Kush janë Ehli Suneti


 

Allahun e falënderojmë, lavdi dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin, të zgjedhurin dhe mbi familjen, shokët dhe mbi ata që ndjekin gjurmët e tij!

Është e mirënjohur se shpëtimi dhe lumturia në dynja e ahiret ndërlidhet me pasimin e të Vërtetës dhe ndjekjen e rrugës së Ehli Sunetit. Pasi që secili pretendon se është Ehli Sunet atëherë bëhet detyrë e dijetarëve musliman të sqarojnë kuptimin e këtij termi, të sqarojnë shenjat dhe karakteristikat e atyre që meritojnë të cilësohen me këtë titull: Ehli Sunet. Fjalët në vijim i sqarojnë disa karakteristika dhe veçori të Ehli Sunetit, të cilat janë kriteri që i ndihmon muslimanit të njeh Ehli Sunetin dhe Xhematin, e të ecë rrugës së tyre dhe të kapet për metodën e tyre, për të qenë pjesë e grupit të tyre. Nuk është qëllimi me këto fjalë përkufizimi i të gjitha çështjeve të besimit (çështjet dogmatike) të Ehli Sunetit, sepse ato gjinden në librat e akides, por qëllimi është njohja e dallimit mes Ehli Sunetit dhe grupeve tjera dhe ajo që e dallon prej tjerëve.

Kuptimi i termit Ehlu Suneti vel-Xhema’a

Suneti: është ajo në të cilën ishte Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem; dituria, veprat, besimi, dukja dhe sjellja. Domethënë tërë ajo të cilën na e ka sjellur Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Xhemati: janë shokët e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe ata që i ndjekin në mënyrën më të mirë dhje ecin rrugës dhe metodës së tyre.

Ehli Suneti janë njerëzit më të kujdesshëm në ndjekjen e Pejgamberit, në njohjen e gjendjes së tij, njerëzit që më së shumti përputhen me metodën e sahabeve, radijallahu anhum, kurse kjo assesi nuk domethënë se secili që pretendon se është në metodë të Ehli Sunetit, ose e quan partinë e tij “parti selefiste” ose xhematin e tij me “xhemati i Ehli Hadithit” ose “xhemati i Ehli Etherit”, se ai është i tillë, pasi që vlerësimi bëhet sipas metodës, kapjes dhe ndjekjes së njëjtës e jo me emërtime e si është e njohur në mesin e njerëzve.

Të gjithë pretendojnë se janë Ehli Sunet, porse ky pretendim nuk quhet nëse nuk vërtetohet me plotësimin e kushteve dhe posedimin e cilësive të përmendura në vijim, pasi që ato paraqesin dallimin mes atyre që e meritojnë këtë emërtim dhe mes atyre që e pretendojnë duke qenë i ç’veshur prej të gjitha këtyre karakteristikave. I kam shkruar në paragrafë që të kuptohen më lehtë, të perceptohen dhe të mund të realizohen, me lejen e Allahut.

1- Ehli Suneti dhe Xhemati burim të akides, dogmës së tyre kanë Kuranin Fisnik dhe Sunetin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe ato kuptime dhe koncepte që na i kanë lërë në trashëgim brezat e artë të islamit, es-Selefus-Salih. Ata nuk i japin përparësi as logjikës, as zbulesës , as shijes e as ëndrrave para argumenteve fetare. Ata nuk i japin përparësi fjalës së një shejhut apo evliasë para fjalës së Allahut dhe fjalës së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

2- Ehli Suneti në çështjet e akides, dogmës, nuk i atribuohen një personi konkret e as një sekte konkrete, por i atribuohen Sunetit dhe Selefit (brezave të artë të Islamit). Ata nuk i atribuohen Eshariut, as Maturidiut, as Xhemit, as Xha’dit, as Zejdit, as Ubejdit, nuk i atribuohen as mutezilive, as murxhiave e as kaderive, por i atribuohen Sunetit dhe Sahabeve, shokëve të Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. (Në atë që jam unë dhe shokët e mi; pjesë e një hadithi).

3- Ehli Suneti në sjelljen dhe metodën e pastrimit të shpirtit nuk i atribuohen ndonjë personi apo tarikati, nuk i atribuohen Xhejlaniut, apo Rifaiut, apo Kaderiut, apo Tixhaniut, apo Nakshibendiut, apo Alevitëve apo Shadhilisë, etj, por sjelljen dhe mënyrën e pastrimit të shpirtit e marrin nga ai që ka thënë: “Më ka dërguar Allahu që të përsosi virtytet morale” dhe nga ai “që sjellja e tij ishte Kurani”, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Ashtu sikurse që nuk dallohen nga Umeti në bazat e fesë me emër tjetër veç emrit Sunet dhe Xhemat, ashtu nuk dallohen në sjellje dhe metodë të pastrimit të shpirtit me emër tjetër pos emrit Sunet dhe Xhemat.

4- Ehli Suneti e adhurojnë Allahun ashtu siç e ka përcaktuar Ai, me përulje dhe nënshtrim. Ata nuk shpikin adhurime sipas epshit të tyre e as sipas epsheve të tjerëve. Nuk e adhurojnë Allahun me goditje të vetes, as me tupan, as me vallëzim e lëkundje.

5- Ehli Suneti asnjë adhurim nuk ia drejtojnë askujt tjetër veç Allahut, qoftë lutja, kërkimi i ndihmës, therja, zotimet, apo adhurimet tjera. Sikurse është situata te disa fraksione dhe sekte që e kundërshtojnë rrugën e Ehli Sunetit dhe Xhematit.

6- Ehli Suneti dhe Xhemati nxisin vizitën e varrezave, sepse kjo vepër ia kujton njeriut ahiretin, për tu dhënë selam banorëve të varrezave dhe për tu lutur për ta, jo me qëllim të kërkimit të bereqetit në to, as për ti drejtuar lutjen të vdekurit që është në varr, veç Allahut, ose kërkimin e ndihmës prej tyre, ose për tu fërkuar për ato varre, ose për të bërë tavaf rreth tyre, ose për të ther kurban aty, etj.

7- Ehli Suneti dhe Xhemati ia pohojnë Allahut të gjitha Cilësitë që ia ka pohuar Ai Vetes ose ia ka pohuar Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, duke mos i asgjësuar (ta’til) dhe duke mos u shtrembëruar kuptimin e tyre (te’vil), kurse tjerët ia mohojnë të gjitha Cilësitë ose ia pohojnë një pjesë e ia mohojnë tjerat.

8- Ehli Suneti dhe Xhemati besojnë se Imani (besimi) është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet. Veprat nuk i nxjerrin nga kuptimi i besimit sikurse veprojnë murxhiat (sektë e devijuar) e as që llogarisin ithtarët e Kibles si jo besimtarë për shkak të mëkateve dhe mëkateve të mëdha që i bëjnë ata sikurse bëjnë havarixhët.

9- Ehli Suneti dhe Xhemati nuk i anatemojnë ata fraksione që i kundërshtojnë vetëm pse dallohen prej tyre, në përjashtim të atyre fraksioneve që tërë dogmën e tyre e mbështesin në parime të kufrit, sikurse janë ismailitët, nusejritët, etj.

10- Ehli Suneti dhe Xhemati distancohen nga jobesimtarët, ateistët, idhujtarët dhe renegatët. I urrejnë dhe armiqësojnë. Kurse i duan besimtarët, i miqësojnë dhe u ndihmojnë për aq sa kanë besim dhe vepra të mira.

11- Ehli Suneti dhe Xhemati i duan shokët e Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i llogarisin të gjithë të drejtë, i afrohen Allahut me dashurinë ndaj tyre, duan edhe Ehli Bejtin, duan me dashuri besimi edhe gratë e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nënat e besimtarëve dhe distancohen nga ata që i shajnë dhe i armiqësojnë. Distancohen edhe prej atyre që i glorifikojnë dhe i ngritin mbi pozitën e tyre njerëzore ose i llogarisin si të pagabueshëm.

12- Ehli Suneti dhe Xhemati në fikh mbështeten në Ixhmanë, konsensusin dhe në atë që aludon Kurani dhe Suneti, i llogarisin mendimet e sahabeve, tabiinëve dhe pasuesit e tyre (etbeut-tabiin), ndjekin dijetarët e mëdhenj të muslimanëve sikur Imam Ebu Hanifja, Imam Maliku, Imam Shafiu, Imam Ahmedi dhe dijetarët e fukahatë tjerë që kanë ardhur pas tyre, ata që ndjekin Sunetin dhe ndiqen prej njerëzve, e janë të njohur për mirësinë e tyre ndër Umet.

13- Ehli Suneti dhe Xhemati i llogaritë të gjithë muslimanët të barabartë në obligimet fetare, nuk i ndanë njerëzit në masën e gjerë dhe në ata të veçantit (Amme dhe Hassa), e as në ata të veçantit e të veçantive (hassatul-Hassa), e as që ka te ata sheriat (ligje) dhe hakikat (realitet i brendshëm), por është një Fe, një Ligj, një Zot, i ka zbritur një Profeti për mbarë njerëzit.

14- Ehli Suneti dhe Xhemati janë mesatarë dhe të drejtë në çdo gjë. Mesatarë mes ekstremistëve dhe liberalëve, atyre që e teprojnë dhe atyre që e mangësojnë, atyre që e lehtësojnë (pa arsye fetare) dhe atyre që e shtrëngojnë.

15- Ehli Suneti dhe Xhemati janë njerëzit që më së shumti kujdesen për unifikimin e fjalës dhe bashkimin e radhëve, pasi prej besimit të tyre është: kryerja e obligimit të xhihadit, falja e xhumasë dhe falja e namazit me xhemat pas çdo Imami (prijësi) qoftë i devotshëm ose mëkatar, madje e llogarisin të saktë edhe namazin e falur pas një imami bidatxhi apo mëkatarë. Ata janë njerëz që më së shumti e duan pajtimin dhe më së shumti e urrejnë përçarjen. Mund të bëjë gabim dikush që i atribuohet atyre, të mos e ketë kuptuar mirë metodën e tyre dhe veprimin e saktë sipas kësaj metode. Andaj jo gjithsecili që i atribuohet atyre është edukuar me edukatën e tyre dhe ecë saktë në rrugën e tyre. Lakmia për të fituar nga nderi i emrit ka bërë që të hyjnë nën te edhe ata që nuk janë prej tyre.

16- Ehli Suneti dhe Xhemati në gjirin e vet ka dijetarët, fukahatë, ligjëruesit, thirrësit, urdhëruesit në të mirë dhe ndaluesit nga e keqja, mjekët, inxhinierët, tregtarët, punëtorët, të pasurit, të varfrit, të zitë dhe të bardhët, arabët dhe joarabët, sepse metoda e tyre nuk përkufizohet në një shtresë të njerëzve, nuk bëjnë dallime mes shtresave të shoqërisë, ose ta bëjnë diturinë, fenë, prejardhjen apo pozitën e lartë monopol për një grup të caktuar të njerëzve dhe besojnë në fjalën e Allahut: “Më i ndershmi prej jush te Allahu është ai që është më i devotshëm”. (El-Huxhurat: 13).

17- Ehli Suneti dhe Xhemati në mesin e vet ka adhurues asket dhe mëkatarë, njerëz që bëjnë mëkate të mëdha, sepse askush nuk është i pagabueshëm, mirëpo këto mëkate nuk i nxjerrin ata nga fakti se janë Ehli Sune vel-Xhemaah. Madje mund të përlyhen me detale të vogla të bidateve, mirëpo shumë shpejtë i kthehen të vërtetës, atëherë kur tu bëhet e qartë. Kjo nuk i nxjerr ata nga të qënurit Ehli Suneh vel-Xhemaah.

18- Ehli Suneti dhe Xhemati e ndjekin të vërtetën, i mëshirojnë krijesat, i urrejnë mëkatet dhe sillen butë me mëkatarët, i urrejnë bidatet dhe u dhimbsen bidatxhitë.

Këta janë Ehli Suneti dhe Xhemati, këto janë disa karakteristikat e tyre, e lusim Allahun që me Bujarinë dhe Dhuntitë e Tija të na bëje prej tyre dhe të bashkojë Umetin në atë ql i ka bashkuar ata!

Shejh Alevij Sekaf

Drejtor gjeneral i shoqatës “Durerus-Senijeti”

 

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *