Thesaret e Ramazanit


Ramazani është muaj i dalluar, me vete sjell shume begati dhe dhunti, i ngjan një xehtores, nga e cila nxjerrim për çdo ditë thesare të çmueshme.

Xehtoret e dynjasë zakonisht na japin nga një xehe të çmueshme, kurse Ramazani është asi xehtore që na sjell shumë thesare dhe me vlerë shumë të madhe.

Dallimi tjetër mes Ramazanit dhe xehtoreve është se për të nxjerrë nga xehtoret këto thesare duhet shumë punë dhe lodhje, investim dhe rrezik, kurse për të poseduar thesaret e këtij muajit është shumë lehtë, andaj ti përvjelim krahët për të fituar nga ky muaj.

Pasiqë shpërblimet nuk janë gjë materiale që shihen dhe preken shumë njerëz ngurojnë të punojnë për to, por të ishin të kapshme dhe të prekshme sikur ari apo argjendi, të shumtë do të ishin ata që do të vraponin pas tyre.

Për këtë shkak do tu ofrojmë thesaret që na i ofron ky muaji i bekuar dhe shpërblimin që kanë këto vepra, që të na shtohet ambicia dhe vendosmëria për përvetësimin e tyre.

Thesaret e vlerave dhe veçorive:

• Falja.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

(من صام رمضان إيماناً واحتساباً غفر له ما تقدم من ذنبه) |متفق عليه|

“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresim të shpërblimeve i falën mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).

• Shlyerja e mëkateve.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

( فتنة الرجل في أهله وماله وجاره تكفرها الصلاة والصيام والصدق) |متفق عليه|

“Sprovat e njeriut në familje, pasuri dhe fqinjë e tij ia shlyen namazi, agjërimi dhe zekati”. (Buhariu dhe Muslimi).

• Mbrojtje:

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

(الصيام جنة وحصن حصين من النار) |رواه أحمد|

“Agjërimi është mburojë dhe fortifikatë nga zjarri i xhehenemit”. (Hasen, Ahmedi).

• Shpërblimi.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë se Allahu, xhel-le shanuhu, thotë:

( الصيام لي وأنا أجزي به، والحسنة بعشر أمثالها) |رواه البخاري|

“Agjërimi është për Mua dhe unë shpërblej për te, një e mirë shpërblehet dhjetë fish”. (Buhariu).

• Veçori.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

( إن في الجنة باباً يقال له الريان، يدخل منه الصائمون يوم القيامة، لا يدخل منه أحد غيرهم) |متفق عليه|

“Në xhenet ka një derë e cila quhet Rejan. Në këtë derë hynë agjëruesit në Ditën e Kijametit, askush pos tyre nuk hyn nga kjo derë”. (Buhariu dhe Muslimi).

• Ndërmjetësimi.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

( الصيام والقرآن يشفعان للعبد يوم القيامة) |رواه أحمد|

“Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Kijametit….”. (Sahih, Ahmedi).

• Gëzimi.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

( للصائم فرحتان فرحة عند فطره، وفرحة عند لقاء ربه) |رواه مسلم|

“Agjëruesi i ka dy gëzime: gëzohet kur hanë iftarin dhe gëzohet kur takohet me Zotin e vet”. (Muslimi).

• I dalluar.

(عليك بالصوم فإنه لا مثل له) |رواه النسائي|

“Agjëro, sepse agjërimi nuk ka shoq”. (Sahih, Nesaiu).

Thesari i leximit të Kur’anit

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

{شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدىً لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ} [البقرة:185]

“Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). …”.

(El-Bekare: 185).

Abdullah Ibën Amr Ibën Asi, radijallahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

( الصيام والقرآن يشفعان للعبد يوم القيامة، يقول الصيام: أي رب إني منعته الطعام والشهوة، فشفعني فيه، ويقول القرآن: أي رب منعته النوم بالليل، فشفعني فيه، قال: فيشفعا) |رواه أحمد|

“Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Kijametit. Agjërimi do të thotë: o Zot e kam larguar nga ushqimi dhe epshi, andaj më lejo që të ndërmjetësoj për te, kurse Kur’ani do të thotë: o Zot e kam penguar nga gjumi gjatë natës, andaj më lejo që të ndërmjetësoj për te. Thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: ato do të ndërmjetësojnë”. (Sahih, Ahmedi).

Ramazani muaji i Kur’anit andaj duhet krijuar raporte speciale me Kur’anin, e jo të injorohet dhe neglizhohet ashtu sikurse është duke ndodhur në mesin tonë.

Nëse kryqëzatat dhe armiqtë e Islamit e kanë pasur synim të tyre ta eliminojnë Kur’anin dhe ta largojnë nga duart e muslimanëve, atëherë detyrë e muslimanëve dhe synim i tyre duhet të jetë afrimi i muslimanëve me Kur’anin.

Le të bëhet ky Ramazan fillim i mbarë dhe i bekuar për rikthim në kujdesin dhe interesimin për këtë Kur’an, sepse aq sa mbahemi për këtë Kur’an aq do të ecim para dhe aq sa largohemi nga ky Kur’an, aq do të ngecim mbrapa, sikurse ka treguar Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Thesari i Namazit të natës

Ah namazi! Namazi është bërë gjë e huaj në jetën e muslimanëve. Nuk e di se sa kemi të drejtë të flasim për namazin e teravisë, kur një pjesë e madhe e muslimanëve nuk janë të rregullt në faljen e namazeve të rregullta.

Namazi është shtylla e fesë, ai që e rrënon këtë shtyllë e ka shembur krejt fenë, andaj kujdes për këtë shtyllë dhe jepni rëndësi këtij obligimi, sepse pa te është shumë vështirë njeriu të mbetet në suazat e islamit.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

{وَمِنَ اللَّيْلِ فَتَهَجَّدْ بِهِ نَافِلَةً لَكَ عَسَى أَنْ يَبْعَثَكَ رَبُّكَ مَقَاماً مَحْمُوداً} [ الإسراء:79 ]

“Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin – namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm”. (El-Isra: 79).

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

(من قام رمضان إيماناً واحتساباً غفر له ما تقدم من ذنبه) |متفق عليه|

“Ai që fal namazin e natës me besim dhe shpresim të shpërblimit i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).

Thesari i dhikrit dhe lutjes

Njeriu e përmend shumë atë që e do, andaj edhe ne aq sa e dojmë Allahun, aq edhe e përmendim. Për këtë mos ta neglizhojmë këtë adhurim, i cili na krijon raport special me Allahun, sepse është dëshmi e dashurisë dhe afërsisë me Te.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

{وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ } [ البقرة:186]

“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua”. (El-Bekare: 186).

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

(ثلاثة لا ترد دعوتهم: الصائم حين يفطر، والإمام العادل، ودعوة المظلوم ) |رواه الترمذي|

“Tre personave nuk u kthehet prap lutja: agjëruesit kur hanë iftarin, prijësit të drejtë dhe lutja e të shtypurit”. (sahih, Tirmidhiu).

Thesari i bujarisë dhe shpenzimit

Ramazani është muaji kur njeriu e kujton të ngratin, nevojtarin, skamnorin, jetimin, invalidin, të vejën, etj. është muaj ku del në shesh bujaria e njerëzve dhe solidariteti mes tyre.

Abdullah ibën Abasi, radijallahu anhu, tregon:

(كان النبي صلى الله عليه وسلم أجود الناس بالخير وكان أجود ما يكون في رمضان حين يلقاه جبريل وكان جبريل عليه السلام يلقاه كل ليلة في رمضان حتى ينسلخ يعرض عليه النبي صلى الله عليه وسلم القرآن فإذا لقيه جبريل عليه السلام كان أجود بالخير من الريح المرسلة ) |متفق عليه|

“Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ishte njeriu më bujar. Edhe më bujar ishte në Ramazan, kur takohej me Xhibrilin, alejhisselam. Kurse Xhibrili e takonte Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në çdo Ramazan, deri në vdekje, ia kontrollonte Kur’anin. E kur takohej me Xhibrilin ishte aq bujar sikur era që sjell pllenimin”. (Buhariu dhe Muslimi).

Thesari i Vullnetit dhe Durimit

Agjërimi ka shumë urtësi në vete dhe synon shumë qëllime ti arrijë.

S’ka dyshim se njeriu gjatë agjërimit e kalit vullnetin e tij dhe e stërvit veten në durim.

Dijetarët kanë thënë:

“Prej urtësive të mëdha të agjërimit është edhe kalitja e vullnetit. Kurse kjo veçori është shumë i rëndësishëm, andaj sociologët dhe ushtarakët bashkëkohor veprojnë në përforcimin e tij në shoqëri. Kurse këtë gjë e ka bërë Islami shumë shekuj më herët. Muslimani shumë ka nevojë që të ketë vullnet të çelikt dhe vendosmëri të vërtetë”. (shiko: “Mekalatul-Islamijjine fi shehri Ramadan”, fq. 402, teksti me titull: “Prej urtësive të agjërimit”, të Abdurahman Duseriut).

“Agjërimi e kalit vullnetin dhe e edukon njeriun në durim. Ai që agjëron dhe është i uritur, kurse para tij ka ushqim të këndshëm, është i etshëm, kurse para tij ka ujë të freskët, e përmban veten, kurse para tij ka gruan e vet, askush nuk e kontrollon përpos Allahut, subhanehu ve teala, askush nuk ia imponon përpos ndërgjegjës së tij, askush nuk e ndihmon përpos vullnetit të tij të fuqishëm dhe të vetëdijshme, kjo përsëritet gjatë pesëmbëdhjetë orëve për çdo ditë dhe për njëzet e nëntë ose tredhjet ditë gjatë vitit, andaj a ka shkollë që e edukon vullnetin e njeriut dhe ia mëson durimin më mirë se shkolla e agjërimit, të cilën e ka hapur Islami dhe e ka bërë të domosdoshme për muslimanët në Ramazan dhe vullnetar jashta Ramazanit”?!

Thesari i fuqisë dhe lirisë

Dijetarët kanë thënë:

“Agjërimi është metodologji e cila e stërvit njeriun që ta çliron vetveten dhe të ikë nga robëria e materies dhe errësirës së epshit që të jetoj aq sa ka caktuar Allahu në mbretërinë e jetës së vërtetë dhe të posedon aq sa dëshiron Allahu prej veçorive të mirësisë dhe vlerave, sepse lirinë e vërtetë nuk e shijon dhe nuk e vlerëson askush përpos atij që e ka jetuar këtë jetë”. (shiko: “Mekalatul-Islamijjine fi shehri Ramadan”, fq. 393, teksti me titull: “Para Ramazanit”, të Hasen Hudejbiut).

Në një vend tjetër një dijetar ka thënë:

“Allahu, azze ve xhel-le, e ka bërë obligim agjërimin për ta çliruar njeriun nga pushteti i intuitës, të shpëton nga burgu i trupit, të ngadhënjen ndaj ngacmimeve të epshit, të dominon mbi manifestimet shtazarake të njeriut e ti ngjanë melekëve”.

Thesari i mëshirës dhe barazisë

Agjërimi e mëson muslimanin të jetë i mëshirshëm, edhe pse ai këtë vlerë dhe veti duhet ta ketë vazhdimisht. Zemra që mëshiron është zemër që mëshirohet nga Allahu, subhanehu ve teala, sikurse na ka treguar Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Agjërimi i bën njerëzit e barabartë. Fillojnë agjërimin në një kohë dhe e përfundojnë në një kohë. Obligimet gjatë agjërimit janë të njëjta si për të varfërin ashtu edhe për të pasurinë.

Ali Tantavi, rahimehullah, thotë:

“Ramazani është muaji që i realizon të gjitha domethëniet e humanizmit dhe ndodh barazia mes njerëzve, nuk mbetet i uritur njëri, kurse tjetri të stërngopet, por të gjith participojnë në uri dhe etje, i pasuri dhe i varfëri i tyre. I pasuri e ndien dhimbjen e urisë që ti kujtohet kjo gjë kur ti vjen njeriu dhe ti thojë: jam i uritur, kurse i varfëri kështu e kupton dhuntinë e Allahut mbi te, kur e vëren se i pasuri edhe pse ka pasuri, e lakmon një kafshatë bukë ose një gllënjke ujë”. (“Me njerëzit”. Ali Tantavi).

Kurse Mustafa Sadik Rafiiu në librin e tij “Min Vahjil-Kalem”, vëllimi i dytë, faqe 67 thotë:

“Varfëri e domosdoshme e cila synon që në mënyrë të qartë dhe praktike ti tregon njerëzimit se jeta e vërtetë është pas jetës e jo brenda saj dhe se është e plotë kur njerëzit barazohen në ndjenja e jo kur dallojnë, kur solidarizohen në ndjenjat e dhimbjes së njëjtë e jo kur dallojnë me ndjenja të epsheve të llojllojshme… Kështu i bën njerëzit të barabartë: të gjithë ata kanë një ndjenjë, perceptim të barabartë dhe natyrë të barabartë, dhe e sundon çështjen dhe bëhet pengesë mes barkut dhe materies”.

Thesari i sjelljes dhe moralit

Ramazani e pastron njeriun nga veset dhe e pasuron me vlera, ia gdhend gabimet dhe e pajis me virtyte.

Agjërimi synon “ngritjen e njeriut në gradat e melekëve dhe ruajtjen e shqisave nga të këqijat dhe mëkatet, kurse largimin nga ushqimi dhe pija është vetëm mjet për ta larguar gjuhën nga sharja, ofendimi dhe zënka, largimin e dorës nga dëmtimi, largimin e shikimit nga shikimi i gabuar dhe ndalimi i veshit nga dëgjimi i përgojimit, bartjes së fjalëve dhe thënies së fjalëve të këqija”.

(shiko: “”Mekalatul-Islamijjine fi shehri Ramadan”, fq. 238, teksti me titull: “Morali i agjëruesit”, të Abdul-Vehab Halafit).

Një dijetar tjetër thotë:

“Agjërimin ia ka bërë Allahu, subhanehu ve teala, obligim që kur njeriu uritet dhe e kaplon etja e ulë veten, i largohet mendjemadhësia dhe mburja dhe e ndien se, sadoqë ka të mira, është i ngratë, një kafshatë nëse i mungon e përulë, një gllënkë ujë e dobëson, nëse i mungon. Në këtë gjendje e eliminon mburjen dhe i konfirmon dhuntitë e Allahut mbi te, madje edhe një kafashtë bukë dhe një gllënkë ujë. Njeriu atëherë kur e njeh Allahun, atëherë i frikohet Atij, kurse atëherë kur i frikohet përqëndron në rrugën e Tij dhe ecë rrigës së Tij, e le zullumin dhe mendjemadhësinë mbi tokë, e i jep përparësi kënaqësisë së Allahut para kënaqësive të vetes. Kështu bëhet i deleguar i mëshirës dhe paqës për të gjith njerëzit që janë përreth tij”. (shiko: “”Mekalatul-Islamijjine fi shehri Ramadan”, fq. 243, teksti me titull: “Ramazani dhe agjërimi”, të Muhamed Zerkaniut).

Për fund lexoi këto fjalë të Hoxhës së madh Iz Ibën Abdusselamit, ku ai mes tjerash thotë:

“Agjërimi ka disa dobi: ngritjen e gradave, shlyerjen e mëkateve, thyerjen e epshit, shtimin e sadakave, shtimin e adhurimeve, falënderimin ndaj Atij që i di të fshehtat dhe ikje nga cytjet e mëkateve dhe kundërshtimeve”. (“Objektivat e agjërimit”, fq. 10).

Këto ishin disa prej thesareve që ju presin në këtë muaj të bekuar të Ramazanit. A jeni të përgatitur që ti përvetësoni këto? Vallë, ju paraqesin provokim këto?!

Disa shkëndija:

Për fund edhe disa shkëndija që ua ndriçojnë rrugën edhe më shumë agjëruesve.

• Je i sinqertë, i vendosur, pastro shpirtin tënd, pastro zemrën, ngjalle mallëngjimin dhe publiko gëzimin.

• Nxito të pendohesh, kërko falje më shumë, nënshtroju Allahut, le të pikojnë lotët e pendimit dhe shfrytëzoje këtë sezon të pastrimit dhe larjes së mëkateve.

• Kujdesu që të arrish tekbirin fillestar në namazet, kujdes për sunnetet e rregullta të namazeve dhe shto sa ma shumë veprat e mira.

• Mere hisen tënde nga namazi i natës, lutja e kunutit, qëndrimi i gjatë në namaz dhe në sezhde, ngriti duart që të lutesh në kohën e syfyrit dhe mbushe pjesën e tretë të natës me istigfar.

• Lexo pa ndalë Kur’an, le të jetë gjuha jotë e lagur me dhikër, merr nga sofra e Allahut, ndriçoje natën me texhvid dhe parfymos ditën me lexim të Kur’anit.

• Kujdesu për farefisin, vizito të afërmit, falua gabimet, bashkohu me njerëzit e lagjes, afrohu me fqinjët, përsërite vizitën e vëllezërve dhe shto dashurinë ndaj familjes, gruas dhe fëmijëve tu.

• Përcaktoi familjes tënde program imanor për shfrytëzimin e këtij thesari të çmueshëm, ndejë për lexim të Kur’anit, për mësime të rregullave të agjërimit, për namaz nate, për dhikër, etj.

• Llogarite zekatin, grumbullo zekatin e farefisit dhe familjes tënde dhe mundohu me shokë ta ndani aty ku duhet sipas rregullave të fesë. Mundohu të jesh i pari dhe të bësh gara me tjerët në këtë mejdan.

• Kujtoja vëllezërve tuaj muslimanët e shtypur anë e mbanë rruzullit tokësor, mos i harro nga lutjet tuaja dhe kujdesin tënd, publikoji lajmet e tyre dhe demaskoi pretendimet e jomuslimanëve.

Allahun e lusim që të na mundësoi sa ma mirë ta kalojmë këtë muaj të bekuar. Allahun e lusim që të na i pranon adhurimet që i bëjmë në këtë muaj. Allahun e lusim që veprat që i bëjmë në këtë muaj ti regjistron në regjistrin e veprave të mira. Amin.

 

Përgatiti: Bekir Halimi

Hutbe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *