DITA E DYMBËDHJETË


12 Ramazan

Ajet Kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; …” [Kuran, 3:96-97]

Hadith

I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Umreja në Ramazan është e barabartë me një haxh.” [Muttefekun alejhi] Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet: “është e barabartë me një haxh së bashku me mua.” [Muslimi]

Thesar

Prej thesareve që i arrin njeriu kur e bën umren në Ramazan është namazi në Qabe, sepse siç ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Një namaz në Qabe është më i mirë se njëqindmijë namaze në vende tjera.”[1]

Thënie nga brezat e parë

Ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Nuk ka vend në të cilin do të llogaritet njeriu për atë që i shkon ndërmend ta bëjë, edhe nëse nuk e bën atë, përveç Mekes.” Pastaj lexoi fjalën e Allahut: “ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.” [Kuran, 22:25]


[1] Këtë hadith e shënon Ahmedi, ndërsa Mundhiriu e cilëson si “sahih” (të shëndoshë).

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *