Mësuesi shembull


Jemi në çerekun e fundit të vitit shkollor dhe fëmijët tani i marrin hapat e fundit për përfundimin e suksesit të tyre në këtë vit shkollor.
Duke parë degradimin që i bëhen procesit edukativo-arsimor vazhdimisht edhe nga ndryshimet e plan programeve edhe nga mënyra se si realizohen ato plan programe, dëshirova që sot të flas për mësuesin, i cili pa marrë parasysh plan programet apo ndryshimet që bëhen në arsim, ai ngel strumbullari i arsimit cilësor.
Arsimi është amanet, profesion shumë i rëndësishëm, madje detyrë e profetëve, së paku kështu në muslimanët e kuptojmë.
Profeti Muhamed, lavdi dhe bekimi i Zotit qofshin mbi te, ka thënë: “Allahu, Melaqet, banorët e qiejve dhe tokës, madje edhe buburreci në vrimën e vet e balena në oqeanin e vet luten për atë që ua mëson të mirën njerëzve”. (e transmeton Tirmidhiu, hadithi është autentik).

Pasi që mësuesi paska këtë pozitë të lartë, do të mundohemi që në këtë shkrim ti paraqesim tre llojet e mësuesve:

Një: Mësuesi shpërfillës. Ai nuk kujdeset për mësimin, shpërfill përgatitjen, nuk ka kreativitet, nuk u jep detyra shtëpie, nuk e ndjenë përgjegjësinë që ka marrë e as barrën e amanetit. Hy në klasë për të kaluar kohën në një detyrë që e ka si obligim. E kalon orën duke luajtur në telefonin e tij celularë. Arsimin e sheh vetëm si punë, profesion e jo edhe si mision. Nuk i intereson aspak dobia e nxënësit. Nuk ua sqaron si duhet mësimet, nuk u mëson gjëra të reja dhe nuk i edukon. U jep nota të plota përballë rehatisë dhe mos shqetësimit të tij. Ky mësues nxjerr një gjeneratë që as shkruan e as lexon!

Dy: Mësuesi i rreptë. Zjarr është brenda klasës. Asnjë zë nuk lejohet dhe çdo lëvizje ndalohet. As buzëqeshje, as shaka, e as atmosferë të këndshme. Mërrola, nervozë, s’ka pyetje e as debat. Niveli i sqarimit mbi nivelin e nxënësve. Pyetjet tej mase të rënda. Kërkon mësime shtesë nga librat jashtë shkollës. Shumica e nxënësve në lëndën e tij ngelin dhe lëndën e tij e urrejnë!

Tre: Mësuesi mesatar. I kryen detyrat e kërkuara. Futet në klasë nga fillimi i lëndës. Bën shaka me nxënësit pa dalë nga kornizat e mësimit. U buzëqeshet nxënësve porse pa shkaktuar kaos në klasë. Jep sqarimet e duhura dhe ua lehtëson mësimin nxënësve. E përsërit disa herë sqarimin nëse ka nevojë apo kërkohet prej tij. Këshillon, orienton dhe edukon. Merr pjesë në gëzimet dhe mërzitë e nxënësve. U jep vëmendjen e duhur dhe dëgjon problemet e tyre. Ky lloj si duket është monedhë e rrallë!

Ngelemi me shpresë se gjeneratat e reja te arsimtarëve do ti kemi nga kjo kategori e tretë, e të mos na jenë nga kategoria e parë, sepse nga të dytat rrallë mund të na vijnë!

 

 

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *