Tetë mesele


Es-selamu alejkum 

Dijetari pyeti nxënësin: Sa kohë ke që më shoqëron? 

Nxënësi: Tridhjetë e tre vjet. 

Dijetari: Çfarë ke mësuar prej meje gjatë kësaj kohe? 

Nxënësi: Tetë mesele. 

Dijetari: Inna lilah ve inna ilejhi raxhiun, tërë ymri më kaloi me ty dhe ti vetëm tetë mesele paske mësuar prej meje?! 

Nxënësi: O mësues nuk kam mësuar çështje të tjera dhe nuk dua të gënjej. 

Dijetari: M’i trego ato mesele që ke mësuar. 

Nxënësi: 

Meseleja e parë është: Vërejta se çdo njeri ka një të dashur dhe, kur shkon në varr, largohet prej tyre, andaj të dashurit e mi bëra veprat e mira, e kur të hy në varr, edhe ato do të hyjnë me mua. 

Meseleja e dytë: Analizova fjalën e Allahut: 

“E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xheneti është vendi i tij”. (En-Naziat: 40- 41). 

Andaj e detyroj veten të luftoj epshin tim, që të qëndroj në adhurime ndaj Allahut. 

Meseleja e tretë: 

Kuptova se të gjithë njerëzit ruajnë gjërat që kanë vlerë, që të mos i humbasin, pastaj analizova fjalën e Allahut: 

“Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme…”. (En-Nahl: 96). 

Për këtë, çdo herë që më binte në dorë ndonjë gjë me vlerë e drejtoja tek Allahu që të ma ruante Ai. 

Meseleja e katër: 

Kam analizuar krijesat dhe kam vërejtur se secili mburret me pasurinë ose sojin e tij, pastaj analizova ajetin Kuranor: 

“… e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)”. (El-Huxhurat: 13). 

Andaj punova për devotshmëri, që të jem i nderuar tek Allahu, azze ve xhele. 

Meseleja e pestë: 

Kam analizuar akuzat që njerëzit i bëjnë shoqi-shoqit dhe mallkimet që i bëjnë njëri-tjetrit dhe kam kuptuar se origjina e tërë kësaj është zilia. Pastaj kam shikuar ajetin Kuranor: 

“…Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë; …”. (Ez-Zuhruf: 32). 

Andaj e flaka zilinë, u largova prej njerëzve dhe kuptova se ndarja është prej Allahut, andaj s’kam pse t’i kem zili njerëzit. 

Meseleja e gjashtë: 

I shoh njerëzit si armiqësohen me njëri-tjetrin, i bëjnë zullum njëri-tjetrit dhe luftojnë njëri kundër tjetrit, e pastaj shikova ajetin Kuranor: 

“Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik…”. (Fatir: 6). 

Andaj braktisa armiqësinë e krijesave dhe u përcaktova vetëm për armiqësinë e djallit, shejtanit. 

Meseleja e shtatë: 

I shoh njerëzit se si e lodhin veten dhe e poshtërojnë duke kërkuar riskun, madje, edhe futet në gjëra që nuk i lejohen e pastaj shikova ajetin Kuranor: 

“Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj…”. (Hud: 6). 

Kuptova se edhe unë jam një prej këtyre gjallesave, andaj u angazhova me detyrat e mia ndaj Allahut dhe nuk merrem me gjërat që m’i siguron Allahu. 

Meseleja e tetë: 

I shikoj krijesat dhe mësoj se çdo krijesë i mbështetet krijesave të ngjashme me të, ose për pasurinë, ose për shëndetin e tij, ose për postin e tij, e pastaj shikova ajetin Kuranor: 

“Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij…”. (Talak: 3). 

Andaj braktisa mbështetjen në krijesa dhe u mundova të mbështetem tek Allahu, azze ve xhele. 

Mësuesi i tha: Allahu të bekoftë. 

Përshtati: Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *