Ramazani: Një përkujtues i bashkimit të muslimanëve


Ebu Hurejrah, radiallahu anhu, ka transmetuar se Pejgamberi, salAllahu alejhis ua selam, ka thënë: ”Agjëro kur ata agjërojnë, përfundoje agjërimin kur ata ta mbarojnë të tyrin dhe bë kurban kur ata të bëjnë kurban”. [1][1]

El-Bejhaki ka transmetuar përmes Ebu Hanifa-s i cili ka thënë: Ali Ibnul-Akmar më ka transmetuar mua nga Mesruk i cili ka thënë: ”Unë kam hyrë tek Aisha në ditën e Arafatit kështu ajo më ka thënë: ”Shërbeje Mesrukun me ca përshesha (llapë) dhe bëje më të ëmbël”. Mesruk i ka thënë: ”Asgjë nuk më pengon mua të agjëroj këtë ditë përveç frikës se mos ishte dita e Kurbanit. Kështu Aisha më ka thënë mua: ”Dita e Kurbanit është kur njerëzit bëjnë kurban dhe dita e përfundimit të agjërimit është kur njerëzit e përfundojnë agjërimin e tyre”.

Ky zinxhir transmetimi është xhejjid (I mirë) për shkak të asaj çfarë ka vazhduar.

Kuptimi i Hadithit

Imam et-Tirmidhi ka thënë pasi e ka cituar hadithin:

“Një nga njerëzit e dijes e ka shpjeguar këtë hadith duke thënë: Kuptimi i tij është për të agjëruar dhe për ta përfunduar agjërimin bashkë me xhematin dhe maxhorancën e njerëzve”.

Es-San’ani ka thënë në Subulus-Selam (2/72):

“Në këtë hadith është një fakt që është në përputhje me njerëzit që e kanë pranuar vendosjen e Bajramit (Id- në arabisht) dhe që individi që beson se është ditë Bajrami për shkak të shikimit të hënës atëherë është e obligueshme mbi të të jetë në përputhje me njerëzit dhe që gjykimi i njerëzve…përsa i përket faljes, përfundimit të agjërimit dhe bërjes Kurban është e detyrueshme mbi këtë individ”.

Ibën Kajjim, rahimahullah, e ka përmendur këtë kuptim në Tehdhibus-Sunan (3/214) dhe ka thënë ”Është e thënë: Në të është një refuzim për ata të cilët thonë që kushdo që e di pozicionet e hënës për shkak të llogaritjeve astronomike atëherë është e lejueshme për të të agjërojë dhe ta përfundojë agjërimin, madje edhe nëse të tjerët nuk e dinë. Është thënë: Që individi që dëshmon të shfaqurit e hënës, por Kadiu (gjykatësi) nuk e ka pranuar dëshminë e tij atëherë nuk ka agjërim për të, siç nuk ka agjërim për njerëzit”.

Ebul Hasan es-Sindi ka thënë në “Hashijah a’ala Ibën Maxhe” pasi ka përmendur hadithin e Ebu Hurejrah-s i cili është transmetuar nga et-Tirmidhiu: ”Dhe kuptimi i dukshëm është: Që nuk ka vend për (opinionet) e individëve për të hyrë në këto punë, e as të veprojnë në mënyrë individuale për këtë. Ndërsa kjo punë i përket Imamit (liderit të muslimanëve) dhe Xhematit (trupit të bashkuar të muslimanëve nën udhëheqësi të imamit). Është e obligueshme mbi individët të ndjekin Imamin dhe Xhematin. Nga kjo është se nëse një individ e shikon hënën por Kadiu e ka refuzuar dëshminë e tij atëherë individi nuk ka të drejtë në këto çështje por duhet të ndjek xhematin në këtë”.

Dhe ky është kuptimi i cili është i dukshëm nga hadithi dhe i cili është i theksuar nga fakti që Aisha, radiallahu anha, e ka përdorur atë me Mesrukun kur ai e ka penguar veten për të agjëruar në ditën e Arafatit duke iu frikësuar se mos është ditë kurbani. Kështu ajo ia ka shpjeguar atij që nuk ka peshë opinioni i një individi për këtë dhe që ai duhet të ndjek xhematin. Kështu ajo i ka thënë atij: ”Dita e kurbanit është kur njerëzit bëjnë Kurban dhe dita e përfundimit të agjërimit është kur njerëzit përfundojnë agjërimin e tyre”.

Dhe kjo është çfarë është më e dobishme; natyrshmëria dhe toleranca e Sheriatit (Ligjit Islam), ku njëri nga qëllimet është bashkimi i njerëzve së bashku, duke i unifikuar radhët e tyre dhe duke u larguar nga të gjithë ata që ndahen nga bashkimi i tyre i përgjithshëm – nga opinionet individuale. Kështu Sheriati nuk i jep asnjë peshë opinionit të individëve në çështje që i përkasin Ibadah xhama’ijah (rite kolektive të adhurimit) të tilla si agjërimi-Bajrami dhe falja me xhemat – edhe nëse opinioni është korrekt, nga njëra anë. A nuk shikoni që sahabet, radiallahu anhum, janë falur mbrapa njëri-tjetrit. Kështu nga ata ka patur prej tyre që e kanë konsideruar që prekja e një gruaje ose derdhja e gjakut nga trupi e zhvlerëson abdesin dhe janë falur përkrah me ata të cilët nuk e kanë mbajtur këtë pikëpamje. Nga ata ka pasur prej tyre që e kanë kompletuar faljen ndërsa udhëtonin ndërsa të tjerët e kanë shkurtuar. Dhe këto dhe të tjera ndryshime nuk i kanë penguar ata nga të falurit kolektivisht pas një imami të vetëm dhe kanë mbajtur mendimin se është i pranueshëm. Dhe kjo është sepse ata e dinin që teferruk (përçarja) në fe është më e keqe sesa ndryshimet në Ihtilaf në disa opinione. Madje, çështja me një prej tyre arriti deri aty sa ta quante të papranueshme asnjë opinion i cili ka ndryshuar me Imamin e madh në grumbullime të mëdha; të tilla si grumbullimet në Mina (gjatë Haxhit) deri aty që ai do ta linte veprimin mbi opinionin e tij në atë grumbullim – duke u larguar nga ajo e cila mund të rezultojë në keq, për shkak të veprimit në opininin e tij.

Kështu Ebu Dauudi transmeton (1/307) që Uthmani, radijallahu anhu, i ka falur katër rekatë në Mina, kështu Abdullah Ibën Masudi e ka kritikuar atë dukë thënë: ”Unë kam falur dy rekat me Pejgamberin, salAllahu alejhis ua selam, dhe dy rekatë me Ebu Bekrin dhe dy rekatë me Omerin dhe dy rekate me Othmanin në fillim të qeverisjes së tij, pasta ai e kompletoj atë (duke falur katër rekatë). Pas kësaj rrugët u bënë të ndara me të gjithë ju. Kështu unë shpresoj nga këto katër rekatë që të dyja këto të jenë të pranueshme”. Më pastaj Ibën Masudi vet ka falur katër rekatë. Kështu i është thënë atij: Ti e ke kritikuar Othmanin e ti u fale me katër rekatë? E ai ka thënë: ”Ndryshimi është i keq”.

Kështu ata të cilët vazhdojnë të ndahen përsa i përket faljeve dhe të cilët refuzojnë të ndjekin imamët lokal në disa xhami – veçanërisht në Faljen e vitrit gjatë Ramazanit – duke përdorur si fakt që është kundër medhhebit të tyre atëherë ata duhet të reflektojnë mbi hadithin e mësipërm dhe etherin [trasmetimin].

Pra ata të cilët kanë dituri astronomike dhe për shkak të opinionit të tyre agjërojnë dhe e përfundojnë agjërimin vetëm duke munguar ose ndarë nga maxhoranca e muslimanëve, duke mos parë asnjë gjë të keqe në të vepruarit kështu – ai duhet të reflektojë edhe mbi faktet e përmendura më parë. Kështu të gjithë ata duhet të konsiderojnë dhe të reflektojnë mbi dijen që është përmendur. Ndoshta do të gjejnë për vetet e tyre një kurë për injorancën e tyre dhe vetdëshpërimin, kështu që ata mund të bëhen atëherë një rresht i bashkuar përkrah vëllezërve të tyre musliman – sepse me të vërtetë Dora e Allahut është mbi xhematin.

Shejh Muhammed Nasirud-din Albani

Marrë nga: Silsilatul-Ahadithus-Sahihah (1/442-445)

Përktheu: Ammar Ardit Kraja

 



[1] Sahih: i transmetuar nga Et-Tirmidhiu (2/37). Shejh Albani e ka verifikuar sahih në es-Sahiha (nr. 224). 

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *