RREGULLAT E DUASË (LUTJES)


1. Madhërimi i Allahut të Lartmadhërishëm dhe salavati mbi Pejgamberin -salAllahu alejhi ue selem- para se t’ia fillojmë duasë.

 

Ngase ne kërkojmë prej Tij që të na begatojë, të na mëshirojë dhe të na falë. Andaj është e arsyeshme që lutjes t’i bëjmë një hyrje që përmban falënderim dhe madhërim ndaj Zotit Lavdiplotë.

Nga Fedale bin Ubejdi transmetohet të ketë thënë: “Derisa Resulullahu po rrinte ulur, hyri një njeri dhe u fal, pastaj tha: “O Allah, më fal mua dhe më mëshiro.” Atëherë Muhammedi -salAllahu alejhi ue selem- tha: “Nxitove, o ti musal-li (falës i namazit). Kur të kryesh faljen, derisa je ulur, falënderoje Allahun me atë që meriton dhe ço salavat mbi mua e pastaj bë dua.” Pastaj erdhi dhe u fal një tjetër. Falënderoi Allahun, çoi salavat mbi Pejgamberin -salAllahu alejhi ue selem-. Këtij i Dërguari i tha: “O ti musal-li, tani lutu, se të pranohet.” (Transmeton Tirmidhiu, ndërsa hadithi është sahih)

 

2. Bindja e mirë ndaj Allahut të Lartë

 

I Lartmadhërishmi thotë: “E kur robërit e mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet.” (El-Bekare 186)

Pra Allahu -xhel-le she’nuhu- është afër nesh, Ai është me ne, me diturinë, me gjerësinë dhe mbrojtjen e Tij.

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- na ka urdhëruar që çështjen e pranimit t’ia lëmë Allahut -xhel-le she’nuhu- dhe të jemi të bindur se do ta fitoj-më atë që e shpresojmë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- ka thënë: “Luteni Allahun duke qenë të bindur se Ai ju përgjigjet.” (Transmeton Tirmidhiu e hadi-thi është hasenun sahih) që do të thotë: Të besoni se Allahu -xhel-le she’nuhu- nuk jua ndërpret të mirat e Tij. Sepse bujaria e Tij është e gjerë, dhuntia e Tij është e madhe sa herë që lutësi lutet. Shpresa e tij e mban dhe lutja e tij është e sinqertë. Ngase, nëse shpresa e duaxhiut (lutësit) tek Allahu nuk është e fortë, duaja e tij nuk është e sinqertë.

 

3. Pranimi i mëkatit

 

Kjo punë është përsosmëri e adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar. Transmetohet nga Ali bin Ebi Talibi -radijAllahu anhu-, i cili e ka dëgjuar Pejgamberin -salAllahu alejhi ue selem- duke thënë: “Me të vërtetë Allahu mahnitet me robin kur thotë: “Nuk ka zot përveç Teje. Me të vërtetë unë i bëra vetes të padrejtë, m’i fal mua gabimet se vërtet nuk ka kush që i fal gabimet përveç Teje.” Thotë (Allahu -xhel-le she’nuhu-): “Robi im e di se ai ka Zot i cili fal dhe dënon.” (Transmeton Hakimi, ndërsa hadithi është sahih, i vërtetë)

 

4. Vendosmëria në lutje

 

Transmetohet prej Enes bin Malikut -radijAllahu anhu-, se Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- ka thënë: “Kur të bëni dua, të jeni të vendosur në lutjen tuaj e të mos thoni: “O Allahu im, nëse dëshiron, më jep mua,” sepse nuk ka kush që e imponon Atë.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)

Qëllimi i vendosmërisë në kërkim është të kërkosh me këmbëngulje dhe të kërkosh prej Allahut me zell.

 

5. Vrullshmëria në dua (lutje)

 

Transmetohet nga Aishja -radiAllahu anha- se asaj i ishte vjedhur një çarçaf dhe filloi të lutet (keq) për atë që ia kishte vjedhur. Atëherë Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- i tha: “Mos e shkarko atë.” (Transmeton Ebu Davudi, hadithi është i vërtetë) Domethënë, mos ia lehtëso me lutjen tënde mëkatin atij i cili meriton dënimin për atë që ka vjedhur.

 

6. Lutja të bëhet tri herë

Është vërtetuar sipas Sunetit, ashtu edhe siç gjendet në hadithin që e transmeton Muslimi nga Ibni Mesudi -radijAllahu anhu-: “Pasi Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- e kreu namazin e tij, ngriti zërin dhe filloi të lutet për ta (kurejshitët). Ai e kishte zakon që, kur lutej, të përsëriste tri herë lutjen e tij. E këtë herë tha: “O Allah, Ti u dalsh hakut kurejshitëve! O Allah, Ti u dalsh hakut kurejshitëve! O Allah, Ti u dalsh hakut kurejshitëve!”

 

7. Duaja (lutja) të bëhet me fjalë që kanë kuptim përmbledhës

 

Kjo do të thotë që fjalët në dua (lutje) të jenë të pakta por të dobishme, fjalë që i nxjerrin domethëniet më të forta me pak fjalë dhe që të arrihet qëllimi në mënyrë më përmbledhëse dhe më të qëlluar. Në “Sunenin” e Ebu Davu-dit dhe Musnedin e Ahmedit transmetohet se Aishja- radiAllahu anha- ka thënë: “Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- gjithmonë i mbivlerësonte duatë me kuptim përmbledhës dhe i linte të tjerat pas tyre.”

Prej këtyre lutjeve është edhe lutja e transmetuar nga Ferve bin Naufeli: “E kam pyetur Aishen -radijAllahu anha- se cilën lutje bënte Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem-, e ajo më tha: “Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- kishte traditë të thotë:

ALLAHUME INI EUDHU BIKE MIN SHERR-RRI MA AMELT VE SHERR-RRI MA LEM A’MEL.

(O Allahu im, kërkoj të më mbrosh prej sherrit që kam bërë dhe prej sherrit që nuk e kam bërë.” (Transmetojnë Muslimi dhe Ebu Davudi)

Po ashtu, transmetohet nga Musa El Esh’ari -radijAllahu anhu-, se ai e kishte dëgjuar Pejgamberin -salAllahu alejhi ue selem- duke u lutur me këtë lutje: “O Allahu im, më fal gabimin tim, paditurinë time, harxhimin tim, në çështjet e mia, për të cilat Ti je më i dijshëm sesa unë. O Allahu im, më fal mua atë që e kam thënë me seriozitet dhe atë që e kam thënë me mahi, atë që e kam thënë gabimisht dhe atë që e kam thënë qëllimisht dhe çdo gjë që gjendet tek unë. O Allahu im, më fal mua atë që më ka kaluar dhe atë që do të vijë. Atë që e kam bërë fshehurazi dhe atë që e kam bërë haptazi dhe atë që Ti e di më mirë se unë, se Ti je i Pari dhe i Fundit. Ti je i Fuqishëm për çdo gjë.” (Transmeton Muslimi)

 

8. Lutësi të fillojë prej vetes

Siç është përmendur në Fjalët e të Lartësuarit: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim.” (El-Hashër 10) dhe po ashtu në fjalët: “Zoti im, më fal mua dhe vëllain tim dhe na dhuro mëshirën Tënde.” (El-A’raf, 151)

Po ashtu edhe në fjalët: “Zoti ynë, më fal (gabimet) mua dhe falua prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.” (Ibrahim, 41)

Ibni Abasi transmeton nga Ebejje bin Kabi: “Me të vërtetë Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- kur ka bërë dua për dikë, më së pari ka bërë dua për vete e pastaj për të tjerët.” (Transmeton Tirmidhiu)

Por kjo nuk ka qenë traditë e përhershme e Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem- sepse ka raste kur Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- ka bërë dua për të tjerët e nuk ka bërë për vete, siç është hadithi ku Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë: “E mëshiroftë Allahu nënën e Ismailit, sikur ta kishte lënë Zem-Zemin, do të ishte bërë burim i përcaktuar.” (Hadithi bën fjalë për rrëfimin e Haxheres sh.p.)

 

9. Të zgjedhë kohë të përshtatshme për lutje

 

Prej kohëve më të përshtatshme për dua është fundi i natës, koha mes ezanit dhe ikametit, koha kur gjendemi në sexhde, kur jemi të brengosur, pas ikindisë në ditën e xhuma, në Ditën e Arafatit, koha kur bie shi, në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit etj.

 

Marrë nga libri: ETIKA ISLAME

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *