Një sqarim rreth sinqeritetit


Në një bisedë të lirë me një mik u hap tema e sinqeritetit dhe bashkëbiseduesi e shpalosi brengën që ka për problemin e sinqeritetit në veprat e mira. Me këtë brengë të tij mu kujtuan edhe bisedat me shumë të rinj mysliman që e shprehin të njëjtën brengë. Në bisedën të cilën e zhvilluam këtij miku ia shpalosa disa gjëra që sipas meje janë shkaku i shtimit të kësaj brenge në mesin e myslimanëve të ri. 

E para: Nëse lexojmë mbi sinqeritetin do të shohim se shumica e fjalëve që thuhen në këtë temë janë fjalë të dijetarëve që vijnë pas sahabeve, nuk gjen fajlë të sahabeve që flasin për këtë temë. Sipas meje kjo ndodh për shkak se tek sahabet nuk ka ekzistuar stërhollimi i çështjeve siç është bërë zakon dhe praktikë e brezave të mëvonshëm. Ata janë mjaftuar me zhvillimin normal edhe të njohjes së fesë edhe të vet afetarizmit. Andaj mendoj se kjo rrugë duhet të ndiqet edhe nga myslimanët e sodit. Mos të futemi në detale dhe të mbetemi në to. Sepse qëllimi i udhëtimit të besimtarit është të arrijë te Allahu, veprat e mira janë mjeti bartës, kurse sinqeriteti është lënda djegëse e mjetit bartës, andaj kur ne mbetemi në analizat rreth lëndës djegëse, cilin kualitet e ka, atëherë harrohemi në aksion dhe mbetemi shumë vonë nga caku madje mund që edhe mos të arrijmë aspak te caku. Dua të theksoj se këtu flasim për stërhollimet rreth sinqeritetin e aspak esencën dhe gjënë e domosdoshme të sinqeritetit. Sipas meje kjo është ajo që e dallon brezin e sahabeve nga brezat tjerë. 

E dyta: krahasimi i tyre me dijetarë eminentë të historisë islame. Ata kur lexojnë apo dëgjojnë për kujdesin e tyre mbi sinqeritetin dhe luftën e madhe që kanë bërë për të siguruar sinqeritetin, kjo bëhet shkak për një demoralizim të madh në këtë drejtim. 

Këtu edhe qëndron defekti. Krahasimi është i pavend. 

Ata kanë qenë dijetar që kanë jetuar në një ambient shumë fetar, me prejardhje nga familje fetare dhe në një mes ky gara e tyre ka qenë me dijetarë të dalluar të ymetit. Kurse shumica e myslimanëve sot nuk janë dijetarë, nuk vijnë nga familje fetare, nuk jetojnë në një ambient të avancuar fetar, andaj kjo e tregon edhe dallimin e krahasimit dhe sipas meje me automatizëm e largon atë demoralizim që paraqitet te këta të ri. 

Nëse historia islame ka patë me dhjetëra mijë dijetarë dhe ne e lexojmë jetëpërshkrimin e tyre dhe të gjithë mundohemi të krahasomi me ta, kjo ka mundësi të ketë edhe efekt negativ, demoralizim dhe braktisje edhe të atyre pak veprave të mira që i bëjmë. Andaj secili le të krahasohet me eshin e tij, hoxhallarët e sodit me dijetarët e historisë islame dhe masa e gjerë me masën e gjerë të ymetit islam gjatë historisë. Besoj se në këtë formë krahasimi bëhet i plotë dhe ky element shndërrohet në ndikues pozitiv në zhvillimin e personalitetit fetar të një myslimani të thjeshtë. 

E treta: Pa marrë parasysh debatin teorik rreth sinqeritetit, nëse secili prej nesh vite të tëra vazhdon në vepra të mira dhe se pa i bërë këto debate ose pa patë këtë frikë njeriu vite dhe dekada vazhdon në vepra të mira, besoj, se kjo është argumenti më i mirë i pranisë së sinqeritetit. Nëse themi se vepra e mirë ndodh me ndihmë dhe përkrahjen e Allahut dhe se vepra e mirë është rezultat i veprave të mira, atëherë na bëhet e qartë se vazhdimi në vepra të mira është i pamundshëm pa sinqeritet. Për këtë edhe themi se vet vazhdimi një kohë të gjatë në vepra të mira, në një kohë që kemi shumë shembuj të tjerëve që kanë devijuar pas udhëzimit, për mua është një argument shumë i fuqishëm për faktin se sinqeriteti që kemi patë na ka mbajtur gjallë në këtë rrugë dhe në këto vepra të mira. Andaj debati dhe biseda rreth sinqeritetit veç se mund të na dëmtoj në këtë rast e aspak të na ndihmojë. 

E fundit: mbushja e shpirtit me vepra të mira, fisnikërimi i tij me nijete të pastra, kalitja e vetes me adhurime e shndërron njeriun në një krijesë e cila në të gjitha veprimet e veta nuk kujton asgjë tjetër veç fitimit të Kënaqësisë së Allahut dhe gëzimit se është duke bërë vepra të mira dhe të dobishme për njerëzit në përgjithësi dhe për besimtarët në veçanti. Andaj atij as kur e fillon iniciativën për një vepër të mirë, e as gjatë zbatimit të një vepre të mirë e as gjatë përfundimit të asaj vepre, nuk i shkon mendja askund tjetër veç se te Allahut dhe përfitimi nga kjo e mirë. 

Allahu na bëftë të sinqertë. Amin!

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *