Kërkimi i vdekjes

Pyetje: Jeta ime ka qenë e mbushur gjithmonë me probleme e telashe të ndryshme, andaj kam filluar që ta urrej atë. Sa herë që më ndodh ndonjë fatkeqësi, i lutem Allahut [subhanehu ve teala] që të vdes sa më shpejt e të shpëtoj nga hallet që më kanë rënë mbi kokë, sepse për mua, kjo është rrugëdalja e vetme. A është e lejuar kjo gjë që bëj unë?

Përgjigje: Kërkimi i vdekjes për shkak të fatkeqësive që i ndodhin njeriut është i ndaluar, sepse Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:  “Askush s’duhet ta kërkojë vdekjen për shkak të ndonjë fatkeqësie, por nëse mendon se duhet ta kërkojë atë patjetër, atëherë le të thotë: O Zot! Nëse jeta është më e mirë për mua, më jep mundësi të jetoj, por nëse vdekja është më e mirë për mua, atëherë më jep mundësi që të vdes”.

Andaj muslimani duhet të shpresojë tek shpërblimi i Allahut [subhanehu ve teala] dhe të presë me durim kalimin e fatkeqësisë. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Fitorja vjen me durim, gëzimi vjen pas dëshpërimit dhe pas çdo vështirësie ka lehtësim”. (Sahih; Tirmidhiu)

Në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh se vështrirësitë dhe problemet që ndesh muslimani gjatë jetës, fshijnë një pjesë të gjynaheve të tij dhe se vetëm me durim dhe shpresë tek shpërblimi i Allahut [subhanehu ve teala] mund të arrihet grada e lartë, për të cilën Ai thotë: “Përgëzoi ata të cilët, kur u ndodh ndonjë fatkeqësi, bëjnë durim dhe thonë: Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”. (El-Bekare: 156)

Në mbyllje, do të dëshiroja që t’i tërhiqja vëmendjen pyetëses, lidhur me faktin se “vdekja është rrugëzgjidhja e vetme për problemet e saj”, pasi ky është një mendim tërësisht i gabuar. Vdekja nuk i zgjidh problemet, por përkundrazi i shton. Sidomos kur njeriu vdes duke pasur gjynahe për të cilat nuk është penduar akoma. Në këtë rast, vdekja nuk do të bënte gjë tjetër pos që do të shpejtonte dënimin e Allahut [subhanehu ve teala]. Andaj duhet të bësh durim, sepse çdo fatkeqësi, sado e madhe qoftë, e ka fundin e vet. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Me të vërtetë, pas vështirësisë ka lehtësim. Me të vërtetë pas vështirësisë ka lehtësim”. (El-Inshirah: 5-6)

 

Ibën Uthejmini

Pyetje dhe përgjigje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *