Rezyme e hutbes:

Islami dhe imani janë dhunti e madhe/ Rëndësia dhe vlera e namazit/ Lënia e namazit është krim/ Namazi me xhemat është obligim/ Çka ndodh me ata që vonohen nga namazi me xhemat/ Vlera e shkuarjes në xhami/ Edukimi i fëmijëve në namaz

O ju musliman!

Keni frikë Allahun -subhanehu ue teala- sepse devotshmëria është fitorja më e madhe, kurse respekti ndaj Zotit është pozita më e lartë.

 “O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali Imran: 102).

O ju musliman!

Allahu na ka dhuruar shumë begati dhe në to rrotullohemi dhe jetojmë. Pa dyshim se dhuntia më e madhe është dhuntia e Islamit dhe Imanit. Allahu -subhanehu ue teala- thotë:

 “Thuaj: “A ju ia bëni me dije Allahut fenë tuaj (duke thënë: ne besuam), kur Allahu është Ai që e di ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë dhe Allahu është i dijshëm për çdo send”.” (El-Huxhurat: 16).

Andaj falënderone Allahun shumë për këto dhunti që ua ka dhënë, pasi që me këtë ju ka bërë populli më i mirë që keni dalur për njerëzimin, ju ka udhëzuar drejt kësaj feje, në të cilën nuk asnjë mëdyshje e dilemë.

Pa dyshim se prej shenjave dhe simboleve më të mëdha dhe më të dukshme të kësaj feje është namazi, i cili konsiderohet shtylla e dytë e Islamit.

Namazi pas shehadetit është obligimi më i domosdoshëm, adhurimi më i mirë dhe më shpresëlënëse. Ai që kujdeset për namazin është kujdesur për fenë e tij, ai që e ka humbur namazin, tjerat obligime edhe ma lehtë i humbë. Është shtylla e fesë dhe koka e amanetit. Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Koka e kësaj gjëje është Islami, kurse shtylla e sajë është namazi”. (Sahih, Ahmedi).

Allahu -subhanehu ue teala- namazin e ka bërë kënaqësi për sytë e besimtarëve dhe strehim për të mërziturit. Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- “kur i binte mbi kokë ndonjë ngushticë, nxitonte në namaz” (Hasen, Ahmedi) dhe thoshte:

 “Më është bërë kënaqësia e syrit tim në namaz”. (Sahih, Ahmedi)

Shpesh herë Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- bërtitke:

 “Bilal, na qetëso me namaz”. (Sahih, Ahmedi).

Ashtu që gëzimi, qetësia e zemrës dhe lumturia e shpirtit për te ishte namazi.

Namazi është vepra më e mirë të cilën e synon njeriu në çdo brengë, sepse në te ka mposhtje dhe përulje, demonstrim të ngratësisë dhe nevojës, lutje dhe lavdërim, mirënjohje dhe madhërim, përkulje para Allahut, të Lartë e të falënderuar.

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Njeriu kur është në namaz, ai flet me zë të ulur me Zotin e vet”. (Buhariu dhe Muslimi).

O ju musliman!

Namazi është mjeti më i madh që sjell siguri dhe e ndalon krimin, mjeti më i suksesshëm për edukim në nderë dhe vlerë:

 “… fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.” (El-Ankebut: 45).

Namazi është sekreti i suksesit, baza e shpëtimit, vepra e parë për të cilën jep llogari njeriu, nëse namazin e ka në rregull tërë llogarinë do ta ketë në rregull, nëse namazin nuk e ka në rregull, tërë llogarinë nuk do ta ketë në rregull. Kujdesi për namazin është argument i vërtetësisë dhe besimit, kurse labiliteti në te është argument i humbjes dhe dështimit. Rruga e namazit është e njohur, ai që kujdeset për namazin, do ta ketë dritë, argument dhe shpëtim në Ditën e Kiametit, kurse ai që nuk kujdeset për te, nuk do të ketë dritë, as argument, e as shpëtim në Ditën e Kijametit, kurse në këtë ditë do të ringjallet me Karunin, Faraonin, Hamanin dhe Ubej ibn Halefin. Ai që kujdeset për pesë kohët e namazit, për rukunë, sexhden, kohën e tyre, duke e ditur se është detyrë e jona para Zotit, e meriton xhenetin.

Namazi ofron inspirime dhe mëshira, dhunti dhe bereqete.

Namazi i shlyen mëkatet, i ngritë shkallët, i shton shpërblimet.

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Si thoni, nëse një lum kalon rreth derës së dikujt prej jush e lahet në te pesë herë gjatë ditës, a i mbete ndonjë njollë? Thanë: nuk i mbetet. Tha: kështu është me namazin, Allahu me te i shlyen mëkatet”. (Buhariu dhe Muslimi).

Namazi është një adhurim që shkakton lindjen e shpresës në vlugun e errësirave, e shpëton të hedhurin në devijime, e merr të dëshpëruarin dhe të demoralizuarin dhe e nxjerrë në rrugën e shpëtimit dhe jetës:

 “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës. S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Kjo është një këshillë për ata që pranojnë këshillat”. (Hud: 114).

O ju musliman!

Ajo që na turpëron dhe që na e mërzitë zemrën është kjo e keqe që është përhapur në mesin e muslimanëve, moskujdesi i tyre për namazin; një pjesë e kanë lënë krejtësisht, kurse pjesa tjetër herë herë falet. Në këtë koha ka humbur vlerë namazi, njerëzit janë larguar prej tij, të pakët janë ata që e falin dhe shumë ata që e neglizhojnë.

Imam Zuhriu, rahimehullah, thotë:

 “Hyra te Enes ibn Maliku, radijallahu anhu, në Damask dhe e gjeta duke qajtur. I thasë: pse qanë? Tha: asgjë nga koha e Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem- nuk njoh përveç këtij namazit, mirëpo edhe ky namaz është nëpërkëmbë”. (Buhariu).

O ju musliman!

Prej mëkateve më të mëdha dhe krimeve më të qarta është lënia e namazit me qëllim dhe vonimi i tij nga koha e vet, nga përtacia dhe dembelia.

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Marrëveshja mes nesh dhe atyre është namazi, ai që e len namazin, ai ka bërë kufër”. (Sahih, Ahmedi).

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Mes njeriut dhe kufrit ose shirkut është lënia e namazit”. (Muslimi).

Ikja e namazit është sikur fatkeqësia e humbjes së pasurisë, mallit, gruas dhe fëmijëve.

O ju të pranishëm! Dëgjoni këtë hadith të Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem-:

 “Atij që i ka ikur një namaz, sikur të kishte humbur familjen dhe pasurinë e tij”. (sahih, Ibn Hibbani).

Hidhërimi dhe mllefi i Allahu e kaplojnë atë njeri që e len namazin. Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Ai që e lë namazin, e takon Allahun të mllefosur me te”. (daif, Bezzari).

Allahu -subhanehu ue teala- thotë:

 “… e atë që e zë hidhërimi Im, ai ka mbaruar”. (Taha: 81).

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- duke na e tërhequr vërejtjen thotë:

 “Mos e le namazin me qëllim, sepse ai që e vepron këtë, nuk ka garancën e Zotit dhe të Pejgamberit”. (sahih, Taberaniu).

Abdullah ibn Shekiku, rahimehullah, thotë:

 “Sahabet e Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem- lërjen e asnjë vepre nuk e konsideroni kufër përpos namazit”. (Sahi, Tirmidhiu).

O ju musliman!

Moskujdesi për namazin është një bela shumë e madhe, shkakton vështirësi dhe ngushticë në jetën e kësaj bote, në var dhe në ahiret.

 “E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (ose në Gaja)”. (Merjem: 59).

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Më erdhën natën dy njerëz, më morën dhe më thanë: ec. Eca me ta. Erdhëm te një njeri i shtrirë, kurse tjetri qëndronte përmbi te me gurë, e goditke me gurë në kokën e tij. Ia shtypte kokën, e shkonte guri larg. Shkonte pas gurit dhe e mirte sërish, derisa kthehej, koka i bëhej si ka qenë. U kthente dhe përsëri ia bënte të njëjtën gjë. Tha: u thashë: subhanallah, kush janë këto dy njerëz? Thanë: njeriu që i shtypej koka është njeriu që ka mësuar Kuran dhe e ka refuzuar dhe ai që flenë nga namazi obligativ”. (Buhariu).

O rob i Allahut!

Si ka mundësi të mos ketë vlerë te ti namazi, kur ai është kapitali yt kryesor dhe me te imani yt është i shëndoshë ?! Si ka mundësi mos të ketë vlerë namazi te ti, kurse ti e lexon kërcënimin e Allahut -subhanehu ue teala-:

“Pra shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm”. (El-Maun: 4-5)?!

Si dakordohesh të cilësohesh me cilësi të munafikave, për të cilët Allahu -subhanehu ue teala- thotë:

 “Munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por Allahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun”. (El-Nisa: 142).

O ju musliman!

Namazi është një adhurim shumë i madh, asnjëherë nuk bjer ky obligim nga njeriu, edhe në trishtim, edhe në luftë, edhe në sëmundje, edhe në vështirësi, përveç gruas që është në ciklin e saj dhe në lehoni.

Allahu -subhanehu ue teala- thotë:

 “Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze). E nëse keni frikë (nga armiku), atëherë faluni duke ecur ose duke kalëruar, por kur të jeni të siguruar, përkujtojeni (me namaz) Allahun ashtu si u mësoi Ai për atë që ju nuk dinit”. (El-Bekare: 238- 239).

Falni namazin në kohë, merne abdestin mirë, kujdesuni për rukunë, sexhden, kijamin, përuljen, nëse dëshironi të vilni frytet, fuqinë dhe rehatinë.

O ju musliman!

Shumë argumente të vërteta dhe të qarta flasin për faljen e namazit me xhemat.

Allahu -subhanehu ue teala- thotë:

 “Faleni namazin dhe jepni zeqatin, dhe faluni me ata që falen (bini në ruku me ata që bien)”. (El-Bekare: 43).

Allahu -subhanehu ue teala- i thotë Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem- i cili duke qenë në mejdani e luftës dhe vështirësisë së betejës:

 “Kur të jesh ti (Muhammed) bashkë me ta dhe ju falë namazin, një grup prej tyre, duke i bartur armët, le të vijë e le të falet me ty (grupi tjetër në roje), e kur të bien në sexhde (të kryejnë një reqatë), këta le të qëndrojnë mbrapa jush (në roje) e le të vijë grupi tjetër, që nuk është falur, e të falet me ty dhe le t’i bartin armët dhe të jenë në gjendje gatishmërie…”. (En-Nisa: 102).

Abdullah ibn Mesudi, radijallahu anhu, thotë:

 “Cili gëzohet që ta takojë nesër Allahun si musliman, le të kujdeset për këto namaze, kur thirret ezani për to. Sepse Allahu i ka bërë ligj Pejgamberit tuaj sunetet e udhëzimit, edhe këto janë nga sunetet e udhëzimit, e në qoftë se ju faleni në shtëpi sikurse falet ky i vonuar, do të linit sunetin e Pejgamberit tuaj, e nëse lini sunetin e Pejgamberit tuaj, do të devijonit. Në kohën tonë vetëm munafiku i qartë vonohej nga namazi me xhemat. E merrnin njeriun e sëmurë dy veta për krahu derisa e sjellnin në saf”. (Muslimi).

Ju o rini!

Ju që jeni të fuqishëm dhe të rinjë. Shikoni Abdullah ibn Ummi Mektumin, radijallahu anhu, i drejtohet Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem- duke i thënë:

 “O i Dërguar i Allahut, jam plakur, jam dobësuar dhe nuk shoh. Kam një udhëheqës, i cili nuk më udhëheq si duhet. A kam lehtësim që të falem në shtëpi? Tha: a e dëgjon ezanin në shtëpinë ku gjendesh? Tha: po. Tha: nuk gjej për ty lehtësime, po ta dinte ky që vonohet nga namazi me xhemat, se çfarë vlere ka ai që shkon në namaz me xhemat, do të vinte zvarrës në dorë ose në këmbë”. (Taberaniu, ky transmetim është daif, kurse pjesa e parë është e vërtetë).

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- u hidhërua shumë me ata që vonohen nga namazi me xhemat, andaj edhe tha:

 “Vendosa që ta urdhëroj ndokënd të thërret ikametin, e ndokënd tjetër tua fal namazin njerëzve, e unë me disa njerëz përplot me drunjë të shkoj te ata njerëz që nuk marrin pjesë në namazin me xhemat e tua djeg shtëpitë e tyre me zjarr”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, thotë:

 “Ti mbushen njeriut veshët me plumb të shkrirë është më mirë për ate që dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet”. (Ibn Ebi Shejbe).

Ti që qëndron në shtëpi dhe nuk shkon ta falësh namazin me xhemat, dëgjo këtë hadith të Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem-:

 “Kush dëgjon ezanin për namaz dhe nuk e pengon ndonjë arsye, ati nuk i pranohet namazi që e fal”. I thanë: çka është arsye? Tha: “Frika ose sëmundja”. (Albani thotë: i vërtetë, përveç sqarimit të arsyetimit. Ebu Davudi).

Kjo fatkeqësi shtohet nëse njeriu që vonohet nga namazi me xhemat është ai, të cilin e pasojnë njerëzit dhe e kanë shembull. Edhe më shumë është gabim kur njeriu që ka dije vonohet nga namazi me xhemat. Omeri radijallahu anhu, thotë:

 “Çka është puna e atyreve që vonohen nga namazi me xhemat, e për shkak të tyre, të vonohen edhe tjerët nga namazi me xhemat. Ose do të merrni pjesë në namazin me xhemat, ose do tu dërgoj kush do tua prek qafat tuaja”.

O ju musliman!

Këto janë argumentet dhe faktet që e shpalosin të vërtetën. Shumë qartë kanë treguar pejgamberët sikur mos të ishte shurdhia e zemrave, rruga është e qartë sikur mos të na e kishin përllomur mëkatet.

O ju musliman!

Ata që nuk marrin pjesë në namazin me xhemat janë shtuar në kohën tonë, njerëz të fuqishëm, e dëgjojnë ezanin mëngjes e mbrëmje, mirëpo nuk i përgjigjen, e as që kujtohen. Gjuha e tyre merret me gjëra të kota, zemrat e tyre në gaflet, janë përllomur me mëkate, kanë humbur mundin në këtë jetë, janë fundosur ne devijim dhe verbërim.

Janë mbuluar me gjumin e shekullit, janë preokupuar me fitimet, lozjet dhe dëfrimet e tyre, po që se në xhamia do të gjenin fitime të kësaj bote, edhe në qoftë se janë pak, do të nxitonin. Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Pasha Ate në Dorë të të Cilit është shpirti im, po ta dinte dikush prej tyre se në xhami do të gjente mish të majmë ose eshtra të mirë, do të merte pjesë në namazin e jacisë me xhemat”. (Buhariu dhe Muslimi).

O ju musliman!

Muslimanët e kanë obligim, kryetarët, dijetarët, pushtetarët, të kujdesen për ata që nuk falen dhe të shtyhen në namazin me xhemat.

Ubej ibn Kabi, radijallahu anhu, thotë:

 “Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- na e fali namazin e sabahut një ditë dhe tha: a është filani i pranishëm? I thamë: po, edhe pse nuk ishte në namaz. Pastaj tha: filani a është i pranishëm në namaz? I thamë: po, edhe pse nuk ishte i pranishëm në namaz. Atëherë tha: namazi më i rëndë i munafikëve është namazi i jacisë dhe sabahut. Po ta dinit se çfarë të mira ka ne to, do të vinit edhe zvarrës”. (sahih, Ebu Davudi).

O robërit e Allahut!

Ti që vjen në xhami me përtaci dhe dembeli e shumë kohë kalon në gjëra të kota, e nuk e di se xhamia është shtëpia e Zotit dhe vendi më i dashur te Allahu?!

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Xhamia është shtëpia e çdo të devotshmit, Allahu i ka garantuar atij që xhaminë e ka shtëpi të veten me shpirt, mëshirë dhe kalim të siratit drejt kënaqësisë së Allahut dhe xhenetit”. (Taberaniu. Pjesa e parë është e vërtetë, kurse pjesa tjetër është shtesë e dobët).

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Shtatë persona do të hyjnë nën hijen e Allahut, atë dit që s’ka hije tjetër përveç hijes së tij (prej tyre): njeriu që e ka zemrën të lidhur për xhami”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ti që vonohesh nga namazi, ti që nuk kujdesesh për namazin, ti që preokupohesh me gjërat tjera nga namazi, të ka ikur një e mirë shumë e madhe dhe një shpërblim gjigantë.

Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Kush shkon në xhami, ose vjen nga xhamia, Allahu -subhanehu ue teala- i përgatit në xhenet vendbanim çdo herë që shkon dhe vjen”. (Buhariu dhe Muslimi).

Ai që pastrohet në shtëpi, pastaj niset për në shtëpinë e Zotit që ta kryej obligimin që ka para Zotit, çdo hap që e bën i shlyhet një mëkat, çdo hap që e bën ngrite një shkallë. Njeri që më së shumti fiton shpërblime nga namazi është ai që më shumë ecë , vazhdojnë njerëzit të vonohen nga namazi, derisa ti vonojë Allahu tërësisht nga mëshira e Tij. Allahu na ruajt nga humbja dhe dështimi.

 “(ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë) që Allahu lejoi të ngrihen, e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet. (ata i luten) që Allahu t’i shpërblejë më së miri për atë që punuan dhe për t’ua shtuar të mirat nga Ai. Allahu e dhuron pa masë atë që do”. (En-Nur: 36- 38).

O ju musliman!

Kujdesuni për fëmijët tuaj, kontrolloni ata dhe mos i harroni, sepse ata janë amanet në qafën tuaj. Urdhëroni që të falin namazin dhe të marrin pjesë në namazin me xhemat. Stimuloni dhe frikësoni, edukoni që ta duan ahiretin, bëhuni për ta shëmbëlltyrë e mirë:

 “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (për ty as për familjen tënde), Ne të furnizojmë ty (dhe ata), ardhmëria e mirë është e atij që ruhet”. (Taha: 132).

Kurse Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- thotë:

 “Urdhëroni fëmijët tuaj në namaz kur ti kenë shtatë vjet, e rrihni nga pak kur ti mbushin dhjetë vjet”. (sahih, Ahmedi).

Kujdesuni nga gjërat që i largojnë nga përmendja e Allahut, nga namazi dhe nga adhurimet, insistoni në lutjet tuaja drejtuar Allahut që tua përmirëson fëmijët tuaj dhe fëmijët e mbarë muslimanëve.

Allahu ynë na i gëzo zemrat dhe na i lumturo shpirtrat duke i udhëzuar të rinjtë dhe të rejat tona, Allahu ynë, bëri pasardhësit tanë, djemtë dhe vajzat tona, që të kujdesen për namazin. Allahu ynë, na i prano lutjet tona, na dhuro siguri në vatan, mirësi në pasardhës dhe shpëtim në ahiret.

Allahu ynë, bëre Islami dhe muslimanët krenar, mposhte shirkun dhe idhujtarët dhe shkatërro armiqtë e fesë…

 

Shejh Salah El-Budejr (Imam dhe hatib i Xhamisë së Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem- në Medinë) – Mbajtur më 21. 1. 1425 – Përktheu: Bekir Halimi

Hutbet e tre xhamiave te shenjta, Meke, Medine dhe Kuds

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *