A je ti shtyllë?!


Një familje mund të ketë shumë fëmijë, por vetëm njëri prej tyre është ai në të cilin zakonisht mbështeten më së shumti prindërit. Për njërin besojnë se mund ti mbështeten, pas Allahut, në çdo vështirësi. Me njërin janë të gatshëm ta kalojnë gjithë jetën në shtëpinë e tij. Njërit vetëm mund ti kërkojnë pare çdo herë që kanë nevojë për to.

Njeriu mund të ketë edhe vëllezër të shumtë,por vetëm njëri është ai që i bije në mend kur ka nevojë, te ai mund të strehohet çdo herë që ka nevojë.

Njeriu mund të ketë edhe shumë miq, por vetëm njëri prej tyre është ai që i bie ndërmend kur ka nevojë të shkon në spital në ora tre të mëngjesit. Vetëm ai të shkon ndërmend kur ke nevojë për të marrë borxh në kohëra të vështira për ty.

Të jesh shtyllë, domethënë, të jesh njëshi në mendjen e atij të cilit i beson.

Dikush është shtyllë për qindra familje të varfra e dikush për mijëra të tilla dhe se secili prej tyre mendon se do të jetë mirë nëse ata për ët cilët kujdeset janë mirë.

Lum për njerëzit e tillë, që njerëzit i kanë lidhur shpresat e tyre për ta dhe ata janë në shërbim të tyre!

Lum për ata që një numër i madh besojnë se ata janë të sigurt dhe rehat përderisa janë gjallë ky lloj i njerëzve!

Prej shenjave të suksesit që Allahu i ka dhënë njeriut është që Allahu ta bëjë atë njeri:

Strehim për njerëzit, 

i cili ua largon brengat, 

ua lan borxhet, 

i ndihmon nevojtarit, 

i ndihmon të shtypurit, 

e këshillon të lajthiturin, 

e shpëton të rrëzuarin, 

e udhëzon mëkatarin.

Sa fisnik është ky njeri, të cilin e zgjodhi Allahu dhe e bëri shkak për tu bërë dobi dhe për tu ndihmuar njerëzve!

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: 

“Disa njerëz janë çelës i të mirave dhe mbyllës i të këqijave, kurse disa tjerë janë çelës i të këqijave dhe mbyllës i të mirave. Lum për te që Allahu në duart e tija e përçon të mirën”. Ibën Maxhe, hadithi hasen, sipas shejh Albanit.

Këtë lloj njeriu Allahu kur nuk e poshtëron!

Ai që u bën mirë njerëzve, Allahu edhe më shpejt i bën mirë atij, ia lehtëson këtë të mirë, i hap dyert e dijes, që të sheh dhuntitë e shumta dhe të begata të Allahut, aq sa as nuk mund ta paramendojë.

Bekir Halimi

Artikuj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *