun më të mirë, atëherë vlen për të gjithë njerëzit tjerë.

Ndalohet ajo që e bëjnë disa njerëz duke festuar ditëlindjen e filan “evlijasë” te varri i tij. Nuk lejohet të caktohet një ditë për vizitën e varrezave, nuk lejohet festimi i ditëlindjes së Pejgamberit paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, te varri i tij apo diku tjetër, apo festimi i ditëlindjes së dikujt tjetër.

Ditëlindja (mevludi) nuk është festë prej festave islame, dhe sikur të ishte diçka e mirë, i pari që do ta praktikonte do të ishte Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, si dhe shokët e tij. Apo mos vallë dëshirojnë t’ia tregojnë fenë të Dërguarit të Allahut, duke bërë vepra që ai nuk i ka bërë?!

Pra, lexues i nderuar, nga kjo që thamë t’u bë e qartë se nuk lejohet caktimi i vizitës së varrezave pas namazit të Bajramit, siç veprojnë të paditurit në mesin tonë, si dhe ata që e dinë të vërtetën, por e fshehin atë.

Nga kjo pjesë e hadithit i nxjerrim këto dispozita:

– Ndalim i caktimit të një kohe për vizitën e varrezave, por i viziton sipas mundësi, pa e caktuar dhe shndërruar atë në festë.

– Ndalim i festimit të ditëlindjes (mevludit) së kujtdo qoftë.

– Ndalim i festimit të çdo feste jashtë festave islame.

– Ndalimi i caktimit të vizitës së varrezave pas namazit të Bajramit.

3 – “… dhe dërgoni salavate mbi mua…”

Allahu i Madhërishëm thotë: “Me të vërtetë Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë salavate mbi të dërguarin. O ju që keni besuar dërgoni salavate mbi të dhe përshëndeteni me selam”. [Ahzab: 56].

Ndërsa Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush dërgon salavate mbi mua një herë, Allahu do të dërgojë mbi të dhjetë herë”.

Po ashtu, thotë: “Është koprrac ai që përmendem në prezencë të tij dhe nuk dërgon salavate mbi mua”.

4 – “…sepse me të vërtetë salavatet tuaja me arrijnë mua, prej kudo qofshin”

Pra, siç ceket në një transmetim tjetër , kudo që të jemi mund të dërgojmë salavate mbi të Dërguarin e Allahut, sepse ato i mbërrijnë, meqë ia dërgojnë melekët (engjëjt).

Pra, s’ka nevojë t’i themi atij që shkon në Medinë: “Bëni selam Resulullahit prej meje”, sepse selami i arrin atij prej çdo vendi ku jemi.

Allahumme sal-li ala nebijjina Muhammed ve ala alihi ve sahbihi exhmein.

shënimet:

1. Hasen, e shënon Ebu Davudi Nr. 2042

2. Shënon Tirmidhiu nr. 2969, Ibën Maxhe nr. 3828, Ahmedi nr. 18542. të gjithë nga N`uman b. Beshiri. Për senedin e të cilit Tirmidhiu thotë “Hasen-Sahih”. Ndërsa shejh Albani e konsideron të sakt në dy librat e parë të lartpërmendur

3. Shënon Buhariu, nr. 2697 dhe Muslimi, nr. 1718 të dy nga Aisheja, radijAllahu anha

4. Shënon Muslimi, nr. 1718 nga Aisheja, radijAllahu anha

5. Muslimi nr. 779 nga Ebu Musa Esh`ariu. Po ashtu me kuptim të përafërt e shënon edhe Buhariu nr.6407 nga I njejti sahabi

6. Shënon Buhariu nr. 731… dhe Muslimi nr. 781. të dy nga Zejd b. Thaabiti

7. Shënon Ebu Davudi nr. 567. Senedin e të cilit e saktëson shejh Albani. Gjithashtu me tekst të përafërt e shënon Buhariu nr. 900 dhe Muslimi nr. 442 që të gjithë nga Abdullah b. Omeri

8. Shënon Muslimi nr. 972 dhe Nesaiu nr. 760.Nga Ebu Merthed Ganeviu

9. Transmeton MUslimi nr. 529. Po ashtu me fjalë të përafërta e transmeton Buhariu nr .4441, të dy nga Aisheja, radijAllahu anha

10. Në Sahihun e tij nr. 1465 nga Abullah b. Zubejri.

11. Shënon Muslimi nr. 408, Ebu Davudi nr. 1530, Tirmidhiu nr. 485, Nesaiu nr 1396 të gjithë nga Ebu Hurejre

12. Transmeton Tirmidhiu nr. 3546, dhe Ahmedi nr. 1735. nga Ali b. Ebi Talib. Sendin e të cilit e saktëson Albani

13. Të cilin e shënon Nesaiu nr. 1282 nga Abdullah b. Mes`udi, senedin e të cilit e saktëson Albani

Omer Zaimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *