A është feja opium për besimtarët apo instrument i politikanëve për të opiumizuar popullin?


Kur ishim të ri dhe e lexonim këtë parrull të Marksit irritoheshim dhe demantonim kategorikisht, madje edhe lexonim dhe sillnim fakte për ta kundërshtuar këtë parrull.

Mirepo në dekadën e fundit shumë ndodhi na e rikthejnë në kokë këtë parrullë nga ajo që bëjnë disa kategori njerëzish: politikanët, gazetarët dhe klerikët!

Me gjithë kontributin e madh pozitiv që e kanë dhënë dhe e japin klerikët fetar në zhvillimin e kombit shqiptar dhe popuujve joshqiptarë që jetojnë në shtetet tona, ngelet Një pjesë e Klerikëve që fenë e paraqesin si opium për popullin duke përdorë fenë për të justifikuar zhvatjen, zullumin dhe keqpërdorimin e qeverisjes, edhe duke mos pas guximin për të kundërshtuar këtë gjendje të tyre, pasi që edhe ata në institucionet që menaxhojnë nuk kanë instalu sistem të drejtë të vlerësimit, përzgjedhjes dhe emërimit. Një pjesë e tyre, klerikëve, e keqpërdorin këtë presion që i bëhet thirrjes islame edhe hoxhallarëve, atyre puritan dhe fundamentalistë, duke e ofruar veten si version i moderuar i Islamit, duke menduar se me këtë veprim, ata do të bëhen të preferuar te qarqet ndërkombëtare, mediat vizive dhe qarqet qeverisëse. Edhe këta e shfrytëzojnë fenë si opium për të krijuar amulli në shoqëritë tona në lidhje me fenë dhe duke krijuar aversion ndaj formës tradicionale të fesë dhe ndaj fetarëve.

Fenomeni i klerikëve fetar dhe përgjegjësia e tyre fetare, intelektuale dhe institucionale, meriton trajtim shumë dimenzional edhe më të gjerë, shpresojmë që ta bëjmë në ndonjë moment tjetër.

kurse politkanët në dy forma kryesore:

1- Në momentet kur ata bëjnë veprime në kundërshtim me interesin e shtetit, kombit dhe popullit, apo bëjnë marrëveshje turpi, hapin temën e fesë, ekstremizmit fetar, terrorizmit dhe ngrisin skenare e burgosin njerëz nën këtë preteks, duke keqpërdorë fenë d[he sulmin kundër fesë për mbulim të hileve dhe turpeve të tyre. Domethënë ata bëjnë Përdorim negativ të fesë për arritjen e interesave meskine të tyre.

2- Dështimin në zhvillimin dhe funksionalizimin e shtetit të së drejtës, gjë e cila shihet në çdo cep të shteteve tona, por del në shesh me të madhe gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme, politikanët mundohen ta maskojnë këtë realitet me përdorim të fesë në kontekst pozitiv, përzgjedhin porosi fetare, edhe pse u përziejnë autorësinë dhe nuk interesohen për saktësinë, për të shfaqe veten si mesiah e shpëtimtarë dhe se njerëzit duhet duruar këtë gjendje, dhe se ata duhet nënshtruar pushtetit dhe masave që i merr ai për tejkalimin e këtyre gjendjeve të jashtëzakonshme, dhe se çdo mosnënshtrim ndaj tyre dhe masave të tyre është edhe rrebelim ndaj Zotit!

Duke anashkaluar krejt ato argumente të shumta dhe të qarta që flasin për objektivat e mëdha të feve në përgjithësi dhe fesë Islame në veçanti, dhe që paraqesin bazën e tyre siç është monoteizmi, me të cilin parim Allahu, Krijuesi i qiejve dhe tokës është Sovrani absolut dhe se secili politikan e pushtetar nuk është i gjithëpushtetshëm, absolut, mendjemadh, arrogant, despot, e tiran, porse e ka amanet këtë pozitë për të vënë në funksion parimin tjetër bazik të fesë, drejtësinë (si ligje dhe si zbatim i tyre), me zbatimin e të cilit e fiton bekimin e Zoti dhe pastaj edhe të popullit, dhe që qeversija e tyre asnjëherë nuk duhet të del nga parimi i tretë bazik i fesë, morali, ku do ruan ndershmërinë dhe kompetencat, si amanet  të marrë nga Zoti dhe pastaj edhe nga njerëzit nëpërmjet procesit votues të drejtë dhe transparent.

Shumë gazetarë fenë e përdorin si opium për masën e gjërë, sipas rrethanave dhe situatave, në kontekst negativ apo pozitiv, me të vetmin qëllim që të shtojnë klikimin dhe të dominojnë me lajmet senzacionale, edhe nëse ato s’janë aspak të sakta dhe kanë të bëjnë me cenimin e të drejtave individuale të njeriut dhe janë ndesh me prezumimin e pafajësisë të secilit të akuzuar deri sa të dëshmohet e kundërta. Kurse krejt këtë insistim të rritjes së klikimeve për të rritur të ardhurat e tyre finansiare, andaj edhe qëndrimet e tyre janë mistike, janë apologjetik në elaborimin e qëndrimeve të tyre e aspak racionale, edhe pse krenohen se janë pjesë e kulturës liberale dhe racionale!

Për ta vërtetuar faktin se ata e drogojnë masën me përdorimin e fesë e shohim te numri i madh i njerëzve fetarë të cilët vazhdojnë ti përcjellin ato lajme, ato portale edhe media vizive edhe pse shumë herë është dëshmuar gënjeshtra e tyre e kulluar dhe e qartë ndaj parimeve të fesë, hoxhallarëve dhe veprimit të qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile me ndjenja të theksuara fetare.

Prej kësaj që e tham, edhe pse nëse do të sillnim shembuj për krejt këto raste, do bëhej ky shkrim modest një libër, na bëhet e qartë se feja nuk qenka opium vetvetiu dhe nga argumentet mbi të cilat ngritet, sepse argumente të ndryshme antropologjike, historike, sociale, shkencore, e dëshmojnë në vazhdimësi vërtetësinë e parimeve të saja, por keqpërdoruesit e saj, qofshin ata bartës injorant të saj ose njerëz jo të ndershëm që veshin petkun e fesë, ose kundërshtarë të saj, qoftë duke e përdorë për defokusim nga dështimet e veta, ose duke e përdorë për të forcuar despotizmin dhe tiraninë e tij, janë ata që e përdorin si opium për popullin.

Bekir Halimi

Aktuale

top

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *