RREGULLAT E NGRËNIES DHE TË PIRJES


a) Rregullat të cilave duhet t’u përmbahet muslimani para ngrënies

1. Të mundohet që ushqimin dhe pijen e tij t’i fitojë me nder, e jo me tradhti a mashtrime, siç thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë.” (El-Bekare, 172)

2. Të vendosë të hajë dhe të pijë që të forcohet e të mund të punojë, ashtu që të shpërblehet me atë që ka ngrënë dhe ka pirë.

3. T’i lajë duart para se të ulet të hajë, nëse i ka të papastra ose nuk është i sigurtë në pastërtinë e tyre.

4. Të vërë ushqimin e tij në sofër mbi tokë, jo mbi tavolinë, sepse kjo është më afër devotshmërisë, siç thotë Enesi -radijAllahu anhu-: “Nuk ka ngrënë i Dërguari i Allahut -salAllahu alejhi ue selem- mbi huvan (tavolinë) e as në sekërgje (pjatë zbukuruese në të cilën vendoset ushqimi).” (Transmeton Buhariu)

5. Të ulet duke u gjunjëzuar (nëse ha në tokë), në shpinën e këmbëve, ose të mbështetet në këmbën e djathtë e të ulet në të majtën, ashtu siç e kishte zakon Resulullahu -salAllahu alejhi ue selem-, duke vepruar sipas fjalëve të tij: “Unë nuk ha duke qenë i mbështetur, sepse unë jam një njeri, ha dhe ulem si njeri.” (Transmeton Buhariu)

6. Të jetë i kënaqur me atë që është përgatitur prej ushqimit dhe të mos u bëjë naze gjellëve e ushqimeve; nëse i pëlqen, le të hajë, e nëse nuk i pëlqen, le ta lërë, ashtu siç thuhet në hadithin e Ebu Hurejres -radijAllahu anhu-: “Nuk i ka bërë naze hajes Resulullahu -salAllahu alejhi ue selem- asnjëherë. Nëse i ka pëlqyer, ka ngrënë prej saj, e nëse jo, e ka lënë.” (Transmeton Buhariu)

7. Të hajë së bashku me ndonjë tjetër, qoftë ai mysafir, farefis, fëmijë ose shërbëtor, sipas hadithit: “Tubohuni rreth sofrës suaj që të bëhet bereqet për ju.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih)

b) Rregullat gjatë ngrënies

1. Të fillojë me emër të Allahut, sipas fjalëve të Resulullahut -salAllahu alejhi ue selem-: “Kur doni të hani, në fillim të ngrënies thoni: “Bismil-lahi”. E nëse harroni ta përmendni emrin e Allahut të Lartësuar në fillim të ngrënies, kur t’ju kujtohet, thoni: “Bismil-lahi, në fillim e deri në mbarim.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu dhe thonë se hadithi është sahih, i vërtetë)

2. Të mbarojë me falënderim të Allahut, duke thënë: “El hamdu-lil-lah”, sipas hadithit: “Kush ha ndonjë ushqim dhe thotë: “EL HAMDU-LIL-LAH (Falënderimi i qoftë Allahut) i Cili më ushqeu me këtë dhe më furnizoi me të pa lodhjen time dhe fuqinë time”, – i falen gabimet e bëra.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

3. Të hajë me tre gishtat e dorës së djathtë (nëse nuk ka lugë) e ta marrë kafshatën sa më të vogël, le ta përtypë sa më mirë e të hajë para vetes e jo nga mesi i pjatës, sipas hadithit të Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem-: “O vogëlush, thuaj Bismilah, ha me të djathtën dhe ha ç’gjendet para teje.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Dhe hadithi: “Bereqeti (begatia) zbret në mes të pjatës me ushqim, prandaj hani nga skajet, e mos filloni nga mesi i saj.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

4. T’i lëpijë gishtat e tij para se t’i fshijë me shami a t’i lajë me ujë, sipas hadithit të Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem-: “Kur të hani ushqim, të mos i fshini duart derisa t’i lëpini a të jenë të lëpira.” (Transmetojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)

5. Nëse i bie në tokë ajo që është duke ngrënë, le ta marrë dhe le ta largojë papastërtinë prej saj e pastaj le ta hajë, duke u bazuar në hadithin: “Nëse ju bie kafshata, merreni atë dhe largojeni prej saj papastërtinë e hajeni, e mos ia lini shejtanit.” (Transmeton Muslimi)

6. Të mos fryjë në ushqimin e nxehtë e të mos e hajë atë derisa të ftohet. Po ashtu, ndalohet fryrja në ujë gjatë pirjes. Të marrë frymë tri herë gjatë pirjes (jashtë enës për pirje), sipas hadithit që transmeton Enesi -radijAllahu anhu-: “Resulullahu -salAllahu alejhi ue selem- ka marrë frymë tri herë gjatë pirjes.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi) Po ashtu, transmetohet nga Ebu Saidi se Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- e ka ndaluar fryrjen në pije. (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është sahih) Për të njëjtën çështje na flet edhe hadithi të cilin e transmeton Ibni Abasi -radijAllahu-anhuma-, se Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- ka ndaluar të merret frymë në enë ose të fryhet në të. (Transmeton Tirmidhiu)

7. T’i shmanget ngrënies së tepërt, sipas hadithit: “Nuk mbush njeriu enë më të dëmshme se barkun e tij. Njeriut do t’i mjaftonin disa kafshata për ta mbajtur trupin e tij, por nëse nuk mund ta ndalë veten, atëherë (le ta përpjesëtojë lukthin e tij): një të tretën për ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për frymëmarrje.” (Transmetojnë Ahmedi, ibni Maxhe dhe Hakimi, hadithi është hasen)

8. Të mos marrë ushqim ose pije nëse në tubim gjendet dikush më i vjetër a me nder më të madh, sepse kjo është në kundërshtim me etikën islame dhe një sjellje e tillë bën që njeriu të shfaqet si grykës, e kjo është një cilësi e keqe dhe e pa lavdëruar.

9. Të mos shikojë shokët e tij gjatë ngrënies dhe të mos i mbikëqyrë ata, se ndoshta turpërohen prej tij. Por duhet ta ulë shikimin rreth asaj që hahet. Po ashtu, të mos i përcjellë ata, se kjo i pengon ata.

10. Të mos bëjë gjëra prej të cilave njerëzit neveriten dhe të mos i shkundë duart në pjatën e tij, të mos e afrojë kokën mbi pijet gjatë ngrënies ose marrjes së ushqimit, sepse mund t’i pikojë nga goja ndonjë send e të bjerë në të. Njeriu nuk duhet të flasë fjalë që kanë të bëjnë me fëlliqësira dhe plehra, se ndoshta dikush prej shokëve të tij shqetësohet, e shqetësimi i muslimanit është haram (gjë e ndaluar).

11. Kur të hajë bukë me të varfrit, le të jetë sa më bujar ndaj tyre dhe le t’u japë përparësi. Kur të hajë me shokët e tij, le të jetë i buzëqeshur dhe le të bëjë mahi (shaka). E kur të hajë bukë me njerëz të gradave të larta (si dijetarët), le të jetë me sjellje dhe nder ndaj tyre.

c) Rregullat pas ngrënies

1. Të mos e teprojë e të ngopet, duke vepruar sipas urdhrave të Pejgamberit -salAllahu alejhi ue selem-, që të mos arrijë në pengesa shkatërruese, sepse barku u nënshtrohet lehtë sprovimeve.

2. T’i pastrojë gishtat (nëse ka ngrënë pa lugë) me shami para se t’i lajë, por nëse i lan duart është më mirë se vetëm fshirja e tyre.

3. Ta mbledhë atë që ka rënë gjatë ushqimit, sepse ajo është falënderim për begatitë.

4. Ta pastrojë gojën dhe dhëmbët, se me të e përmend Allahun (xh.sh.) dhe komunikon me shokët e tij.

5. T’i falënderohet Allahut të Lartësuar pas ngrënies dhe pijes, e nëse ka pirë qumësht të thotë “Allahu im, lësho begati në atë me çka na furnizove dhe shtona prej saj!”

Kur të hajë në sofër të huaj, në fund të ngrënies, le të thotë: “Hëngrën te ti agjëruesit e ushqimin tënd e hëngrën të pastërtit, e engjëjt ju pastruan.”

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *