Punim shkencorë për një hadith me rastin e hyrjes në muajin Rexhep


 

Sa është i saktë hadithi: “O Allah! Na beko në Rexhep dhe në Shaban dhe na mundëso të arrijmë muajin Ramazan”.

Kjo lutje është tej mase e përhapur nëpërmjet muslimanëve dhe me të madhe përhapet në fillim e këtyre tre muajve, sikur muaji Rexhep, Shaban dhe Ramazan.

Do të sjellim burimet e këtij hadithit duke sqaruar edhe pozitën që ka në rangimin e haditheve, është i saktë, autokton, apo nuk ka arritur gradën e tillë.

Lusim Allahun që të jetë i dobishëm ky shkrim për muslimanët!

Teksti i hadithit:

E regjistron Imam Ahmedi, në librin e tij të quajtur El-Musned, 1/259 duke thënë:

Na rrëfen Abdullahu, na rrëfen Ubejdullah ibën Umeri, nga Zaide ibën Ebi Rekad, nga Zijad en-Numejri, nga Enes ibën Malik, radijallahu anhu, i cili ka thënë: 

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kur hynte muaji Rexhep thoshte: O Allah! Na beko në Rexhep, Shaban dhe na beko në Ramazan. Gjithashtu e thoshte në natën e Xhuma dhe ditën e saj të ndritshme.

 

Burimet e hadithit

Këtë hadith e transmetojnë Ibën Suniu në librin “Amelul-Jeumi vel-Lelji”, nr 659, në transmetimin e të cilit është Ibën Meniu, na rrëfen Ubejdullah ibën Umer el-Kavariri.

Bejhakiu në librin “Shuabul-Iman”, 3/375 me transmetim të Ebu Abdullah el-Hafidh, na lajmëron Ebu Bekër Muhamed ibën el-Muemel, na lajmëron el-Fadël ibën Muhamed esh-Sharani, nga El-Kavariri.

Ebu Neim në librin e tij “El-Hilje”, 6/269 në trasnmetim të Habib ibën El-Hasen dhe Ali ibën Harun, të cilët kanë thënë: na rrëfen Jusuf Kadiu, na rrëfen Muhamed ibën Ebu Bekër, na rrëfen Zaide ibën Ebi Rekad.

Bezari në librin e tij “El-Musned”, 1/285, 402 në trasnmetim të Ahmed ibën Malik el-Kushejriut, nga Zaide.

 

Ky hadith me të gjitha këto transmetime ka dy magësi:

1- Zaide ibën Ebi Rekad.

Ebu Hatimi thotë: transmeton nga Zijad en-Numejri dhe nga Enesi hadithe të ngritura deri te Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, por të panjohura dhe të refuzuara (munker). Nuk e dimë kush e bënë këtë, Zijadi apo Zaide dhe nuk dinim se a ka transmetuar nga dikush tjetër veç Zijadit, andaj e llogarisnim hadithin e tij.

Buhariut ka thënë: transmeton hadithe të panjohura (munker).

Ebu Davudi thotë: nuk i njoh lajmet e tija.

Nesaiu ka thënë: nuk e njoh kush është.

Dhehebiu, në librin “Dijvanud-Duafa”, thotë: nuk është argument. (lejse bi huxheh)

Ibën Haxheri ka thënë: hadithet e tija janë të panjohura (të refuzuara – Munker).

 

2- Zijad ibën Abdullah en-Numejri el-Basri.

Jahja ibën Meini thotë: i dobët në transmetimin e haditheve.

Ebu Hatimi ka thënë: i regjistrohen hadithet dhe nuk argumentohet me hadithet e tija.

Ebu Ubejd el-Axhuriu ka thënë: kam pyetur Ebu Davudin për te dhe më ka treguar se është i dobët (daif) në transmetimin e haditheve.

Ibën Hibani në librin “El-Mexhruhinë”, ka thënë: transmeton hadithe të panjohura (munker). Transmeton nga Enesi gjëra që s’u ngjanë haditheve të transmetuara nga njerëz besnik. Nuk lejohet të argumentohet me te.

Darekutniu ka thënë: nuk është i fuqishëm.

Ibën Haxheri ka thënë: i dobët (daif).

3- Çka thonë dijetarët pas studimit në lidhje me këtë hadith:

Imam Bejhekiu në librin “Shuabul-Iman”, 3/375 thotë: veçohet me këtë hadith Zijad en-Numejri dhe nga ai e transmeton Zaide ibën Ebi Rekad, për të cilin Buhariu ka thënë: Zaide ibën Ebi Rekad nga Zijad en-Numejri transmeton hadithe të panjohura (munker).

Imam Neveviu në librin “El-Edhkar”, fq. 274 ka thënë: është transmetuar në librin “Hiljetul-Evlija” me varg transmetimesh në të cilin ka dobësi.

Imam Dhehebiu në librin “Mijzanul-Itidal”, 3/96 kur flet për biografinë e Zaides dhe e përmend këtë transmetim dhe thotë: gjithashtu është i dobët.

Hejthemiu në librin e tij “Mexhmeuz-Zevaid”, 2/165 thotë: e transmeton Bezari dhe në këtë transmetim është Zaide ibën Ebi Rekad, për të cilin Buhariu ka thënë transmeton hadithe të panjohura (munker), madje një grumbull i dijetarëve e llogarit si të panjohur.

Gjithashtu ka thënë, 3/140: e transmeton Bezari dhe Taberaniu në “Muxhemul-Eusat”, në të cilin transmetim gjindet Zaide ibën Ebi Rekad, sipas disave është përfolur dhe disa e kanë llogarit si besnik.

Ibën Alani në librin e tij “El-Futuhatur-Rabanije”, 4/335 duke cituar Hafidh Ibën Haxherin ka thënë: hadith i rrallë, të cilin e transmeton Bezari dhe Ebu Neimi.

Ahmed el-Bena në librin e tij “Bulugul-Emani”, 9/231, thotë: në vargun e transmetuesve të këtij hadithi të këtij kapitulli është edhe Zijad En-Numejri, i cili gjithashtu është i dobët (daif). Kurse Imam Sujutiu e ka përmendur në librin e tij “Exh-Xhamius-Sagir”, ku ia atribuon Bejhakiut në librin “Shuabul-Iman” dhe Ibën Asakiri. Pastaj tregon se është i dobët edhe pse ka transmetime të ndryshme të cilat e forcojnë njëra tjetrën. Mirëpo nuk i ka përmendur se ku gjinden ato rrugë?!

Sepse ky hadith nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së Zaides.

Ahmed Shakiri në punimin kritik të librit “Musnedit të Imam Ahmedit”, 4/100-101, nr.2346, ka thënë: transmetimi i këtij hadithi është i dobët.

Shuajb el-Arnauti në përpunimin e librit “Musnedi i Imam Ahmedit”, 4/180, nr. 2346, ka thënë: transmetimi i këtij hadithi është i dobët.

Albani në librin e tij “Tahrixhul-Mushkat”, 1/432, nr. 1369, thotë: në librin “Xhamius-Sagir” i atribuohet Bejhakiut në “Shuabul-Iman”, porse Munaviu e demantoi duke thënë: autori (Imam Sujutiu) sikur dëshirojë të thotë se Imam Bejhakiu e ka transmetuar dhe e ka konfirmuar, porse kjo nuk është e saktë, sepse Bejhakiu nuk e ka pranuar si hadith të saktë, sikur e përmendëm më lartë.

Dr. Amir Hasen Sabriu, në përpunimin e librit “Zevaid Abdullah ibën Ahmed ibën Hanbeë fil-Musned”, fq. 198, thotë: zinxhiri i transmetimit është i dobët.

Sipas të gjitha këtyre gjykimeve të dijetarëve ekspertë të lëmisë së hadithit na del në shesh se ky hadith sipas studimit akademik dhe profesional nuk është në ranguin e haditheve autentike, por vlerësohet si hadith i dobët, daif.

Allahun e lusim që të na dhurojë dituri të dobishme dhe vepra të mira!

Përgatiti: Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *