Pyetje: Kemi parë disa njerëz që vënë një thikë tek shtrati i fëmijëve të vegjël, me qëllim që t’i mbrojnë nga xhindët. A lejohet një gjë e tillë?

Përgjigje: Vendosja e thikës, apo e ndonjë sendi tjetër të ngjashëm me të,[1] për të mbrojtur fëmijët nga xhindët, është e ndaluar. Në vend të saj duhet të lexohen duatë (lutjet) që na ka mësuar Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem-, me anën e të cilave kërkohet mbrojtje nga Allahu -subhanehu ue teala- prej shejtanit dhe ngac-mimeve të tij. Kështu ka vepruar Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem-, me dy nipat e tij, Hasanin dhe Husejnin, për t’i mbrojtur nga çdo e keqe.

Të njëjtën gjë themi edhe për hajmalitë,[2] sepse Pejgamberi -salAllahu alejhi ue selem- ka thënë: “Mos ia plotësoftë Allahu dëshirën atij që vë një hajmali”.

Kurse në një transmetim tjetër ka thënë: “Kush vë një hajmali ka bërë shirk”.[3]

Ibën Bazi

 


[1] Në vendin tonë është mjaft e përhapur dukuria e vendosjes së zhivës apo e hudhrave, për të ruajtur fëmijët apo të rriturit nga magjia, syri i keq etj. Kjo gjë, siç përmendet më lart, është e ndaluar, pasi është diçka e padobishme dhe në të njëjtën kohë mund të bëhet shkak, që në disa raste, personi i cili e bën këtë gjë, të dalë nga Islami.

[2] Me hajmali kuptohet çdo gjë që vihet në trupin e njeriut, qoftë varëse, bylyzik apo diçka tjetër, me qëllim që ta mbrojë atë nga sëmundjet, magjitë, syri i keq etj. Në këtë kategori futen edhe nuskat.

[3] D.m.th. i ka bërë shok Allahut -subhanehu ue teala-, pasi ajo që kërkon të arrijë me anën e kësaj hajmalie është në kompetencën e Allahut -subhanehu ue teala-, sepse vetëm Ai mund ta ruajë njeriun nga çdo e keqe.

Shirku ndahet në dy lloje: shirku i madh, i cili e nxjerr njeriun nga Islami dhe shirku i vogël, i cili vërtet nuk e nxjerr njeriun nga Islami, por është një nga gjynahet më të mëdha. Vënia e një hajmalie, në disa raste mund të jetë shirk i madh, e në disa tjera shirk i vogël. Nëse ai që e mban hajmalinë beson se hajmalia është ajo që e mbron nga të këqijat, atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me shirkun e madh. Ngase ai që e mban hajmalinë beson se, në të vërtetë, Allahu -subhanehu ue teala- është Ai që e mbron njeriun nga të këqijat, mirëpo hajmalia bëhet shkak apo sebep për arritjen e kësaj mbrojtjeje, atëherë kemi të bëjmë me shirkun e vogël. (Për më tepër hollësi duhet të shihen librat e Teuhidit).

Pyetje dhe përgjigje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *