HADITHI I KATËRT…


Omer ibnul Hattabi -radijAllahu anhu- transmeton se: “Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve* dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për shkak të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush shpërngulet të fitojë disa të mira të kësaj bote ose të martohet me ndonjë femër, shpërngulja e tij vlerësohet për atë që është shpërngulur.

Transmeton Buhariu nr. (1) dhe (6953), poashtu Muslimi nr. (1907)

Muslimanët janë të njëzëshëm për pozitën e madhe, vërtetësinë dhe dobitë e shumta që i ngërthen ky hadith. Dikush prej tyre ka thënë: “(Ky hadith) është një e treta e Islamit. Dikush tjetër ka thënë: “(Ky hadith) është një e katërta e Islamit, ndërsa imam Shafiu ka thënë: ”Ky hadith është një e treta e Islamit dhe merr pjesë në shtatëdhjetë kaptina prej kaptinave të fikhut.”

Imam Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: “Bazat e fesë islame mbështetën në tri hadithe: hadithin e Omerit “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve…”, hadithin e Aishes “Kush shpik diç në çështjen tonë, që nuk është pjesë e saj, konsiderohet e refuzuar” dhe hadithin e Numan ibn Beshirit ” Hallalli është i qartë dhe harami është  i qartë…”.

Abdurrahman ibn Mehdiju ka thënë: “Është e udhës që çdokush që dëshiron të shkruan ndonjë libër, ta fillon me këtë hadith, që çdokush që e lexon atë libër t’ia përkujton përmirësimin e nijetit.”

Them: Ky hadith nuk transmetohet me transmetime të sakta nga Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- vetëm se nga Omer ibnul Hattabi -radijAllahu anhu-, e nga Omeri nuk e transmeton askush pos Alkame ibnu Vekkas el-Lejthi, e nga Alkame nuk e transmeton askush pos Muhamed ibn Ibrahim et-Tejmijj, e nga Muhamed ibn Ibrahim et-Tejmij nuk e transmeton askush pos Jahja ibn Seid el-Ensari, e nga Jahja është transmetuar dhe shpërndarë shumë.


 *Nëpër disa transmetime ka ardhur: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit…”

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *