Pyetje: Ç’mund të themi për ata muslimanë të cilët falen dhe agjërojnë, mirëpo në të njëjtën kohë mund të bëjnë lloje të ndryshme shirku,[1] si p.sh. besimi se varret e njerëzve të mirë mund t’i sjellin dobi njeriut?[2] A mund të themi se ata janë jobesimtarë dhe si të tillë do të mbesin përgjithmonë në zjarr të Xhehenemit?

Përgjigje: Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Ne nuk dënojmë askënd pa dërguar (më parë) një të dërguar (që t’u sqarojë të vërtetën)”. (En-Nahl: 25)

Andaj, nëse te këta njerëz vjen e vërteta e Islamit, ashtu siç ka zbritur nga Allahu [subhanehu ve teala] dhe ata nuk e pranojnë atë, atëherë ata janë jobesimtarë. Mirëpo, nëse thirrja islame nuk arrin tek ata e qartë dhe e pastër, siç ka zbritur në zemrën e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], atëherë, në Ditën e Kijametit, ata do të trajtohen ashtu siç do të trajtohen dhe ata njerëz, të cilët, kur ka ardhur Islami kanë qenë në moshë të madhe dhe nuk kanë qenë në gjendje ta kuptonin atë. Allahu [subhanehu ve teala] nuk do t’i fusë në zjarr, por do të dërgojë tek ta një të dërguar. Ata që do t’i binden atij, do të hyjnë në Xhennet, ndërsa ata që nuk do t’i binden do të hyjnë në Zjarr.

Pra, nuk lejohet që t’i quajmë këta persona jobesimtarë, derisa të sigurohemi plotësisht se ata e kanë kuptuar thirrjen e saktë islame mirëpo nuk duan ta pranojnë.


Albani

 


[1] Në këtë pyetje pyetësi ka parasysh shirkun e madh, i cili e nxjerr njeriun nga Islami.

[2] Kjo dukuri është shumë e përhapur në vendin tonë. Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ndodh nëpër teqet dhe tyrbet e përhapura në të katër anët e vendit: me qindra njerëz shkojnë te varret që gjenden në to dhe kërkojnë prej tyre gjërat të cilat janë në kompetencën e Allahut [subhanehu ve teala], si shërimin e sëmundjeve, largimin e magjive, lindjen e fëmijëve etj. Kjo gjë është e ndaluar kategorikisht, pasi këta njerëz rrezikojnë të mbesin përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit.

Nga ana tjetër, Allahu [subhanehu ve teala] është Bujar dhe pëlqen që njerëzit t’i luten e t’i kërkojnë Atij çdo gjë: “Zoti juaj ka thënë: lutmuni që t’ju përgjigjem.” (Gafir: 60). Detyra e çdo muslimani është që t’u shpjegojë të tjerëve kotësinë dhe rrezikun e shkuarjes te varret e njerëzve të mirë, sepse nëse do të kishte një varr që do ta meritonte këtë gjë, ai do të ishte varri i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i cili ka thënë pesë ditë para se të vdiste: “Mallkuar qofshin çifutët dhe kristianët të cilët i shndërruan varret e pejgamberëve të tyre në vende faljeje e lutjeje”.

Pyetje dhe përgjigje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *